Pyetja 1: Pas pohimit të pesë rregullave të përmendura në hadith, a ekziston ndonjë gjë tjetër që të nxjerr prej Islamit, qoftë shirk ose ngjashëm me të, apo jo?
Të gjitha Lavdërimet i takojnë Allahut, Paqja dhe Përshëndetjet e Allahut qofshin mbi të dërguarin e Tij, familjen dhe shokët e tij! E pastaj ...
Përgjigje 1: Islami: Të dëshmosh se nuk ka zot tjetër që meriton ta adhurojmë përveç Allahut dhe se Muhamedi është i dërguari i Allahut, ta kryesh namazin, ta japësh zeqatin, ta agjërosh Ramazanin, dhe ta vizitosh Shtëpinë e shenjtë (Qabenë) nëse ke mundësi. Imani: Të besosh në Allahun, melaiket e Tij, Librat e Tij, të dërguarit e Tij, në Ditën e Gjykimit, dhe në caktimin e Allahut për të keqen ose për të mirën. Dhe Ihsani (Bamirësia ideale): Ta adhurosh Allahun sikur te jesh duke e parë Atë, sepse edhe nëse ti nuk je duke e parë, Ai është duke të të parë ty. Islami përfshinë të gjitha veprat e dukshme; Imani përfshinë të gjitha veprat e brendshme (të padukshme); dhe këto të dyja janë të pandashme njëra me tjetrën, prandaj Islami nuk është i saktë nëse nuk ekziston imani, e as imani pa Islamin. E sa u përket atyre që e prishin Islamin ato janë të shumta, dhe janë quajtur prishësit e Islamit. Më e madhja prej këtyre është shirku (marrja e dikujt ortak) ndaj Allahut, siç është lutja drejtuar të vdekurve apo kërkimi i ndihmës përmes tyre, apo lutja e idhujve, drunjve, yjeve apo gjëra të ngjashme, sipas fjalës së të dërguarit (salallahu alejhis ue selem) pas pyetjes që iu bë se cili gjynah është më i madhi, tha: “Ti bësh Allahut ortak, e Ai të ka krijuar ty,” hadithi është i saktë me unanimitet të dijetarëve. Prej tyre është edhe sharja e Allahut dhe e të dërguarit të Tij dhe tallja me fenë; prej tyre është edhe kundërshtimi i asaj që është e domosdoshme të dihet se është obligim fetar, siç është namazi dhe zeqati; si dhe kundërshtimi i asaj që është e domosdoshme të dihet se është e ndaluar fetarisht, siç është zinaja (imoraliteti) dhe vjedhja. Dijetari i madh i Islamit Muhamed ibn Abdul-Vehab (Allahu e pastë mëshiruar) na ka tërhequr vërejtjen nga dhjetë prej këtyre veprave, të cilat ndodhen në “Përmbledhjen e Teuhidit”, faqe 271, e cila është botuar veçmas; E nëse dëshiron që të zgjerohesh më shumë në njohjen e kësaj çështje atëherë ktheju kaptinës rreth “Dispozitave të dezertorit (braktisësit) të fesë” në librat e Fik’hut Islam.
I gjithë suksesi është me ndihmën e Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të dërguarin tonë Muhamedin, mbi familjen dhe shokët e tij!
Komisioni i përhershëm i hulumtimeve shkencore dhe fetwave
Anëtari:
Abdullah ibn Ku’ud
Anëtari:
Abdullah ibn Abdur-Rrahman ibn Gudejan
Zëvendës-presidenti i komisionit:
Abdur-Rrezak ‘Afifi
Kryetari:
Abdul-Aziz ibn Abdullah ibn Baz
Përktheu dhe përshtati, Hekuran Helshani