Youtube/Tezkije
(4) Rruga më e suksesshme për të pasur arritje në dije, është t’i marrësh dijet një e nga një
Dr. Ali ibn Imrani
 18.06.2022

(4) Rruga më e suksesshme për të pasur arritje në dije, është t’i marrësh dijet një e nga një, duke përfunduar njërën e më pas të kalosh te tjetra. Por kur ke mundësi, mund të merresh edhe me dy shkenca njëkohësisht

Kjo që përmendëm është këshilla e dijetarëve të hershëm që kanë trajtuar këtë temë në librat e tyre si Ibn Xhemaah në librin “Et-Tedhkirah” dhe siç e kanë këshilluar edhe ata që kanë shkruar për disiplinat e dijes dhe zhvillimin e tyre, si Ibn Halduni në “Mukadimen” e tij.[1]

Për këtë çështje kanë pyetur shumë studentë dhe në fakt kjo ka shumë rëndësi. Por për mua nuk ka përgjigje më të arsyeshme sesa ajo që kam shkruar në rreshtat e para të pikës së katërt.

Vlera që ka kjo çështje qëndron te rëndësia që nxënësi të gjejë zgjidhjen e duhur, pasi ai sot përballet në jetën e tij arsimore me gjëra që e shpërqendrojnë nga zgjidhjet praktike. Kështu, nëse studenti mëson në universitet shkenca islame, është i detyruar të mësojë në një kohë të vetme shumë disiplina të dijes. E njëjta gjë i ndodh kur disiplinat e dijeve fetare i mëson te një hoxhë, i cili po ashtu jep disa mësime bashkë dhe kjo e vë në dilemë nxënësin: të shkëputet apo ta shtyjë studimin për më vonë nga frika se mos i humbasin këto mësime, ose i bie interesi apo i dalin pengesa në të ardhmen. Gjithashtu nxënësi mund të ndodhet përballë shumë kurseve ku lexohen libra që nuk dëshiron t’i humbasë.

E gjitha kjo e shpërqendron studentin dhe e huton në rrugën që dëshiron të arrijë.

Studenti po ashtu, përballet me një dyshim tjetër: nëse ndjek shkencat njëra pas tjetrës, periudha e studimeve do të zgjasë shumë dhe do të ngelet prapa shokëve të tij, ndërkohë që këta të fundit i shikon me libra në krahë teksa marrin pjesë nëpër mësimet e dijetarëve dhe kurseve që zhvillohen.

Unë do të thosha se metoda e marrjes së dijes pjesë-pjesë, është një mundësi për studentin e lirë që përpiqet me të gjitha forcat e tij për të nxënë përmendësh, për të kuptuar dhe për të njohur. Dihet që disa fusha të dijes mund të mësohen brenda pak muajve, katër deri në gjashtë muaj pak a shumë, për ta njohur mirë bazën e asaj shkence. E disa të tjera që konsiderohen mekanizma për shkencat e tjera, nëpërmjet kësaj metode mund të zgjasin diku te dy deri në tre vjet. Ndërsa kur studenti studion të gjitha shkencat së bashku në të njëjtën kohë, do të kalojnë dy, tre apo dhjetë vjet dhe ai sillet vërdallë po në të njëjtin vend.

Ky rezultat i mësipërm vërehet pothuajse gjithmonë. Për këtë fakt dëshmojnë përvojat, këshillat e dijetarëve dhe këshillat e atyre që kanë pasur përvoja të mëparshme. Prandaj fokusimi i studentit në një shkencë, duke u marrë e duke qëndruar vetëm me të deri në fund, i jep më shumë përfitim, më tepër leverdi dhe do të ketë më tepër stabilitet.

Ndërkohë që studenti që merret me shumëllojshmëri shkencash njëkohësisht duke dashur të ketë arritje në to, as nuk do të arrijë në finale e as nuk ka për të fituar gjë.

Gjithsesi, këshilla që dhamë duket se është bindëse, sepse një student i zellshëm, më e pakta do të lexojë nga tre deri në pesë orë në ditë, kohë e mjaftueshme kjo për zhvilluar dijen në një shkencë me mësimin e saj, më nxënien përmendësh, me sqarimin e gjërave të paqarta, duke i dalë kohë madje edhe për lexim jashtë programit të tij, si leximi në letërsi apo libra të përgjithshëm.

Merre këshillën time dhe studio shkencë pas shkence. Në fund, ke për të më treguar shumë shpejt për arritjet e tua.



[1] Shiko vëllimin 2, f. 449, shtëpia botuese “Shebuh”.

Përktheu nga arabishtja: Gentian H. Nela


Tezkije.com - Nuk lejohet shpërndarja ose/dhe ripublikimi i materialeve pa cekur burimin.
Shko tek kryefaqja