Dr. Ahmed el Kadi
Në këtë kapitull ka ndodhur një devijim i pjesshëm nga ana e grupeve të ndryshme. Kjo, se i kanë shoqëruar Allahut të tjerë në zotërimin e Tij, si:
1) Dualistët zaratustër dhe maniheistë
Të cilët deklarojnë se bota i ka dy krijues: zotin e dritës, i cili krijon të mirën; dhe atë të errësirës, i cili krijon të keqen. Ata janë të pajtimit se drita është më e mirë sesa errësira, kurse janë në kontradiktë se a është errësira e vjetër apo e re.
2) Të krishterët
Të cilët besojnë në trini. Zoti i Vetëm, sipas pretendimit të tyre, është tri qenie hyjnore: Ati, Biri dhe Shpirti i Shenjtë.
Por, ata nuk pohojnë se në botë ka tre zota, të ndarë nga njëri-tjetri. Madje, ata pajtohen rreth asaj se Krijuesi i botës është Një.
3) Idhujtarët arabë
Të cilën kanë pasur bindjen se zotat e tyre (të rremë) posedonin dobi, dëm, drejtim të çështjeve, si dhe e kërkonin fatin në fall.
4) Kaderitë mohues
Të cilët deklarojnë: “Njeriu e krijon veprën e tij”, në mënyrë të pavarur nga Allahu.
Të gjitha këto mendime të devijuara hidhen poshtë me argumentin e natyrës së pastër njerëzore, të mendjes, të ndijimit dhe të fesë (të cilat argumentojnë) njëshmërinë e Zotit të Lartësuar në krijimin, sundimin dhe urdhrin e Tij. Allahu i Lartësuar thotë: “Allahu nuk ka zgjedhur për Vete ndonjë bir dhe përveç Tij s’ka asnjë zot tjetër, përndryshe çdo zot do të merrte atë që ka krijuar dhe do të ngriheshin njëri mbi tjetrin. Qoftë i lartësuar Ai nga shpifjet e tyre!”[1] (El Muminun, 91) I Adhuruari i vërtetë doemos duhet të jetë Krijues, Veprues i gjithçkaje që dëshiron. Po të kishte (Allahu) ortak, do të krijonte e do të vepronte! Kështu që, ky rast nuk ka alternativë tjetër pos këtyre dyjave:
E para: Ose çdo zot të marrë atë që ka krijuar dhe të jetë i pavarur në pushtetin e tij, gjë që këtë mundësi nuk e pranon përpikëria e kësaj bote.
E dyta: Ose të përpiqen për ta mposhtur dhe për të dominuar mbi njëri-tjetrin, që, ndërsa njëri dëshiron të lëvizë një objekt, tjetri dëshiron që të mos lëvizë; apo nëse ndonjëri prej tyre dëshiron ngjalljen e ndonjë gjëje, tjetri dëshiron që ta lërë të vdekur. Rrjedhimisht, ose do të arrihet dëshira e të dyve, ose i ndonjërit prej tyre, ose nuk do të arrihet dëshira e asnjërit. Dëshira e parë dhe e tretë është e paarritshme, ngase janë dy të kundërta, që nuk mund të bashkohen dhe as të ngrihen bashkërisht.[2] Prandaj, doemos duhet të jetë e dyta. Atij që i përmbushet dëshira, është i Adhuruari, i Fuqishmi; kurse tjetrit, të cilit nuk i realizohen dot dëshirat, nuk është i denjë për t’u adhuruar. Së këndejmi, çështja kthehet në pohimin e Një Zoti të Vetëm; Krijuesi të Vetëm; Sunduesi të Vetëm dhe Sistemuesi të Vetëm të çështjeve. Kjo është ajo që njihet si argumenti i pamundësisë.
Kjo është logjikë shumë e pastër për të argumentuar njëshmërinë e Allahut. Ç’është e vërteta, vetëm kjo njëshmëri bën që Allahu i Lartmadhëruar të mos përfshihet në zënkat “hyjnore” të përshtatshme për mitologjitë politeiste.
Që nënkupton se medoemos njëra dëshirë do të realizohet, e tjetra jo. Rrjedhimisht, nuk ka mundësi që asnjëra të mos realizohet. Shënim i përkthyesit.