Youtube/Tezkije
Përpjekjet e dijetarëve për ruajtjen e hadithit
Dr. Muhamed el Hamed
 16.08.2022

 
Përpjekjet e dijetarëve për ruajtjen e hadithit

 
Në fundin e kohës së sahabëve (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) dolën njerëz të cilët gënjenin qëllimisht në emër të Profetit, përkundër kërcënimit që kishte ardhur për personat që bëjnë një vepër të tillë. Në përgjithësi, me këtë cilësi u shquan njerëz të cilët hynë në fenë islame sa për sy e faqe, të cilët përpiqeshin për të prishur besimin islam dhe për të hedhur dyshime në mesin e muslimanëve.
 
Grupi tjetër ishin: “... ata, që fenë e vet e kanë përçarë dhe janë ndarë në grupe”, (Err Rrum, 32) të cilët kishin për qëllim fanatizmin për të parët, fiset ose vendet e tyre.
 
Ndërkaq, grupi i tretë ishin, tregimtarët që kishin për qëllim famën duke përmendur transmetime të shumta dhe ngjarje të habitshme, në mënyrë që të preknin ndjenjat dhe të ngjallnin emocione në zemrat e njerëzve.
 
Mirëpo, kur dijetarët e hadithit e nuhatën këtë rrezik, iu kundërvunë këtij fenomeni duke e hedhur poshtë dhe duke e refuzuar, ashtu që hadithi i Profetit të mbetej i pastër nga çdo ndërhyrje a shtrembërim e të qëndronte sa më i kulluar për ata që dëshironin të merrnin prej tij.
 
Ata vunë rregulla dhe hartuan mënyra të reja, të cilat ishin një shkak i fortë për ruajtjen e Sunetit, rrjedhimisht ai mbeti si dikur, i freskët dhe i këndshëm, brezat e transmetuan siç e kishte thënë bartësi i mesazhit .
 
Ndër rrugët që ata krijuan për ruajtjen e hadithit të Profetit mund të veçojmë:
 
1.       Iu përmbajtën zinxhirit të transmetuesve. Me këtë karakterizohen vetëm muslimanët; përmes saj gjendet burimi i hadithit, grada e transmetuesve të tij dhe kështu gjykohet nëse pranohet apo refuzohet. Abdullah ibn Mubareku ka thënë: “Zinxhiri (i transmetuesve) është prej fesë. Po të mos ishte zinxhiri, kushdo do të thoshte çfarë të donte.”
 
Si rezultat i tillë, shumë njerëz ndaluan së trilluari hadithe, nga frika se do të dilte në shesh gënjeshtra e tyre, gjë e cila do t’ua ulte vlerën dhe namin te njerëzit që i admironin.
 
2.      Hulumtimi i gjendjes së transmetuesve. Kjo, duke kërkuar të dihet vendi dhe pozita e tyre në shkencën e hadithit, nëse janë të kualifikuar për të përçuar (përcjellë) hadithin. Ata folën për bartësit e hadithit, duke dashur të këshillojnë umetin, sepse ata morën përsipër përcjelljen e diçkaje të fesë, nga e cila nxirren dispozita. Ata e përjashtuan këtë nga përgojimi i ndaluar, sepse kjo është në dobi të të gjithë muslimanëve.
 
3.      Verifikimi në lidhje me transmetimin e hadithit, qoftë përgjatë procesit të marrjes së tij, qoftë gjatë dhënies së tij. Ata nuk thoshin asnjë hadith pa e mësuar atë me përpikëri. Po ashtu, ua thoshin vetëm njerëzve të denjë, duke mos ua dhënë këtë mundësi mendjelehtëve e as personave që ndiqnin tekat e tyre.
 
Këto përpjekje, e të tjera si këto, rezultuan me diferencimin e haditheve profetike. Duke nxjerrë prej tyre trillimet, nxorën në pah trilluesit dhe zbuluan realitetin e tyre, aq sa filluan të fshiheshin nga këta dijetarë kolosë. Sufjan eth Theuriu ka thënë: “Këdo që ka trilluar hadithe, Allahu e ka demaskuar.”
 
Një njeri i tha Abdullah ibn Mubarekut: “Si është puna e haditheve të trilluara?” Ai tha: “Për t’i nxjerrë ato në shesh, jetojnë kolosët: “Vërtet, Ne e kemi shpallur Rikujtuesin dhe Ne do ta ruajmë atë me siguri.” (El Hixhr, 9)
 
 
 
Regjistrimi i hadithit profetik

 
Në lidhje me regjistrimin e haditheve kanë ardhur hadithe që ndalojnë shkrimin e hadithit, por ka edhe hadithe të tjera, ku, në disa raste, qartazi lejohet shkrimi i haditheve nga disa persona.
 
Ndalesa për shkrimin e haditheve në fillimet e shpalljes nuk është dëshmi se hadithi nuk vlen për t’u argumentuar me të, siç hamendësuan disa të devijuar. Kjo nuk u bë nga mungesa e mjeteve të shkrimit, sepse në mesin e sahabëve kishte shumë të tillë që dinin shkrim-lexim.
 
Ç’është e vërteta, në fillim të shpalljes, Profeti i ndaloi sahabët që të shkruanin hadithin, në mënyrë që të angazhoheshin me Kuranin e me mësimin e tij përmendsh, që fillimisht të përqendroheshin në shkrimin e pjesëve të Kuranit, ndërsa hadithin ta merrnin me të dëgjuar.
 
Kështu, hadithi u ndalua të shkruhej në të njëjtin vend me Kuranin, në mënyrë që të mos përziheshin me njëri-tjetrin, u lejuan ta shkruanin hadithin vetëm ata të cilët kishin aftësinë përkatëse për të bërë dallimin midis tyre, bie fjala, Abdullah ibn Amri, dhe në raste specifike, sikurse në rastin e Ebu Shahut.
 
Po ashtu, është i njohur fakti se Profeti u shkroi letra dhe mesazhe fiseve me të cilat kishte marrëveshje paqeje, siç u shkroi edhe mbretërve e drejtuesve të shteteve, të cilët i ftonte të pranonin Islamin. Pa dyshim, ky është një argument se hadithi është shkruar herë pas here.
 
Pasi u bë i qartë dallimi midis Kuranit dhe hadithit, si dhe u rrit nevoja për regjistrimin e hadithit, filloi të regjistrohej Suneti. Regjistrimi i parë haditheve u realizua në fundshekullin e parë, me urdhër të Abdulaziz ibn Mervanit, më pas në kohën e djalit të tij, Omer ibn Abdulazizit. Pas kësaj kohe, në shekullin e dytë, shkrimi i haditheve u përhap në masë, në të njëjtën kohë mësimi i tyre përmendsh.
 
Kështu vazhdoi historiku i shkrimit të hadithit derisa arriti në kohën e dijetarëve kolosë, si Buhariu, Muslimi e dijetarë të tjerë, të cilët mblodhën Sunetin (hadithet), duke i shkruar ato në libra voluminozë, qoftë me tematikë të përgjithshme, qoftë të veçantë, duke sqaruar cilat ishin të sakta e cilat të dobëta.
 
Falënderimi i takon Allahut që këta libra kanë arritur te ne ashtu siç i kanë shkruar, të ruajtur nga ndryshimi a tjetërsimi. Në këtë mënyrë Allahu realizoi ruajtjen e bazave të Sheriatit, njëherazi ngriti argumentin ndaj robërve të Tij.
 
Kështu, na bëhet e qartë se feja islame, libri islam (Kurani) dhe tradita e profetike islame (Suneti) na kanë arritur të ruajtura, duke u kujdesur për këtë mendje e duar të njerëzve besnikë.


Tezkije.com - Nuk lejohet shpërndarja ose/dhe ripublikimi i materialeve pa cekur burimin.
Shko tek kryefaqja