Youtube/Tezkije
(7) Nuk ka gjë më të dëmshme për studentin sesa këto gjëra
Dr. Ali ibn Imrani
 11.07.2022

(7) Nuk ka gjë më të dëmshme për studentin sesa këto gjëra:

1-  Nxitimi

2-  Vetëpëlqimi

3-  Debati i tepërt

4-  Konsiderimi i dijes urë për dynjanë

E përbashkëta e këtyre pikave është fakti se janë sëmundje të dëmshme që mund ta rrënojnë studentin që në fillim, në mes ose në fund të rrugës. Prandaj askush nuk duhet të mashtrohet me faktin që akoma s’ka rënë dhe as me faktin që të tjerët e lavdërojnë apo ka reputacion të lartë, sepse shumë shpejt do të bjerë.

Gjithashtu këto pika e largojnë studentin nga mësimi dhe i japin idenë se kush fiton reputacion mes njerëzve ka arritur kualifikimin e duhur, kështu që nuk i jepet dijes me zellin që kërkohet dhe është i destinuar të shkëputet prej saj.

Kurse nxitimi, zakonisht ndodh në hapat e para të rrugës së dijes, duke dashur të hidhet në shkallët më të larta me një hap të vetëm, duke u shndërruar në rrezik për t’u rrëzuar e për t’u dëmtuar, duke rënë aq keq sa nuk mund të ngrihet më. Nxitimi përgjithësisht ndodh për arsye dynjaje.

Ose mund ta nxisë dëshira për konkurrencë, dukja e rrugës së dijes shumë e gjatë dhe përfytyrimi i gabuar i diturive në arenën e nxitimit, që të marrë guximin të përfaqësojë atë që nuk e ka në kompetencë dhe të drejtojë me paaftësi, siç thotë dhe imam Shafiu: “Kush kërkon të drejtojë i ri, ka për të lënë shumë dije pa marrë”.

Përktheu nga arabishtja: Gentian H. Nela


Tezkije.com - Nuk lejohet shpërndarja ose/dhe ripublikimi i materialeve pa cekur burimin.
Shko tek kryefaqja