Dr. Muhamed el Hamed
Respektimi i Sunetit, vlera e hadithit dhe bartësve të tij
Meqë Suneti është një ndër referencat e sheriatit, marrë nga Profeti, të cilin besimtarët duhet ta nderojnë dhe ta respektojnë, nuk kemi pse të habitemi që ai gëzon nderim të njëjtë me nderimin e atij që i është dhuruar (Profetit). Kjo gjë i ka bërë dijetarët që ta respektojnë dhe ta madhërojnë Sunetin jashtëzakonisht shumë. Këtu po japim disa shembuj:
1. Amër ibn Mejmuni përcjell se Ibn Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) një ditë po tregonte një hadith dhe, në momentin që tha: “Profeti ﷺ ka thënë...”, e kaploi një mërzi dhe pashë se djersët po i rridhnin nga balli.” Në një version tjetër qëndron: “Sytë iu mbushën me lot dhe iu frynë damarët e qafës.”
2. Ndërkaq, sa herë që Ibn Sirini, gjatë kohës sa ishte duke qeshur, dëgjonte ndonjë hadith të Profetit, aty për aty bëhej serioz.
3. Kur imam Maliku dëshironte të mbante mësim rreth hadithit, lahej, parfumohej, vishte rroba të reja dhe ulej në ndenjëse plot seriozitet dhe në xhami vendoste aromatizues derisa mbaronte. Në fund të leksionit thoshte: “Kam dëshirë ta madhëroj hadithin e Profetit.” Prandaj ai nuk shpjegonte hadithe në këmbë e as kur ishte me nxitim.
Tërë këtë e bënin në shenjë madhërimi që kishin për atë i cili i kishte thënë ato fjalë, por edhe në shenjë nderimi ndaj fjalëve fisnike, të cilat janë fjalët më të mira dhe më të larta pas fjalës së Allahut.
Allahu i Lartësuar ka nxitur për përvetësimin e diturisë, i ka lavdëruar dijetarët dhe e ka ngritur lart emrin e tyre, saqë e ka bashkërenduar dëshminë e tyre rreth njësimit të Allahut, dëshmisë së Tij dhe dëshmisë së engjëjve. Në këtë mënyrë, Allahu ka treguar se Atij vetëm dijetarët i kanë frikë të vërtetë, njëherazi ka mohuar se të paditurit janë të njëjtë me të diturit.
Edhe Profeti ka nxitur për nxënien e diturisë, madje ka treguar se bartësit e dijes janë trashëgimtarë të profetëve dhe se engjëjt shtrinë krahët e tyre për kërkuesin e dijes, e të ngjashme me këto.
Çdokush që mëson hadithet dhe ua mëson të tjerëve, pa dyshim se do të ketë pjesën më të madhe të këtij lavdërimi që u bëhet dijetarëve dhe kjo mjafton si nder për hadithin dhe bartësit e tij. Të çosh jetën duke e mësuar hadithin dhe duke ua mësuar të tjerëve është më mirë se të shkojë jeta duke u marrë me vepra vullnetare (nafile), sepse Suneti është sqarues i Kuranit, është ngjallje e traditës së Profetit dhe imitim i tij në përcjelljen dhe mësimin e tij. Nëse bartësit dhe nxënësit e hadithit nuk do të përfitonin prej tij veç rënies së shpeshtë në salavate për Profetin, i cili ka thënë: “Njerëzit më parësorë me mua Ditën e Gjykimit janë ata të cilët dërgojnë më shumë salavate për mua”, kjo do të mjaftonte si nderim për ta.
Po ashtu, ata bëjnë pjesë në lutjen e Profetit, i cili ka thënë: “Allahu e ndriçoftë atë njeri i cili dëgjon fjalën time, pastaj e mëson dhe e përcjell atë ashtu siç e ka dëgjuar!”
Në mësimin e hadithit ka edhe zbatim të urdhrit të Profetit, i cili ka thënë: “Përcillni prej meje, qoftë dhe një ajet.”
Kujdesi i brezave të parë për hadithin profetik
Në momentin që shokët e Profetit u njohën me rëndësinë e kësaj diturie, u kujdesën që ta përvetësonin drejtpërdrejt nga i Dërguari, gjë për të cilën qëndruan pranë tij dhe nuk iu ndanë. Madje, qëndrimit me të i kushtonin rëndësi më të madhe se çdo gjëje tjetër që posedonin nga kjo botë dhe, kur ndodhte që dikush të mos ishte i pranishëm, dërgonte dikë tjetër që t’ia përcillte hadithet që dëgjonte, siç vepronte Omer ibn Hatabi me komshiun e tij ensar.
Profeti ka dhënë shembullin më të lartë në mënyrën e përkryer të të mësuarit të njerëzve e përçimin e kuptimeve në mendjet e tyre. Ai përdorte një sërë metodash përmes të cilave ua sqaronte gjërat, herë ua prezantonte në formën e diskutimit, herë duke sjellë shembuj, e shpeshherë përsëriste një fjalë të caktuar, në mënyrë që t’i jepte më shumë rëndësi.
Njerëzit dëgjonin dhe mësonin prej tij në ndejat e tyre, në minber, në forumet e ndryshme, gjatë qëndrimit në qytet dhe gjatë udhëtimeve. Kështu, në momentin që Profeti u largua nga kjo botë, tanimë ua kishte mësuar çdo gjë për të cilën njerëzit kishin nevojë, gjë të cilën e kanë dëshmuar edhe armiqtë e tij. Muslimi përcjell se një idhujtar i tha: “Profeti juaj ju ka mësuar çdo gjë, madje edhe mënyrën si të hyni në nevojtore.”
Pasi Profeti ndërroi jetë, shokët e tij e kuptuan se dija që kishin marrë prej tij ishte një amanet të cilin duhet ta përçonin te njerëzit dhe t’ua sqaronin atë në mënyrë që të mos bëheshin pjesë e kërcënimit të Allahut, i Cili ka thënë: “Me të vërtetë, ata që fshehin shpalljet Tona të qarta, pasi ua kemi shpjeguar njerëzve në Libër (Teurat), do të mallkohen nga Allahu dhe do të mallkohen nga ata (engjëj e njerëz) që janë ngarkuar të mallkojnë.” (El Bekare, 159)
Edhe nxënësit e tyre e kuptuan rëndësinë e kësaj diturie, që është pjesë e fesë të cilën ata duhet ta ruajnë dhe kjo i bëri që të harxhonin gjithë energjitë për ta mësuar dhe për t’ua mësuar atë të tjerëve. Kështu, nëse do të analizoje jetën e tyre, do të shihje se hadithi ishte temë e bisedave të tyre. Mësimi i tij u bë qëllimi më i lartë, madje bënë shumë sakrifica dhe ndërmorën udhëtime të largëta për ta mësuar atë.
Përcillet se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Kishte raste kur dëgjoja se dikush nga shokët e Profetit ka treguar një hadith dhe menjëherë shkoja në shtëpinë e tij dhe shihja se ai ishte shtrirë për të pushuar. Kështu, ulesha në pragun e derës së tij dhe era ma hidhte rërën në fytyrë e unë qëndroja kështu derisa zgjohej.”
Është e njohur historia e Xhabirit (Allahu qoftë i kënaqur me të!), i cili udhëtoi nga Medina për në Sham, në mënyrë që të dëgjonte një hadith nga Abdullah ibn Unejsi.
Të njëjtën gjë ka bërë edhe Ebu Ejub Ensariu (Allahu qoftë i kënaqur me të!), i cili udhëtoi nga Medina për në Egjipt, në mënyrë që të transmetonte një hadith të cilin e kishte dëgjuar nga Ukbe ibn Amiri.
Pasi sahabët e mësonin hadithin, fillonin dhe e përsërisnin duke ia thënë njëri-tjetrit, në mënyrë që të siguroheshin se e kishin mësuar drejt. Madje, disa prej tyre e përsërisnin një kohë të gjatë derisa e mësonin. Përcillet se Ebu Hurejra ndante një pjesë të natës për përsëritjen e hadithit, në mënyrë që ta kishte më të lehtë mësimin e tij.
Allahu i dalloi ata me memorim të fortë, saqë u dalluan nga gjithë brezat, madje për ta janë treguar ngjarje të habitshme.
Por, kishte raste kur dikush prej tyre edhe shkruante hadithet, në mënyrë që të sigurohej për mësimin e tyre.
Në këtë mënyrë janë kujdesur të parët tanë të mirë për hadithin dhe mësimin e tij, vepër kjo me të cilën Allahu ruajti sheriatin dhe referencat e tij. Allahu i shpërbleftë me të mira për shërbimin që bënë për këtë fe!