Dr. Ahmed el Kadi
Allahu është Urdhëruesi, kurse të tjerët përveç Tij janë të urdhëruar. Allahu i Lartësuar thotë: “Thuaju (o Muhamed!): “Të gjitha janë në dorë të Allahut!” (Alu Imran, 154) Gjithashtu, thotë: “Vetëm Atij i përket Krijimi dhe Urdhërimi. Qoftë i bekuar Allahu, Zoti i botëve!” (El Araf, 54) Dhe thotë: “Atëherë merr fund puna! Tek Allahu kthehen të gjitha punët.” (El Bekare, 210) Gjithashtu, të Dërguarit të Tij, sal-lallahu alejhi ue selem, i ka thënë: “Ti nuk ke asgjë në dorë...” (Alu Imran, 128) E ç’mund të thuash për të tjerët pos tij?! Po ashtu, thotë: “Me të vërtetë, është vendimi i Allahut, si për të parën dhe për të dytën.” (Er Rum, 4) Vetëm Allahu është Urdhëruesi i krijesave të Tij. E, ai urdhër që iu dedikohet dikujt tjetër, përveç Tij, siç qëndron në fjalën e Tij: “... por paria shkoi pas urdhrit të Faraonit, ndonëse urdhri i Faraonit nuk ishte i drejtë” (Hud, 97), është urdhër i kufizuar, që hyn nën dëshirën e Tij: nëse do, e përmbush; e, nëse do, e pamundëson.
Urdhri i Allahu të Lartësuar përfshin urdhrin e Tij që ka të bëjë me ligjet e universit dhe atë fetar. Gjithsesi, urdhri universal është ekzekutiv dhe është sinonim i dëshirës (së Allahut). Allahu i Lartësuar thotë: “Vërtet, urdhri i Tij, kur Ai dëshiron diçka, është që t’i thotë asaj “bëhu!” - dhe ajo bëhet.” (Ja Sin, 82) Ndërkaq, urdhri fetar është për të vënë në provë dhe është sinonim i dashurisë (së Allahut për atë gjë): mund të ndodhë dhe të mos ndodhë. E tërë kjo hyn në dëshirën gjithëpërfshirëse të Allahut, ashtu siç thotë: “... për secilin nga ju që dëshiron të ndjekë rrugën e drejtë. Por ju nuk mund të dëshironi, përveçse me vullnetin e Allahut, Zotit të botëve!” (Et Tekvir, 28-29)
Cilësitë e tjera të Allahut të Lartësuar që kanë të bëjnë me zotërimin e Tij kthehen te këto të tria: krijimi, sundimi dhe urdhri, si: dhënia e rriskut, dhënia e jetës, shkaktimi i vdekjes, lëshimi i shiut, kultivimi i tokës, lëvizja e erërave, lundrimi i anijeve, ndërrimi i natës me ditën, shtatzënia, lindja, shëndeti, sëmundja, krenaria, nënçmimi etj.
Besimi në zotërimin e Allahut të Lartësuar është i ngulitur në natyrshmërinë e pastër njerëzore, që konceptohet me intuitën e mendjeve, është ndijor në këtë univers dhe është përmendur shumë në tekstet fetare.
Ndër argumentet e saj në Librin e Allahut janë këto vargje kuranore: “Me të vërtetë, në krijimin e qiejve dhe të Tokës, në këmbimin e natës me ditën, në anijet që lundrojnë nëpër det për t’u sjellë dobi njerëzve, në ujin që Allahu zbret prej qiellit, duke ngjallur përmes tij tokën e vdekur dhe duke shpërndarë gjithfarë gjallesash, në lëvizjen e erërave dhe në retë që qëndrojnë midis qiellit e Tokës, pra, në të gjitha këto, sigurisht që ka shenja për njerëzit me intelekt.” (El Bekare, 164)
“Ti bën që nata të hyjë te dita dhe që dita të hyjë te nata. Ti e nxjerr të gjallën prej së vdekurës dhe të vdekurën e nxjerr prej së gjallës. Ti i jep kujt të duash pa kufij.” (Alu Imran, 27)
“Me të vërtetë, Allahu është Ai që farën dhe bërthamën e bën të mugullojë. Ai e nxjerr të gjallën prej së vdekurës dhe të vdekurën prej së gjallës. Ky është Allahu. Atëherë, përse i largoheni Atij? Ai bën të feksë drita e agimit. Ai e ka bërë natën për pushim, ndërsa Diellin dhe Hënën për të njehsuar kohën. Kjo është urdhëresa e Allahut, të Plotfuqishmit dhe të Gjithëdijshmit. Është Ai që i ka krijuar yjet, për t’ju rrëfyer rrugën në errësirat e tokës dhe të detit. Ne ua kemi shpjeguar qartë shpalljet Tona njerëzve që dinë. Është Ai që ju ka krijuar prej një njeriu të vetëm, që të jetoni dhe të preheni në tokë. Ne ua kemi shpjeguar qartë shpalljet Tona njerëzve që kuptojnë. Është Ai që lëshon nga qielli ujë, nëpërmjet të cilit Ai nxjerr sythat e çdo bime. Prej kësaj Ne nxjerrim gjelbërim, kokrra gruri në kallinj, palma hurma të ngarkuara me kalaveshë të ulët, kopshte rrushi, ulliri dhe shege, që ngjajnë, por që janë të ndryshëm nga njëri-tjetri. Vështroni frutat e tyre kur formohen dhe piqen. Sigurisht që në këto ka shenja për njerëzit që besojnë.” (El Enam, 95-99)
“Allahu është Ai që qiejt i ka ngritur me shtylla, të cilat nuk mund t’i shihni e më pas është ngritur mbi Fron. Ai ka nënshtruar Diellin dhe Hënën; të gjitha këto rrotullohen për një kohë të caktuar. Ai i drejton të gjitha çështjet dhe i shpjegon në hollësi shpalljet, me qëllim që ju të bindeni se do të takoheni me Zotin tuaj. Është Ai që e ka shtrirë tokën, duke krijuar në të male dhe lumenj. Dhe për çdo lloj frute, Ai ka krijuar nga një çift. Ai ka bërë që nata ta mbulojë ditën. Me të vërtetë, në këto ka shenja për njerëzit që mendojnë.” (Er Rad, 2-4)
“Ai i ka krijuar qiejt dhe Tokën me urtësi. I lartësuar qoftë Ai mbi gjithçka që ia shoqërojnë (në adhurim)! Ai e ka krijuar njeriun prej një pike fare, por ja që ky bëhet kundërshtar i hapët! Kafshët Ai i ka krijuar për ju. Nëpërmjet tyre ju siguroni rroba të ngrohta dhe dobi të tjera. Prej tyre ju ushqeheni dhe shikoni pamje të bukura, kur i ktheni nga kullota dhe, kur i nxirrni në kullotë. Ato mbajnë barrët tuaja deri në vende të largëta, te të cilat ju do të arrinit me mundim të madh; me të vërtetë, Zoti juaj është i Butë dhe Mëshirëplotë. (Ai ka krijuar) edhe kuajt, mushkat dhe gomarët, që ju t’i shaloni dhe t’i mbani për bukuri. Ai krijon edhe gjëra që ju nuk i dini. Allahut i takon që t’ju tregojë rrugën e drejtë, kur ka prej tyre edhe të shtrembra; sikur të donte Allahu, do t’i udhëzonte të gjithë. Është Ai që zbret nga qielli shi, i cili ju siguron ujë për të pirë dhe bën që të rriten bimët, që shërbejnë si ushqim për kafshët. Nëpërmjet tij (ujit) rriten të lashtat, ullinjtë, palmat, rrushi dhe fruta të llojllojshme. Këtu ka vërtet tregues (të fuqisë hyjnore) për njerëzit, që kuptojnë. Ai ka bërë që ju ta shfrytëzoni natën dhe ditën, Diellin dhe Hënën. Edhe yjet janë vënë në shërbimin tuaj me urdhrin e Tij. Njëmend, në këto ka shenja për njerëzit që mendojnë. Ai ka krijuar në Tokë për ju çdo gjë me ngjyra dhe cilësi të ndryshme. Natyrisht që në këto ka shenja për njerëzit që ua vënë veshin. Është Ai që ju ka vënë në shërbim detin, që ju të hani prej tij mish të freskët dhe të nxirrni nga ai stolitë që mbani. Ti sheh sesi anijet e çajnë atë, që ju të kërkoni mirësitë e Allahut dhe të jeni mirënjohës. Ai ka vendosur male të palëvizshme në Tokë, që ajo të mos tundet bashkë me ju, dhe ka krijuar lumenj e rrugë për të arritur aty ku synoni. Ai ka vënë edhe shenja të tjera, si dhe yjet, nëpërmjet të cilave njerëzit orientohen. Atëherë, a është njësoj si Ai që krijon, si ai që nuk krijon?! A nuk po merrni vesh? Nëse do t’i numëronit mirësitë e Allahut, nuk do të mund t’i llogarisnit ato. Allahu është vërtet Falës dhe Mëshirëplotë.” (En Nahl, 3-18)
“Me të vërtetë, Ne e kemi krijuar njeriun prej palcës së baltës, e pastaj, e bëmë atë pikë fare dhe e vumë në një vend të sigurt (mitër). E mandej, pikën e farës e bëmë droçkë gjaku, e pastaj e bëmë copëz mishi pa formë; mandej, me atë mish bëmë eshtrat, pastaj i veshëm eshtrat me mish dhe pastaj e bëmë atë (njeriun) krijesë tjetër (duke i futur shpirtin). Qoftë lartësuar Allahu, Krijuesi më i përsosur! Mandej, pas kësaj ju do të vdisni, pastaj, ju me siguri që do të ringjalleni në Ditën e Kiametit. Ne kemi krijuar mbi ju shtatë qiej dhe nuk jemi të pakujdesshëm ndaj krijesave Tona. Ne zbresim ujë nga qielli me masë të caktuar, pastaj e depozitojmë atë në Tokë. Por, nëse dëshirojmë, Ne jemi në gjendje ta heqim atë tërësisht. Nëpërmjet tij (ujit), Ne bëjmë për ju kopshte hurmash dhe rrushi, ku ka shumë fruta për të ngrënë, si dhe pemën (e ullirit) që rritet në malin e Sinait e që u jep vaj dhe mëlmesë atyre që e hanë. Vërtet, edhe te bagëtitë për ju ka shenja (për të medituar): ju pini atë që gjendet në barkun e tyre, hani mishin e tyre, nxirrni shumë dobi të tjera dhe udhëtoni me to, ashtu siç udhëtoni me anije.” (El Muminun, 11-22)
“A nuk e vëren ti se Allahu i shtyn retë ngadalë e pastaj i bashkon e i grumbullon njërën mbi tjetrën, derisa të shohësh shiun sesi del prej tyre dhe bie nga qielli?! Ai, prej reve të mëdha si mali, lëshon breshrin e me të godet kë të dojë, kurse e shmang prej kujt të dojë. Shkëlqimi i vetëtimës së tij gati t’i merr sytë. Allahu ndërron ditën dhe natën. Me të vërtetë, në këto (dukuri natyrore) ka mësime për ata që kanë mend. Allahu ka krijuar çdo lloj kafshe prej ujit; disa nga ato ecin me barkun e tyre, një pjesë ecin me dy këmbë e disa prej tyre me katër këmbë. Allahu krijon çfarë të dojë. Me të vërtetë, Allahu është i Fuqishëm për çdo gjë.” (En Nur, 43-45)
“A nuk e ke parë ti sesi Zoti yt e ka zgjatur hijen?! Sikur të kishte dashur, do ta bënte të pandryshueshme? Pastaj Ne e kemi bërë Diellin udhëzues të saj, pastaj e tërheqim atë (hijen), dalëngadalë pranë Vetes. Dhe është Ai që jua ka bërë natën mbulesë dhe gjumin pushim, kurse ditën jua ka bërë për të lëvizur. Është Ai që i dërgon erërat si lajmëtarë të gëzueshëm para mëshirës së Tij, duke lëshuar prej qiellit ujë të pastër, që nëpërmjet tij të ngjallim vendin e vdekur dhe t’u japim ujë kafshëve dhe shumë njerëzve që Ne i kemi krijuar. Ne e kemi përsëritur (dhuntinë) që të vënë veshin, por shumica e njerëzve kundërshtojnë e janë mosmirënjohës. Sikur të donim Ne, do të dërgonim në çdo qytet paralajmërues. Mos i dëgjo mohuesit, por luftoji ata me forcë ndërmjet këtij (Kuranit). Është Ai që i ka lënë të lirë dy ujëra: njëri i pijshëm e i ëmbël, kurse tjetri i njelmët e i hidhur, duke ngritur pengesë e kufi të prerë ndërmjet tyre. Është Ai që ka krijuar prej ujit njeriun, e ka vënë në lidhje me fis nga gjaku dhe nga martesa. Zoti yt është i Plotfuqishëm.” (El Furkan, 45-54)
“Prandaj lavdërojeni Allahun kur bie muzgu dhe kur gdhin drita! Për Atë është falënderimi në qiej dhe në Tokë, në mbrëmje dhe në mesditë. Ai krijon të gjallën prej së vdekurës, krijon të vdekurën prej së gjallës dhe e gjallëron tokën pas shkretimit të saj. Në të njëjtën mënyrë do të ktheheni edhe ju në jetë. Një prej shenjave të Tij është që Ai ju krijoi prej dheut, pastaj ja, tashmë ju jeni njerëz të shpërndarë në të gjitha anët. Dhe një prej shenjave të Tij është që prej jush krijoi për ju bashkëshortet tuaja, që të qetësoheni pranë tyre, duke vënë ndërmjet jush dashuri dhe mëshirë. Me të vërtetë, në këtë ka shenja për njerëzit që mendojnë. Ndërmjet shenjave të Tij janë krijimi i qiejve e i Tokës dhe shumëllojshmëria e gjuhëve dhe e ngjyrave (racave) tuaja. Pa dyshim, në këtë ka shenja për ata që dinë. Të tjera shenja të Tij janë gjumi juaj natën e ditën dhe kërkesa juaj nga dhuntitë e Tij. Vërtet, në këtë ka shenja për njerëzit që dëgjojnë. Gjithashtu, prej shenjave të Tij janë paraqitja e vetëtimës si frikë e shpresë dhe dërgimi i shiut prej qiellit, që nëpërmjet tij të gjallërohet toka pas shkretimit të saj. Sigurisht, në këtë ka shenja për njerëzit që mendojnë. Dhe një prej shenjave të Tij është që qiejt dhe Toka qëndrojnë sipas urdhrit të Tij, pastaj, kur Ai t’ju thërrasë me një të thirrur, ju përnjëherë do të dilni nga toka (të ringjallur), Atij i përket gjithçka që gjendet në qiej dhe në Tokë. Gjithçka i përulet Atij. Ai e zë fill krijimin dhe Ai e përsërit atë e për Të kjo është edhe më e lehtë. Atij i përket shembulli më i lartë në qiej dhe në Tokë. Ai është i Plotfuqishmi dhe i Urti.” (Er Rum, 17-27)
“I Gjithëmëshirshmi ua ka mësuar Kuranin (robërve të Tij), ka krijuar njeriun dhe i ka mësuar atij të folurit e qartë. Dielli dhe Hëna ndjekin rrugën e caktuar, bimët dhe pemët i përulen (Allahut). Ai e ka ngritur qiellin lart dhe ka vënë balancën (për çdo gjë), që ju të mos e shkelni atë. Prandaj matni drejt e mos hani në peshë! Ai e ka bërë Tokën për krijesat. Aty ka fruta të llojllojshme dhe palma hurmash me frutat si bistakë, ka drithëra me gjethe e kërcej dhe bimë me erë të mirë. Pra, cilat dhunti të Zotit tuaj po i mohoni?![1] Ai e krijoi njeriun prej baltës së thatë, ashtu si vorba, ndërsa xhinët i krijoi prej flakës së zjarrit. Pra, cilat dhunti të Zotit tuaj po i mohoni?! (Ai është) Zoti i dy lindjeve dhe i dy perëndimeve.[2] Pra, cilat dhunti të Zotit tuaj po i mohoni?! Ai i ka lëshuar dy dete[3] që të takohen, por, midis tyre ka një pengesë që nuk mund ta kapërcejnë. Pra, cilat dhunti të Zotit tuaj po i mohoni?! Prej tyre nxirren margaritarë dhe korale. Pra, cilat dhunti të Zotit tuaj po i mohoni?! Atij i përkasin edhe anijet që lundrojnë nëpër dete e që lartohen si male. Pra, cilat dhunti të Zotit tuaj po i mohoni?! (Err Rrahman, 1-25)
“A nuk jua kemi bërë Tokën si shtrat e malet si shtylla?! Ne ju kemi krijuar në çifte dhe gjumin jua kemi bërë për prehje. Natën jua kemi bërë mbulesë, ndërsa ditën e kemi caktuar për të punuar. Mbi ju kemi ndërtuar shtatë qiej të fortë dhe kemi vënë kandil (Diell) të shndritshëm! Nga retë Ne ju lëshojmë ujëra të bollshme për rritjen e drithërave, bimëve dhe kopshteve të dendura.” (En Nebe, 6-16)
“Cili është më i vështirë: krijimi juaj apo i qiellit, të cilin Ai e ndërtoi, ia ngriti lart kupën dhe e përsosi? Netët i bëri të errëta, kurse ditët të ndritshme. Pastaj e shtriu rrafsh Tokën, dhe, nga ajo nxori ujërat dhe bëri kullotat, kurse malet i bëri të patundshme, që t’i gëzoni, ju dhe bagëtitë tuaja.” (En Naziat, 27-33)
“Le të mendojë njeriu për ushqimin e vet: jemi Ne që lëshojmë ujë me bollëk, pastaj e çajmë tokën në thellësi dhe nxjerrim prej saj drithërat, rrushin e perimet, ullirin e palmat, kopshtet e dendura, pemët dhe gjithë barërat, që t’i gëzoni ju dhe bagëtitë tuaja.” (Abese, 24-32)
Shumica e njerëzve, e pohojnë tërësisht njëshmërinë e zotërimit të Allahut të Lartësuar; se Ai është Krijuesi, Sunduesi, Drejtuesi i çdo çështjeje. Madje, edhe për idhujtarët arabë Allahu në Librin e Tij ka treguar në shumë vende se e miratonin një gjë të tillë, si fjala e Tij: “Thuaj: “E kujt është Toka dhe gjithçka që gjendet në të, nëse e dini?” Ata do të thonë: “Të Allahut!” E ti thuaju: “Vallë, a nuk po ia vini veshin?” Thuaj: “Kush është Zoti i shtatë qiejve dhe Zoti i Fronit Madhështor?” Ata do të thonë: “Allahu!” E ti thuaju: “Vallë, a nuk keni frikë ju?” Thuaj: “Kush është Ai që ka në dorë pushtetin mbi çdo gjë, i Cili mbron, por prej Tij nuk mund të mbrohet askush, nëse e dini?” Ata thonë: “Allahu.” E ti thuaju: “Atëherë, përse magjepseni?![4]” (El Muminun, 84-89) Dhe fjala e Tij: “Nëse ti i pyet ata: “Kush i ka krijuar qiejt dhe Tokën?” Ata, me siguri, do të thonë: “Ato i ka krijuar i Plotfuqishmi dhe i Gjithëdijshmi.” (Ez Zuhruf, 9)
Këtu fjala u drejtohet njerëzve dhe xhinëve. Ky varg përsëritet 31 herë në këtë sure.
[2] Sipas disa komentuesve të Kuranit, bëhet fjalë për pikat e lindjes dhe perëndimit të diellit në verë dhe në dimër.
Ujin e kripur dhe ujin e ëmbël.
Pra, përse magjepseni nga besimet tuaja të kota deri në atë pikë sa të mos i nënshtroheni Atij që në dorë ka gjithçka?!