5) Për të ecur në rrugën e dijes dhe njohurive që formojnë dhe plotësojnë njeriun, nuk duhet të justifikohesh asnjëherë me moshën
Kjo është një hile që vjen nga paaftësia dhe është cytje e shejtanit, me anë të së cilës kërkon të të pengojë nga rrugët me vlera të larta.
Ka shumë dijetarë që kanë studiuar në një moshë relativisht të madhe, megjithatë ata shkëlqyen. E nëse do t’i bindeshin plogështisë dhe pengesave të rrugës, nuk do të kishin arritur majat e tyre.
Një shembull për këtë rast ka qenë Sulejm er-Razi, një prej dijetarëve të medhhebit shafi, i cili i nisi studimet e tij në moshën dyzetvjeçare. Edhe Izz ibn Abduselami dhe Salih ibn Kejsani e kanë kërkuar dijen në moshë të madhe. Ibn Xheuzi tregohet se ka mësuar dhjetë kiraetet e Kuranit në moshën tetëdhjetëvjeçare.
Kështu, sa herë që disa frymëzohen me ambicie për të mësuar në moshë të shtyrë, gjithmonë dekurajuesit shfaqen në pritë. Kështu kanë dashur me përpjekjet e tyre të kota të pengonin edhe dijetarin e shquar Ibn Mektumin, të cilit i lindi dëshira për të mësuar sërish në moshë të shtyrë për të fituar ato gjëra që kishte humbur. Por Ibn Mektumi ishte i zgjuar dhe nuk ra pre e tyre, madje u tregua i qëndrueshëm dhe i kritikoi ata që donin ta dekurajonin duke u shprehur në një poezi të tij kundër atyre që e panë jo me vend studimin e tij të shkencës së hadithit:
Më qortuan se në moshë të shtyrë hadithet po studioj,
Por këto qortime pa vend vetvetes duhet t’ia drejtojnë.
Thanë: si është puna me këtë dijetar,
Që duke dëgjuar hadithe vjen vërdallë?
Atëherë vendosa të përgjigjesha i bindur,
Duke u thënë se nga padija po ikja duke rendur.
Por habitem pse njeriun që kërkon të dijë,
në vend që ta vlerësoni për vendosmërinë, e kritikoni sikur kërkon paditurinë!”
Bëhu atëherë si Ibn Mektumi, largohu prej atyre që kërkojnë të ngelesh në padituri, duke iu përgjigjur me vendosmëri dhe lëri ata pas shpine, në mënyrë që të fitosh.
Përktheu nga arabishtja: Gentian H. Nela