Youtube/Tezkije
(6) Dituria është shkëmbim
Dr. Ali ibn Imrani
 02.07.2022

(6) Dituria është shkëmbim. Jep që të marrësh, bën durim e lodhesh për të fituar, ulesh e përpiqesh për t’u ngritur dhe sunduar

Kur merr dituri ke kontakte të shumëllojta. Kështu, do të kesh kontakt me mësuesin, me librin, me shokët e tjerë studentë, me shkollën ku studion, me veten, me shoqërinë dhe ambientin përreth si dhe kontakt me metodikat studimore.

Këto kontakte janë trajtuar në masë në librat me temë edukative për studiuesin dhe këto gjëra realisht kanë ndikim të drejtpërdrejtë te studenti. Ndodh edhe që disa prej këtyre që përmendëm ndikojnë në mënyrë të fshehtë duke mos e kuptuar këtë gjë studenti e megjithatë, ai jeton me të duke mos e vënë re deri në momentin që shkëputet prej saj.

Ajo që dua të them tani është se tema e lidhjes së studentit me mësuesin është një temë e trajtuar masivisht në librat e sipërpërmendur dhe ajo që duhet theksuar më shumë, është fakti që vëmendja dhe interesimi i studentit është pika kyçe që e bën mësuesin të japë nga vetja dhe të afrohet me studentin. Është kjo pika që e bën mësuesin të mos e ndiejë lodhjen e ripërsëritjes së gjërave, të shpjegojë akoma më shumë, të sakrifikojë për mësimin e studentit dhe të dhurojë sa më shumë përfitim.

Pyetja që ngrihet është: Si të sillemi për të pasur cilësitë e një studenti të interesuar?

Për mendimin tim, gjërat që e dallojnë një student për zellin e tij në sytë e mësuesit janë si më poshtë:

1-      Prezantimi herët në klasën mësimore dhe edukata e respekti që tregon studenti karshi mëuesit.

2-      Aktivizimi i studentit gjatë mësimit. Kjo gjë ndikon shumë pozitivisht te studenti.

3-      Të jetë i vëmendshëm në mësim dhe të mos shpërqendrohet, si dhe komunikimi i vazhdueshëm me mësuesin duke e pyetur, duke u përgjigjur e duke mbajtur shënime.

4-      Të dalë në pah zotësia e tij kur tregon për diçka në lidhje me dijen.

5-      Të shprehë shkëlqyeshëm problematikat që vlejnë për diskutim.

Nëse studenti karakterizohet nga këto cilësi, patjetër që do t’ia rrëmbejë zemrën mësuesit të tij. Këto cilësi tregojnë për inteligjencën e studentit që e bën atë kandidat për të pasur sukses dhe përparim.

Vërejtje: Disa mësues preferojnë që nxënësi të mos merret me asgjë tjetër gjatë mësimit; as të shikojë në libër, as të mbajë shënime gjatë shpjegimit, e aq më pak të flasë në klasë me shokët apo të shikojë në telefonin e tij.

Madje disa dëshirojnë që studenti t’i shikojë drejt në sy, disa të tjerë duan që studenti të aktivizohet në diskutime me mësuesin qoftë edhe duke kërkuar prej tij të përsërisë gjërat që ai thotë.

Prandaj, studenti i mençur di se si të sillet për të pasur vëmendjen e mësuesit të tij duke fituar kështu kujdesin e veçantë të mësuesit.

Një numër i madh nxënësish kanë fituar kujdesin e mësuesve duke u bërë nga nxënësit më të preferuar e duke fituar besimin e mësuesit brenda një kohe shumë të shkurtër, duke ua kaluar edhe studentëve më të hershëm, vetëm e vetëm ngaqë kanë fituar vetitë e mësipërme.

Nga shembujt më të dalluar në këtë aspekt, të lidhjes nxënës-mësues, janë: Ibn Ujejeneh me imam Zuhriun, Ibn Abdulhadi me Ibn Tejmijen, Ibn Rexhebi me Ibn Kajimin, imam Sehaui me Ibn Haxherin e shumë të tjerë.

Përktheu nga arabishtja: Gentian H. Nela


Tezkije.com - Nuk lejohet shpërndarja ose/dhe ripublikimi i materialeve pa cekur burimin.
Shko tek kryefaqja