Youtube/Tezkije
(3) Sa më shumë zgjerohen njohuritë dhe dija, aq më tepër justifikon kundërshtarët
Dr. Ali ibn Imrani
 11.06.2022

 

Një vend i gjerë nuk ngushtohet vetëm se nga mendjet e ngushta dhe mendimet e dobëta. Kështu thotë dhe një poet në vargjet e tij:

Betohem se nuk është toka e ngushtë për banorët e saj,
Por ëndrrat e njerëzve janë të ngushta.

Ai që njeh vetëm një mendim, një shejh apo një metodë të vetme, e gjykon mendimin ndryshe si të pavend. Shejhun e tij e konsideron si dijetar ekspert dhe të dashur të Zotit, ndërsa shejhun e tjetrit e shikon me syrin kritik; rrugën që ndjek vetë e shikon si rrugën e vetme të saktë ndërkohë që rrugët e tjera i gjykon si të dyshuara, të përhumbura dhe plot bidate.

Por çështjet nuk janë siç i përfytyron ky person. Unë nuk e di as se si ky përfytyrim ka prekur edhe disa studiues. Vallë ua kanë diktuar gabim, e kanë përfytyruar gabim apo të dyja bashkë?!

Mos mendo se po flas për ndonjë mendim, shejh apo rrugë të çuditshme. Po flas për atë mendim që ka atë forcë argumentuese mes mendimeve të dijetarëve të fikhut, për atë shejh që ka të njëjtin reputacion si shejhu i atij që nuk mendon ndryshe dhe për atë rrugë që të çon po ashtu tek e vërteta e nuk të devijon.

Pra, jemi përpara një meseleje edukative. Studenti duhet të dijë se medhhebi që ai ndjek apo mendimi i shejhut prej të cilit merr fetva, nuk është mendimi i vetëm me konsiderata në botë dhe nuk është mendimi i vlerësuar drejtpërdrejt nga Allahu, por ka konsideratat e veta si mendimet e tjera të dijetarëve të ndryshëm rreth të cilëve sillet e vërteta. Gjithashtu studenti duhet të dijë se medhhebi që ai ndjek nuk është medhhebi i vetëm që ekziston dhe se medhhebet kanë edhe gjykime të sakta, edhe të gabuara, pasi është e pamundur që të gjitha gjykimet e një medhhebi të jenë të sakta, sepse kjo i takon vetëm profetit të Zotit. Kështu, mendimet e medhhebit apo shejhut tënd do të ketë edhe mundësi për të qenë të sakta ose të gabuara, për të qenë të forta ose të dobëta. Gjithsesi, këtë nuk e themi për të larguar nga dikush, sepse ai që ti ndjek merret në përgjegjësi vetëm për gjërat që ka gjykuar në bazë të përpjekjeve të tij dhe në bazë të dijes që ka marrë.

E sa dijetarë kanë mbështetur një mendim dhe më pas janë tërhequr prej tij. E sa dijetarë kanë pasur dy mendime të ndryshme për një mesele, e sa të tjerë kanë pasur nxënës të ngushtë që mbështesnin mendime ndryshe nga mendimet e mësuesit të tyre, deri sa thuhet se kanë pasur mendim ndryshe në një të tretën e medhhebit të mësuesit, apo më shumë ose më pak. Kështu thuhet se Ebu Jusufi dhe Muhamed ibn el Haseni kanë pasur mendim ndryshe nga imami i tyre Ebu Hanifja në dy të tretën e medhhebit të tij.

Atëherë përse duhet të jesh një ndjekës fanatik i një personaliteti, i një medhhebi apo i një grupacioni?!

Këtu duhet të qortojmë pak edhe disa hoxhallarë, edukues dhe mësues, të cilët me mënyrën si i flasin apo i përgjigjen ndjekësit, studentit apo pyetësit të tyre, i lënë të kuptojë se fjala e tyre është e vërteta që s’pranon shmangie dhe se mendimi i të tjerëve është pa diksutim i pavlerë ose mendimin e të tjerëve nuk e marrin fare në konsideratë, ndërkohë që mendimin e tyre e shohin me vend dhe plotësisht të arsyeshëm.

Në këtë mënyrë, ata kontribuojnë drejtpërdrejt në zgjerimin e hendekut të fanatizmit të shëmtuar, në rrënjosjen e shkaqeve që përhapin përçarje dhe ndarje si dhe kufizojnë atë fushë të mendimit që Allahu e ka lënë të gjerë.

Shpresoj që mesazhi im të ketë arritur te ju!

Përktheu nga arabishtja: Gentian H. Nela


Tezkije.com - Nuk lejohet shpërndarja ose/dhe ripublikimi i materialeve pa cekur burimin.
Shko tek kryefaqja