“Ty të ka dhënë Zoti dije, prandaj mos e fik me mëkate dritën që ke ndezur, sepse mund të mbetesh pa të pikërisht atëherë kur dijetarët do të ecin me dritë në Ditën e Gjykimit.”[1]
Nëse dija nuk jep frytet e saj të duhura, atëherë ngelet thjesht një informacion i mbledhur nga një vend i shkretë.
Fryti i vërtetë i dijes fetare është ndikimi që ka në shpirtin e muslimanit, duke e shoqëruar frika dhe njohja e emrave, cilësive e veprimeve të Allahut, si dhe njohja e asaj që Allahu meriton prej nesh.
Allahu i Lartësuar e ka treguar në Kuran ndikimin e dijes së vërtetë kur thotë: “Vërtetë nga robërit e Tij, Allahut i frikësohen vetëm dijetarët, (që e dinë se) Allahu është vërtetë i Plotfuqishëm dhe Falës.”[2]
Gjithashtu Allahu thotë: “Përkundrazi! Ai (Kurani) është shpallje e qartë në zemrat e atyre që u është dhënë dija. Shpalljet tona i mohojnë vetëm keqbërësit.”[3]
Sikurse Allahu ka treguar edhe për ata që e mësojnë dijen, por nuk përfitojnë prej saj ose devijojnë: “Shembulli i atyre që iu besua Teurati, por pastaj nuk e zbatuan atë, i shëmbëllen gomarit, që vetëm sa i mbart librat. Sa i keq është shembulli i atyre që mohojnë shpalljet e Allahut! Allahu nuk i udhëzon (në rrugën e drejtë) keqbërësit.”[4]
Në një ajet tjetër thotë: “Tregoju atyre (hebrenjve) për njeriun të cilit Ne i mësuam shpalljet tona, por u largua prej tyre. Kështu djalli e pushtoi atë dhe ai u bë nga të humburit.”[5]
Profeti, njeriun që mëson dhe nuk përfiton, e ka krahasuar me tokën që nuk e thith ujin dhe nuk mbin asnjë bimë në të.
Ndërsa njëri nga selefët thoshte: “Dija e thërret veprimin dhe nëse veprimi nuk i përgjigjet, atëherë dija largohet.”
Dijetari Hatib el Bagdadi ka shkruar një libër të rëndësishëm për këtë temë me titull “Nevoja e dijes për veprim”. Ky libër ia vlen me gjithë mend të lexohet e të meditohet.
Prandaj, mos u mashtro nga dija e shumtë nëse ajo nuk ndikon ashtu siç duhet!
[1] “El Besair ue edh dhehair” i imam Teuhidiut, v. 9, f. 96
[2] Surja Fatir: 28
[3] Surja Ankebut: 49
[4] Surja Xhumua: 5
[5] Surja Araf: 175