Youtube/Tezkije
Neglizhimi i detyrave obligative dhe kryerja e veprave të ndaluara
Omer el Eshkar
 08.03.2014

Qëndrimi i selefit (të parëve) ndaj atyre që bëjnë mëkate të mëdha

 Padyshim, nëse një person i neglizhon detyrat, të cilat i ka obliguar Allahu për të, siç është nxjerrja e zekatit, agjërimi, kryerja e haxhit dhe respektimi i prindërve ose vepron gjëra të ndaluara (haram), siç është zinaja, kamata ose ngrënia e pasurisë së jetimit, besimi i tij është i shtrembëruar dhe i mungon në proporcion me veprat e pa kryera ose mëkatet e kryera. Mirëpo, a duhet të konsiderohet kafir thjeshtë se ai i ka neglizhuar ato detyra ose i ka kryer ato harame, derisa ai nuk i mohon të parat dhe nuk thotë se të dytat janë të lejuara?
Tekstet që i kemi para vetes na mësojnë se muslimani nuk bëhet kafir kur bën mëkate ose kur i lë anash detyrat obligative, mirëpo kjo ia zvogëlon besimin dhe çështja e tij mbetet tek Allahu – nëse Ai do, Ai do ta fal dhe nëse Ai do, Ai do ta ndëshkojë. Prej teksteve që e thonë këtë qartë është ajeti:
"S’ka dyshim se Allahu nuk falë (mëkatin) t’i përshkruhet Atij shok (idhujtarinë), e përpos këtij (mëkati) i falë kujt do. " En-Nisa, 48
Mëkati i vetëm, të cilin Ai nuk e fal është shirku. Në rast të çdo mëkati më të vogël, çështja mbetet tek Allahu. Nëse Ai dëshiron e fal dhe nëse dëshiron e dënon.Ka po ashtu hadithe, të cilat e thonë të njëjtën gjë që paraqitet në ajet. Sipas një hadithi kudsi: "O biri i Ademit, nëse t'i më vjen tek Unë me mëkate sa toka dhe më takon pa më shoqëruar asgjë në adhurim, Unë do të vijë te ti me po aq falje."[1]
Sipas një hadhithi tjetër kudsi:
"Kush më takon me mëkate sa toka, mirëpo nuk më shoqëron askënd në adhurim ndaj Meje, unë do ta takoj me falje të barabartë."[2]
Utban ibn Malik transmeton se i Dërguari a.s. ka thënë:
"Allahu ia ka ndaluar zjarrit t'i djeg ata që thonë La ilahe il-lAllah duke kërkuar kënaqësinë e Allahut."[3] Transmetohet nga Ebu Seid el-Hudri r.a. se i Dërguari i Allahut ka thënë: "Njerëzit e Xhenetit do të hynë në Xhenet dhe njerëzit e zjarrit do të hynë në zjarr, pastaj Allahu do të thotë: 'Nxirreni nga aty çdokënd  që në zemër ka besim sa pesha e kokrrës së farës së sinapit."[4]
Ebu Sufjani r.a. ka thënë: "Unë kam jetuar afër Xhabir ibn Abdullah në Meke për gjashtë muaj. Një burrë e pyeti atë: 'A e quani ndonjë njeri të kibles (p.sh.: muslimanët) kafir?' Ai tha: 'Allahu na ruajt!' Ai pyeti: 'A e quani ndonjërin mushrik (politeistë)?' Ai tha: 'Jo.'"[5]

Këto tekste bën që dijetarët e selefit të këtij Umeti të thonë se kush bën mëkate dhe nuk i kryen detyrat obligative është besimtar për shkak të besimit të tij, por fasik (mëkatar) për shkak të mëkatit të tij. Ata e cilësuan atë me besim, mirëpo nuk ishte besim i përsosur, i cili është atribut i drejtë i atyre që bëjnë veprat të bindjes dhe ndalohen nga mëkatet. Besimi i tij është i prishur për shkak të veprave të këqija ose për shkak të mëkateve që i bën.

 

II) Havarixhët, të cilët i quajtën njerëzit kafira për shkak të mëkateve të tyre

 Në dallim prej selefëve ishte një grup tjetër, të cilët i akuzonin njerëzit për kufr nëse nuk i kryenin obligimet ose nëse kryenin vepra të ndaluara. Ne akoma hasim shumë njerëz, të cilët nxitojnë për t'i shpallur njerëzit kafira në të njëjtën mënyrë. Grupi i parë që kishte kësi lloj qasjeje ishin havarixhët, një grup që dolën nga ushtria e Ali ibn Ebi Talib r.a. pasi gjykuesit e caktuar Ebu Musa el-Eshariu dhe Amr ibn el-As r.a., nuk ia dolën t'i jepnin fund mosmarrëveshjeve të nxehta në mes të muslimanëve nën udhëheqjen e Aliut dhe Muavijut.
Havarixhët thanë se caktimi i njerëzve si gjykues ishte gabim sipas sheriatit dhe ata e konsideruan atë kufr (mosbesim). Ata i shikonin si kafira të gjithë muslimanët që u pajtuan me gjykimin e gjykuesve. Pastaj ata, gjoja se u penduan nga ky veprim (sepse më herët edhe vet kishin pranuar të bëhej gjykimi) dhe hynë në Islam përsëri. Ata kërkuan nga Aliu r.a. që të pranojë se ka bërë kufr dhe ta thotë shehadetin përsëri si parakusht që t'i ktheheshin radhëve të ushtrisë së tij. Aliu r.a. debatoi me ta dhe u dërgoi dijetarin e madh të këtij Umeti, Ibn Abbasin r.a., i cili nxori dëshmi kundër tyre dhe i hodhi poshtë pikëpamjet e tyre. Disa mijëra prej tyre u kthyen në ushtri, mirëpo dy mijë këmbëngulën në pasimin e mendimit të tyre dhe luftuan kundër Aliut, i cili i shpartalloi dhe i hoqi qafe. Mirëpo mendimi i tyre u përhap dhe u praktikua nga shumë njerëz pas tyre. Kjo ide e shpalljes së njerëzve kafira akoma shfaqet kohë pas kohe, ndërsa në kohën tonë ajo ka dalë në sipërfaqe.


Dëshmitë e cituara nga havarixhët për denoncimin si kafira të atyre që bëjnë mëkate të mëdha

 Havarixhët[6] thonë se ai, i cili bën mëkat të madh është kafir dhe nuk është më musliman, gjaku dhe pasuria e tij janë të lejuara. Ata thonë se ai do të qëndrojë në Zjarr përgjithmonë. Në mbështetje të mendimeve të tyre ata përdorën këto dëshmi:

a) Ata thanë: "Ju pajtoheni me ne se veprat janë pjesë e besimit, pasi imani përbëhet nga besimi, fjalët dhe veprat. Nëse një pjesë e besimit mungon, për shembull veprat, atëherë krejt imani mungon."

b) Ata cituan si dëshmi faktin se Allahu i Lartësuar i përshkruan disa mëkate si fisk, si në ajetin "...nëse ndonjë i pandërgjegjshëm (fasik-gënjeshtar) u sjell ndonjë lajm, ju shqyrtojeni mirë,..."  El-Huxhurat, 6
Fjala fasik këtu përdoret për gënjeshtarin, që është e qartë për çdokënd që shikon në kontekstin e ajetit. I Dërguari a.s. ka thënë: "Eshtë fusuk (e keqe) për besimtarët të shkëmbejnë ofendime me një njeri-tjetrin."[7] Dhe ata thonë se Allahu i quan disa mëkate, siç është ngrënia e pasurisë së jetimi, dhulm (padrejtësi): "Ata që e hanë pa të drejtë pasurinë e jetimëve, në të vërtetë ata hanë atë që mbush barkun e tyre zjarr..."   En-Nisa, 10
Dhe Ai (xh.sh.) e quan atë, i cili e nxjerr të divorcuarën nga shtëpia e martesës gjatë kohës së idetit dhulm (padrejtësi), pasi ai i shkel kufijtë e Allahut: "...dhe mos i nxirrni ato prej shtëpive të tyre, e edhe ato të mos dalin ndryshe vetëm nëse bëjnë ndonjë vepër të keqe të vërtetuar. Këto janë dispozitat e Allahut, e kush del jashtë dispozitave të Allahut, ai e ka dëmtuar vetveten..."           Et-Talak, 1
Ata thanë, këto mëkate janë fisk dhe dhulm, kurse fasikët dhe dhalimunët janë kafira sipas Kur'anit: "...Pabesimtarët janë mizorë."
El-Bekare, 254 "E kush edhe pas kësaj mohon, të tillët janë ata më të prishurit."En-Nur, 55
  Ata thanë: tekstet tregojnë se ata që bëjnë mëkate nuk janë besimtarë. Për shembull hadithi i transmetuar nga i Dërguari a.s.:
"Ai, i cili bën zina (kurvëri) nuk është besimtar në momentin kur është duke bërë zina, dhe ai që vjedh nuk është besimtar në kohën vjedhjes dhe ai që pi verë nuk është besimtar në kohën kur është duke pirë (alkool)."[8]
Dhe ai a.s. ka thënë:
"Askush që beson Allahun dhe të Dërguarin e Tij nuk mund t'i urrejë Ensarët."[9]
Po ashtu:
"Pasha Atë në dorën e të Cilit gjendet shpirti im, nuk do të hyni në Xhenet derisa të besoni, dhe nuk keni besuar derisa të mos ta duan njëri tjetrin." [10]

c) Ata thanë: I Dërguari a.s. u distancua nga ata që bën mëkate të caktuara siç ishin fjalët e tij: "Kush bart armë kundër nesh, nuk na përket neve (nuk është prej radhëve tona) dhe kush na mashtron nuk është nga ne (nuk është prej radhëve tona)."[11]
Dhe sipas një hadithi tjetër:"Kush mashtron nuk është prej nesh."[12 Sipas transmetimi të Ebu Hurejres, i Dërguari a.s. ka thënë: "Pasha Allahun, nuk ka besuar, pasha Allahun, nuk ka besuar, pasha Allahun, nuk ka besuar." Ata thanë: "Kush o i Dërguari i Allahut?" Ai tha: "Ai prej të keqes të të cilit fqinji nuk është i sigurt."[13]

d) Ata thanë: disa mëkate u përshkruan si kufër, siç është ajeti Kur'anor, ku Allahu thotë: "Për hir të Allahut, vizita e shtëpisë (Qabes) është obligim për atë që ka mundësi udhëtimi te ajo, e kush nuk e beson (ai nuk e viziton); All-llahu nuk është i nevojshëm për (ibadetin që e bëjnë) njerëzit."  Ali Imran, 97
I Dërguari a.s. ka thënë "Mos u ktheni në kufr pas vdekjes sime duke e mbytur njëri-tjetrin."[14] Dhe: "Nëse dikush e denoncon vëllanë e vet si kafir, atëherë njëri prej tyre do të jetë kafir."[15]


 (Perktheu, Driton Maxhuni)


[1]Tirmidhiu në Sunenin e tij, 4/49, hadithi nr. 3540.

[2]Muslimi, 4/2068, hadithi nr. 2687.

[3]Buhariu, 1/519, hadithi nr. 425.

[4]Buhariu, 1/72, hadithi nr. 22.

[5]Ebu Ubejd el-Kasim ibn Selam në librin e tij El-Iman të redaktuar nga Shjeh el-Albani. Fq. 98.

[6]Një grup tjetër janë Mu'tezilët. Ata janë pasues të Vasil ibn Ata, të cilët thanë se ai që kryen një mëkat të madh nuk është as besimtar, e as kafir, por është në një pozitë midis kufrit dhe imanit, por në botën tjetër do të jetë në zjarr përgjithmonë.

[7] Muslimi, 1/80, hadithi nr. 64.

[8]Muslimi, 1/76, hadithi 57.

[9]Po aty, 1/86.

[10]Po aty, 1/74.

[11]Muslimi, 1/99, hadithi numër. 101.

[12]Po aty, 1/101, hadithi nr. 102.

[13]Mishkat el-Mesabih, 2/607, hadithi nrl 4962.

[14]Muslimi, 1/82, hadithi nr. 65.

[15]Po aty, 1/79, hadithi nr. 79.


Tezkije.com - Nuk lejohet shpërndarja ose/dhe ripublikimi i materialeve pa cekur burimin.
Shko tek kryefaqja