Youtube/Tezkije
Aspiratat e larta në dituri
Bekër Ebu Zejd
 29.03.2014

Prej karakteristikave të Islamit është stolisja e vetes me aspirata të larta, e cila është qendra e ‘pozitivit dhe negativit’ në personalitetin tënd dhe është mbikëqyrës i gjymtyrëve tuaja.
Aspiratat e larta të sjellin të mira të pafundme, me lejen e Allahut, sikurse ngritja shkalleve të perfeksionimit, rrjedhja e gjakut të fisnikërisë në damarët tuaj, vrapimi në fushat e dijes dhe praktikimit, ashtu që njerëzit nuk të shohin të ndalur vetëm se tek portat e virtyteve dhe që ke shtrirë duart vetëm për punë të mëdha (rëndësishme).
Stolisja me këtë etikë eliminon shpresat dhe veprat e parëndësishme dhe çrrënjos nga zemra jote pemën e poshtërimit, degradimit, lajkatimit dhe mashtrimit. Personi me aspirata të mëdha është i përqendruar e i qetë dhe nuk e terrorizojnë atë situatat e vështira. Kurse, personi i cili ka humbur këtë etikë është qyqar e frikacak, ia mbyll gojën pamundësia e tij për tu shprehur.
Megjithatë, nuk duhet të ngatërrosh mes aspiratës së lartë dhe mendjemadhësisë, sepse dallimi mes tyre është sikurse dallimi mes qiejve që lëshojnë shi dhe tokës që çahet. Aspirata e lartë është etika dhe stolia e trashëgimtarëve të Pejgamberëve, kurse mendjemadhësia është sëmundja e mjeruar e tiranëve.
O nxënës i diturisë! Planifiko për veten tënde aspirata të larta, e mos e lë të të ikë tutje. Sheriati ka bërë me shenjë nga ajo në shumë rregulla në çështje të ndryshme të lidhura me jetën tënde të përditshme, që ti të jesh gjithmonë i zgjuar që ta përfitosh atë, sikurse lejimi i marrjes tejemmum për personin që nuk arrin dot të përdorë ujin për pastrim (abdes ose gusël) dhe mos obligimi i atij që të pranon para nga të tjerët për të blerë ujë (për abdes), për shkak të dobësisë që shkakton kjo vepër (pranimi i parave nga tjetri) në aspiratat e larta të një individi, e kështu me radhë , Allahu e di më së miri.

Dëshira e flaktë për kërkimin e diturisë

Po që se e di fjalën që i mëveshët khalifes së drejtë Ali bin Ebi Talib, Allahu qoftë i kënaqur me të: “Vlera e çdo personi është ajo çfarë ai njeh më së miri,” për të cilën është thënë: "nuk ka thënie më nxitëse për kërkimin e diturisë se sa kjo", atëherë kujdes gabimin e atij i cili thotë: “Asgjë s'ka lënë paraardhësi për të më vonshmin”, sepse kjo në mënyrë të drejtë është të thuhet: “Sa shumë ka lënë paraardhësi për të mëvonshmin!”
Angazhohu që sa më shumë të marrësh nga trashëgimia e Pejgamberit salallahu alejhi ue selem dhe derdh mundin e energjinë tënde në mësimin dhe ekzaminimin e saj dhe sa do që të arrish në dije, gjithmonë kujtoje: “Sa shumë që ka lënë paraardhësi për të mëvonshmin!”
Në biografinë e Ahmed bin Abdul Xhelilit në "Tarikhu Bagdad" të Khatibit gjejmë këtë poezi të tij:
Fisniku nuk krahasohet me të ulëtin
As i mençuri me të marrin,
Vlera e njeriut është vet mjeshtëria
Gjykuar kështu nga imam Alia


Tezkije.com - Nuk lejohet shpërndarja ose/dhe ripublikimi i materialeve pa cekur burimin.
Shko tek kryefaqja