Këto ishin dëshmitë, të cilave iu referoheshin, për etiketimin e të tjerëve si kafira për shkak të gjynaheve të tyre. Ne do të përpiqemi të nxjerrim në pah gabimin e tyre gjatë përdorimit të teksteve si dëshmi:
a) Sa i përket pikëpamjes së tyre se veprat janë komponentë të imanit, ne nuk e mohojmë këtë. Mirëpo, ata gabuan kur i numëruan veprat si kusht të besimit. Megjithatë, mendimi i saktë është se mungesa e veprave nuk e anulon besimin tërësisht. Nëse veprat mungojnë, kjo e prish përsosurinë e kërkuar të besimit, p.sh., nëse veprat mungojnë, atëherë edhe besimi mungon pjesërisht dhe ai bëhet i papërsosur. Kjo është sikur një njeriu, të cilit i është amputuar dora ose këmba, ose të cilit i është nxjerrë syri, ose i është prerë veshi. Ai akoma është qenie njerëzore dhe akoma është i gjallë. Mirëpo, nëse ai ndahet në dysh ose i prehet koka, ose zemra i shpohet, atëherë ai është si një person, të cilit i është larguar besimi. Nëse dora, këmba ose syri i largohet, kjo është si një person, i cili i neglizhon disa detyra obligative ose bën vepra të ndaluara.
b) Sqarimi i tyre për fiskun (prishjen, shthurjen) dhe dhulmin (padrejtësinë) është keqkuptim. Kuptimi i fiskut është mosbindja ndaj Allahut, kurse të gjitha veprat e mosbindjes ndaj Allahut nuk janë të një shkalle. Ato mund të përmbajnë kufr ose mund të mos përmbajnë. Një person që nuk beson në engjëjt, e kundërshton Allahun në një mënyrë që përmban kufr, ndërsa një person që pi verë, nuk i bindet Allahut në një mënyrë që është mëkatare, mirëpo nuk përmban kufr.
Dhulmi gjithashtu ndryshon në shkallë, ai mund të merrë formë ekstreme që arrin shkallën e kufrit, ose mund të jetë i një shkalle më të vogël se kjo.
Ne mund ta ilustrojmë këtë nëse e vizatojmë një rreth të madh, në mes të cilit është një rreth më i vogël. Rrethi i madh paraqet dhulmin dhe fiskun, kure rrethi i vogël paraqet kufirin, kështu kufri është përfshirë në dhulm dhe fisk, sepse ato janë më të gjera në kuptim sesa kufri, mirëpo disa lloje të dhulmit dhe fiskut nuk janë kufr.
Ajo që tregon se fisku mund të mos jetë kufr është hadithi i të Dërguarit a.s. në të cilin tha: "Përgojimi i muslimanit është fusuk, dhe mbytja e tij është kufr."[1]I Dërguari a.s. bëri dallim në mes të dyjave, edhe pse ajo që nënkuptohet me kufr në këtë hadith nuk është kufri që e largon personin nga Islami.
Tekstet, të cilat i citojnë në mbështetje të mendimeve të tyre se besimi anulohet nga mëkatet ose se i Dërguari a.s. u distancua nga njerëzit, të cilët bëjnë mëkate, ose që thonë se dikush ka bërë kufr duke bërë një mëkat të caktuar, nuk kanë kuptim që besimi largohet me rastin e kryerjes së mëkateve ose që pas kryerjes së mëkatit personi del nga feja. Por, në të vërtet mëkatet e zbehin përsosurinë dhe sinqeritetin e besimit te njeriu, ndërsa këto dy cilësi i ka përshkruar Allahu dhe ka thënë se janë parakushte në shumë vende të Kur'anit:
"Allahu bleu prej besimtarëve shpirtrat dhe pasurinë e tyre me Xhenet. Luftojnë në rrugën e Allahut, mbysin dhe mbyten. (Allahu dha) Premtim të cilin e vërtetoi në Tevrat, Inxhill e Kur’an. E kush është zbatues më i sigurt i premtimit të vet se Allahu? Pra, gëzonju tregtisë që e bëtë me Të. Ky është suksesi i madh.(Të Xhenetit janë) Edhe ata që pendohen, ata që sinqerisht adhurojnë, ata që falënderojnë, ata që agjërojnë, ata që bëjnë ruku, që bëjnë sexhde, që urdhërojnë për të mira e ndalojnë nga të këqijat, edhe përmbushin dispozitat e Allahut. Pra, përgëzoi besimtarët." Et-Tevbe, 111-112
"Është e sigurt se kanë shpëtuar besimtarët: ata të cilët janë të përulur dhe të kujdesshëm gjatë faljes së namazit. Ata të cilët i shmangen të kotës (fjalë a punë), dhe ata të cilët rregullisht e japin zekatin, dhe ata të cilët e ruajnë nderin e vet (sa i përket jetës intime)." El-Muminun, 1-5
"E, besimtarë të vërtetë janë vetëm ata, të cilëve kur përmendet Allahu u rrëqethen zemrat e tyre, të cilëve kur u lexohen ajetet e Tij u shtohet besimi, dhe që janë të mbështetur vetëm te Zoti i tyre. Dhe, të cilët falin (rregullisht) namazin dhe nga ajo, me çka Ne i furnizuam, ata japin." El-Enfal, 2-3
Pas citimit të këtyre ajeteve Ebu Ubejd el-Kasim ibn Selam[2] ka thënë: Këto ajete sqarojnë obligimet që Islami i ka urdhëruar për pasuesit e vet dhe mëkatet që i ka ndaluar për ta. Kurse hadithet e Sunetit i përshkruajnë tiparet e imanit. Kur mëkatet përzihen me besim, mund të thuhet se këtë Allahu nuk e ka urdhëruar për besimtarin, dhe këto nuk janë shenja me të cilat njihet besimi, pra ky nuk është realiteti i besimit. Mirëpo, kjo nuk do të thotë se nuk ka fare besim."
Ai pastaj u jep përgjigje argumenteve të shumta, të cilat ata i përdorin për ta konsideruar dikë jobesimtarë. Ata thonë se si mund të thuhet se personi është besimtarë kur në tekst thuhet se: "Nuk ka besuar, ka mohuar" etj.. Autori sqaron se kjo është mënyra, të cilën arabët e përdorin kur flasin për vepra (punë). Ata e mohojnë një vepër që është bërë, mirëpo nuk është bërë si duhet. Kur'ani u zbrit në gjuhën e arabëve, duke përdorur format stilistike të gjuhës së tyre. Në gjuhën e arabëve, të cilën e njohim shumë mirë, nuk është e pazakontë të mohohet një vepër nëse nuk është bërë si duhet. A nuk e shikoni se nëse një punëtor nuk e kryen punën si duhet, ata do t'i thonë: "Nuk keni bërë asgjë!" Qëllimi prapa kësaj është të mohohet cilësia dhe jo vet puna. Sipas mendimit të tyre, puna është bërë formalisht, por jo si duhet.
Ai sqaron se arabët mund të flasin me tone të ngritura, për shembull kur i biri nuk i bindet babait dhe e zemëron atë deri në atë masë sa babai thotë: ai nuk është biri (im) – edhe pse ai është biri i tij, i lindur nga ijët e tij. E njëjta gjë mund të thuhet për vëllanë, bashkëshorten ose robin.
Pastaj ai sqaron se tekstet, të cilat e mohojnë besimin janë të transmetuara sipas modelit të njëjtë. Ai tha: "E njëjta aplikohet për mëkatet, për të cilat mohohet besimi, pasi ajo që e prishi realitetin e besimit, ishte mos përmbajtja ndaj rregullave që janë atribute të imanit. Por, klasifikimi i personit mbetet ashtu si është dhe ai nuk përshkruhet se është diçka tjetër përpos besimtarë dhe rregullat që aplikohen për besimtarët mbetën të paprekura në rastin e tij.
Ai citoi ajetin nga sureja Ali Imran që tregon se Allahu mori besatimin prej atyre që u kishte ardhur libri, se do ta bëjnë (lajmin e ardhjes së të Dërguarit Muhamedit a.s.) të njohur dhe të qartë për njerëzimin dhe se nuk do ta fshehin, mirëpo ata e hodhën besatimin prapa shpinës. Megjithatë, përkundër kësaj ata akoma përshkruhen si popujt e librave në ajetet tjera dhe është e lejuar që ne ta hamë mishin e tyre dhe të martohemi me gratë e tyre. Pastaj ai tha: "Në rregulla dhe në emër ata akoma përshkruhen si pasuesit e librave, edhe pse në realitet ata janë larguar nga kjo rrugë."
Pastaj ai e përmendi hadithin e transmetuar nga Buhariu dhe Muslimi, për një burrë që u fal keq dhe i Dërguari a.s. i tha më tepër se një herë: "Kthehu dhe falu sepse ti nuk je falur."[3]
Edhe pse njeriu u fal, secilën herë që falej, ai falej formalisht dhe nuk e kryente namazin ashtu si duhej.
[1]Muslimi, 1/80. 64.
[2]Këto citate janë shkëputur nga libri El-Iman nga Ebu Ubejd.
[3]Buhariu, 2/277, hadithi nr. 793; Muslimi, 1/298, hadithi nr. 397.