Youtube/Tezkije
Cili është kuptimi i teksteve ku përmenden mëkatet, kufri dhe shirku?
Omer el Eshkar
 23.04.2014

Cili është kuptimi i teksteve me anë të të cilave i Dërguari i Allahut u distancua nga ata që bëjnë mëkate?

Ebu Ubejd ka thënë: "Ky distancim nuk do të thotë se ata nuk kanë asnjë lidhje me të Dërguarin e Allahut dhe fenë e tij. Mirëpo, sipas mendimit tonë ai nuk është nga njerëzit që i bindet të Dërguarit, që e pason shembullin e tij dhe që i përmbahet ligjeve të tij.

Cili është kuptimi i disa teksteve që thonë se disa mëkate përmbajnë kufr dhe shirk?

"Sa u përket teksteve që thonë se disa mëkate përmbajnë kufr dhe shirk, ne nuk i shpallim këta njerëz kafira ose politeistë në atë mënyrë që ata t'i zhveshim plotësisht nga imani. Në anën tjetër ne mund të themi se këto mëkate janë të afërta me karakteristikat e kufarëve dhe politeistëve. Dhe për këtë kemi argumente nga Suneti i të Dërguarit a.s."

   Ai sqaron se ajo që nënkuptohet kur mëkatet quhen kufr dhe shirk janë karakteristikat e politeistëve, emrat, mënyrat, fjalët dhe rregullat e tyre. Në mbështetje të mendimit të tij, ai citoi komentin e Ibn Abbasit r.a. në tefsirin e tij të ajetit: "...E kush nuk gjykon me atë që e zbriti All-llahu, ata janë mohues.  El-Maide, 44

    Ibn Abbasi r.a. tha: "Ky nuk është kufri që e nxjerr personin prej Islamit. A'taa ka thënë: "Ky është një lloj më i vogël i kufrit." Sa u përket fjalëve të transmetuara nga Ibn Abbasi r.a., redaktori i librit tha: "Kjo transmetohet nga el-Hakim në Mustedrakun nëpërmjet Taavus, ai dhe edh-Dhehebiu e klasifikuan si të saktë.

   Ndonëse gjykimi me diçka tjetër përpos asaj që ka zbritur Allahu është kufr, kjo nuk e nxjerr personin prej Islamit. Imani akoma është prezent në këtë rast, edhe pse është i përzier me mëkate. Pra, gjykimi me diçka tjetër përpos asaj që e ka zbritur Allahu, është mënyrë e kafirave (jobesimtarëve). A i keni dëgjuar fjalët e Allahut: "A thua mos po kërkojnë gjykimin e kohës së injorancës,..."     El-Maide, 50

   Pastaj ai thotë: mënyra se si e interpretuan këtë ajet dijetarët e tefsirit është se gjykimi me diçka tjetër përpos asaj që Allahu e ka zbritur, nuk e bën muslimanin jomusliman, mirëpo ai bëhet si populli i xhahiljetit-injorancës, sepse në këtë mënyrë gjykonin njerëzit e xhahiljetit. Kjo është si hadithi: "Tri gjëra i përkasin xhahilijetit: shpifja-përfolja për prejardhjen e njerëzve, vajtimi për të vdekurin dhe astrologjia." Ky është hadith i saktë.

Ngjashëm është një hadith tjetër që thotë: "Shenjat e hipokritit janë tri: kur flet gënjen, kur premton, e thyen premtimin, kur i besohet diçka, tradhton."[1]

 Ebu Ubejd ka thënë: "Këto transmetime nuk duhet të interpretohen se ai që bën gjynah i përket popullit të xhahilijetit, është kafir apo hipokrit, pasi ai e beson Allahun dhe Mesazhin e zbritur nga Ai dhe i përmbush detyrat obligative. Këto transmetime tregojnë se këto mëkate janë pjesë e veprave të kafirave, që janë të ndaluara me Kur'an dhe Sunet, kështu që muslimanët duhet t'i shmangen këtyre gjërave dhe të qëndrojnë larg tyre dhe të mos i imitojnë kafirat në sjelljet dhe qëndrimet e tyre.

Ai citoi hadithin: "Nëse një grua vë parfum dhe kalon pranë njerëzve, të cilët e nuhasin erën e saj, ajo është bërë zinahqare."

    Ndoshta ajo që Ebu Ubejd el-Kasim ibn Selam nënkuptoi kur tha se gjykimi me diçka tjetër përpos me atë që e ka zbritur Allahu nuk është kufr që e nxjerr personin prej Islami" është kur një gjykatës, gjykon në një rast të veçantë sipas tekave dhe dëshirave të tij, edhe pse ai zakonisht gjykon në pajtim me rregullat e Allahut.

   Sa i përket gjykimit me ligjet e jobesimtarëve dhe aplikimin e tyre me forcë për popujt islam, kundërshtimi dhe luftimi i të gjithë atyre që thirrin në aplikimin e Islamit – kjo nuk ka të bëjë me Islamin.

"Për Zotin tënd jo, ata nuk janë besimtarë (të asaj që të zbriti ty as të asaj para teje) derisa të mos zgjedhin ty për të gjykuar në atë konflikt mes tyre, e pastaj (pas gjykimit tënd) të mos ndiejnë pakënaqësi nga gjykimi yt dhe (derisa) të mos binden sinqerisht."   En-Nisa, 65



[1]Buhariu, 1/89, hadithi nr. 33; Muslimi, 1/78, hadithi nr. 59.


Tezkije.com - Nuk lejohet shpërndarja ose/dhe ripublikimi i materialeve pa cekur burimin.
Shko tek kryefaqja