Si mund ti quajmë këto Kur’an (duke qenë se këtu ka folur Musai, Faraoni, ndërsa Kur’ani është fjalë e Allahut)
Pyetja e katërt nga fetwaja nr. 3239
Pyetja: Po e lexojmë në Kur’anin Fisnik ajetin: “Musai tha: “Unë i lutem Zotit Tim dhe Zotit tuaj për të më mbrojtur...”, si dhe ajetin: “Dhe Faraoni tha: “O Haman, ndërtoma një kullë...”, e në Kur’an kemi shumë shembuj të tjerë si këta të dy. Si mund ti quajmë këto Kur’an (duke qenë se këtu ka folur Musai, Faraoni, ndërsa Kur’ani është fjalë e Allahut), dhe (si mund ta quajmë) Fjalën e Allahut “të Vjetër” (Moçme)?
Përgjigja: Të folurit mund t’i referohet shqiptimit (artikulimit) dhe kuptimit bashkërisht, apo cilësdo prej këtyre dyjave veç e veç; Prandaj, ai që përcjell një fjalim nga folësi tek tjetri, pa ndonjë devijim të kuptimit dhe pa ndryshim të shkronjave dhe renditjes, është vetëm informues dhe lajmërues ndërsa në realitet fjala i përket atij që e ka filluar atë. E nëse përcjellësi ka ndryshuar shkronjat e tij apo renditjen duke ruajtur kuptimin atëherë shqiptimi, shkronjat dhe renditja janë prej tij ndërsa kuptimi i këtij fjalimi kthehet tek ai i cili e ka filluar atë. Shembull i kësaj është ajo që na ka informuar Allahu për popujt që kanë shkuar, siç është Fjala e Tij (përkthim i përshtatur): “Musai tha: “Unë i lutem Zotit Tim dhe Zotit tuaj për të më mbrojtur prej çdo mendjemadhi, që nuk beson në Ditën e Llogarisë.” Dhe Fjala e Tij: “Dhe Faraoni tha: “O Haman, ndërtoma një kullë që t’i arrij rrugët (e qiellit).” Pra, këto të dyja quhen Kur’an dhe që të dyja janë Fjalë të Allahut në aspektin e shkronjave dhe renditjes, sepse ato janë prej Allahut dhe jo prej Musait dhe Faraonit, dhe se shkronjat dhe renditja nuk janë prej atyre dyve, mirëpo prejardhjen e kanë prej Musait dhe Faraonit në aspektin e kuptimit, sepse kjo me të vërtetë ka ndodhur prej atyre të dyve. Dhe, Allahu e ka ditur qysh para krijimit, si për të parën ashtu edhe për të dytën, dhe ka urdhëruar që të shkruhen në Lauhi Mahfudhë , e pas kësaj ndodhi të folurit nga Musai dhe Faraoni në gjuhën e tyre, në përputhshmëri me atë që gjendej e shkruar në Lauhi Mahfudhë. E më vonë Allahu foli për këtë ngjarje me shkronja tjera dhe me renditje tjetër në kohën e të dërguarit tonë Muhamedit (salallahu alejhi ue selem), prandaj secilit i takon të folurit sipas aspektit përkatës.
E sa i përket cilësimit të Fjalës së Allahut me vjetërsi, kjo gjë nuk ka qenë e aktuale në kohën e sahabëve (Allahu qoftë i kënaqur me ta), e as në kohën e imamëve të selefit (Allahu i mëshiroftë); E vërteta është se Ehlu-suneti në kohën e trazirave thoshin: Fjala e Allahut nuk është e krijuar, ndërsa kundërshtarët e tyre thoshin: Fjala e Allahut është e krijuar. Prandaj përshkrimi i Fjalës së Allahut se është e vjetër është terminologji e vonshme; por nëse do ta analizonim më shumë këtë do të mund të thoshim se: Fjala e Allahut është e vjetër si lloj por e ripërtërishme në aspektin e njësive të saj, sepse Allahu i Lartësuar ka folur dhe vazhdon të flasë çfarë të dëshirojë Ai, dhe Ai do t’u flasë Ditën e Gjykimit besimtarëve, qafirëve dhe të tjerëve si të dëshirojë Ai, siç është vërtetuar në dy librat e saktë nga Adij ibn Hatim (Allahu qoftë i kënaqur me të) nga i dërguari (salallahu alejhi ue selem) se ka thënë: “S’do mbetet askush prej jush veçse do ti flasë atij Zoti i tij pa pasur midis tij dhe Atij ndonjë përkthyes ...” ky hadith si dhe hadithe tjera rreth kësaj teme.
I gjithë suksesi është me Allahun! Paqja dhe përshëndetjet qofshin mbi të dërguarin tonë Muhamedin, familjen dhe shokët e tij!
Komisioni i përhershëm i hulumtimeve shkencore dhe fetwave
Anëtari:
Abdullah ibn Ku’ud
Zëvendës-presidenti i komisionit:
Abdur-Rrezak ‘Afifi
Kryetari:
Abdul-Aziz ibn Abdullah ibn Baz
Përktheu dhe përshtati, Hekuran Helshani