Youtube/Tezkije
Disa aspekte të lëshimeve dhe gabimeve në edukimin e fëmijëve
Muhamed ibn Ibrahim el-Hamed
 07.05.2014


Përkundër përgjegjësisë së madhe që mban me vete edukimi i fëmijëve, prapë se prapë shumë njerëz e kanë neglizhuar atë dhe e kanë nënvlerësuar, dhe nuk i kanë kushtuar asaj kujdesin që duhej kushtuar, kështu që i kanë bërë fëmijët e tyre të humbasin dhe kanë injoruar edukimin e tyre duke mos u interesuar e pyetur për ta dhe duke mos iu qasur atyre me dialog për problemet e tyre. E kur filluan të vërejnë rebelim prej tyre dhe devijim atëherë filluan të ankohen e të qahen nga kjo, dhe nuk e kuptuan që ata ishin shkaku i parë i këtij rebelimi e devijimi, siç kanë thënë:

Të lidhur në det e hodhi e i tha

Kujdes! Kujdes uji mos të të lag

Mangësia në edukimin e fëmijëve merr forma të llojllojshme, prej aspekteve të shumta të cilat ndikojnë në devijimin dhe rebelimin e fëmijëve janë këto në vijim[1]:

1. Rritja dhe edukimi i fëmijëve përmes frikësimit, trembjes, panikut dhe trishtimit

Ajo që vërehet në metodën tonë të edukimit është frikësimi i fëmijëve duke i bërë ata të qajnë për ti qetësuar; i frikësojmë me vampirë, babarroka, hajdutë, shejtanë, fishkëllima të stuhisë, e të tjera.

Dhe më e keqja e kësaj është frikësimi i tyre përmes mësuesit, shkollës, apo mjekut; dhe kështu fëmiu rritet frikacak, i druajtur, ikë prej hijes së vet dhe frikësohet prej gjërave që s’janë të frikshme.

Gjëja më e rëndë që mbjell tek fëmiu frikën dhe ngurrimin është shqetësimi që ne shfaqim kur ai rrëzohet dhe i rrjedh gjak nga fytyra, dora apo gjuri i tij; Kështu që, në vend që nëna e tij të buzëqeshë dhe t’ia largojë vëmendjen nga frika që ai ndjen, dhe ta bëjë atë të ndjehet se kjo është një gjë e thjeshtë, e sheh se vetë ajo shqetësohet e frikësohet duke i goditur faqet dhe gjoksin e saj, duke kërkuar ndihmë nga anëtarët tjerë të familjes, e duke e zmadhuar edhe më tepër fatkeqësinë; rrjedhimisht fëmiu e shton të qarët e tij, dhe kështu sa herë të sheh gjak apo të ndjejë dhembje, ai do të shqetësohet dhe frikësohet.

2. Edukimi i tyre për të qenë gjaknxehtë, për gjuhë të paturpshme dhe nënçmim të të tjerëve; gjithë kjo në emër të trimërisë[2]

Kjo është një defekt në edukimin e fëmijëve dhe është e kundërta e të parës. E sakta është në mbajtjen e mesatares.

3. Edukimi i tyre në labilitet dhe konfuzion, dhe adaptimi i tyre në lukse, mirësi dhe ekstravagancë

Në këtë mënyrë fëmiu rritet në lukse dhe mirësi, dhe e vetmja brengë e tij është vetvetja e tij dhe kaq. Ai nuk brengoset për të tjerët, nuk pyet për vëllezërit e tij musliman, nuk merr pjesë në gëzimet e tyre, dhe nuk e ndanë me ta pikëllimin e tyre.

Prandaj, edukimi i fëmijëve në këtë aspekt e shkatërron natyrshmërinë (fitren), e mbyt korrektësinë, dhe çrrënjos zemërgjerësinë dhe trimërinë.

4. Lëshimi i dorës në dhënie dhe jepja atyre çdo gjë që dëshirojnë

Disa prindër u japin fëmijëve të tyre çdo gjë që ata kërkojnë dhe nuk u ndalojnë atyre asgjë nga ajo e dëshirojnë. Vëren se ata i lëshojnë plotësisht duart e tyre në dhënie ndërsa fëmijët e tyre abuzojnë me pasurinë e tyre, e harxhojnë atë në zbavitje dhe gjëra të kota, gjë që i bën ata të mos ia dinë vlerën pasurisë dhe mos ta harxhojnë atë në mënyrën e duhur.

(vazhdon ...)

 

Përktheu dhe përshtati, Hekuran Helshani

 



[1] Shiko: “Edukata jonë shoqërore”, dr. Mustafa Sibai, fq. 155-161; dhe “Të drejta për të cilat thërret natyrshmëria e njeriut dhe të cilat i ka pohuar sheriati”, nga dijetari i njohur Muhamed ibn Uthejmin, fq. 9-11; dhe “Përgjegjësia në Islam” nga dr. Abdullah el-Kadirij, fq. 99-119; dhe “Gjurmët e edukimit Islam në sigurinë e shoqërisë,” nga dr. Abdullah el-Kadirij, fq. 168-192.

[2] Shiko: “Analiza rreth familjes” nga Sabri Shehini, fq. 12; dhe “Mesazhe për bijën time”, nga Muhamed el-Ebshihi, fq. 76.


Tezkije.com - Nuk lejohet shpërndarja ose/dhe ripublikimi i materialeve pa cekur burimin.
Shko tek kryefaqja