Desha t’ua parashtroj një pyetje e cila ka shkaktuar mospajtim të qartë në mesin e disa personave. Në portën më të lartë të njërës prej xhamive në krahinën e Edlib-it ishin shkruar fjalët “Allah” dhe “Muhamed” në formë të ndërfutur njëra me tjetrën, e duke qenë kështu:
Disa prej tyre thanë se nuk lejohet shkrimi i tyre në këtë formë dhe si argument për fjalën e tyre ishte se Muhamedi (salallahu alejhi ue selem) në këtë mënyrë po vihej në shkallën e njëjtë me Allahun, e që është diçka e palogjikshme. E disa prej tyre thanë se për shkrimin e tillë nuk ka ndonjë ajet ndalese sepse Allahu i Lartësuar e vuri emrin e Tij përkrah emrit të Muhamedit (salallahu alejhi ue selem). Prandaj, shpresoj prej jush një udhëzim të saktë duke ju falënderuar përzemërsisht?
Përgjigje: Ajo që është transmetuar në tekstet sheriatike rreth çiftëzimit në mes të dëshmisë për Allahun me teuhid dhe dëshmisë për të dërguarin e Tij Muhamedin (salallahu alejhi ue selem) me mesazh gjendet në shumë vende, prej tyre është edhe çiftëzimi në mes tyre në thirrjen për namaz (në ezan dhe në ikamet), siç tregon hadithi: “Islami është ndërtuar mbi pesë shtylla: Dëshmia se s’ka zot tjetër (që meriton adhurim) përveç Allahut, dhe se Muhamedi është i dërguar i Tij...” e të tjera, me sqarimin e besimit që duhet ta ketë i ngarkuari me obligime fetare në raport me secilin prej tyre (Allahun dhe të dërguarin e Tij) me atë që i përket, siç është p.sh. fjala e tij: “La ilahe il-Allah, Muhamedun Rasulul-llah.” E sa i përket përzierjes së tyre në shkrim, as në Librin e Allahut e as në sunetin e të dërguarit (salallahu alejhi ue selem) nuk ka ardhur diçka e tillë, e gjithashtu kjo përmban në vete një rrezik të madh sepse në të ka përngjasim me besimin e kotë të të krishterëve në trinitet, dhe se Ati, Biri dhe Shpirti i Shenjtë janë një zot; e gjithashtu kjo simbolizon besimin e kotë – besimin në njëshmërinë e ekzistencës; Pastaj kjo përmban pretekst (alibi) për teprim në lavdërimin e të dërguarit (salallahu alejhi ue selem) dhe adhurimin e tij krahas Allahut të Lartësuar. Prandaj, është obligim që të ndalohet shkrimi i Emrit të Allahut dhe emrit të të dërguarit të Tij (salallahu alejhi ue selem) në këtë formë – shkrimi në formë të ndërthurjes së shkronjave të secilit emër me njëra-tjetrën, dhe prerja e shkronjave të njërit emër me shkronjat e emrit tjetër; Bile, nuk lejohet as të shkruhet “Allahu – Muhamedi” përmbi dyert e xhamisë apo diku tjetër, për shkak të çorientimit dhe mashtrimit që mund të përmbajë kjo, për shkak të asaj që përmendëm rreth tërheqjes së vërejtjes dhe të tjera.
Paqja dhe përshëndetjet e Allahut qofshin mbi Muhamedin, familjen dhe shokët e tij!
Komisioni i përhershëm i hulumtimeve shkencore dhe fetwave
Anëtari:
Abdullah ibn Ku’ud
Anëtari:
Abdullah ibn Abdur-Rrahman ibn Gudejan
Zëvendës-presidenti i komisionit:
Abdur-Rrezak ‘Afifi
Kryetari:
Abdul-Aziz ibn Abdullah ibn Baz
Përktheu dhe përshtati, Hekuran Helshani