Youtube/Tezkije
Ramazani dhe meditimi i Kur’anit
Dr. Uvejd ibn Hamud el-‘Atavi
 23.06.2014

Ramazani dhe meditimi i Kur’anit

Të gjitha lavdërimet i takojnë Allahut, paqja dhe përshëndetjet e Tij qofshin mbi të dërguarin e Tij!

Më pas ...

Gjatë jetës së tij, njeriut i dalin përpara momente të rëndësishme të cilat i tejkalon me sukses, për dallim prej disa të tjerave. Njeriut mund t’i zgjatet shpresa dhe të përpiqet ta realizojë atë që e shpreson por në realitet nuk arrin asgjë nga ajo edhe pse kohë e gjatë ka kaluar. Ndoshta ajo që e zgjon muslimanin është metoda e përfitimit nga thesaret e këtij Libri të Madh – Kur’anit, duke qenë se jemi drejtuar kah muaji i Ramazanit, e ai është muaji i Kur’anit. Kjo është një prej shanseve që na është ofruar për të realizuar diçka nga ky synim madhështor, ndërsa rruga për të realizuar këtë është meditimi i Kur’anit. Dikush mund të thotë: “Por, ... si ta bëjmë këtë?”

Fillimisht, dua ta bëjë të qartë se ky ligjërim u drejtohet të gjithëve, nuk ka ndonjë dallim sipas shkallës së diturisë, e as sipas ndonjë kategorie të veçantë. Të gjithë muslimanët janë të obliguar që ta kuptojnë Fjalën e Zotit të tyre, prandaj do të përmend këtu disa ide të cilat ndihmojnë në formësimin e një meditimi shkencor gjatë muajit të Kur’anit (Ramazanit).

1. Zgjedhja e një sureje të caktuar

Le të jetë kjo një sure me gjatësi mesatare; Pastaj, realizimi i kësaj mund të bëhet siç vijon:

a.       Përcaktimi i sures para se të hyjë muaji i Ramazanit.

b.      Leximi i sures për çdo ditë, ose e një pjese të caktuar të saj, dhe është me rëndësi vazhdimësia ditore në leximin e sures së përcaktuar.

c.       Përgatitja e një fletoreje të veçantë për shkrimin e dobive, detajeve apo pyetjeve.

d.      Angazhimi për njohjen e lidhshmërisë kuptimore midis fillimit të një sureje dhe pjesës së fundit të sures që vjen para saj.

e.      Kujdesi i veçantë ndaj fillimit të sures dhe nxjerrja e dobive prej saj.

f.        Njohja e shkaqeve të zbritjes (së sures), nëse ka ndonjë.

g.       Përkufizimi i fjalëve apo fjalive të cilat përsëriten brenda sures, dhe tentimi i komentimit të tyre.

h.      Regjistrimi i kuptimeve kryesore rreth të cilave sillet kjo sure dhe vërja e një titulli përmbledhës që i bashkon të gjitha këto (kuptime).

i.         Nxjerrja e gjykimeve të transmetuara, apo moraleve, dhe analiza e vetvetes kundrejt zbatimit të tyre në praktikë dhe veprimit të tyre.

Këto kuptime dhe kategori shkencore të bëjnë të jetosh me këtë sure kohë të gjatë. Mund të të zgjasë kjo tërë muajin, por mos provo ti shpejtosh frytet e kësaj; dhe shëno çdo gjë që mendon se meriton të shënohet. Allahu të mbikëqyr dhe të sjell sukses.

2. Leximi i plotë i Kur’anit (hatme).

Shumë prej muslimanëve synojnë mbarimin e leximit të plotë të Kur’anit gjatë Ramazanit. Kjo është një gjë e mirë, dhe nuk bie në kundërshtim me atë që cekëm më lart rreth përcaktimit të një sureje për meditim. Kështu që, ne kemi mundësi që të investojmë në leximin e një xhuzi të vetëm për çdo ditë të Ramazanit, ashtu që të lexojmë atë dhe njëkohësisht edhe të meditojmë. Do të thuash: E si ta bëjmë këtë? Përgjigja është në hapat në vijim.

a.       Përkushtohu në mbarimin e xhuzit të përcaktuar brenda ditës së përcaktuar.

b.      Nga xhuzi të cilin e ke lexuar nxjerr gjërat që lidhen me moralin, gjë që e kemi përmendur më herët. Ramazani është një seminar shkencor për kullimin e sjelljes dhe moralit tonë, prandaj pse mos ta bëjmë që Kur’ani të jetë instruktori ynë në të.

c.       Shkruaj këto morale në një fletë, qoftë ato me të cilat jemi urdhëruar apo të ndaluarat prej tyre.

d.      Pyete veten tënde se a je duke i zbatuar këto morale me të cilat je urdhëruar, apo duke i shmangur gjërat prej të cilave je ndaluar!

e.       Mate sjelljen tënde nën dritën e këtyre moraleve Kur’anore, do ta vëresh se do përmirësohesh në baza ditore, dhe do të zbatosh ajetet Kur’anore, e ky është fryti i vërtetë i meditimit.

f.        Nëse të vështirësohet çështja, atëherë prej tërë këtij xhuzi nxirre vetëm një veti të çmuar dhe një veti tjetër të keqe, e pastaj veproje të çmuarën e largohu nga e keqja. Kur të mbarojë Ramazani e të kesh zbatuar mirë këtë metodë, ti ke ushtruar tridhjetë morale të çmueshme, dhe ke mbaruar së vepruari tridhjetë vepra të këqija; dhe mos të të shqetësoj përsëritja e një morali disa herë në Kur’an sepse përsëritja e një gjëje në Kur’an tregon për rëndësinë e saj.

g.       Shënoj vërejtjet e mira që të bien në sy në fletoren tënde që e ke zgjedhur për këtë qëllim.

Me lejen e Allahut ti do të ndjesh se ti e ke shfrytëzuar Kur’anin në muajin e Kur’anit, dhe se Kur’ani ka marrë pjesë në ndryshimin e sjelljes tënde. Prej këtyre dy kuptimeve të shpejta dhe të zbatueshme, zgjidhe njërën prej tyre apo të dyja, dhe vazhdo me bereqetin e Allahut. Planifikoje këtë me kohë dhe përçoje këtë ide edhe tek të tjerët, ndoshta Allahu do të bëjë dobi me të.

 

(Burimi: http://www.saaid.net)

Përktheu dhe përshtati, Hekuran Helshani.


Tezkije.com - Nuk lejohet shpërndarja ose/dhe ripublikimi i materialeve pa cekur burimin.
Shko tek kryefaqja