Diskutimi rreth zemrës merr një rëndësi të veçantë si pasojë e arsyeve të mëposhtme:
E para: Allahu i Madhëruar i urdhëron besimtarët në Kuran t'i pastrojnë zemrat në mënyrë që të jenë të kulluara, dhe jo vetëm kaq, madje Allahu e konsideroi këtë fakt prej qëllimeve të shpalljes së Muhamedit -Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin për të- me qëllim që njerëzit të bëhen fisnikë, dhe për rëndësinë që fiton, Allahu e parapriu mbi të mësuarit e Kuranit dhe Sheriatit.
Allahu i Madhëruar thotë në Kuran: “Ai është që arabëve të pashkolluar u dërgoi Pejgamberin nga mesi i tyre që t'ua lexojë ajetet e Tij, t'i pastrojë ata, t'ua mësojë librin dhe sheriatin, edhe pse më parë ata ishin në një humbje të dukshme."[1]
Lidhur me fjalën e Allahut “petkat e tua pastroji”[2], Ibën Kajim -Allahu e mëshiroftë- ka thënë: “Shumica e dijetarëve të tefsirit[3] të hershmit dhe të mëvonshmit, kanë rënë dakord që fjala ‘petkat’ e përmendur në Kuran, nënkupton zemrën.”
Ndërsa në lidhje me Hebrenjtë dhe hipokritët Allahu i Madhëruar ka thënë në Kuran:
"Këta janë të asaj dore të cilët Allahu nuk dëshiron t’ua pastrojë zemrat. Për ata, në këtë jetë ka poshtërim, kurse në jetën tjetër ka ndëshkim të rëndë.”[4]
Pra, kjo vlen të konsiderohet arsye që përligj diskutimin rreth zemrës.
E dyta: Ndikimi i zemrës në jetën e njeriut.
Zemra konsiderohet urdhëheqëse dhe komanduese, ndërsa gjymtyrët e tjera thjesht i binden. Ebu Hurerja -Allahu qoftë i kënaqur me të- thotë: “Zemra konsiderohet mbreti, ndërsa gjymtyrët e trupit konsiderohen ushtarët e saj. Nëse mbreti është shëndoshë po ashtu janë edhe ushtarët, e nëse zemra shthuret atëherë edhe ushtarët e saj shthuren.”[5]
E treta: Ndër shkaqet thelbësore që na nxisin të diskutojmë rreth kësaj teme, është dhe fakti se shumë njerëz janë të pavëmëndshëm ndaj këtij fenomeni, për këtë arsye ekziston mundësia që shumë nxënës dijeje përkushtohen në hetimin e trajtesave të imta, nga ku dalin me konkluzione të pazakonta, si: konsiderohet sunet lëvizja e gishtit gjatë namazit? Kur dhe si duhet lëvizur? ...etj. Edhe pse studimet në këtë aspekt pa dyshim që janë të dobishme, duhet të theksojmë se konsumimi i tematikave rreth problemeve të zemrës, sëmundjet dhe përcaktimi i kuros konsiderohet më primarë.
E katra: Shumica e problemeve tek njerëzit dhe në veçanti nxënësit e dijes, janë zemrat e sëmura, të cilat as që kanë lidhje me faktet sheriatike. Këto probleme reflektojnë dukshëm paqëndrueshmërinë e zemrave, dhe sëmundjet që i ekspozohen, si: xhelozia, mendjemadhësia, nënçmimi, mashtrimi, mendimi i keq, etj, dhe mënyra më e mirë e shërimit të tyre është kurimi, në të kundërt sëmundja do të shfaqet kudo dhe në çdo çast.
Duke vërejtur aktualitetin e sotëm shoqëror dhe problemet me të cilat ai përballet çdo ditë, spikat përplasja e shoqërisë mbi të drejtat e pronës dhe pasurisë, dhe vërtetohet qartë pretendimi jonë.
E pesta: Qetësia dhe pastërtia e zemrës konsiderohen shkaqet e lumturisë në këtë Botë dhe në Botën Tjetër. Shpëtimi nga xhelozia, smira, urrejtja dhe sëmundjet e tjera të zemrës ofrojnë lumturinë dhe qetësinë e kësaj Bote dhe Botës Tjetër:
“Në Ditën, kur askujt nuk do t’i bëjë dobi as pasuria, as fëmijët, përveç atij që vjen me zemër të pastër tek Allahu!”[6]
Mjafton të marrim në konsideratë rastin e Ebu Bekrit -Allahu qoftë i kënaqur me të- dhe shokët e tij të cilët gëzonin zemra të pastra, larg sëmundjeve dhe ligësive.
E gjashta: Imam Abdullah Ibën Ebi Xhemra thotë: “Kam dashur të ekzistojnë dijetarë të cilët nuk kanë angazhim tjetër përveçse t'u mësojnë njerëzve qëllimin e pastër që duhet të synojnë veprat e tyre. Shumë prej tyre e arritën këtë shkallë vetëm pasi e kishin humbur më parë.”[7]
Imami në fjalë e bën të qartë rëndësinë e kësaj shkence, qëllimet e veprave, gjithashtu na paralajmëron nga synimet e këqija të cilat i shkatërrojnë veprat e mira. Ne njohim njerëz të cilët janë të specializuar në shkenca të ndryshme si; Hadith[8], Fikh[9], Tefsir[10], Nahv[11], Feraid[12] etj. Ata i zotërojnë shumë mirë këto shkenca dhe ua mësojnë njerëzve, por ne kemi nevojë për specialistë, të cilët njohin me hollësi llojet e zemrave, qëllimet dhe gjendjet e tyre, veprat, sëmundjet dhe kuron e tyre, me qëllim që njerëzit të njohin qëllimet e veprave dhe t’i përmirësojnë ato.
E shtata: Allahu i ka kushtuar një rëndësi të veçantë aspektit të zemrës si në këtë Botë ashtu edhe në Botën Tjetër. Le ta shqyrtojmë këtë çështje bazuar në faktet e Kuranit dhe traditës profetike:
1. Allahu i Madhëruar përmes gjuhës së pejgamberit të Tij Ibrahim -Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin për të- thotë: "dhe mos më turpëro në Ditën, kur do të ringjallen njerëzit, në Ditën, kur askujt nuk do t’i bëjë dobi as pasuria, as fëmijët, përveç atij që vjen me zemër të pastër tek Allahu!” [13]
2. Allahu i Madhëruar ka thënë në Kuran: "Dhe jo larg prej aty, Xheneti do t’u afrohet besimtarëve të devotshëm, (që do t’u thuhet:) “Kjo është premtuar për ju, për këdo që është penduar dhe ruajtur (nga gjynahet), që e ka pasur frikë të Gjithëmëshirshmin, edhe atëherë kur nuk e shihte kush, e që ka ardhur me zemër të kthyer (nga Allahu).”[14]
Cila është zemra e sinqertë dhe kush janë cilësitë e saj?
3. Ebu Hurejra -Allahu qoftë i kënaqur me të- transmeton një hadith ku, i Dërguari i Allahut -Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin për të- ka thënë: “Allahu nuk vlerëson fizionominë dhe as aparencën, por vlerëson zemrat dhe veprat tuaja.”[15]
4. Nuëman Ibën Bëshiri -Allahu qoftë i kënaqur prej tij- transmeton prej Pejgamberit -Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin për të- : “Në trupin e njeriut ekziston një organ, i cili nëse përmirësohet, përmirësohet i tërë trupi, e nëse përkeqësohet, përkeqësohet i tërë trupi, ai është zemra.”[16]
Përmendja e këtij hadithi do të ishte mëse i mjaftueshëm që, njerëzit e mençur të merrnin mësim dhe të përfitonin prej tij.
E teta: Shprehjet e zemrës; pohimet dhe miratimet, ashtu si edhe veprat e saj; frika, shpresa, dashuria, mbështetja në Allahun e Madhëruar, përulja etj, konsiderohen thelbësore për Ehlu Sunetin dhe Xhematin, anashkalimi dhe lënia pas dore e të cilave shkakton dobësimin e besimit. Le të meditojmë pak rreth munafikëve, të cilët e pohojnë dëshminë, dhe në aparencë konsiderohen besimtarë, por për arsye se ata e kundërshtuan të vërtetën përfunduan:
"Pa dyshim që hipokritët do të jenë në thellësinë më të madhe të Xhehenemit dhe ti kurrsesi nuk do t’u gjesh atyre ndihmës.”[17]
E nënta: Shumica e njerëzve e konsiderojnë trajtimin e qëllimeve të njerëzve problemin kryesor, duke i trajtuar sjelljet e tyre jasht kontekstit dhe shmangur kështu haptazi aparencën. Ata i gjykojnë shprehjet e zemrës duke pretenduar njohjen e tyre, gjë të cilën e di vetëm Njohësi i fshehtësive. Çuditërisht ekziston një kategori njerëzish që pretendojnë se kjo është zgjuarsi ose dhunti, edhe pse ky pretendim nuk ka asnjë lidhje me të. Ne jemi të obliguar t'i vlerësojmë njerëzit nga aparenca, ndërsa pjesa tjetër i takon vetëm Allahut.
Përfundim: Nëse nga sa trajtuam më lartë kuptuam rëndësinë dhe vlerën e zemrës, atëherë le të ndalemi për pak çaste, dhe të kuptojmë sa kemi ndikuar pozitivisht tek zemrat tona dhe anasjelltas. Sa të angazhuar jemi me problemet e shumta që kanë lidhje me jetesën tonë, marrëdhëniet në punë, dhe nëse na mbetet pak kohë, ia kushtojmë problemeve të tjera jetike, ndërsa sa i përket zemrës, pak nga ne preokupohen për të dhe i japin rëndësinë e duhur. Shpresojmë nga sa cekëm më lart, lidhur me rëndësinë e zemrës dhe ndikimet e saj në jetën e njeriut, të jetë shtysë për ne t'i rikthehemi trajtimit të zemrës dhe ta pozicionojmë atë në vendin e duhur.[1] Surja Xhuma, ajeti 2
[2] Surja Mudethir, ajeti 4
[3] Shkenca e Tefsirit, është shkenca mbi komentimin dhe shpjegimin e Kuranit
[4] Surja Maide, ajeti 41
[5] Libri: “Sëmundjet e Zemrës”, faqe 52
[6] Surja Shuara, ajeti 88-89
[7] Ligjëratë nga Prof. Dr. Selman El-Aude mbi qëllimin
[8] Shkenca mbi studimin e Hadithit,-tradita profetike-
[9] Shkenca mbi studimin e jurisprudencës islame
[10] Shkenca mbi komentimin dhe shpjegimin e Kuranit
[11] Shkenca mbi studimin e Gjuhës Arabe
[12] Shkenca mbi studimin e trashëgimisë islame
[13] Surja Shuara, ajeti 87-89
[14] Surja Kaf, ajeti 31-33
[15] Muslimi (1987/4)
[16] Buhariu (126/1) dhe Muslimi (1219/3)
[17] Surja Nisa, ajeti 145
...vazhdon (Përktheu dhe përshtati, Blerim Rexha)