AKIDEJA PËRBALLË FILIZOFISË DHE ILMUL KELAMIT
1) Dallimi midis akides islame, filozofisë dhe Ilmul Kelamit
Filozofia merret me temat e njëjta që i trajton feja, sepse filozofët thonë se kërkimi i tyre ka synim ta zbulojë origjinën dhe qëllimin e universit dhe të gjejnë mënyra për të arritur lumturinë njerëzore në afat të shkurtë dhe në afat të gjatë. Këto i formojnë dy komponentët e disiplinës së filozofisë, teorike dhe praktike, të cilët janë po ashtu tema që adresohen edhe nga feja.[1] Mirëpo, për kundër gjithë kësaj, ekziston dallim i madh në mes të fesë dhe filozofisë. Ato dallojnë sa i përket origjinës dhe burimeve, metodologjisë dhe mënyrës, shtrirjes së popullaritetit dhe ndikimit të tyre, në stilet dhe metodat e nxjerrjes së dëshmive dhe në efektet që secila prej tyre ka. Ne do të përpiqemi të sqarojmë gjithë këtë me qëllim që të largojmë ndonjë konfuzion në mes të fesë dhe filozofisë.
i) Origjina dhe burimet
Filozofia, me të gjithë maskat e saj është një përpjekje njerëzore, e cila i nënshtrohet të gjitha kufizimeve, limiteve dhe progresit të ngadalshëm drejt një objektivi të panjohur, që është i pandarë nga natyra njerëzore. Ajo është subjekt i potencialit njerëzor për ndryshim, dhe ndryshimit njerëzore në mes të udhëzimit dhe devijimit, në mes të arritjes së përsosjes dhe largimit të madh nga ai qëllim.
Platoni p.sh., në të gjitha veprat e tij përsërit mitet që ishin të përhapura në kohën e tij dhe madje prodhoi mite të veta si pjesë e ideve dhe besimeve. Vërtet, shumë prej ideve dhe besimeve janë mite në vetvete.[2]
Dëgjoni se çfarë thotë el-Akkad për Platonin: "Ambienti idhujtar në të cilin jetonte Platoni mbizotëroi mendimet e tij, për shkak të traditave të shoqërisë së tij dhe ndikimeve të mjedisit. Kështu ai përfshin në besimet e tij idenë e zotave dhe demonëve, të cilët nuk kanë vend në fetë monoteiste.[3] Pastaj el-Akkad e diskuton pikëpamjen e Platonit për universin, duke e vërtetuar atë që u përmend më lartë: "Sipas Platonit, universi përbëhet prej dy shkallëve të kundërta, shkalla e arsyes absolute dhe shkalla e materies themelore (primitive). E gjithë fuqia vjen nga arsyeja absolute dhe e gjithë paaftësia vjen nga materia themelore (primitive). Në mes tyre, ka qenie të shkallëve të ndryshme; statusi i lartë përcaktohet nga sasia e ndikimit të arsyes, dhe shkallët më të ulëta përcaktohen nga ndikimi që vjen prej materies primitive. Disa prej këtyre qenieve të ndërmjetme janë zota., disa janë gjysmë zota dhe disa janë qenie njerëzore." [4]
Arsyeja pse Platoni e pranoi idenë e këtyre zotave të ndërmjetëm, sipas Akkadit është: "Ai dëshironte të shpjegonte me anë të tyre arsyen pse e keqja, e papërsosura dhe dhimbja ekzistonte në botë. Sepse arsyeja absolute është perfekte dhe nuk kufizohet prej kohës ose prej vendit dhe prodhon vetëm të mira dhe virtyte. Në këtë mënyrë këta zota të ndërmjetëm po kujdesen për krijimin, pasi ata ekzistojnë midis Zotit të Gjithëfuqishëm dhe materies së paaftë primitive. Prandaj papërsosuria, e keqja dhe dhimbjet burojnë nga këta ndërmjetës midis dy ekstremeve.[5]
Platoni njihet si njeri që ka besuar në idenë e migrimit të shpirtrave. Kjo është filozofia siç përshkruhet nga burimet e saj.
Akideja islame, në anën tjetër, është shpallje nga Allahu dhe i ka të gjitha cilësitë hyjnore të një të vërtete të pandryshueshme, fjalët e të cilës nuk mund të ndryshohen dhe është e vërtetë vendimtare, të cilës gënjeshtra nuk mund t'i afrohet nga para ose prapa saj.
"Atij nuk mund t’i mvishet e pavërteta nga asnjë anë; është i zbritur prej të Urtit, të Lavdishmit." Fussilet, 42
Për më tepër, dituria hyjnore që ka zbritur me anë të shpalljes është një bekim i madh që u ka ardhur njerëzve pa ndonjë përpjekje nga ana e tyre, duke u dhënë dritë brenda një periudhe shumë të shkurtë, sa hap e mbyll sytë.[6]
ii) Mënyra dhe metodologjia [7]
Metodologjia filozofike dallon nga metodologjia islame, nga fillimi deri në fund. Shumë filozofë fillojnë me shenjtërimin e psikikes njerëzore, duke e bërë këtë pikënisje. Kështu kur flasin për kuptimin e tyre të dijes, ata nganjëherë thonë se ai është empirik (i bazuar në eksperiencë), nganjëherë ai është racional (i bazuar në arsye), dhe nganjëherë është i dyanshëm.
Ata i bën shkencat empirike dhe natyrore baza, pa të cilat dituria nuk arrihet dhe thanë se kjo është mënyra me anë të së cilës mund të kuptohen çështjet që ishin të afërta për ta, në fushën e natyrës, matematikës dhe etikës. Ata i bën këto të tria bazë (themelin) mbi të cilën ndërtohen të gjitha shkencat. Kështu, ato paraqiten edhe në bazat e Ilmul Kelamit (skolastikës), ku thuhet se njëshi është gjysma e dyshit, trupi nuk mund të gjendet në dy vende në të njëjtën kohë, dhe dy të kundërtat si e zeza dhe e bardha nuk mund të bashkohen.
Shumë nga këta njerëz nuk i konsiderojnë çështjet etike, siç është drejtësia dhe dëlirësia, si pjesë të parimeve themelor; mirëpo ato i shohin si çështje të vogla, për të cilat kërkohet përkrahje dhe dëshmi.
Shumë filozofë fillojnë me logjikë, pastaj me shkencë empirike dhe matematikë, pastaj kalojnë te Hyjnorja. Kështu i gjejmë shkrimtarët e Ilmul Kelamit duke ndjekur parimet e njëjta kur ekzaminojnë, studiojnë dhe nxjerrin dëshmi. Ata e përdorin logjikën, pastaj fillojnë të diskutojnë si u krijua universi dhe përpiqen për ta vërtetuar ekzistimin e Zotit. Disa prej tyre e ndajnë diturinë në atë që ekziston dhe në atë që nuk ekziston, sidomos filozofët që fillojnë të kërkojnë dituri për Hyjnoren.
Shumë filozofë flasin në thellësi për çështjet e natyrës ose instinktit, pastaj diskutojnë për planetët dhe yjet, ndërsa ata që e studiojnë Hyjnoren fillojnë të flasin për "Ai - i Cili – duhet - të ekzistojë," dhe për arsyet dhe natyrën njerëzore. Disa prej tyre përpiqen ta vërtetojnë ekzistencën e Atij - i Cili – duhet - të ekzistojë."
Qëllimi i atyre dijetarëve të Ilmul Kelamit (skolastikës), të cilët e pranojnë teuhidin në librat e tyre, është të vërtetohet Njëshmëria e Krijuesit dhe fakti se Ai nuk ka partner. Ata mendojnë se ky është kuptimi i shprehjes La ilahe il-lAll-llah. Kjo metodologji e filozofisë dhe Ilmul Kelamit mund ta mbajë kërkuesin të zënë tërë jetën, pa pasur mundësi për të arritur ndonjë përfundim. Ajo që e mëson nga kjo dije është e shoqëruar me dyshime dhe hamendje. Në këtë mënyrë, kërkuesi është i rrethuar me konfuzion.
Metodologjia kur'anore, në anën tjetër, e bën thirrjen në adhurim të Allahut, pa i shoqëruar shokë ose partner, pikënisjen e mesazhit të saj dhe mesazhit të të gjithë pejgambereve.
"Ne nuk dërguam asnjë të dërguar para teje e të mos i kemi shpallur atij se: Nuk ka zot tjetër përveç Meje, pra më adhuroni!” El-Enbija, 25
Çdo i Dërguar kërkoi nga populli i tij që ta adhuronin Allahun pa i shoqëruar partner (shokë):
"Ai nuk është tjetër pos një njeri i sëmurë mentalisht, andaj pritni (kini durim) edhe për një kohë. " El-Muminun, 23
Ai i thirr ata për ta adhuruar Allahun me zemër, gjuhë dhe gjymtyrë. Nënkuptohet se ai që e adhuron Allahun e njeh Atë dhe e kupton.
Sipas kësaj metodologjie, themeli i diturisë është dija që vjen nga Allahu dhe jo dija empirike. Sepse Allahu është i Pari, i Cili i krijoi të gjithë ata që ekzistojnë dhe i Fundit, tek i Cili të gjitha krijesat do të kthehen. Ai është i Gjithëdituri; dituria që vjen nga Ai është bazë e të gjitha dijeve, kujtimi i Tij (përmendja e Tij) është baza e të gjitha kujtimeve dhe përpjekja për hatër Tij, është bazë e të gjitha përpjekjeve.
Nga dituria e Allahut burojnë të gjitha llojet e dijeve. Nga adhurimi i Tij burojnë të gjitha llojet e objektivave të mira.
Duke e adhuruar dhe duke kërkuar ndihmë nga Ai, zemra mbrohet, sepse ka gjetur strehim te përkrahja e besueshme dhe është kapur për udhëzimin dhe provat e sigurta. Kjo ndihmon shtimin e diturisë dhe imanit ose sjell siguri nga injoranca dhe mosbesimi, pasi që mësimi me ndihmën e Allahut është nga mënyrat më të mira të mësimit për Allahun, jetën dhe gjërat tjera dhe për psikikën njerëzore.
Ibn Ebi Hatim ka thënë: "Ne mësuam për çdo gjë me ndihmë e Allahut."
Ibn Abbasi r.a. u pyet: "Si e njohe Zotin tënd?" Ai tha: "Kush përpiqet ta kuptojë fenë me analogji do të mbetet i hutuar tërë jetën, duke u sorollatur dhe devijuar nga rruga e drejtë. Ne mësuam për Allahun, nga mënyra që Ai e përshkroi Veten dhe nga cilësitë, të cilat Ai na i tregoi."
Kur i Dërguari a.s. e dërgoi Muadhin r.a. në Jemen për t'i thirrur njerëzit tek Allahu, ai i tregoi se do t'i takonte disa nga pasuesit e librave. Ai e këshilloi t'ua mësonte adhurimin e Allahut pa i shoqëruar partner. Nëse ata e pranonin këtë, atëherë ai duhej t'i thërriste në kryerjen e detyrave obligative. Ai nuk i thirri ata të dyshonin ose t'i ekzaminonin gjërat rishtas, ashtu siç veprojnë disa filozofë dhe skolastikë.
Për rrjedhim Buhariu e filloi librin e tij me shpalljen, që është themeli mbi të cilën dituria dhe imani janë të ndërtuara. Kështu ai filloi me kapitullin e titulluar "Fillimi i shpalljeve," në të cilën ai e përshkroi si i zbriti dituria dhe imani të Dërguarit a.s., pastaj ai e pasoi me librin e besimit (imanit), që përfshin pranimin e asaj që ka sjell i Dërguari a.s.. Kjo pasohet me kapitullin "Libri i Dijes", ku ai sqaron çfarë i Dërguari a.s. ka sjellë. Kështu ai e organizoi librin e tij në një mënyrë që tregonte dashurinë dhe urtësinë e tij, Allahu e pastë mëshiruar.
Kur Allahu do ta ringjallë njerëzimin, Ai nuk do t'i pyes për shkencat empirike ose logjikën dhe shkencat natyrore, mirëpo Ai do t'i pyes se a u janë përgjigjur pejgmaberëve të Allahut:
"Sa herë që hidhet në të ndonjë turmë, roja i pyet: “A nuk ju pat ardhur juve ndonjë pejgamber (qortues)?” Ata thonë: “Po, na erdhi pejgamberi, por ne e përgënjeshtruam dhe ne u thamë: “Allahu nuk shpalli asgjë, e ju nuk jeni tjetër vetëm se në një humbje të madhe!” Dhe thonë: “Sikur të kishim dëgjuar dhe pasur mend, ne nuk do të ishim ndër banuesit e zjarrit”. Pra, i pranojnë mëkatet e veta; banuesit e zjarrit qofshin larg mëshirës."
El-Mulk, 8-11
Njerëzimi nuk ka arsyetim nëse u kanë ardhur pejgamberë:
"...E Ne nuk dënuam askënd para se t’ia dërgojmë të dërguarin." El-Isra, 15
Thirrja për adhurimin e Allahut është pikë fillestare në metodologjinë e Kur'anit, kurse dituria që vjen nga Allahu është bazë prej së cilës burojnë të gjitha llojet e diturisë. Në të njëjtën mënyrë pika përfundimtare gjithashtu është adhurimi i Allahut, që përfshin njohjen e Tij dhe pranimin e Njëshmërisë. Konfirmimi i Njëshmërisë së Krijuesit, që është qëllimi final i filozofëve muslimanë, është vetëm një pjesë e metodologjisë kur'anore; për kundër rëndësisë që ka synimi i tyre, ai nuk është i mjaftueshme, edhe mushrikët (politeistët), të cilët i Dërguari a.s. i luftoi, e konfirmonin njëshmërinë e Allahut:
"Nëse ti i pyet ata: Kush krijoi qiejt e tokën? Me siguri do të thonë: “Allahu!...” Lukman, 25“
Kush është Zoti i shtatë qiejve dhe Zot i Arshit të madh?”Ata do të thonë: “Allahu...!”. Muminun, 86-87
Mirëpo, filozofët, të cilët e ekzaminuan mendjen njerëzore dhe psikikën e tij nuk kanë arritur askund në këtë fushë të gjerë dhe të pafund. Ju keni dëshmi të mjaftueshme në faktin se progresi gjigant shkencor i botës moderne nuk na ka treguar natyrën e vërtetë të psikikës njerëzore. Njerëzimi ka bërë përpjekje të mëdha për ta zbuluar psikikën e tij, mirëpo për kundër faktit që ne kemi një thesar të madh të observimeve të bëra nga filozofët, shkencëtarët, poetët dhe liderët shpirtëror të të gjitha kohërave, ne mund vetëm të kuptojmë një aspekt specifik të vetvetes, mirëpo jo njeriun si tërësi... ne e dimë se njeriu përbëhet prej pjesëve të ndryshme, mirëpo edhe këto pjesë janë të njohura përmes mjeteve të kufizuara. Secili prej nesh është i formuar prej pjesëve fizike të tij, në mes të të cilave është një realitet i panjohur.
Mbetet fakti se injoranca jonë është gati totale dhe pyetjet më të thella për njerëzimin mbeten pa përgjigje, sepse pjesë të pakufizuara në vetët tonë janë akoma të panjohura.
Nëse kjo është dituria e arritur përmes hulumtimeve të shek. XX, si mund psikika njerëzore të jetë bazë, nga e cila burojnë llojet tjera të diturisë? Sa i përket dijes për atë që gjendet matanë botës natyrore, filozofia thjesht ka devijuar në përfundimet e saj.
[1] Darraz, Ed-Din, 59, 60.
[3] El-Akkad, Kitab-Allah, 129.
[4] El-Akkad, Kitab-Allah, 129.
[7] Mexhmu el-Fetava Shejh el-Islam, 2/1, 25.