17. Dëshpërimi për lindjen e vajzave
Kjo, para se të jetë defekt në mënyrën e edukimit, është defekt në akide (kredo). Duke qenë se pasi që Allahu e ka furnizuar me një vajzë ai mërzitet për këtë dhe ngushtohet nga prezenca e saj. S’ka dyshim se kjo vepër është prej veprave të injorancës dhe është edukatë e trashëguar nga injoranca, nga ata të cilët Allahu i Lartësuar i ka nënçmuar në Fjalën e Tij (përkthim i përshtatur): “Dhe, kur ndonjëri prej tyre merr lajmin se i lindi një vajzë, fytyra i nxihet dhe i mbushet me mjerim. Ai fshihet nga njerëzit për shkak të lajmit të keq që mori dhe s’di: a ta mbajë këtë fëmijë, pavarësisht poshtërimit apo ta varrosë në dhé. Ah! Sa mbrapsht që gjykojnë ata!” (en-Nahl, 58-59). [1]
Sa e ngjashme është e sotshmja me të djeshmen. Sikur të vizitoje ndonjërin prej spitaleve të lindjes së fëmijëve në vendet muslimane, dhe të shkonin sytë në fytyrat e atyre të cilëve u kanë lindur vajza, sikur të vëreje fjalët që thonë dhe ta vëzhgoje gjendjen e tyre në momentin kur ata lajmërohen se u ka lindur vajzë, do të vëresh përputhshmëri të çuditshme dhe ngjashmëri të paparë midis gjendjes së shumicës së tyre dhe gjendjes së këtyre injorantëve për të cilët na ka njoftuar Allahu. Ndërsa, në ato spitale në të cilat lajmërohet gjinia e fëmijës para se të lindë gruaja, vëren se nëse fëmiu që gjendet në mitër është mashkull ata gëzohen, e nëse është vajzë dëshpërohen e ndoshta edhe bien në depresion – Allahu na ruajt!
Prandaj kujdes se dëshpërimi për lindjen e vajzave është një çështje e rrezikshme që përmban një mori tërheqje vërejtjesh, e ato janë:
a. Kjo është mospajtim me kaderin (caktimin) e Allahut të Lartësuar.
b. Me këtë vepër shfaqet mohim ndaj mirësisë së Allahut në vend të falënderimit për të, e mjafton ky kundërshtim për të merituar urrejtjen e Allahut.
c. Është përngjasim me kulturën e injorantëve (të pafeve).
d. Është tregues i mendjelehtësisë, paditurisë, dhe defektit në mendje.
e. Është barrë e rëndë për gruan gjë që ajo s’mund ta përballojë; duke qenë se ka të atillë që sapo bashkëshortja e tij t’i afrohet me vajzën në dorë ai zemërohet me të.
f. Kjo përmban përbuzje ndaj femrës si gjini dhe degradim të pozitës së saj.
(… vazhdon)
Përktheu dhe përshtati, Hekuran Helshani.