Youtube/Tezkije
Etika e brendshme e kërkuesit të diturisë
Bekër Ebu Zejd
 17.09.2013

Dituria është adhurim
Parimi i gjitha parimeve të përmendura në këtë libër, madje dhe i çdo çështjeje të kërkuar, është të dish se dituria është adhurim. Disa dijetarë kanë thënë: “Dituria është namazi (lutja) e fshehtë dhe adhurimi i zemrës.” Dhe, bazuar në këtë (përmend se) kusht i adhurimit është: Sinqeriteti në nijet (qëllim) për Allahun e Lartmadhëruar; nisur nga thënia e Tij: "E duke qenë se ata nuk ishin të urdhëruar me tjetër, pos që ta adhuronin Allahun me një adhurim të sinqertë ndaj Tij, që të largohen prej çdo besimi të kotë, ta falin namazin, të japin
zeqatin, se ajo është feja e drejtë." El-Bejjineh, 5
Gjithashtu, gjejmë në hadithin ferd (me vetëm një varg transmetuesish) të njohur (mesh'huur) nga Prijësi i Besimtarëve Umer ibnul Khattabi, Allahu qoftë i kënaqur me të, së Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Veprat janë vetëm nijet...”.
Kështu që, nëse dituria humbet nijetin e sinqertë, shndërrohet nga të qenit një ndër aktet më madhështore të adhurimit në një ndër format më të ulëta të shkeljes dhe nuk ka asgjë më shumë që shkatërron diturinë sikurse syefaqësia (rijaja), qoftë rija shirku, apo rija sinqeriteti (6) dhe shfaqja e punës së mirë duke e përmendur atë për t’u lavdëruar (tesmii') si kam ditur, kam mësuar… .
Prandaj, ji i qëndrueshëm në largimin e çdo gjëje që njollos çiltërsinë e nijetit tënd për kërkim të diturisë, si dashurinë për famë, ngritjen mbi koleget (7) duke e bërë atë objekt të arritjes së qëllimeve (të fshehta) dhe kënaqësive (të kësaj bote); si pozitë, pasuri, madhështi, emër, lëvdatë, kthim të fytyrave të njerëzve kah vetja, sepse këto e të ngjashme me to nëse njollosin nijetin e prishin atë dhe begatia e diturisë humbet. Për këtë arsye është detyrë parësore të ruash nijetin nga njolla e të kërkuarit të diturisë për hir të dikujt/diçka tjetër përpos Allahut, më të Lartit, madje është detyrë të ruhesh edhe nga çdo gjë e cila të qon tek kjo e keqe.
Dijetarët rreth kësaj çështje kanë thënie dhe qëndrime të shumta, ku disa prej tyre i kam përmendur në kaptinën e parë në librin tim "Et Teaalum", por shtojmë këtu ndalesën e dijetarëve nga çështjet "Tubulijjat"; meselet (çështjet e zëshme) me të cilat synohet fama. Më parë është thënë: “Për gabimin e dijetarit bien daullet” (8) dhe është transmetuar së Sufjan (eth-Theuri), Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Më ishte dhënë begatia e kuptimit të Kur’anit, e kur pranova qesen (me para) mu mor.” (9). Prandaj, mbahu fort - Allahu lëshoftë mëshirë mbi ty – për litarin më të besuar (sinqeritetin) i cili të ruan nga këto njollë. Përveç përpjekjes së vazhdueshme për të qenë i sinqertë – ki frikë nga çdo gjë e cila e anulon atë dhe shfaq varfërinë tënde të madhe për Allahun, e Lartmadhëruar, duke u kthyer tek Ai sinqerisht. Është transmetuar se Sufjan ibën Seid eth-Theuri, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Nuk kam trajtuar asgjë më të vështirë për mua se sa nijetin
(sinqeritetin) tim”.(10) Gjithashtu është transmetuar se Umer ibnu Dherri i ka thënë babait të tij: “O babai im!
Çfarë është puna që kur ti ju ligjëron njerëzve ata qajnë, kurse kur të tjerët ligjërojnë ata nuk qajnë?” Ai është përgjigjur: “O biri im, vajtuesja e goditur nga fatkeqësia nuk është e njëjtë me atë që është paguar të vajtojë (për të vdekurin)” (11). Allahu të dhëntë prosperitet në arritjen e udhëzimit të drejtë. Cilësia gjithëpërfshirëse e të mirave të kësaj bote dhe ahiretit është: "Dashuria për Allahun, më të Lartin, dhe dashuria për të Dërguarin e Tij salallahu alejhi ue selem", e cila realizohet me pasim të plotë dhe ndjekje të gjurmëve të të pagabueshmit salallahu alejhi ue selem.
Allahu, më i Larti, ka thënë: Thuaj: "Nëse e doni Allahun, atëherë ejani pas meje që Allahu t'ju dojë,
t'ju falë mëkatet tuaja, se Allahu është që fal shumë, mëshiron shumë." Ali
Imran, 31
Në përgjithësi, ky parim konsiderohet baza e këtij libri dhe zë vendin në të si pozita e kurorës në veshjen mbretërore. Prandaj, o ju studentë (të diturisë)! Ju që keni zënë vendet dhe jeni ulur për të mësuar, ju që shpirtrat tuaj janë lidhur me gjënë më të çmuar (kërkimin e diturisë), ju këshilloj, ju dhe vetveten time me devotshmëri ndaj Allahut, më të Lartit, në publik dhe në vetmi, se me të vërtetë ajo është mjeti më i rëndësishëm, është vendzbarkimi i gjitha virtytteve, është shkaku i gjithë lëvdatave, është burim i fuqisë, është ngritja e aspiratave të larta, dhe lidhja më e sigurt për zemrën nga fitnet (dyshimet, epshet dhe trazirat përçarëse), kështu që assesi mos të jesh neglizhent ndaj saj.

..... Vazhdon (perktheu, Hasan Cana)


Tezkije.com - Nuk lejohet shpërndarja ose/dhe ripublikimi i materialeve pa cekur burimin.
Shko tek kryefaqja