Youtube/Tezkije
Krahasimi mes njeriut të filozofisë dhe njeriut të akides-besimit
Omer el Eshkar
 07.12.2014

Para se ta mbylli këtë temë, dëshiroj të them se ne kemi nevojë për njerëz të akides dhe jo për njerëz të filozofisë. Ne kemi nevojë për njerëz, të cilët mund t'i shërojnë sëmundjet dhe problemet e Umetit, kurse filozofët këtë nuk mund ta bëjnë.

   Profesori Ahmed Emin (Allahu e pastë mëshiruar) bëri një krahasim mes njeriut të filozofisë dhe njeriut të akides, dhe tregoi ndikimet e tyre mbi jetën:

"Ka dallim të madh midis mbajtjes së një ideje (mendimi) dhe besimit në diçka. Nëse ke një ide, ajo thjesht bëhet pjesë e informatave që ju i keni arritur, mirëpo nëse ju besoni në të, ajo rrjedh me gjakun tuaj dhe hynë thellë në zemrën dhe mendjen tuaj. Filozofët, të cilët kanë një mendim dhe një ide thonë: "Unë mendoj se kjo është e saktë, por në realitet mund të jetë e gabuar; ky është përfundimi që e kemi nxjerrë nga provat e tanishme, por nesër provat mund të flasin për të kundërtën; unë ndoshta e kam gabim, ndoshta ia kam qëlluar."

   Mirëpo ai, i cili e ndjek akiden-besimin është i prerë dhe i sigurt; ai nuk ka dyshime dhe nuk futet në spekulime. Akideja e tij është e vërtetë dhe nuk ndryshon dhe përsëri do të jetë e saktë nesër. Nuk pritet që të ndryshojë për shkak të provave tjera. Ajo është mbi dyshimet dhe supozimet.

   Njeriu që ka një mendim dhe ka arritur në një përfundim është emocionalisht i ftohtë dhe nuk është entuziastë. Nëse ajo që mendon del se është e vërtetë, ai thjesht buzëqesh në një mënyrë të qetë dhe nëse nuk del e vërtetë nuk ka rëndësi, sepse ai tashmë ka marrë masat duke besuar se derisa mendimi i tij mund të jetë i saktë, ai ndoshta do të jetë i gabuar dhe mendimi i dikujt tjetër, të cilin ai beson se është i gabuar, ndoshta është i saktë. Mirëpo, ai, i cili e pason akiden është i ngrohtë dhe entuziast dhe nuk kënaqet derisa akideja e tij të përmbushet.

   Ai, i cili ka mendim filozofik lehtë mund ta ndërrojë mendjen e tij dhe të përvetësojë ide të reja, sepse ai i ndjek vetëm dëshmitë ose interesat e tij kur ato vijnë në formë të dëshmisë. Mirëpo, mënyra më e mirë për ta përshkruar atë, të cilin e ndjek akiden është ajo e të Dërguarit a.s.:

"Nëse dielli do të më vendosej në anën time të djathtë dhe hëna në të majtën, që unë ta braktisë atë që e kam sjellë, kurrë nuk do të veproja ashtu."

   Mendimi është thjesht një trup i pajetë, është i pajetë derisa të mbushet me akide. Mendimi është thjesht një shpellë e errët, e cila mbetet ashtu derisa akideja ta ndriçojë me rrezet e saj. Mendimi thjesht është një pellg i ndenjur, në të cilin mushkonjat i bëjnë vezët. Akideja në anën tjetër është një oqean i madh ku insektet e parëndësishme nuk lejohen të shumohen. Mendimi është thjesht një mjegullnajë, kurse akideja është një yll ndriçues. Mendimi krijon probleme dhe brenga, u kushton vëmendje dëshirave fizike, krijon dyshime dhe e ushqen ngurrimin, kurse akideja nuk brengoset nga rreziku, bën që malet të dridhen, e ndërron rrjedhën e historisë, i fshin dyshimet dhe ngurrimin dhe prodhon fuqi dhe siguri, nuk lejon asgjë përveç përmbushjes së qëllimit të shpirtit.[1]



[1] Ahmed Emin, Fejd el-Hatir, duke cituar nga El-Karadavi's, El-Iman vel Hajat, fq. 22.


Tezkije.com - Nuk lejohet shpërndarja ose/dhe ripublikimi i materialeve pa cekur burimin.
Shko tek kryefaqja