Youtube/Tezkije
Metodologjia e dijetarëve në afirmimin e akides
Omer el Eshkar
 26.12.2014

A besojmë në dënimin e varrit, në surin (borin), peshoren dhe çështjet tjera të akides? Çka na bën të besojmë ose të mohojmë diçka?

a) Dijetarët e të parëve tanë të mirë (selefi) besonin se është obligim për ne, të besojmë çdo gjë, të cilën Allahu dhe i Dërguari i Tij na kanë treguar dhe çfarëdo që na ka ardhur përmes zinxhirëve të saktë. Ata nuk bën dallime në mes të haditheve mutevatir[1] dhe haditheve ahad, derisa ato ishin sahih, dhe i përdornin të dy llojet e haditheve për t'i vërtetuar çështjet e akides, pa bërë dallime në mes tyre.

   Këtë qëndrim të tyre e bazuan në dëshminë e përgjithshme, e cila na urdhëron të besojmë Allahun dhe atë që i Dërguari i Tij e ka sjellë dhe t'u bindemi atyre në të gjithë urdhëratë, siç përmendet në ajetin:

"Kur Allahu ka vendosur për një çështje, ose i dërguari i Tij, nuk i takon (nuk i lejohet) asnjë besimtari dhe asnjë besimtareje që në atë çështje të tyre personale të bëjnë ndonjë zgjidhje tjetërfare." El-Ahzab, 36

"Thuaj: 'Bindjuni Allahut dhe të dërguarit,..."'  Ali Imran, 32

b) Një grup, të cilit i mungonte dituria për të bërë dallim në mes të haditheve të sakta dhe haditheve të dobëta, argumentuan me hadithe mevdu (të shpifura, të fabrikuara) dhe daif (të dobëta).[2] P.sh., hadithi:

"Arrita te Zoti im natën, në të cilën u ngrita në qiell dhe e pashë Zotin tim, midis Tij dhe meje kishte një barrierë të tejdukshme. Kam parë çdo gjë të Tij. E pashë një kurorë të zbukuruar me margaritarë." Ky është një hadith i shpifur (i fabrikuar). [3]

Hadithi: "Vërtet Allahu qëndron mbi një hark, në mes të Xhenetit dhe Xhehenemit."[4]

Ky është hadith i dobët.

   Është i rëndësishëm shqyrtimi i hadithit para se të përdoret si dëshmi, qoftë nëse ka të bëjë me akiden ose rregullat (ahkam), ndryshe rezultati do të jetë atribuimi i gjërave ndaj fesë së Allahut që nuk janë pjesë e saj dhe ne do të besonim gjëra, të cilat nuk janë të sakta.

   Ata, të cilët përpiqen t'i vërtetojnë besimet duke përdorur hadithe të shpikura dhe hadithe të dobëta, janë si ata, të cilët përpiqen të përdorin mite, ëndrra dhe legjenda si dëshmi.

c) Grupi i tretë refuzoi t'i përdorte si dëshmi hadithet e transmetuara, p.sh., tekstet e Kur'anit dhe hadithit, për t'i vërtetuar çështjet e akides. Ata thanë se dëshmitë e transmetuara nuk arrinin shkallën e sigurisë, e cila do ta inspironte te ne shkallën e kërkuar të besimit, kështu që akideja nuk mund të konfirmohej me anë të tyre.[5] Ata sqaruan pse ato nuk mund të arrinin shkallën e sigurisë duke thënë: "Në rastin e dëshmive të transmetuara, ka shumë hapësirë për shumë gjëra, dhe kjo do ta pengonte këtë shkallë të sigurisë."[6]

   Ky mendim është thjesht asgjë dhe s'ka nevojë për përpjekje të madhe që të hidhet poshtë, sepse ai bie në kontradiktë me konsensusin e Umetit. Nëse ka aq dyshime për tekstet e hadhithit, atëherë si do të jetë puna me atë që njerëzit e thonë? Si mund që çështjet e besimit të mos vërtetohen nga ajo që Allahu dhe i Dërguari a.s. kanë thënë? Lavdërimi të takon Ty (o Allah). Kjo është një gënjeshtër e madhe.

d) Grupi i katërt e refuzuan idenë e përdorimit të haditheve të sakta ahad si dëshmi për çështjet e akides. Ata i referohen vetëm Kur'anit dhe haditheve mutevatir dhe nuk e vërtetojnë akiden me Kur'an dhe hadithe mutevatir, përveç kur teksti ka kuptim të qartë. Nëse teksti nuk ka kuptim të qartë, atëherë sipas mendimit të tyre nuk lejohet të përdoret si dëshmi.

   Ky ishte mendimi i dijetarëve të ilmul kelamit, në të kaluarën. Disa dijetarë të usulit i pasuan ata. Kjo ide është shumë e përhapur në kohën tonë, deri në atë masë që e vërteta gati është harruar dhe njerëzit i konsiderojnë të huaj ata të cilët e ndjekin atë. Dijetarët në të kaluarën dhe në të tashmen gjithmonë kanë sqaruar se sa i korruptuar dhe sa i rrezikshëm është ky mendim dhe i hodhën poshtë argumentet e pavërteta të përdorura nga përkrahësit e tij.

 



[1]  Hadith mutevatir është ai që transmetohet nga një numër i madh, prej fillimit të zinxhirit të transmetimit deri në fund. Rëndësia e tij është se ky lloj i transmetimit do ta bënte të pamundshme pajtimin e të gjithë atyre për një hadith të rrejshëm. Transmetime ehad janë të gjitha ato që nuk e arrijnë shkallën mutavatir.

[2] Mevdu nënkupton i rrejshëm. Daif (i dobët) nënkupton se hadithi nuk i përmbush kushte për të qenë i saktë.

[3]  Esh-Shevkani, El-Feva'id el-Mexhmu'ah fil-Ahadith el-Mevdu'ah, 441.

[4] Po aty, 448.

[5] Shaltuti: El-Islam Akideh ve Sheri'ah, fq. 53.

[6]Shaltuti: El-Islam Akideh ve Sheri'ah, fq. 53.

 


Tezkije.com - Nuk lejohet shpërndarja ose/dhe ripublikimi i materialeve pa cekur burimin.
Shko tek kryefaqja