Youtube/Tezkije
Këshilla të arta për nxënësin e dijes
Bekër Ebu Zejd
 14.01.2015

Leximi për përmirësim dhe korrektësi

Të jesh i kujdesshëm që të lexosh librin fetar tek një mësues (hoxhë), i aftë i cili të përmirëson leximin dhe ta korrigjon atë me korrektësi, ashtu që të jesh i ruajtur nga shtrembërimi (i fjalëve) dhe nga gabimet.
Nëse shikon në biografitë e dijetarëve – në veçanti hafizve të mëdhenj të dijes dhe hadithit – do të gjesh se një numër i madh i tyre kanë lexuar koleksionet e mëdha në disa mexhlise apo disa ditë, për të përmirësuar gabimet e mundshme në mënyrë që të sigurojnë lexim korrekt.
Për shembull, hafiz Ibni Haxheri ka lexuar "Sahih Buhariun" në dhjetë mexhlise, secili prej tyre ka zgjatur dhjetë orë. "Sahih Muslimin" ka lexuar në katër mexhlise për dy dite e gjysmë, prej mëngjesit deri në mesditë, dhe e përfundoi ditën e Arafatit, e cila qëlloi të jetë ditë e xhuma, në vitin 813 H. Dhe, ka lexuar "Sunenin e Ibni Maxhes" në katër mexhlise, dhe "Mu'xhem et-Taberani es-Sagir" në një mexhlis të vetëm - në mes të drekës dhe ikindisë.
Shejhu i tij, Fejruzabbadi ka lexuar "Sahih Muslimin", lexim përmirësimi dhe korrektimi, në Damask tek hoxha i tij Ibnu Xhehbel për tri ditë.
Gjithashtu, Khatib El-Bagdadi, el-Mutemin es-Saxhi, Ibnul Ebbari, e të tjerë, kanë gjëra mahnitëse dhe të çuditshme lidhur me këtë, përmendja e të cilave do të merrte shumë kohë, mirëpo shih: "Es-Sijer" të Dhehebiut (18/277, 279 dhe 19/310 dhe 21/253), "Tebekatush-Shafi'ijjeh" të Subkit (4/30), "El Xhevahiru ued-Durer" të Sekhavit (1/103-105), "Fet'hul Mugith" (2/46), "Shedheratudh-Dheheb" (8/121, 206), "Khulasatul Ether" (1/72-73), "Fihrisul Faharis" të Kattanit, dhe "Taxhul Arusë" (1/45-46), kështu që mos harro pjesën tënde të kësaj.

Shfletimi (leximi i shpejtë) i koleksioneve të gjata

Shfletimi (leximi i shpejtë) i koleksioneve të gjata është ndër gjërat më të rëndësishme, në mënyrë që të përfitosh njohuri të ndryshme, të zgjerosh të kuptuarit, të nxjerrësh nga to dobitë unike, të fitosh eksperiencë në organizimin e temave dhe meseleve, të njoftohesh me stilet e ndryshme të autorëve në koleksionet e tyre dhe me terminologjinë e tyre.
Paraardhësit tanë (dijetarët) kanë pasur zakon të shënojnë aty ku ndalnin leximin "arritëm", ashtu që të mos i ikte asgjë kur ai të rifillonte leximin, sidomos (nëse rifillon leximin) pas një kohe të gjatë.

Shkëlqyeshmëria në bërjen e pyetjeve

Përmbaje etikën e mësimit të ndërsjellë me tjetrin, sikurse shkëlqyeshmëria e të pyeturit, e të dëgjuarit dhe të kuptuarit e saktë të përgjigjes. Mos gabo të thuash pasi të marrësh përgjigjen: “Por hoxhë, filani më ka thënë kështu, ashtu,” pasi që kjo është mangësi në etikën tënde dhe krijon konflikt mes dijetarëve, prandaj kujdes nga kjo. Nëse duhet që patjetër ta bësh këtë, atëherë ji i qartë në pyetjen tënde dhe thuaj: “Çfarë është mendimi yt lidhur me këtë fetva?”, pa emëruar personin.
Ibnul Kajjimi, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Është thënë: Nëse ulesh pranë një dijetari, atëherë pyet për të mësuar, e jo për inat.” (97).
Ai po ashtu ka thënë: “Dituria ka gjashtë shkallë:
E para: shkëlqyeshmëria e të pyeturit.
E dyta: shkëlqyeshmëria në të qenit i vëmendshëm dhe në dëgjim.
E treta: shkëlqyeshmëria në kuptim.
E katërta: mbajtja në mend (mësimi përmendesh)
E pesta: mësimdhënia
E gjashta: – e që është fryti i diturisë – është zbatimi i saj dhe respektimi i kufijve të saj.” Ai pastaj vazhdoi ta qartësonte këtë më shumë me një punim (hulumtim) të rëndësishëm.

Debatim pa polimizim

Kujdes nga kundërshtimi pa argument, pasi që kjo është fatkeqësi, kurse debatimi për të vërtetën është mirësi, sepse në një debat (munadhareh) të vërtetë e vërteta ngrihet lartë mbi të pavërtetën dhe ajo më e sakta mbi të pasaktën, kështu që është e ngritur mbi këshillimin e ndërsjellë, vetëpërmbajtje dhe në përhapje të diturisë. Përkundër polemikave të pa ngritura mbi argumente gjatë diskutimeve dhe debateve, në të cilat ka ngritje të vetvetes, syefaqësi, ngritje zërash, mendjemadhësi, përpjekje për të triumfuar (pa marrë parasysh kush ka të drejtë), grindje, kryeneçësi, urrejtje, rënie në shkallë të të marrëve, kështu që ruaju prej saj dhe prej atij që vepron ashtu, do të shpëtosh nga gjynahet dhe nga të zhyturit në atë çfarë nuk të lejohet.
Prandaj, largohu nga kjo sepse do të jesh i sigurt dhe do të shuash përgjegjësitë e gjynahut.

Përsëritja e diturisë në grupe

Kënaqu me të mençurit duke hulumtuar në dituri, pasi që kjo nganjëherë tejkalon leximin (dobinë e tij), e mpreh mendjen, e përforcon memorien, gjithnjë duke qenë i drejtë e i urtë, i distancuar nga padrejtësia, zhurma, aventurizmi.
Bëhu vigjilent, pasi që ajo zbulon të metat e personit jo të çiltër. Nëse përsëritja bëhet me një person të mangët në dituri, mendjeftohtë, atëherë ajo është e dëmshme dhe çon në neveritje të dyanshme.
E sa i përket përsëritjes privatisht me vetveten duke shfletuar çështjet e diturisë, (ajo është më së e nevojshme dhe) është një gjë prej të cilës nuk duhet të ndahesh assesi. Më parë është thënë: “ringjallja e diturisë është përsëritja”.

Nxënësi i dijes jeton në mes të Kur’anit e Sunnetit dhe diturive të tyre

Ato janë për të sikurse dy krahët e zogut, prandaj kujdes mos të jesh krahëthyer.

Plotësimi i mësimit të mjeteve të çdo lëmie

Asnjëherë nuk do të bëhesh nxënës i vërtetë i diturisë, preciz dhe gjithanshëm – derisa të hyjë deveja për bire të gjilpërës- nëse nuk i ke të gjitha mjetet e asaj lënde. Për shembull në Fikh, kombino mes Fik'hut (jurisprudencës) dhe Usulit (Bazave të Fik'hut), në Hadith; kombino mes shkencës rivajeh (diturisë që ka të bëjë me transmetimet) dhe asaj Dirajeh (kuptimin e hadithit), dhe kështu me radhë,
përndryshe mos u lodh fare. Allahu ka thënë: "Atyre, të cilëve ua dhamë librin dhe të cilët e lexojnë drejt ashtu si është, ata e besojnë atë (Kur'anin). E ata që e mohojnë atë, të tillët janë ata që dështuan (në Dunja e në Ahiret). (El-
Bekare:121)"
Nga ky ajet përfitojmë se nxënësi i diturisë nuk duhet ta lë një lami përveç se pas perfeksionimit të saj. (99).


Tezkije.com - Nuk lejohet shpërndarja ose/dhe ripublikimi i materialeve pa cekur burimin.
Shko tek kryefaqja