Kjo hyrje është shumë e rëndësishme për çdonjërin që synon studimin e sirës fisnike Pejgamberike, sepse përmes saj ai mëson qëllimet e sirës, veçoritë dhe gjërat dalluese, e gjithashtu edhe gjendjen e humbjes dhe të devijimit në të cilën ndodhej njerëzimi para Shpalljes Hyjnore; ashtu siç ndihmon në kuptimin e domosdoshmërisë dhe nevojës së patjetërsueshme të banorëve të Tokës që Allahu t’u dërgojë dikë i cili do t’i shpëtojë ata duke i nxjerrë nga errësirat në dritë, dhe nga trishtimi në lumturi, duke qenë se ata kishin arritur kulmin e paaftësisë për të dalë nga gjendja e këtillë prapavajtëse në të cilën ndodheshin.
Përmes kuptimit të shkallës së devijimit në të cilën kishte arritur njerëzimi, lexuesi i ndershëm e kupton madhështinë e përpjekjes së Profetit (salallahu alejhi ue selem) për t’i nxjerrë njerëzit nga ky labirint në të cilin kishin jetuar për shekuj me radhë, aq sa kishin sjellë mbi vete nënçmimin dhe poshtërimin, duke mos menduar asnjëherë se si ta largojnë dhe ta heqin qafe këtë pështjellim që kishte mbuluar zemrat e tyre dhe kishte eliminuar natyrshmërinë e pastër të tyre (fitra-në); e gjithashtu kupton edhe sasinë e madhe të mirësive të cilat i përvetësoi njerëzimi dhe mëshirën e gjerë të cilën e realizoi thirrja e të dërguarit (salallahu alejhi ue selem) për njerëzimin në përgjithësi.
Çfarë kuptojmë me fjalën Sirë(a)?
Fjala “sejr”[1] në gjuhën arabe ka kuptimin “ecje” (qarkullim), ndërsa prej kësaj nxirret emri “sira.”[2] Fjala “sira” nënkupton “një lloj ecjeje”, nënkupton “sunetin”, por gjithashtu nënkupton edhe “rrugën.” Thuhet: “Eci me ta ecje të mirë.” Fjala “sira” nënkupton edhe “formën”, siç është përmendur në Kur’an: “(Allahu) i tha: “Merre atë dhe mos u frikëso! Ne do ta kthejmë në gjendjen (formën) e tij të mëparshme.” (Ta-Ha, 21.) Pastaj: “sej-jera sijraten” – bisedoi rreth tregimeve të të parëve.[3]
Gjithashtu, Sira është pjesë e hadithit Profetik, bazuar në dy aspekte:
E para: Prejardhja e saj nga i dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem)
E dyta: Transmetimi i saj me zinxhirë transmetimi; Për këtë arsye dijetarët e hadithit i kanë kushtuar rëndësi të veçantë në shkrimet e tyre kapitujve dhe titujve që kanë të bëjnë me betejat e Profetit (salallahu alejhi ue selem) dhe ditët e tij, karakteristikat e tij dhe shenjat e profecisë së tij.
Në aspektin e ngjarjeve dhe ndodhive të saj, Sira është vetëm një pjesë e historisë (“tarikhë”), duke qenë se histori quhet përcaktimi i kohës në aspekt të përgjithshëm. Thuhet: “Erakhtu el-kitabe”[4] (Përcaktova afatet kohore të librit), apo: “Eurakhtu el-kitabe”[5] që ka kuptim të njëjtë.
Tashkubrij Zade[6] ka thënë: “Objekti i studimit të saj (sirës) është: Gjendja e personaliteteve nga e kaluara, qofshin prej pejgamberëve, evliave[7], dijetarëve, mendimtarëve, poetëve, mbretërve, sulltanëve, e të tjerë.”[8]
Qëllimi i studimit të Sirës
Sira Profetike nuk mësohet duke pasur si qëllim të vetëm kënaqësinë që dikush ndjen gjatë bartjes nëpër ndodhitë dhe tregimet e saj, e as duke pasur për qëllim shtimin e njohurive historike për një periudhë të caktuar kohore nga një histori e kaluar; por nuk mësohet as si pasojë e dashurisë dhe pasionit për të studiuar jetëshkrimet e njerëzve të mëdhenj apo heronjve. Nëse një lloj i tillë i studimit sipërfaqësor do t’i plotësonte kushtet për të qenë qëllim i studimit të sirës nga ndonjë jomysliman, qëllimet e myslimanit për studimin e sirës duhet të jenë më të larta se këto; prandaj, prej qëllimeve të cilat duhet të merren në konsideratë gjatë studimit të sirës janë këto në vijim:
Së pari: Pasimi i të dërguarit të Allahut (salallahu alejhi ue selem)
Sepse ai është vetë shembulli dhe modeli, ai është ligjvënësi ndaj të cilit bëhet obligim bindja dhe pasimi, sepse Allahu i Lartësuar ka thënë: “Në të Dërguarin e Allahut ka një shembull të mrekullueshëm për atë, që shpreson tek Allahu dhe Dita e Fundit dhe e përmend shumë Allahun.” [el-Ahzab, 21] Dhe ka thënë: “Kush i bindet Pejgamberit, i është bindur Allahut.” [en-Nisa, 80]. Gjithashtu ka thënë: “Thuaj: “Nëse ju e doni Allahun, atëherë pasomëni mua që Allahu t’ju dojë juve!” [Ali Imran, 31].
Pra, jeta e Profetit (salallahu alejhi ue selem) ishte Islami praktik, që do të thotë se ishte zbatimi më adekuat dhe më i përsosur i teksteve të dy Shpalljeve Hyjnore.[9] Aishja (radijallahu anha[10]) thotë: “Morali i tij ishte Kur’ani.”[11]
v Pra, Sira e tij (salallahu alejhi ue selem) është burim prej të cilit thirrësit Islam thithin metodat e thirrjes bashkë me etapat e saj, dhe mësojnë se çfarë përpjekje të mëdha bëri Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) për ngritjen e Fjalës së Allahut; nxjerrin rregulla të përgjithshme për mënyrën e qasjes ndaj keqtrajtimeve dhe vështirësive, si dhe marrjes së qëndrimeve të duhura përballë trazirave dhe sprovave.
v Prej saj edukatorët nxjerrin metodat e edukimit bashkë me mjetet ndihmëse.
v Liderët përfitojnë prej saj rregullat dhe metodologjinë e udhëheqësisë.
v Asketët marrin prej saj kuptimin e vërtetë të asketizmit dhe qëllimet e tij.
v Tregtarët mësojnë prej saj qëllimet e tregtisë, dispozitat dhe metodat e saj.
v Të sprovuarit me ndonjë bela mësojnë prej saj shkallët më të larta të durimit dhe qëndresës; forcohen vendosmëritë e tyre për të vazhduar rrugëtimin nëpër rrugën e tij (salallahu alejhi ue selem) dhe bindja e plotë në Allahun e Lartmadhëruar se përfundimi i mirë u takon të devotshmëve.
v Dijetarët nxjerrin prej saj atë që u ndihmon atyre për ta kuptuar Librin e Allahut të Lartësuar, në të gjejnë njohuritë adekuate për shkencat e ndryshme Islame, dhe përmes saj arrijnë t’i kuptojnë tekstet shfuqizuese dhe ato të shfuqizuara[12], shkaqet e zbritjes së ajeteve, e gjëra të tjera.
v Umeti[13] Islam nxjerr prej saj gjithë etikën, moralin dhe veçoritë e lavdëruara.
Për këtë arsye Ibn Kethiri tha: “Kjo është një degë shkencore e cila meriton kujdes të veçantë, marrje në konsideratë dhe përgatitje përkatëse; siç transmeton Muhamed Ibn Umer el-Vakidij nga Abdullah Ibn Umer Ibn Ali nga babai i tij se ka dëgjuar Ali Ibn Husejn-in duke thënë: “Na mësonin betejat e të dërguarit (salallahu alejhi ue selem) ashtu siç na mësonin ndonjë sure të Kur’anit.” Pastaj Vakidij-u thotë: “... dhe kam dëgjuar Muhamed ibn Abdullah-un duke thënë: “Kam dëgjuar xhaxhanë tim Zuhri-un duke e quajtur diturinë rreth betejave të Profetit (salallahu alejhi ue selem): “Shkencë e ahiretit dhe e dynjasë”.”[14]
Ismail ibn Muhamed ibn Sa’d ibn Ebi Uekas ka thënë: “Babai im na i mësonte betejat e Pejgamberit të Allahut (salallahu alejhi ue selem) dhe na i numëronte ato, dhe thoshte: “Këto janë urtësitë që lanë pas baballarët tuaj, prandaj mos e humbni përmendjen e tyre!”.”[15]
Vërtetë se gjatë historisë kemi kaluar nëpër njerëz të mëdhenj, mbretër, prijës, poetë e filozofë, porse historia nuk ka shkruar ndonjëherë për ndonjërin prej tyre jetëshkrim (sirë) që përmban në vete modelin, shembullin, plotësinë dhe gjithëpërfshirjen, siç ngjan me sirën e Profetit Muhamed (salallahu alejhi ue selem). Përkundrazi, shumë prej jetëshkrimeve të njerëzve të mëdhenj janë shndërruar në objekte talljeje për njerëzimin për aq kohë sa të ekzistojë e të shkruhet historia.
Ku është Nemrudi i cili i tha Ibrahimit: “Edhe unë jap jetë dhe vdekje.” [el-Bekare, 285]?! Ku është fjalimi i Faraonit i cili tha: “Unë jam zoti juaj më i lartë.” [en-Nazi’at, 24]!? I cili gjithashtu ka thënë: “Nuk njoh ndonjë zot tjetër për ju përveç meje.” [el-Kasas, 38]
Në të vërtetë këta njerëz të mëdhenj për kohën e tyre janë ata me të cilët sot tallen të mëdhenj e të vegjël, dijetarë e injorantë, edhe pse ata patën mashtruar popullin e tyre gjatë epokës së tyre duke i bërë ata që t’ua kishin frikën e t’ju bindeshin; Por ja që çështja e tyre doli në shesh pas shkatërrimit të tyre, dhe ata u bënë objekt përqeshjeje e tallje deri në mbarim të kohës.
Së dyti: Vënia në pah e vërtetësisë së të dërguarit të Allahut (salallahu alejhi ue selem).
Ne e studiojmë sirën me qëllim që të na shtohet besimi, sepse ndalja nëpër mrekullitë e Profetit dhe nëpër shenjat e Profecisë së tij është prej gjërave që na e shtojnë besimin dhe bindjen absolute për vërtetësinë e tij (salallahu alejhi ue selem). Studimi i sirës së tij aromatike dhe njohja e qëndrimeve të tij madhështore dhe jetës së tij fisnike gjithëpërfshirëse, janë prej gjërave që tregojnë për plotësinë e tij, ngritjen dhe sinqeritetin e tij (salallahu alejhi ue selem).
Së treti: Mbjellja e dashurisë për Pejgamberin (salallahu alejhi ue selem) në zemra.
Hedhja e shikimit mbi kuptimet e çmuara që përmban sira e tij (salallahu alejhi ue selem) ndërton dashurinë dhe respektin e lartë në zemrat e besimtarëve për këtë Pejgamber fisnik (salallahu alejhi ue selem). Kjo për shkak të asaj që sira ngërthen në veten e saj prej moraleve të çmuara, raporteve fisnike ndërnjerëzore dhe dëshirës së zjarrtë që njerëzit të udhëzohen, të përmirësohen dhe t’u vijnë të mirat; për shkak të sakrificës së tij dhe pasurisë së tij në rrugën e nxjerrjes së njerëzve prej errësirave në dritë, prej fatkeqësive në lumturi, dhe aspirata e tij (salallahu alejhi ue selem) për largimin e vuajteve dhe vështirësive prej umetit të tij, lehtësimit për ta dhe mëshirës ndaj tyre. Aishja (radijallahu anha) ka thënë: “Një ditë Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) hyri tek unë dhe më tha: “Sot kam bërë një gjë të cilën do të kisha pasur dëshirë që mos ta kem bërë: Hyra në Shtëpinë e Shenjtë (Qaben) dhe druajta se mund të vijë ndonjë njeri prej largësive të horizontit dhe nuk do të ketë mundësi të hyjë brenda në të, kështu që do kthehet në shtëpi duke ndjerë diçka (mangët) në veten e tij.”[16]
Dhe s’ka përshkrim më të madh se Fjala e Allahut të Madhërishëm për të: “Tashmë ju ka ardhur një i Dërguar nga gjiri juaj. Atij i vjen rëndë për gjynahet që bëni ju, jua dëshiron të mirën me gjithë zemër që ju të shkoni rrugës së drejtë dhe është i butë e i mëshirshëm me besimtarët.” [et-Teube, 128] Allahu i Lartëmadhërishëm, duke përshkruar të dërguarin e tij (salallahu alejhi ue selem) me përshkrimin më të mirë dhe duke e filtruar më së miri personalitetin e tij, thotë: “Ti me të vërtetë ke një moral të lartë.” [el-Kalem, 4].
Njerëzimi sot nuk i ka dhënë personalitetit të Profetit (salallahu alejhi ue selem) meritën që i takon në aspektin e njohjes dhe studimit, e sikur ta bënin një gjë të tillë, do të zbulonin disa aspekte të madhështisë të cilat as që u kanë shkuar ndonjëherë në mend, e të cilat në këtë epokë llogariten vetëm si shembuj të imagjinuar. Më thuaj, pashë Zotin tënd, kush tjetër pos të dërguarit të Allahut (salallahu alejhi ue selem) nuk është hakmarrë asnjëherë për veten e tij, nuk është gëzuar a mërzitur, nuk ka qeshur dhe s’është hidhëruar asnjëherë për hir të vetes së tij apo ëndjes së tij personale?! Kush tjetër pos tij nuk ka triumfuar as edhe një herë të vetme mbi armikun për hir të vetes së tij; por të gjitha këto i ka bërë vetëm për hir të Allahut të Lartësuar?!
Së katërti: Adhurimi i Allahut të Lartësuar përmes përmendjes së Profetit (salallahu alejhi ue selem) dhe shtimit të përshëndetjeve (salavateve) dhe selameve ndaj tij[17]
Allahu i Lartësuar ka thënë: “Vërtet, Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt e Tij luten për atë. O besimtarë, lutuni për atë dhe përshëndeteni me “selam”!” [el-Ahzabë, 56] Pastaj, Muslimi ka transmetuar në librin e tij të saktë[18] nga Ebu Hurejra (Radijallahu anhu) se Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Kush dërgon mbi mua një salavatë, Allahu e përshëndet atë me dhjetë të tilla.”[19]
... vazhdon
Përktheu nga gjuha arabe, Hekuran Helshani.
[1] السَّيْرُ – es-sejr
[2] السِّيرَةُ – es-siiratu
[3] Fjalori “Lisanul-Arab” (4/389)
[4] أرخت الكتاب
[5] أورخت الكتاب
[6] Historian i njohur turk, një prej mësuesve të të cilit ka qenë edhe Ibn Haxher el-Eskalani.
[7] Evlia është shumësi i emrit njëjës velij, që nënkupton besimtar i devotshëm i dashur te Allahu, e assesi nuk nënkupton person i cili pranon shpallje nga Allahu apo është njeri i shenjtë ose diçka të tillë.
[8] “Miftah es-Se’adah” (1/251)
[9] Kur’anit dhe sunetit të Profetit (salallahu alejhi ue selem)
[10] Allahu qoftë i kënaqur me të
[11] Këtë hadith e ka sjellë Imam Ahmedi në librin e tij të haditheve “El-Musned” (42/183, H. 25302)
[12] që në gjuhën arabe quhen “nasikh” dhe “mensuukh”
[13] komuniteti musliman në tërësi
[14] “El-Bidajetu ue en-Nihajetu,” (3/242).
[15] “El-Xhami’ li-akhlak er-Ravij ue adabë es-Sami’,” (2/195).
[16] E ka sjellë Imam Ahmedi në librin e tij të haditheve “El-Musned”
[17] Dërgimi i salavateve dhe selameve si shprehja: “Allahumme Sal-li ale Muhamed!” ose thënja “Salallahu alejhi ue selem” kur përmendet emri i tij.
[18] Quhet libër i saktë (ar. Sahih el-Muslim) për shkak se është libri më i saktë i haditheve pas “Sahih el-Bukhari” – librit të imam el-Bukhari-ut, i cili prin për kah saktësia ndaj të gjitha librave të hadithit, dhe është quajtur libri më i saktë religjioz pas Kur’anit Fisnik.
[19] E ka sjellë Muslimi (H. 408)