Youtube/Tezkije
Karakteristikat dhe veçoritë e Sirës Pejgamberike
Dr. Jahja ibn Ibrahim el-Jahja
 14.02.2015

   S’ka dyshim se sira fisnike Pejgamberike ka karakteristikat dhe veçoritë e saj me të cilat është veçuar nga çdo sirë tjetër e njerëzve të mëdhenj, e bile edhe nga jetëshkrimet e të dërguarve dhe pejgamberëve të tjerë, lavdërimet më të mira dhe selamet më të pastra qofshin për ta!

   Prej këtyre karakteristikave dhe veçorive janë:

   Së pari: Ajo është e njohur dhe e shkruar

   Pra, dijetarët e Islamit përgjatë historisë nuk kanë lënë as një kapitull nga kapitujt e sirës pa shkruar për secilin prej tyre shkrim të pavarur, aq sa ky shkrim ka përfshirë në veten e tij detajet më të vogla dhe imtësitë, duke e bërë kështu muslimanin që gjatë leximit të sirës, për shkak të shkallës së lartë të qartësisë dhe përmbledhjes që ajo përmban në vete, të ndihet sikur është duke jetuar vetë me Profetin (salallahu alejhi ue selem) dhe duke e parë atë.

   Biseda rreth kësaj teme do të vijë më vonë kur do të flasim për burimet e Sirës Pejgamberike. Të mjafton si informatë për të fakti se numri i shkrimeve që janë bërë për Sirën Pejgamberike në gjuhën Everdije – e cila është gjuhë e re – tejkalon njëmijë libra; Numri i librave që janë shkruar në gjuhët Evropiane tejkalon njëmijë e treqind libra, duke qenë këto llogaritje sipas shekullit të kaluar.[1] Ndërsa shkrimet në gjuhën arabe janë thuajse të panumërueshme.

   Së dyti: Vërtetësia dhe besnikëria e transmetimit të saj

   Ajo përfitoi prej shërbimeve që iu bënë hadithit, duke filluar prej shoshitjes, saktësimit, çiftëzimit, vërtetimit të transmetuesve, njohjes dhe dallimit të gjërave të sakta nga të dobëtat, duke u bërë kështu jetëshkrimi më i saktë i transmetuar te ne nga një pejgamber apo një personalitet kolosal.

   Së treti: Sira e tij (salallahu alejhi ue selem) është metodologjia e vetme që rregullon njerëzimin

   Sira e tij është shembull dhe model për secilin njeri se ka barazuar mes mbretërve dhe njerëzve të rëndomtë, Sirë prej së cilës përfitojnë të vegjlit ashtu sikurse të rriturit, dhe e cila ka bërë që gjendja e të gjithëve para Allahut të jetë e njëjtë.

   S’ka dyshim se nuk ekziston mirësi, mirëqenie apo lumturi, në dynja apo në ahiret, e të mos jetë marrë prej Sirës; dhe nuk ka të keqe, shthurje, vuajtje, padrejtësi apo dobësi, e të mos jetë shkak i saj padituria rreth sirës dhe largimit nga pasimi i pronarit të saj (salallahu alejhi ue selem).

   Të dërguarit të Allahut (salallahu alejhi ue selem) i zbriti Fjala e Allahut: “Dhe Ne nuk të kemi dërguar ty (o Muhamed), veçse si mëshirë për botët,” [El-Enbija, 107] duke qenë ende në Meke i rrethuar brenda saj. Prandaj, ajo është mëshira udhëzuese dhe mirësia e ofruar për gjithë njerëzimin, shpëtimtarja nga dëshpërimi, devijimi, padrejtësia, shthurja, humbja dhe degjenerimi; Udhëzuesi drejt lumturisë dhe udhëzimit, drejtësisë, virtytit, ngritjes, respektimit dhe dinjitetit, se Allahu i Lartësuar ka thënë: “Ne të kemi dërguar ty (o Muhamed) vetëm si sjellës të lajmit të mirë dhe paralajmërues për të gjithë njerëzimin.” [Sebe’, 28] Gjithashtu i Lartësuari ka thënë: “I lartësuar qoftë Ai që i ka zbritur Dalluesin[2] robit të Vet, që të jetë paralajmërues për botët!” [el-Furkan, 1] Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Profetët dërgoheshin vetëm te popujt e tyre përkatës, ndërsa unë jam dërguar për tërë njerëzimin.” [3]

   Vërtetë njerëzimi është në kërkim të vazhdueshëm të shembullit më të lartë për ta ndjekur, por s’do të gjesh asnjë jetëshkrim – qoftë të kolosëve apo të Profetëve –  i cili është i njohur plotësisht për të gjithë dhe gjithëpërfshirës, përpos sirës së Pejgamberit (salallahu alejhi ue selem).

   Çdo fe e cila nuk ngritet mbi dy shtylla: të drejtat e Allahut dhe të drejtat e njerëzimit, s’ka mundësi ta shpëtojë njerëzimin apo ta drejtojë atë kah përmirësimi, shpëtimi, lumturia e përsosja.

   Ndërsa sot, fetë janë dy grupesh: ato në të cilat kategorikisht nuk ka përmendje të Allahut, siç është budizmi dhe religjionet kineze; dhe ato përmes së cilave besohet ekzistenca e Allahut të Lartësuar, por njeriu është i paditur se si duhet të besohet në Zotin e tij, apo se me çfarë cilësie duhet ta cilësojë Atë!

   E sa u përket të drejtave të njeriut, hulumto në të gjitha religjionet dhe shiko se a do të gjesh në to ndonjë shpjegim detaj të bashkëjetesës familjare dhe marrëdhënieve sociale; e mos të flasim për jetën politike, marrëdhëniet shtetërore apo çështjet ekonomike. Kontrollo jetëshkrimet e të gjithë pejgamberëve dhe njerëzve të mëdhenj dhe shiko se a do të gjesh ndonjë përgjigje rreth këtyre dy shtyllave! Është e sigurt se nuk do të gjesh ndonjë përgjigje përmbledhëse, të mjaftueshme dhe të detajuar, përveç se në fenë Islame dhe në Sirën e Profetit tonë (salallahu alejhi ue selem).

   Pyeti budistët se çfarë dinë për Budën dhe moralin e tij? Apo çfarë raportesh ka pasur me familjen e tij, hiç më larg? Nuk do të gjesh përgjigje!!.

   Pyeti të krishterët për Isa-në (alejhi es-selam) se çfarë dinë për periudhën para profecisë? Apo për atë periudhën që ata e përkufizojnë me tridhjetë vite, ndërsa me tri vite pas profecisë? Pastaj, cilat kanë qenë raportet mes tij dhe nënës së tij, apo mes tij dhe Zotit të tij për të Cilin pretendojnë birësi ndaj tij!? I Lartësuar qoftë Allahu, larg nga ajo që thonë zullumqarët! Nuk do të gjesh asnjë përgjigje nga ndonjëri prej tyre! Përkundrazi, do të gjesh tek ata huti që duket qartë në fytyrat e secilit prej tyre, dijetar qoftë apo dikush tjetër.[4]

   Së katërti: Plotësia e saj e pa të meta, mangësi, dobësi apo defekte

   Drejtoi sytë e tu dhe mendjen tënde kah Sira fisnike profetike! A ka diçka për t’u kritikuar apo ndonjë mangësi në të?

   Profeti (salallahu alejhi ue selem) nuk e kalonte kohën e tij në gjirin e të dashurve të tij dhe shokëve të tij, por shumicën e jetës së tij e kaloi midis armiqve më të përbetuar të tij, e ata ishin idhujtarët (mushrikët); ndërsa në fundin e jetës së tij atë e fqinjëruan jehudët dhe mynafikët, të cilët nuk patën mundësi asnjëherë ta godisnin me ndonjë mangësi në moralin apo meritat e tij, me gjithë aspiratën e lartë që kishin për ta realizuar një gjë të tillë. Banorët e Mekës e godisnin atë me llagape të këqija dhe e nënçmonin me emra të shëmtuar, porse asnjëherë s’patën mundësi ta përgojojnë atë as edhe për gjënë më të vogël nga morali i tij, e as ta përlyenin nderin e tij të kulluar, edhe pse ata shpenzonin pasuritë e tyre dhe jepnin shpirtrat e tyre për armiqësinë ndaj tij. Allahu i Lartësuar ka thënë: “Ne e dimë se ty të zemëron ajo që thonë ata. Në të vërtetë, nuk je ti ai që po mohojnë ata, por keqbërësit po mohojnë shpalljet e Allahut.” [el-En’amë, 33]

   Buhariu ka transmetuar nga Ibn Abbasi (Allahu qoftë i kënaqur me ta)[5] se gjatë ngjitjes së Profetit (salallahu alejhi ue selem) mbi Safa për t’i këshilluar njerëzit tha: “Vini re! Sikur t’ju informoja se në këtë luginë gjendet një turmë kuajsh të gatshëm për t’ju sulmuar, a do të më besonit? Thanë: Po! Nuk kemi provuar diçka tjetër prej teje veçse vërtetësi.”

   Mugira ibn Shu’beh (Allahu qoftë i kënaqur me të) ka thënë: “Dita e parë në të cilën e njoha të Dërguarin e Allahut (salallahu alejhi ue selem) ishte ajo ditë kur isha duke ecur bashkë me Ebu Xhehl ibn Hisham-in në njërën prej shtigjeve të Mekës, kur Pejgamberi i Allahut (salallahu alejhi ue selem) na takoi, pastaj Ebu Xhehlit iu drejtua me këto fjalë: “O Ebu el-Hakem![6] Eja tek Allahu dhe i dërguari i Tij! Po të thërras për tek Allahu!” Ndërsa Ebu Xhehli ia ktheu: “O Muhamed! A do ndalosh së shari Zotat tanë? Apo dëshira jote është që ne vetëm të dëshmojmë se ti e ke përcjellë mesazhin? Pasha Allahun, edhe sikur të isha i sigurt se ajo që thua ti është e vërtetë, nuk do të pasoja ty! Pastaj kur Profeti (salallahu alejhi ue selem) u largua prej nesh, ai m’u drejtua mua duke më thënë: “Pasha Allahun, unë e di se ajo çfarë thotë ai është e vërtetë, mirëpo Benu Kusaj-ët[7] thanë: “Ne kemi mbulesën e Qabes[8],” ne u thamë: “Në rregull.” Thanë: “Ne kemi këshillin,” ne u thamë: “Në rregull.” Thanë: “Ne kemi flamurin (udhëheqjen),” ne u thamë: “Në rregull.” Thanë: “Ne japim ujë (haxhinjëve),” ne u thamë: “Në rregull.” Ndërsa pas kësaj, ata vazhduan të jepnin ushqim por edhe ne jepnim, ndërsa kur u fërkuan kalorësit tanë ata thanë: “Pejgamberi është prej nesh.” Prandaj, pasha Allahun assesi nuk do ta veprojë këtë (nuk do ta pasojë Pejgamberin).”[9]

   Pastaj tregimi i Uelid ibn el-Mugira, kur Kurejshët u mblodhën gjatë sezonës së tyre për të rënë dakord për një fjalë të unifikuar të cilën do ta trillonin në lidhje me Profetin (salallahu alejhi ue selem), siç do të përmendet më vonë, është argument i qartë për aspiratën e tyre për t’u konfrontuar me Profetin (salallahu alejhi ue selem) si dhe për të hulumtuar e zbuluar çfarëdo mangësie apo defekti që mund të gjenin tek ai, por ... prej nga do t’ju vijë kjo atyre?! Prandaj, vendimi i tyre ishte që drejtpërsëdrejti të konfrontoheshin me të pa kurrfarë turpi.

   Shumica e njerëzve të mëdhenj kanë tjetër gjendje në shtëpitë e tyre dhe tjera raporte me familjet e tyre në krahasim me raportet që kanë me njerëzit e tjerë; Prandaj ata nuk kanë dëshirë që as bashkëshortet e tyre e as të tjerët të shpalosin diçka nga çështjet e tyre të brendshme, bile i konsiderojnë ato sekrete prej sekreteve për të cilat dënohet zbuluesi i tyre. Dhe të gjithë njerëzit janë të këtillë, assesi nuk duan që dikush t’iu qaset shumë prej çështjeve të tyre të brendshme familjare.

   E sa i përket të Dërguarit të Allahut (salallahu alejhi ue selem), ai nuk u mjaftua vetëm me pranimin e një gjëje të tillë por urdhëroi që çdo gjë nga jeta e tij të transmetohej tek të tjerët. Si rrjedhojë, bashkëshortet e tij (Allahu qoftë i kënaqur me to) transmetuan nga ai çdo gjë që panë tek ai dhe veprat e tij, aq sa ndonjëra prej tyre do të përcillte prej tij edhe çështjet më intime mes atyre dyve,  duke përmendur gusl-in[10] e përbashkët nga gjynybllëku[11]; në këtë mënyrë, një njeri sot mund të dijë nga jeta e pejgamberit (salallahu alejhi ue selem) më shumë sesa mund të dijë për babain e tij që e ka pranë tij, me të cilin jeton!

   Së pesti: Përfshirja e çdo aspekti nga jeta e tij së bashku me sqarimin e thuktë të çdo gjëje

   I Dërguari (salallahu alejhi ue selem) jetoi në mesin e shokëve të tij ndërkohë që ishte i martuar me nëntë gra, dhe urdhëroi që kushdo që ka prezantuar me të t’ua përcjellë mesazhin atyre që s’janë prezent, duke thënë: “Përcillni nga unë, qoftë edhe një ajet!”[12] Pastaj ka thënë: “Allahu ia ndriçoftë fytyrën atij që dëgjon prej nesh një hadith dhe e mëson përmendësh atë për t’ua përcjellë të tjerëve, sepse ndodh që dëgjuesi të jetë më i prirë për ta mbajtur mend atë sesa vetë dëgjuesi!”[13] Ai (salallahu alejhi ue selem) nuk udhëtoi as edhe një herë të vetme i vetmuar, dhe nuk i braktisi njerëzit as edhe një ditë të vetme. Sahabët e nderuar (Allahu qoftë i kënaqur me ta) epën tërë mundin e tyre për të përcjellë çdo gjë prej tij, e disa prej tyre edhe u veçuan për t’u preokupuar vetëm me transmetimet dhe pasimin e tij, siç ishin banorët e Sufës.

   Ata kanë përshkruar qëndrimet dhe uljet e tij, mbështetjet dhe gjumin e tij, kanë përmendur mënyrën e qeshjes dhe buzëqeshjes së tij, gusl-in dhe abdesin e tij; si hante, si pinte dhe çfarë ushqimesh i bënin përshtypje; kanë përshkruar edhe trupin e tij te pastër sikur ta shihje, aq sa kanë treguar edhe numrin e qimeve te bardha në kokën dhe mjekrën e tij.

   Prandaj me hedhjen e shikimit në ndonjërën prej librave nga librat e Sirës dhe veçorive të saj, do të gjesh mrekulli brenda këtyre veçorive dhe mprehtësi të lartë në përshkrimin dhe përcjelljen e këtyre informatave.[14]

   Së gjashti: Ajo me natyrën e saj gjithëpërfshirëse nuk iu ka kundërvënë asnjëherë fuqisë njerëzore

   Që do të thotë se nuk u mbështet në gjëra ta pakapshme mbinjerëzore, si dhe detajet e saj nuk u ngritën mbi bazën e mrekullive që tejkalojnë mundësitë reale njerëzore. Përkundrazi, njohja me të, zbatimi i saj dhe ndjekja e mësimeve të saj, me gjithë bukurinë, plotësinë dhe ngërthimin në veten e saj të çdo aspekti jetësor, janë një gjë e lehtë.

   Ajo që Sira ka ngërthyer në veten e saj prej mrekullive, nuk futet brenda kornizës së pasimit dhe zbatimit në praktikë; Prandaj, Isra-ja dhe Mi’raxhi[15] janë mrekulli të cilat nuk mund ti veprojë më askush pas tij (salallahu alejhi ue selem), ndërsa Hixhreti në anën tjetër, përkundër vuajtjeve të mëdha që atë e përthekuan, nuk futet në grupin e mrekullive duke qenë se ndodhet brenda kufijve të mundshëm për realizim.

 

(... vazhdon)

Përktheu nga gjuha arabe, Hekuran Helshani



[1] Shih: “Mesazhi Muhamedan,” nga Sulejman en-Nedewij; fq. 97, ligjërata e tretë.

[2] El-Furkan, njëri prej emrave të Kur’anit Famëlartë

[3] E ka sjellë Buhariu (H. 438), edhe teksti është prej tij; dhe Muslimi (H. 521)

[4] Shih: “Mesazhi i lavdëruar,” nga Sulejman en-Nedewij (fq. 41); Ligjërata e dytë.

[5] (H. 477)

[6] E quajti Ebu el-Hakem sepse kështu ishte kunji i tij i vërtetë para se të quhej me kunjin e ri Ebu Xhehl. “el-Hakem” domethënë njeri i urtë dhe i mençur, e kështu e kishin quajtur sepse kishte qenë pjesëmarrës në këshillin (kongresin) e fisit Kurajsh në të cilin merrnin pjesë vetëm ata që ishin të mençur dhe vizionar. Mirëpo, më vonë u quajt Ebu Xhehl, thuhet nga Uelid ibn Mugirah apo nga vetë Muhamedi (salallahu alejhi ue selem), duke qenë se kuptimi i fjalës “Xhehl” është i paditur, injorant.

[7] Familje prej trungut të Profetit (salallahu alejhi ue selem)

[8] Ata rrjedhimisht mbanin edhe çelësat e Qabes dhe kujdeseshin për të

[9] E ka sjellë Junus ibn Bekir në shtojcat e tij për “Sirat dhe betejat,” nga Ebu Is’hak (fq. 210), dhe Bejhakiu në “Argumentet e Profecisë,” (2/207) dhe ka thënë në librin “Guraba” (fq. 93): “Zingjiri i tij është Hasen”)

[10] Larja e trupit me ujë

[11] Papastërtia e trupit pas marrëdhënieve intime bashkëshortore

[12] E ka sjellë Buhariu (H. 3461)

[13] E ka sjellë Imam Ahmedi në Musned (7/221, H. 4157), Tirmidhiu (H. 2657), Ebu Davudi (H. 3660), Ibn Maxhe (H. 232) dhe Darimiju (1/75)

[14] (Shih: "Mesazhi i lavdëruar," nga Sulejman en-Nedevij (fq. 102), ligjërata e katërt. )

[15] Isra dhe Mi’raxh është quajtur udhëtimi i Pejgamberit (salallahu alejhi ue selem) brenda një nate të vetme, prej Mekës në xhaminë Mesxhidul-Aksa, pastaj prej aty u ngrit nëpër qiej derisa arriti në qiellin e shtatë, me ç’rast Allahu i foli atij dhe e obligoi me pesë kohët e namazit si obligim për umetin Islam. 


Tezkije.com - Nuk lejohet shpërndarja ose/dhe ripublikimi i materialeve pa cekur burimin.
Shko tek kryefaqja