Youtube/Tezkije
Pajisja me implementimin e diturisë
Bekër Ebu Zejd
 09.03.2015

Prej shenjave të diturisë së dobishme

Pyete vetveten se sa ke pjesë nga shenjat e diturisë së dobishme, të cilat janë:

1. Praktikimi i saj.
2. Urrejtja që të lavdërohesh, komplimentohesh apo të
tregosh mendjemadhësi ndaj të tjerëve.
3. Shtimi i modestisë sate me shtimin e diturisë.
4. Ikja nga dashuria e udhëheqjes, famës, dhe dynjasë.
5. Braktisja e pretendimit se ke dituri.
6. Të pasurit mendim të keq ndaj vetes dhe të mirë ndaj njerëzve të tjerë, për t’u ruajtur nga bërja keq atyre.

Abdullah ibnul Mubarek, kur ia përmendnin moralin e të parëve, thoshte në vargje:
“Mos përmend emrin tonë bashkë me të atyre
Se i shëndoshi i cili ec nuk është si i gjymti.”

Lëmoshat e diturisë

Jepe zekatin e diturisë: duke kumtuar të vërtetën haptas, duke qenë urdhërues për të mirë dhe ndalues nga e keqja, duke matur mirë mes dobive dhe dëmit, duke përhapur diturinë, duke dashur të jesh i dobishëm për njerëzit, duke përdorë autoritetin për të mirë, duke ndërhyrë për muslimanët në qëllime të mira dhe të drejta.
Ebu Hurerja, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka transmetuar se Pejgamberi salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Kur njeriu vdes edhe veprat i ndalen përveç tri (prej tyre): sadakaja (lëmosha) e vazhdueshme, dituria prej së cilës përfitohet, fëmija i mirë i cili lutet për të.” Transmetoi
Muslimi (100) dhe të tjerët.
Disa prej njerëzve të dijes kanë thënë: “Këto tri gjëra nuk i bashkohen përveç se dijetarit, i cili shpenzon diturinë e tij - dhe i konsiderohet sadaka (lëmoshë)-, prej së cilës përfitohet, dhe marrësi i saj është fëmija i dijetarit në atë që mëson tek ai gjatë marrjes së diturisë.”
Kështu që, trego kujdes ndaj kësaj etike, pasi që ajo është fryti kryesor i diturisë tënde. Për shkak të vlerës që ka dituria, shtohet me shtimin e shpenzimit (duke ua mësuar të tjerëve), pakësohet nga frika e shpenzimit të saj, ndërsa e metë e saj është fshehja e saj.
Mos u ndal nga obligimi i kumtimit të dijes dhe përcjelljes së saj tek të tjerët me pretekst se kanë ardhur kohë të këqija, se njerëzit e këqij dominojnë dhe se efektet e këshillimit janë të dobëta, sepse nëse bën ashtu, ti vetëm se i ke kënaqur të këqijtë dhe për të do jepnin edhe arin e kuq, ashtu që të arrijnë lehtë të dalin kundër të virtytshmes dhe të ngrehin bajrakun e imorales.


Tezkije.com - Nuk lejohet shpërndarja ose/dhe ripublikimi i materialeve pa cekur burimin.
Shko tek kryefaqja