Youtube/Tezkije
Burimet e Sirës Profetike
Dr. Jahja ibn Ibrahim el-Jahja
 25.03.2015

   Sira Pejgamberike mbështetet në burime të ndryshme të cilat ndahen në origjinale dhe plotësuese.

   Prej burimeve origjinale janë: Kur’ani Fisnik, Hadithi, Librat e Sirës, betejave, evidencave, meritave, veçorive, si dhe libra të tjerë historik.

   Ndërsa prej plotësueseve janë: librat juridik, librat edukativ, shkrimet poetike, librat e prejardhjeve, biografitë e përcjellësve të hadithit, si dhe librat e gjeografisë.

   Burimet origjinale:

   1. Kur’ani Fisnik: Përmban në vete sqarimin e kredos[1] Islame dhe sheriatit, qartësimin e anës shoqërore, ekonomike dhe politike të umetit Islam, ashtu siç janë cekur në të edhe betejat, luftërat dhe pozicionimet e njerëzve, siç ishin për shembull hipokritët, jehudët dhe idhujtarët; Prandaj, librat e tefsirit konsiderohen shpjeguese, komentuese dhe sqaruese të ajeteve Kur’anore.[2]

   2. Librat e hadithit: Ato janë burimet më të rëndësishme të Sirës Profetike, të cilat transmetuan deri te ne shumë prej ngjarjeve dhe luftërave të Profetit përmes zinxhirëve më të saktë, një përshkrim të detajuar të jetës së tij personale dhe jetës së tij me sahabët, duke ia shtuar kësaj sqarimin e shumë prej aspekteve sociale, politike dhe ekonomike.

   3. Librat e evidencave: Trajtojnë mrekullitë dhe evidencat e vërtetësisë së të Dërguarit . Prej të parëve që kanë shkruar në to është el-Farabi (v.[3] 212 h.) në librin e tij “Delail en-nubu’ueh;[4]” pastaj el-Medeinij (v. 225 h.) në librin e tij “Ajatu en-nebijj[5] ...,” etj.

   4. Librat e vlerave: Janë ato të cilat sqarojnë moralin e Profetit dhe cilësitë e tij natyrale dhe morale. I pari që shkroi për këtë temë ishte Ebu Baktari Uehb ibn Uehb el-Esedi (v. 200 h.) në librin e tij “Sifetu en-Nebijj[6] .” Prej librave më të njohur të vlerave është libri “esh-Shemail el-Muhamedijjeh[7]” nga Tirmidhiu.

   5. Librat e Sirës dhe betejave: Muslimanët qysh në fillim i kanë kushtuar rëndësi të veçantë Sirës Pejgamberike. Si rrjedhojë, kjo i ka dhuruar asaj një plotësi në shkrim, besueshmëri, transmetim dhe bartje. Një numër i konsiderueshëm i sahabëve janë shquar për kujdesin e tyre ndaj Sirës, siç janë: Ibn Abasi, Abdullah ibn Amr ibn Asi, Bera’ ibn Azib, Allahu qoftë i Kënaqur me të gjithë ata!

   Disa hadithe rreth Sirës janë shkruar nga duart e tabi’inëve ndërsa sahabët i përkrahën dhe aprovuan ato, prej tyre janë: Eban ibn Uthman (v. 101 -105 h.), Urvetu ibn Zubejr (v. 94 h.) dhe Sha’biju (v. 103 h.)

   Prej atyre që u kujdesën për Sirën ishte edhe Zuhriu (v. 124 h.) i cili e ka marrë atë nga një mori sahabësh të Profetit dhe prej tabi’inëve të mëdhenj.

   Prej librave më të besueshëm të luftërave është libri i Musa ibn Ukbesë (v. 140 h.). Ibn Ma’ini ka thënë: “Libri i Musa ibn Ukbesë prej Zuhriut është prej librave më të saktë (të këtij lloji).” Imam Shafi’iu ka thënë: “Nuk ka libër më të saktë se libri i Musa ibn Ukbesë, përkundër moshës së tij të re dhe mungesës së shumicës së gjërave që janë përmendur në librat e tjerë.”

   Për Sirën shkroi edhe Ebu Mu’temir Sulejman ibn Tarhan Tejmiu (v. 143 h.) i cili ishte prej atyre që bënin shumë adhurime dhe prej njerëzve të besueshëm, dhe këtë e ka transmetuar prej tij i biri i tij Mu’temir-i; Këtë Sirë e ka përmendur edhe Ebu Bekr ibn Hajr Eshbili në “Përmbajtjen” e tij (fq. 231); Prej saj kanë transmetuar edhe Ibn Sejjidinnas, Suhejli, Ibn Kethiri, Ibn Haxheri, etj.

   Prej atyre të cilëve iu ngrit emri dhe u bënë të njohur në Sirën Profetike, derisa u bënë pikë reference për të tjerët, ishte edhe Muhamed ibn Is’hak (v. 151 h.) i cili ishte nxënës i Zuhriut; Ai ishte prijës në këtë fushë. Sirën e tij e ka përmbledhur ibn Hishami (v. 218 h.), dhe ajo arriti deri në duart tona sot, me ç’rast anuloi çdo gjë që s’kishte të bënte me Sirën, anuloi historitë e të dërguarve, një pjesë të poezisë që nuk plotësonte kushtet e vërtetësisë, gjëra që i përmendi në parathënien e tij. Pas tij e shpjegoi atë Suhejli (v. 518 h.) në librin e tij të ashtuquajtur “Rawd el-Unuf.”

   Prej shkruesve të Sirës ishte edhe Vakidiu (v. 208 h.) i cili gjithashtu ishte prej prijësve në këtë fushë. Ai u kujdes për ngjarjet dhe luftërat dhe për to i pyeti bijtë e Ensarëve[8]. U përpoq të ndalej me secilën prej këtyre ndodhive, mirëpo me gjithë diturinë e gjerë që kishte, famën e tij, njohuritë dhe specializimin e tij në Sirë, ai prapë mbeti në grupin e atyre që nuk merreshin parasysh në lëmin e përcjelljes së haditheve.

   Prej librave të Sirës janë: “Ujunul-etheri fi fununil-megazi ues-sijeri,”[9] e Ibn Sejjidinnas-it (v. 734 h.); “Siratu en-Nebewije,” e Dhehebiut (v. 748 h.), “el-bidajetu uen-nihajetu[10],” e Ibn Kethirit; etj.

   Gjithashtu ekzistojnë libra të Sirës të cilat mund të quhen “Enciklopedi të Sirës;” Prej librave më të vjetër që njoh në këtë fushë është “Subul el-huda uer-Rashadë fi sirati hajril-ibadë,”[11] nga Muhamed ibn Jusuf Dimeshki Shami (v. 942 h) të cilën e ka përmbledhur nga 300 libra të ndryshëm.

   Nga librat bashkëkohorë kemi librin: “Përmbledhësi i Sirës Profetike,” e shkruar nga Semire Zajdi. Autorja ka përmbledhur materiale nga librat e Sirës, librat e Sunetit dhe librat e biografive, dhe për këto ka vendosur një metodologji e cila është: mbështetja në versionin e Ibn Hishamit duke nxjerrë të gjitha transmetimet sipas tij, përveç kur nuk ka gjetur transmetim për temën e caktuar; Ajo nuk është marrë me shkallën e vërtetësisë së argumenteve apo metodat e transmetimit.

   6. Librat rreth fik’hut[12] të Sirës: Prej librave më përmbledhës dhe më të mirë është libri: “Zad el-Me’ad – fi hedji khajril-ibadë,” nga Ibn Kajjim El-Xheuzije[13] (v. 751 h.)

   7. Shkrimet që janë marrë me detajet e Sirës

   Ashtu siç janë kujdesur dijetarët që të shkruajnë për Sirën në mënyrë përmbledhëse, disa prej tyre janë kujdesur që të shkruajnë për detajet e Sirës, si për shembull: “Trashëgimia e Profetit dhe rrugët me të cilat u përball,” nga Hamad Ibn Is’hak Ibn Isma’il (v. 267 h.), me redaktor Dr. Ekrem Dija’u El-Umerij, botimi i parë (viti 1404 h.); “Fanari ndriçues mbi shkrimet e Pejgamberit analfabet dhe të dërguarit e tij te mbretërit e Tokës, arabë dhe të huaj,” nga Muhamed Ibn Ali Ibn Ahmed Ibn Hadide El-Ensari (v. 783 h.), botimi i parë (viti 1396 h.); Libri “Mburrja e pareshtur me shërbëtorët dhe zotërinjtë që iu atribuuan Profetit ,” nga Muhamed Ibn Abdurrahman Es-Sekhavi (v. 902 h.) me redaktor Mesh’hur Hasen, botimi i parë (viti 1407 h.).

   8. Poemat rreth Sirës

   Disa dijetarë kanë thurur poema rreth ndodhive dhe ngjarjeve të Sirës, ashtu që t’u lehtësohet nxënësve të dijes nxënia përmendësh e Sirës.

   Prej atyre që u kujdesën për poemën ishte Hafizi Abdurrahim El-Iraki (v. 806 h.), libri i të cilit është shtypur bashkë me komentimin e tij “Uxhalatu senije ala elfijeti sirati nebevije,”[14] nga Abdurrauf Menavi (v. 1031 h.)

   Autori (Allahu e mëshiroftë) e ka bërë të qartë se librat e Sirës Profetike kanë përfshirë gjëra që janë transmetuar deri te ne përmes zinxhirëve të pranueshëm dhe sosh që nuk janë të pranueshëm, prandaj në këtë poemë ka ndjekur rrugën e tyre duke mos marr parasysh vërtetësinë e zinxhirit; porse duke na njoftuar me rastin e përmendjes së transmetimeve të sakta.

   Organizimin e Sirës e ka bërë sipas radhitjes historike, përveç se pas përmendjes së hixhretit dhe arritjes së Profetit tek tenda e Umu Ma’bed filloi të fliste për karakteristikat dhe veçoritë e Profetit, pastaj është kthyer te përmendja e betejave të tij dhe ka përmbyllur Sirën me përmendjen e të afërmve, bashkëshorteve, shoqëruesve, rojtarëve dhe shërbëtorëve të tij.

   Në poemën e tij prej njëmijë vargjesh është mbështetur në librat e Sunetit dhe Sirës.

   Libri shquhet me shprehje të qarta dhe të lehta si dhe me përfshirjen e ngjarjeve të Sirës në mënyrë përmbledhëse, herë pas here duke bërë me shenjë disa transmetime të sakta.

   Prej tyre është edhe hafëzi dhe lexuesi Muhamed ibn Muhamed ibn Muhamed, i njohur me nofkën Ibn Xhezerij (v. 833 h.) i cili emërtoi poemën e tij: “Dhate Shifa’ fi sirah en-nebiji thuma al-hulefa,”[15] e cila është e botuar bashkë me komentimin “Raf’u hafa sherh dhate shifa’,”[16] nga Muhamed ibn Haxh Hasen el-Kurdij (v. 1189 h.)

   Prej tyre është edhe dijetari dhe letrari Abdulaziz ibn Abdulaziz el-Miknasi el-Mejmuni (v. 880 h.), i cili e quajti poemën e tij: “Kur’ratu el-ebsari fi sirah eshefi’ elmuhtar,”[17] e cila është e botuar dhe janë shkruar rreth saj edhe komentime.

   Prej tyre është edhe dijetari gjenial el-Bedevij esh-Shinkiti i cili shkroi poemën mbi betejat e tij . Dhe shumë të tjerë.

   Burimet plotësuese

   Sa u përket burimeve plotësuese, ato sipas rëndësisë radhiten pas burimeve të lartcekura. Prej burimeve plotësuese janë:

   1. Librat e fik’hut: Ato janë burimi i nxjerrjes së normave dhe gjykimeve prej Kur’anit dhe sunetit. Për këtë arsye gjen transmetime dhe ndodhi të Sirës në shumë prej kapitujve të këtyre librave, e veçanërisht në librat e dijetarëve të hershëm.

   2. Librat e biografive të transmetuesve: Biografitë e sahabëve në veçanti, siç është libri “El-Isti’abë”[18] i Ibn Abdulberr, “Usud el-gabeh”[19] i Ibn Ethirit, “El-Isabeh”[20] i Ibn Haxherit; Vërtetë këta libra dhe të ngjashëm janë shumë të pasur me transmetime rreth Sirës dhe ndodhi prej saj, përmendje të qëndrimeve të sahabëve gjatë betejave, organizimit të brigadave dhe misioneve.

   3. Librat e letërsisë: Për shkak të asaj që përmbajnë nga përshkrimi i jetës shoqërore dhe intelektuale, si dhe poemave që u thurën rreth ndodhive dhe qëndrimeve të Sirës.

   4. Librat e vendbanimeve: Përshkrimi i qyteteve dhe rrugëve, përmendja e tyre sipas sipërfaqes dhe largësive, e nganjëherë edhe përmendja e ngjarjeve që kanë ndodhur nëpër këto vende, ... etj.

   (... vazhdon) 

   Përktheu nga gjuha arabe, Hekuran Helshani

 



[1] Besimit të pastër Islam, pa devijime dhe shtrembërime të çështjeve bazë të besimit.

[2] Ktheju përmbajtjes së librit “Es-siratu en-Nebevije – Suverun muktebise minel-Kur’ani el-Kerim,” të autorit Muhamed Izet Druza.

[3] Viti i vdekjes

[4] Dëshmitë e Profecisë

[5] Shenjat e Profetit (salallahu alejhi ue selem)

[6] Cilësitë e Profetit (salallahu alejhi ue selem)

[7] Vlerat Muhamedane

[8] Ndihmësit e Profetit (salallahu alejhi ue selem) të cilët e pritën atë në Medine dhe e ndihmuan deri në fund

[9]Burimet e transmetimeve në shkencat e studimit të luftërave dhe biografive.”

[10] “Fillimi dhe mbarimi”

[11] “Rrugët e udhëzimit dhe përqendrimit nga biografia e robit më të mirë.”

[12] Normave dhe gjykimeve që dalin nga Sira

[13] Ky libër është i përkthyer edhe në gjuhën shqipe nga hoxha i nderuar Ismajl Bardhoshi, në pesë vëllime, me titull: “Përgatitja për Ahiretin”

[14] “Qasje madhështore rreth njëmijë vargjeve mbi Sirën Profetike.”

[15]Përkufizimi i Sirës së Profetit e pastaj të halifeve.”

[16] “Largimi i paqartësive – Koment i “Dhate shifa”.”

[17] “Prehja e syve mbi Sirën e ndërmjetësuesit të zgjedhur.”

[18] “Kuptimi”

[19] “Luanët e pyllit”

[20] “E qëlluara”


Tezkije.com - Nuk lejohet shpërndarja ose/dhe ripublikimi i materialeve pa cekur burimin.
Shko tek kryefaqja