Youtube/Tezkije
Sadakaja është virtyt i madh
Abdul Melik El Kasim
 21.09.2013

Allahu i përshkruan robërit e Vet të devotshëm me fjalët e Tij: ''Dhe në pasurinë e tyre kishin përcaktuar të drejtë për lypësin dhe për të ngratin (që ka nevojë por nuk lyp)''. Dharijat, 19

 Gjithashtu Allahu ka premtuar dhe Ai është bamirësi më i Madh i Cili nuk e thyen  premtimin, se do t'ua kompensoj atyre që harxhojnë: ''...e çka do që të jepni, Ai e kompenson atë.''  Sebe,39

 Ai ua kompenson atyre që shpenzojnë për hir të Tij shumëfish për atë që harxhuan, edhe në këtë jetë edhe në ahiret: ''Kush është ai që i huazon All-llahut një hua të mirë, e Ai t'ia shtojë atij shumëfish atë?'' Bekare 245                                                                                    

Për më tepër, Allahu tregon në Kuran edukatën me rastin e dhënies së sadakas dhe premton se kush i përmbahet kësaj edukate do të shpërblehet me paqe dhe lumturi në këtë botë dhe në botën tjetër: ''Ata që për hir të All-llahut e japin pasurinë e tyre, e pastaj atë që e dhanë nuk e përcjellin me të përmendur e me mburrje, ata e kanë shpërblimin e vet te Zoti i tyre, për ata nuk ka frikë, ata as që do të brengosen.' Bekare, 262              

Ka shumë ajete në Kur'an që inkurajojnë harxhimin në rrugë të Allahut. Ato i hapin besimtarit derën e mirësisë dhe drejtësisë. Harxhimi i parave në kauza të mira konsiderohet një lloj xhihadi në Islam. Për më tepër xhihadi për të shpenzuar para përmendet para xhihadit me trup, në të gjitha ajetet që përmendet xhihadi në Kur'an, përveç këtij ajeti:  ''All-llahu bleu prej besimtarëve shpirtrat dhe pasurinë e tyre me xhennet. Luftojnë në rrugën e All-llahut, mbysin dhe mbyten. (All-llahu dha) Premtim të cilin e vërtetoi në Tevrat, Inxhill e Kur'an.'' Tevbe,111

Sadakaja është një nga veprat më të mira të adhurimit dhe është vepër më e mirë se xhihadi, sidomos nëse jepet në kohë të skamjes për të nevojshmit, kujdestarët e familjeve dhe farefisin. Po ashtu sadakaja është vepër më e mirë se haxhi (vullnetar), sepse dobia e sadakas arrin te të tjerët, përderisa dobia e haxhit arrin vetëm ata që e kryejnë atë.[1]

 Sadakaja lehtëson katastrofat, e ruan njeriun nga poshtërsia e lypjes, ushqen të uriturin dhe sjell kënaqësi te të rinjtë, lumturi në zemrat e adoleshentëve dhe qetësi brenda shoqërisë muslimane. Sadakaj paraqet mënyrat dhe mjetet me të mira me anë të të cilave muslimanët e ndihmojnë njëri-tjetrin dhe shfaqin mirësi dhe mëshirë. Sadakaja përmendet shpesh në hadithet e të Dërguarit (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!) në kontekstin e sjelljes së kënaqësisë për zemrën dhe rehatisë për shpirtin. Kjo synon t'i inkurajoj muslimanët që të japin sadaka për ta fituar xhenetin që është i gjerë sa qiejt dhe toka.

 I Dërguari (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!) ka thënë: ''Rujuni nga zjarri i xhehenemit qoftë edhe me një pjesë (gjysmë) hurme. (që e jepni sadaka).''[2](Buhariu dhe Muslimi)

Ai gjithashtu ka thënë: ''Agjërimi është mburojë dhe sadakaja e fik mëkatin, sikurse uji që e fik zjarrin.''

Për më shumë Buhariu dhe Muslimi transmetojnë nga Ebu Hurejra r.a. se i Dërguari (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!) ka thënë: ''Allahu do t'i vendos shtatë persona nën hijen e tij në kohën kur nuk do të ketë hije tjetër përveç hijes së Tij.''

Në mesin e shtatë personave që ai i përmend është: "...një burrë që ka dhënë sadaka fshehët, sa që dora e tij e majtë nuk e ka ditur se çfarë ka dhënë dora e tij e djathtë (sadakaja e tij mbetet sekret)."

I Dërguari i Allahut shërben si shembull i bamirësisë dhe mirësisë. Kjo nxjerr në pah arsyen pse zemrat iu nënshtruan atij me dëshirë dhe bindje, të gatshme për ta pranuar mesazhin.

 Enesi r.a. ka thënë: ''Çdo gjë që i kërkohej të Dërguarit (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!) në kompensim për ta pranuar Islamin ai e jepte. Njëherë erdhi një njeri te i Dërguari (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!), të cilit i dha një kope me dele që mbushte vendin në mes dy maleve. Ai njeri u kthye te populli i tij dhe u tha: ''O populli im! Përqafoni Islamin, sepse Muhammedi jep sikur një njeri që nuk i frikësohet varfërisë.''   (Muslimi)

Për rrjedhim ne i përcjellim lajme paralajmëruese si bujarit ashtu edhe koprracit. Ato janë thënie të të Dërguarit (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!),  fjalë të tij, që janë vet e vërteta dhe frymëzimi prej Allahut:  ''Asnjë sadaka nuk e zvogëlon pasurinë, Allahu e mëshiron robin që i fal të tjerët dhe ai që është modest (i thjesht) për hir të Allahut, atëherë Allahu i Lartëmadhëruar  do t'ia ngritë gradat.'' (Muslimi)

 Ai (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!) gjithashtu ka thënë: ''Allahu i Lartësuar ka thënë: 'Harxho o biri i Ademit, dhe Allahu do të harxhoj për juve.'' (Buhariu dhe Muslimi).

Shokët e të Dërguarit (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!) shtyheshin me njëri-tjetrin në fushën e veprave të mira dhe veprave të sadakas. Për shembull Omeri r.a. ka thënë: ''I Dërguari a.s. na urdhëroi që të japim sadaka në një kohë kur kisha pak para. Thash me vete: 'Këtë ditë do t'ia kaloj Ebu Bekrit.' Unë i solla gjysmën e parave dhe i Dërguari a.s. më pyeti: 'Çfarë i ke lënë familjes?' Unë i thash: 'Një sasi të ngjashme.' Kurse Ebu Bekri e solli krejt atë që e kishte dhe i Dërguari a.s. e pyeti: 'Çfarë i ke lënë familjes?' Ai tha: 'Allahun dhe të Dërguarin e Tij.' Kështu unë fola me vete: 'Kurrë nuk do të garoj me juve përsëri.'  (Ebu Davudi dhe Tirmidhiu).

 Ibën Kajimi ka thënë:  ''Shpallja, mendja, natyra e gjërave (në të cilën i ka krijuar Allahu) dhe eksperienca e të gjitha kombeve, pa marrë parasysh racat dhe fetë e tyre të ndryshme, dëshmojnë se afrimi te Allahu-Zoti i të gjitha botëve, kërkimi i kënaqësisë së Tij, janë në mesin e mënyrave dhe mjeteve më të mira për të fituar të gjitha llojet e begative. E kundërta e këtyre cilësive është nga rrugët dhe mënyrat më të mëdha për të prodhuar të keqen e të gjitha llojeve. Sigurisht se asgjë nuk i sjell begatit e Allahut dhe asgjë nuk na mbron nga zemërimi i Tij, përveç bindja ndaj Allahut, kërkimi i mënyrave të afrimit tek Ai dhe mirësia ndaj krijesave të Tij.''

 Gjithashtu Ibn Kajimi ka thënë: ''Ata që janë të mirë me robërit e Allahut, Allahu do të jetë i mirë me ta. Ata që janë të mëshirshëm ndaj tyre, Allahu do të jetë i mëshirshëm me ta. Ata që janë bujar ndaj tyre, Allahu do të jetë Bujar me ta. Ata që u bëjnë dobi atyre, Allahu do t'u bëj dobi po ashtu. Ata që ua mbulojnë gabimet muslimanëve, Allahu do t'ua mbulon gabimet e tyre. Ata që nuk u sjellin përfitim krijesave të Tij, Allahu do t'i privojë nga të gjitha mirësitë e Tij. Për rrjedhim, Allahu do t'i trajtoj robërit e vet në këtë botë dhe në botën tjetër, sipas mënyrave që ata i trajtojnë krijesat e Tij.''

 Të parët tanë të ndershëm, sahabet dhe gjenerata e dytë dhe e tretë në Islam, janë shembulli më i mirë për mënyrën se si u jepnin përparësi të tjerëve ndaj vetvetes, edhe nëse kishin nevojë për atë që e jepnin. Omeri r.a. ka thënë: ''Njëherë dikush i dha për dhuratë një shoku të të Dërguarit (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!) kokën e deles. Ai tha: ''Vëllai im ka më tepër nevojë se sa unë." Ai ia dërgoi kokën e deles njërit nga vëllezërit musliman, i cili ia dërgoi dikujt tjetër. Kjo ndodhi shtatë herë derisa koka e deles iu kthye burrit të parë."[3]

Dhe kur Omerit i pëlqente diçka që e kishte, ai e jepte atë sadaka për hir të Zotit të Lartësuar[4], duke zbatuar fjalën e Tij: ''Kurrë nuk do ta arrini sinqeritetin e plotë me besim (as kënaqësinë e lumtur në xhennet) derisa të mos e jepni më të dhembshmen (më të dashurën) e pasurisë suaj. Çka do që jepni (për Zotin), All-llahu atë e di.'' Ali Imran ,92.

Këto ishin cilësitë dhe karakteristikat e mira të tyre, përndryshe ka shumë prej njerëzve sot që falin rroba ose këpuca, të cilat i kanë veshur
dhe vjetërsuar, duke i heq qafe këto gjëra dhe duke ua dhënë të varfërve.

Jahja bin Muadh ka thënë: ''Nuk njoh farë që peshon sa malet e kësaj toke, përveç farës se dhënë në sadaka.''[5]

Ebu El-Leith Es-Samarkandi gjithashtu ka thënë: ''Jep sadaka, pa marrë parasysh se a është e vogël a e madhe, sepse sadakaja ka dhjetë cilësi të mira, pesë në këtë jetë dhe pesë në Ahiret. Sa i përket pesë cilësive që i ka në këtë jetë ato janë: së pari sadakaja i pastron parat.  
I Dërguari
(Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!) ka thënë: ''Vërtet njeriu gjatë shitjes fol fjalë të kota, betohet dhe gënjen. Kjo pastrohet me sadaka.''
Së dyti, sadakaja e pastron trupin nga mëkatet, ashtu siç thotë Allahu:  ''Merr prej pasurisë së tyre (të atyre që pranuan gabimin) lëmoshë që t'i pastrosh me të dhe t'u shtosh (të mirat)''
Tevbe,103

 Së treti, sadakaja i lufton katastrofat dhe sëmundjet. I Dërguari (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!) ka thënë ''Shëroni të sëmurit me sadaka.''               

Së katërti, sadakaja sjell lumturi te të varfëritë. Ndërsa t'i bësh besimtarët të lumtur është prej veprave të mira.

 Së pesti, sadakaja e bekon pasurinë dhe sjell rritje në furnizim, ashtu siç thotë Allahu:

   ''... e çka do që të jepni, Ai e kompenson." Sebe,39

 Sa u përket pesë gjërave në Ahiret ato janë:

Së pari sadakaja e fut njeriun nën hije në Ditën e Gjykimit dhe e ruan njeriun nga nxehtësia e madhe e diellit.

Së dyti, e bën llogarinë e njeriut më të lehtë.

Së treti, e bën peshoren e veprave të mira të njeriut më të rëndë.

Së katërti sadakaja ndihmon për ta kaluar Siratin.

Së pesti, sadakaja e ngrit shkallën e njeriut në xhenet.

Bile edhe nëse sadakaja sjell vetëm dobinë e lutjes së të varfrit, i cili e lut Allahun për dhënësin, do të ishte e mjaftueshme për t'i inkurajuar njerëzit e mençur që të ndihen të gatshëm për ta dhënë atë. Sa më mirë është kur njoftohemi se sadakaja bart me vete kënaqësinë e Allahut dhe siguron dështimin e shejtanit.

Gjithashtu, kur njeriu jep sadaka ai pason sjelljen e besimtarëve, të cilët përpiqen shumë që të japin sadaka shpesh.[6]

 Ibn Kajimi thotë: ''Sadakaja të ruan nga dënimi i Allahut. Edhe kur gabimet dhe mëkatet e robit e drejtojnë atë në shkatërrim. Sadakaja ndërhyn,  e shpëton dhe e liron atë nga dënimi. I Dërguari (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!) ka thënë në një hadith autentik, kur u mbajti një ligjëratë grave në ditën e Bajramit: ''O ju gra! Jepni sadaka, bile edhe nga xhevahiret tuaja, sepse kam parë se ju e përbëni numrin më të madh të banorëve të zjarrit.''
Në këtë mënyrë i Dërguari (
Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!) i inkurajoi ato që ta ruanin vetën nga zjarri përmes sadakasë.

 Sadakaja ka efekte jashtëzakonisht të mëdha në shpirt, e bekon pasurinë dhe familjen e njeriut, e pengon dëmin dhe sjell bollëk në furnizim. Kur besimtari jep sadaka ai ndien paqe në zemër dhe kënaqësi në trup.

 Xhafer bin Muhammed  njëherë e këshilloi Sufjan Eth-Theuri: ''Veprat e bamirësisë përsosen me tri cilësi: të japësh atë sa më shpejt, të shikosh si të vogël (në shikimin tënd, pa marrë parasysh sa e madhe është), dhe të japësh fshehurazi.''[7]

Kemi shembuj të shkëlqyeshëm se si të parët tanë jepnin sadaka. Për shembull Omeri harxhonte 30,000 për njëherë, mirëpo në muajin tjetër nuk gjente asnjë copë mishi për të ngrënë.[8]

Natyrisht, të parët tanë garonin në kryerjen e veprave të mira dhe nuk i vononin ato me shpresa të gjata. Ata mbillnin farat e mirësisë në këtë jetë, për të korrur mirësi në botën tjetër. Ata e shfrytëzonin këtë jetë bashkë me pasurinë e tyre si anije për të udhëtuar tek Allahu, duke shpenzuar në rrugën e Tij, për ta arritur kënaqësinë e Tij. Për këtë arsye kjo jetë ishte e parëndësishme për ta dhe qëndronte në duart e tyre dhe jo në zemra.

 Shejh El-Islam Ibën Tejmije ka thënë:  ''Njeriu duhet t'i trajtoj parat me kujdes ashtu që t'i bekohen ato, dhe jo t'i merr ato me lakmi dhe të frikësohet se po i humbin. Përkundrazi parat duhet të jenë si dhoma e gjumit, ai shkon te ajo kur ka nevojë, ajo kurrë nuk zë vend në zemër. Njeriu duhet ta menaxhoj (ta mbledh) pasurinë e tij ashtu si e mirëmban banjën e tij (t'i shmanget ekstravagancës.)'' '[9]

 Jahja bin Muadh ka thënë: ''Mahnitem me tri gjëra: një njeri që mburret te një krijesë tjetër me veprat e adhurimit, mirëpo nuk i kryen ato vetëm për hir të Allahut; një njeri që nuk ia jep Allahut huan që po ia kërkon dhe vepron me koprraci; një njeri që dëshiron të jetë shok me krijesat, derisa Allahu e lut t'i bëhet shok dhe i njohuri i Tij.''

Urvah r.a. ka thënë: ''E kam parë Aishen duke i dhënë sadaka shtatëdhjetëmijë, mirëpo ajo e arnonte rrobën e saj.''[10] Ajo dhuronte para dhe nuk ndalte asgjë për vete, edhe pse kishte nevojë t'i arnonte rrobat e saj për t'i veshur ato. Kjo sjellje e mirë është tipike për nënën e besimtarëve, të bijën e Ebu Bekrit dhe gruan e të Dërguarit a.s., e cila ishte rritur në shtëpinë e tij nga duart e tij. Ajo është gruaja, të cilës i Dërguari ia mësoi këtë edukatë të çmueshme. Kur e pyeti se çfarë kishte mbetur nga delja e prerë, ajo iu përgjigj se krejt kishte shkuar përveç një krahut. I Dërguari (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!) i tha: ''Më mirë të themi se krejt ka mbetur përveç krahut të saj.'' (Et-Tirmidhiu)

Për rrjedhim, parat që i fitojmë dhe i mbledhim do t'i nxjerrin frytet kur t'i harxhojmë në sadaka, në rrugë të Allahut. Hasani njëherë i përshkroi parat duke thënë: ''Shoqëruesit më të këqij janë dinari dhe dërhemi; ato të bëjnë dobi vetëm kur të largohen prej teje.''[11]

 Ibën Kajimi ka thënë: ''Sadakaja ka dobi mahnitëse sa i përket largimit të dëmit, bile edhe nëse një mëkatar, keqbërës ose jobesimtar e jap atë, sepse Allahu ia pengon shumë lloje të dëmeve nëse jep sadaka. Ky fakt është shumë i njohur te njerëzit dhe njerëzit në tokë pajtohen me të sepse ata e kanë përjetuar.''

 Ebu Dher el-Gifari r.a. ka thënë njëherë: ''Namazi është shtylla e Islamit, xhihadi është shtylla e veprave të mira dhe sadakaja është gjë mahnitëse, sadakaja është gjë mahnitëse.''[12]

Në këtë mënyrë kur sadakaja jepet në rrugë të drejtë, ajo sjellë dobi në këtë jetë dhe në ahiret. Dobitë mahnitëse në këtë jetë përmenden në hadithin e transmetuar nga Muslimi. I Dërguari (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!) ka thënë: ''Derisa një njeri po ecte në një vend të hapur, ai dëgjoi një zë te një re duke thënë: "Dërgo shi në kopshtin e filanit." Reja shkoi te një vend me gur të zi dhe ra shi mbi të. Toka e mbajti tërë ujin në kanalet e ujit që ishin në të. Ai e përcolli ujin dhe e gjeti një njeri që po qëndronte në kopshtin e vet duke i ndryshuar kanalet e ujit me veglën e tij. Ai i tha atij: ''O rob i Allahut! Si quheni?" Ai i tha: "Jam filani," dhe e përmendi emrin që më parë e kishte dëgjuar nga lart. Njeriu e pyeti: "O rob i Allahut pse po më pyet për emrin?" Njeriu i parë i tha: ''Unë dëgjova një zë nga retë që e sollën këtë ujë duke thënë: 'Dërgo shi në kopshtin e filanit,' dhe emri që u përmend ishte emri juaj. Çfarë bëni me kopshtin tuaj?'' Ai tha: ''Pasi që ju më informuat për këtë unë do t'ju njoftoj se çfarë bëj me kopshtin. Unë e ndaj prodhimin që e jep ky kopsht dhe e dhuroj sadaka një të tretën, e ha me familjen time një pjesë dhe e investoj përsëri në kopsht pjesën tjetër.''

 Kush nuk shpenzon në sadaka, demonstron mbështetjen e tij të dobët në Allahun, sepse ai frikësohet se Allahu nuk do t'ia zëvendësoj atë që e ka harxhuar ose në këtë jetë ose në botën tjetër.

Ebu Sulejman Ed-Darani ka thënë: ''Ai i cili i mbështetet Allahut sa i përket rriskut, Allahu do t'ia përmirësoj sjelljen e tij, do t'i jep durim, zemra e tij do të jetë më bujare sa i përket shpenzimeve të tij dhe mendimet brengosëse që i vinë gjatë namazit do t'i zvogëlohen.''[13]

 Ky lloj i njerëzve i shfrytëzon parat për gjërat e domosdoshme të tyre, mu sikur mjetin e transportit që ai i hip, qilimin në të cilën ulet ose banjën në të cilën e kryen nevojën. Parat nuk e robërojnë këtë lloj, sepse nëse do ta robëronin, ai do të bëhej shumë i padurueshëm, i pakënaqur kur i ndodh e keqja dhe koprrac kur e godet e mira.''[14]

 Si rezultat muslimani i mençur duhet ta vendos këtë jetë në dorë dhe jo në zemër, pa marrë parasysh se sa e madhe është pasuria e tij. Nëse e vendos këtë jetë në dorë, do të jetë më lehtë për të që të jep sadaka. Njëherë El-Ahnaf bin Kajs e pa një dërhem në dorën e një njeriu dhe e pyeti: "Për kë është ky dërhem?" Ai tha: "Për mua.'' El Ahnaf i tha: ''Nuk është e juaja përderisa mos ta jepni në një rrugë që ju sjell shpërblim dhe vlera.''

Dine se nëse njeriu nuk ka para, ai duhet të duroj dhe të qëndrojë larg nga koprracia. Nëse njeriu ka para ai duhet të japë sadaka, të jetë bujar, t'ju bëjë mirë njerëzve dhe të rri larg nga koprracia. Bujaria ishte sjellja e të Dërguarit, dhe është rruga për të fituar siguri dhe shpëtim.[15]

 Abdullah bin Mesud r.a. ka thënë: ''Nëse do të kërkoj një vend të sigurt për t'i mbajtur parat ku nuk do të hahen nga insektet ose nuk do të vidhen nga hajnat atëherë i japi sadaka.''[16]

 Allahu thotë: ''Kush është ai që i huazon All-llahut një hua të mirë, e Ai t'ia shtojë atij shumëfish atë? All-llahu shtrëngon (varfëron) dhe çliron (begaton) dhe kthimi juaj është vetëm tek Ai.''                                                                            Bekare, 245

 Allahu e quan sadaka të mirë për t'i inkurajuar zemrat që të shpenzojnë, meqë kur dikush e dinë se kapitali i tij do të zëvendësohet, do të jetë më lehtë për të që ta detyroj vetën të jep sadaka. Dhe kur e dinë se ai që po e kërkon huan është më i Besueshmi dhe më i Vërteti, ai do të inkurajohet që të jep huan me zemër të çiltër. Nëse e dinë se ai që po i kërkon hua do ta investon atë për të dhe do ta bekoj atë shumëfish, ai do të jetë edhe më shumë nxitur për ta dhënë huan. Nëse e dinë se Ai që i kërkon hua, do t'i dhurojë më shumë të mira dhe begati se sa vet vlera e huas, do ta paguajë me një pagesë jo të ngjashme në lloj me kapitalin, dhe do të bartë shpërblim më të madh dhe kompensim më të gjerë, ai nuk do të hezitoj që ta jep huan. Megjithatë, nëse ai është koprrac ose ka besim të dobët se do t'i kthehet huaja, ai nuk do ta jap atë, dhe me këtë do të tregoj besimin e dobët që ka. Kështu sadakaja është dëshmi për besimin e atij që e jep. Kudo që është përmendur në Kur'an kjo hua, ajo është përshkruar si e mirë dhe në këtë mënyrë ka nxjerrë në pah tri cilësi:

   Së pari, kjo hua duhet të harxhohet në sadaka për Allahun nga pasuria hallall e njeriut, e jo nga pasuria e fituar në mënyrë të pandershme.

   Së dyti, njeriu duhet të jep sadaka me zemër të çiltër dhe pa ngurrim, duke kërkuar vetëm kënaqësinë e Allahut.

   Së treti, njeriu nuk duhet t'ua  kujtoj njerëzve sadakan që ua ka dhënë ose t'i lëndoj ata në ndonjë mënyrë.

   Cilësia e parë është për vet parat, cilësia e dyte është në mes dhënësit të sadakas dhe Allahut dhe cilësia e tretë është në mes dhënësit dhe marrësit.[17]

   Koprracia është një karakteristikë dhe një anije që i Dërguari (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!) dhe besimtarët e kanë braktisur. Madje edhe kryetarët pagan të fiseve arabe para Islamit e dinin se koprracia është sjellje e ligë. Për më tepër, Umm el-Benin, bija e Abdyl-Aziz bin Mervan ka thënë:

   ''Mjerë për koprracinë! Nëse do të ishte këmishë, kurrë nuk do ta veshja, dhe nëse do të ishte rrugë kurrë nuk do të kaloja nëpër të.''

 

Kur është pyetur El-Hasani për koprracinë ka thënë: ''Koprrac është ai që mendon se atë që e harxhon në sadaka është humbje e kot e parave dhe atë që e mban është nder.''[18]

Kur është pyet Aliu r.a. për bujarinë ai është përgjigjur: ''Kur njeriu e jap sadakan pa i kërkuar dikush, sepse kur njeriu jep pasi t'i kërkoj dikush, ai jep sadaka nga turpi dhe mirësia.''[19]

  Sa'id  bin el-Aas i ka thënë djalit të vet: ''Biri im Allahu e ultë vlerën e sadakas (parave) nëse nuk është dhënë para se të kërkohet! Sepse kur njeriu vjen për t'ju kërkuar para, atë e kaplon turpi dhe fytyra iu skuqet nga gjendja në të cilën gjendet. Atëherë i dhatë ju ose e refuzuat, edhe sikur t'ua jepnit krejt parat nuk do t'i keni bërë mjaft të mira.''[20]

 I Dërguari i Allahut (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!) ka thënë: "Nëse njeriu i arrin tri cilësi ai do ta shijoj ëmbëlsinë e imanit. 1. Kush e adhuron Allahun si hyjninë e vetme të  vërtet. 2. Kush jep zekatin çdo vit mirëpo, nuk e jap të vjetrën, të gjymtën ose të sëmurën, por e jap më të mirën e pasurisë së tij. Vërtet Allahu nuk kërkoi pasurinë tënde më të mirë, e as nuk ju lejoi që të jepni nga më e keqja. 3. Një njeri që e pastron vetën.''

 Një burrë pyeti për kuptimin e shprehjes pastron vetën, dhe i Dërguari (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!) iu përgjigj: ''Ta dijë se Allahu i Lartësuar është me të (me diturinë e Tij) kudo që gjendet.'(Et-Tabarani dhe Shejh Albani e ka bërë autentik)

 I Dërguari i Allahut (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!) pastrimin e vetës e bëri prej cilësive që ia mundëson besimtarit ta shijoj imanin.

  Edhe pse Allahu na ka dhënë nga dhuntitë dhe të mirat e Tij, shumë prej nesh brengosen kryesisht për ushqim, pije, rroba dhe banim. I mbledhin pasuritë e botës për t'u mburrur në mesin e njerëzve. Lakmia dhe koprracia nuk i ka kapluar zemrat, në kontrast me selefin, të cilët përpiqeshin shumë që të bënin vepra të mira dhe të dhuronin sadaka atë që e donin, për hir të Allahut. Xhabir bin Abdullahu ka thënë:
   ''Njëherë Umeri më pa pak mish në dorën time dhe më pyeti: "Çfarë është kjo, o Xhabir?" Unë i thash: "Kisha shije për mish kështu që e bleva pak." Ai tha: "'O Xhabir, a gjithherë kur ke shije për diçka e blen atë? A nuk frikësohesh nga domethënia e këtij ajeti."

   ''...ju i shfrytëzuat të mirat në jetën e Dynjasë dhe i përjetuat ato...''  Ahkaf, 20

Të varfëritë dhe të nevojshmit e presin një trokitje në derë nga dikush që mund t'u sjell para ose ushqim. Ata vuajnë nga varfëria dhe nuk mund t'i sigurojnë gjërat elementare, mirëpo edhe ne jemi shume nevojtar për të arritur shpërblimin e sadakas dhe veprave të mira në një ditë kur sytë do të shtangen nga tmerri. I varfëri ka nevojë për gjëra të kësaj jete, mirëpo ne kemi nevojë për gjëra të kësaj jete dhe të ahiretit po ashtu.

 Esh-Sha'bi ka thënë: ''Kush nuk mendon se i duhet shpërblimi i sadakas më tepër se sa i duhet të varfëritë sadakaja, do ta zhvlerësoj veprën e tij të sadakas dhe do t'i refuzohet ajo!''

Po ashtu Abdyl-Aziz bin Umejr ka thënë: ''Namazi ju çon deri në gjysmë të rrugës, agjërimi ju çon te Dera e Mbretit, dhe sadakaja ju çon mu para Tij:''

Ubejd bin Umejr ka thënë: "Në ditën e ringjalljes njerëzit do të mblidhen dhe do të jenë aq të uritur dhe të  etur si kurrë më parë. Kushdo që jep ushqim për Allahun, Allahu do ta ushqej. Kushdo që jep diçka për të pirë për Allahun, Allahu do t'i jep diçka të pijë. Kushdo që jep rroba për hir të Allahut, Allahu do ta mbuloj me rroba.''

Për më tepër Abdullah bin Mesudi ka thënë ''Kush prej jush ka mundësi ta mbaj thesarin në një vend që nuk do ta han insektet e as nuk do ta vjedhin hajnat, le të veproj ashtu (le të jap sadaka). Vërtet zemra e njeriut është aty ku është thesari i tij.'' [21]

Buhariu transmeton se i Dërguari i Allahut ka thënë: ''Kush prej jush e donë pasurinë e trashëgimtarëve të tij më tepër se pasurinë e vet?''

Ata thanë:''Çdonjëri nga ne e donë pasurinë e vet më tepër, o i Dërguar i Allahut.'' Ai tha: ''Vërtet, pasuria e njeriut është ajo që ai e harxhon, ndërsa parat që i mban do të përfundojnë te trashëgimtarët e tij.''

 Kjo tregon se sadakaja mbetet në regjistrin e punëve të mira të atij që e jep, përderisa ajo që ai e mban deri sa të vdes dhe përfundon te trashëgimtarët, është pasuri e trashëgimtarëve.

    Ne frikësohemi se mos po na zbret dënimi i Allahut mbi ne për shkak të sasisë jashtëzakonisht të madhe që e mbajmë, dhe për sasinë e vogël që e harxhojmë në kauzat e mira në rrugë të Allahut. Disa prej neve mund t'u kalojnë muaj pa dhënë sadaka, ndërsa disa të tjerë e njohin sadakan vetëm në Ramazan. Bile edhe nëse dikush jep sadaka, ndoshta ai e jep prej llojit më të keq të pasurisë që e posedon, mirëpo harxhon një pjesë të mirë të pasurisë për ta shëruar një sëmundje prej të cilës vuan ose për ta parandaluar një katastrofë. Ai harron se dhënia e sadakas madje edhe në sasi të vogël, parandalon lloje të ndryshme të sëmundjeve dhe dëmin e tyre.

 Njëherë, Shu'bah Ibën Haxhaxh i hipi një gomari që e kishte dhe kaloi pranë Sulejman Ibën Mugirah, i cili ankohej nga varfëria. Shu'bah i tha: ''Pasha Allahun! E kam vetëm ketë gomar. Ai zbriti dhe ia dha atë Sulejmanit.''[22]

Po ashtu, Esma bin Ebu Beker r.a. ishte aq bujare dhe modeste sa që asgjë nuk mbante për nesër.[23]


..... vazhdon !                                                                                    

(Perktheu, Driton Maxhuni)


[1]Hashjatur-Raudh,vëll. 3, fq. 338

[2]Sahih Et-Targib we-tarhib, nga Albani

[3]El-Ihja,vëll.3,fq.273

[4]Vefejat el-Ajan, vëll.3, fq.30

[5]El-Ihja, vëll.1. fq.267

[6]Tenbihul-Gafilin, fq.247

[7]Sifetu- Es-Safveh, vëll.2,fq.169 dhe Hiljetul-Evlija,vëll.3,fq.198

[8]Es-sijar, vëll.3,fq.218

[9]Mexhmua El-Fetava, nga Ibën Tejmije,vëll.10,fq.662

[10]Sifetu- Es-Safveh,vëll.2,fq.30

[11]Es-sijar,vëll.16,fq.95

[12]Tanbihul-Gafilin,fq.243

[13]Hiljetul-Evlija,vëll.9,fq.257

[14]Maxhmu El-Fetava,vëll.3,fq.189

[15]El-Ihja,vëll.3,fq.258

[16]Tenbihul-Gafilin,fq.247

[17]Et-Tefsirl-Mujessar,nga Ibën El-Kajimi,fq.148

[18]Mukaslefet El-Kulub, fq.122

[19]   Tarikul-Hulefa,fq.17

[20]El-Bidaje ven-nihaje,vëll.8,fq.93

[21]Hiljatul-Evlija,vëll.1,fq.135

[22]Hiljatul-Evlija, vëll.7,fq. 146

[23]Es-Sijar,vëll.3,fq.380


Tezkije.com - Nuk lejohet shpërndarja ose/dhe ripublikimi i materialeve pa cekur burimin.
Shko tek kryefaqja