Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit të madh!
Surja el-Haxh
• Ka zbritur në vitin e tretë hixhrij pas sures Nur.
• Është surja e vetme në të cilën janë bashkuar dy vende të sexhdes
• Ajeti i fundit i sexhdes që ka zbritur në Kuran është në këtë sure
• Surja el-Haxh ka disa veçori të çuditshme nga suret tjera të Kuranit fisnik, ngasë në këtë sure ka ajete që janë zbritur në Medine dhe disa tjera në Meke. Disa ajete kanë zbritur natën dhe disa ditën, prej ajeteve ka që kanë zbritur në udhëtim dhe disa jo në udhëtime. Disa kanë zbritur në paqe disa në luftë. Kështu pra kjo sure ka bashkuar mes një llojshmërie të gjërave.
• Është surja e vetme në Kuran që është emëruar me emër të shtyllave të Islamit, pra Haxhi, dhe nuk gjendet ndonjë sure me emrin Namazi, Zekati apo Agjërimi.
• Surja el-Haxh flet për shumë tema, siç është Dita e Gjykimit, ringjallja, xhihadi, adhurimi ndaj Allahut. Atëherë çfarë është lidhja e këtyre temave me haxhin? Në të vërtetë haxhi është një adhurim madhështor që e ndërton umetin, prej mësimeve dhe shembujve që gjenden në të. Ndërsa nuk i kupton këto vetëm se kush e kryen haxhin duke i përjetuar të gjitha kuptimet e haxhit në të vërtetë:
1. Haxhi na e përkujton ditën e Kiametit me rrëmujën e asaj dite, ku e njerëzit e mbulojnë faqen e tokës, që të gjithë të drejtuar drejt një vendi, me të njëjtat rroba, nën vapën e diellit. (Zbritja nga Arafati, pastaj nga Muzdelife në drejtim të Xhemarateve për gjuajtjen e guralecëve). Dhe mu për këtë zbritën ajetet e para të sures el-Haxh me tematikë rreth ditës së Kiametit.
“O ju njerëz, ruajuni dënimit nga Zoti juaj, sepse dridhja pranë katastrofës së Kiametit është një llahtari e madhe. Atë ditë, kur ta përjetoni atë, secila gjidhënëse braktis atë që ka në gji dhe secila shtatzënë e hedh para kohe barrën e vet, ndërsa njerëzit duken të dehur, po ata nuk janë të dehur, por dënimi i Allahut është i ashpër.” (Surja el-Haxh, ajeti 1 dhe 2)
Sa e sa herë na vijnë pyetjet gjatë leximit tonë të sures Haxh, se çfarë është lidhja mes ditës së Gjykimit dhe Haxhit! Tani na u bë e qartë dhe i kuptuam porositë e Allahut në këto ajete, nuk i ka zbritur Allahu këto ajete vetëm se në vendin e duhur, me fuqinë, dijen dhe urtësinë që nuk i di askush pos Tij. Por, robit i mbetet të përpjeket në gjurmimin e kuptimeve derisa t’i mësoi kuptimet e ajeteve të cilat i lexon, i pastër nga çdo e metë është Allahu më i Urti, i Gjithëfuqishmi.
2. Haxhi na e përkujton ditën e Ringjalljes, pamja e haxhinjëve në Muzdelifeh pas qëndrimit të tyre në Arafat, vërehen tek ata shenjat e lodhjes, të pluhurosur zgjohen pas pushimit të natës në Muzdelifeh për faljen e sabahut, duke e larguar pluhurin dhe duke u pastruar pothuajse sikurse të ringjallën njerëzit nga varret e tyre.
3. Haxhi na e përkujton luftën, për këtë kanë zbritur ajetet e luftës në këtë sure pas ajeteve të Haxhit, ngase haxhi i ngjason ushtrimeve të ashpra të luftës duke përfshirë në të lëvizjen prej një vend në një vend tjetër, lodhjen, të qëndruarit besnik ndaj orareve dhe kufijve me të cilat Allahu na urdhëroi, dhe na i mësoi i ato Profeti jonë bujar ﷺ.
4. Haxhi na e përkujton që adhurimet duhet të jenë të sinqerta vetëm për Allahun e Lartëmadhëruar. Ngase çdo gjë në Arafat e lut vetëm Allahun, si të vetmin Zot, madje dhe pemët, shtazët, zogjtë, qiejt dhe toka, që të gjithë e lusin Zotin e tyre, e madhërojnë atë, mirëpo ne nuk e kuptojmë dhe perceptojmë madhërimin e tyre ndaj Allahut.
“A nuk e di për Allahun, se Atij i nënshtrohet (i bën sexhde) kush është në qiej dhe kush është në tokë, edhe dielli, edhe hëna, edhe kodrat, edhe bimët, edhe shtazët, e edhe shumë njerëz, po shumë janë që dënimi është meritë e tyre. Atë që e poshtëron Allahu nuk ka kush që mund ta bëjë të ndershëm. Allahu punon atë që dëshiron.” (Surja el-Haxh, ajeti 18)
5. Tema më e rëndësishme që flet surja el-Haxh, është largimi nga shirku dhe realizimi i teuhidit. “Përkujtoje kur Ne e udhëzuam Ibrahimin për në vendin e shtëpisë (Qabes): të mos më përshkruajë Mua shok, pastroje shtëpinë Time për ata që e vizitojnë (bëjnë tavaf), që qëndrojnë në këmbë duke u falur, përkulur dhe që bëjnë sexhde.” (Ajeti 26); “Duke qenë të sinqertë në besimin ndaj Allahut, dhe duke mos i përshkruar Atij shok, e kush i përshkruan shok Allahut ai është sikur të ketë rënë nga qielli e ta rrëmbejë shpendi, ose si ai të cilin e gjuan era e stuhishme në ndonjë vend të humbur.” (Ajeti, 31)
Dhe në përmbylljen e sures, na vjen ajeti i sexhdes: “O ju që besuat, falni namazin me ruku e sexhde, dhe vetëm Zotin tuaj adhurojeni. Bëni punë të mira (të dobishme), se do të gjeni shpëtim.” (Surja el-Haxh, ajeti 77); Po të vërejmë lidhjen në mes ajetit të parë të zbritur të sexhdes në suren Alakë: “Jo, jo! Ti mos iu bind atij, vazhdo me sexhde dhe afroju Zotit me të.” dhe ajetit të fundit të zbritur të sexhdes në suren el-Haxh, shohim që ajeti i parë i sexhdes i është drejtuar vetëm Pejgamberit ﷺ. Ndërsa ajeti i sexhdes në suren el-Haxh i është drejtuar mbarë njerëzimit. I pastër nga çdo e metë është Allahu, më Madhështori.
(Përktheu dhe përshtati, Blerim Rexha)