Youtube/Tezkije
Hyrje rreth madhështisë së Kur’anit Fisnik dhe ndikimit që ai ka (I)
Abdurrahman ibn Abdulaziz ed-Dihami
 03.12.2015

Të gjitha lavdërimet i takojnë Allahut, Zotit të botërave, i Cili përmes Kur’anit i ndriçoi zemrat, e zbriti atë me fjalët më përmbledhëse dhe stilin më të bukur, dhe dëshmoj se s’ka zot tjetër meritor të adhurohet pos Allahut, Një dhe i pashoq; i Cili e zbriti Kur’anin si përkujtim ashtu që ata të ruhen dhe si ripërtëritje e përkujtimit ashtu që të arrihet qëllimi më i lartë; dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij, i cili përmes Kur’anit na i zgjidhi dryrët e zemrave tona, paqja, përshëndetjet dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, dhe mbi familjen dhe shoqëruesit e tij të cilët u përpoqën në rrugën e Allahut me një xhihad[1] të vërtetë, dhe ishin që pendoheshin tek Zoti i tyre duke i shkoqitur ijët e tyre nga shtretërit (për tu falur natën), dhe mbi të gjithë ata që e përcollën atë në mënyrën më të mirë deri në Ditën e Përjetësisë.

Vërtetë fjala më e saktë është Libri i Allahut: “E kush është më i vërtetë se Allahu në fjalë?!” (en-Nisa, 122) “E kush është më i vërtetë se Allahu në atë që thotë!?” (en-Nisa, 87) “O njerëz, ju ka ardhur këshillë (Kurani) nga Zoti juaj, shërim për zemrat tuaja, udhëzim dhe mëshirë për besimtarët.” (Junus, 57) “O njerëz! Me të vërtetë, juve ju ka ardhur një provë bindëse (Muhamedi a.s.) nga Zoti juaj dhe ju është zbritur një Dritë e dukshme (Kurani). Kështu, ata që besojnë Allahun dhe mbështeten fort tek Ai, (ta dinë se) Ai do t’i fusë në mëshirën dhe mirësinë e Vet dhe do t’i udhëzojë drejt Vetes përmes rrugës së drejtë.” (en-Nisa, 174-175)

“Kush flet me të ia qëllon, kush vepron me të shpërblehet, kush gjykon me të përhapë drejtësinë, e kush thërret për tek ai udhëzohet në rrugën e drejtë.”[2]

Me retorikën e tij u ndihmuan gojëtarët, ndërsa nga stili i tij i mahnitshëm mbetën gojëhapur mendarët; ai nuk e lodhë dot as lexuesin e as dëgjuesin e tij, përkundrazi sa herë që i qasen për ta lexuar atij i shtohet vlera dhe ëmbëlsia; ndërsa të tjerët pos tij armiqësohen po që se rishikohen, të molisin po që se përsëriten; dhe pikërisht për këtë Kur’ani Fisnik u cilësua si libër që nuk vjetrohet sado që përsëritet: “se ky (Kuran) është vërtet fjalë e (kumtuar prej) një të Dërguari të nderuar, e nuk është fjalë poeti; sa pak që besoni! Nuk është as fjalë e ndonjë falltari; sa pak që po reflektoni! Ai është shpallje e zbritur nga Zoti i botëve!” (el-Hakah, 40-43)

Ky është ai libër të cilin kur e dëgjuan xhinët thanë: “Thuaj (o Muhamed): “Mua më është shpallur se disa prej xhindëve kanë dëgjuar (Kuranin) dhe kanë thënë: ‘Me të vërtetë, kemi dëgjuar një Kuran të mrekullueshëm, i cili udhëzon në rrugën e drejtë dhe kemi besuar në të, prandaj kurrsesi më nuk do t’i shoqërojmë askënd Zotit tonë (në adhurim)!” (el-Xhin, 1-2) “Ata thanë: “O populli ynë! Ne dëgjuam një Libër të shpallur pas Musait, i cili vërteton shpalljet para tij, udhëzon nga e vërteta dhe tregon rrugën e drejtë.” (Ahkafë, 30)

Ibn Xherir Taberiu përcjellë prej ibn Abbasit (Allahu qoftë i kënaqur me të dy) se ka thënë: “Velid ibn Mugira hyri te Ebu Bekr ibn Ebi Kahafe (Allahu qoftë i kënaqur me të dy) dhe e pyeti për Kur’anin, dhe pasi që ai i dha përgjigje për këtë ai doli para Kurejshitëve dhe tha: “Kjo që më tregoi i biri i Ebi Kebshesë[3] më ka habitur fare; pasha Allahun kjo nuk është poezi, e as sehire, e as llafosje e të çmendurve; vërtetë fjala e tij është Fjalë e Allahut.”

Kur një grup nga Kurejshitët dëgjuan për këtë u nënshtruan, dha thanë: “Pasha Allahun, po që se Velidi është konvertuar gjithë Kurejshitët do të konvertohen.” Kur dëgjoi për këtë Ebu Xhehli tha: “Vallahi unë do ta rregullojë punën e tij!” U nis tek ai dhe hyri në shtëpinë e tij duke i thënë: “A s’po e sheh që populli yt kanë mbledhur për ty lëmoshë?” Ai tha: “Po a nuk jam unë më i pasuri prej tyre me pasuri dhe fëmijë?!” Ebu Xhehli ia ktheu: “Po thonë se ti po hyn te ibn Ebi Kuhafe  vetëm për të ngrënë nga ushqimi i tij.” Velidi tha: “Familja ime kanë thënë këtë gjë?!” S’do ti afrohem më as Ebu Bekrit, as Omerit, e as ibn Ebi Kebshesë, se fjala e tij s’është tjetër veçse magji gjurmëlënëse; Me ç’rast Allahu ia zbriti të Dërguarit të Tij ajetin: “Më ler Vetëm (të merrem) me atë që e krijova!” deri në ajetin: “E si mund ta dish ti tamam se çfarë është Sekari (zjarri përvëlues)? Ai nuk lë gjë dhe nuk kursen asgjë...” (el-Mudethir, 11-28).

Katade thotë: “Pretenduan se ai gjithashtu kishte thënë: “Vallahi, analizova atë çfarë tha ky njeri dhe pashë se kjo nuk është poezi, dhe se mban në vete një ëmbëlsi, dhe se ka një sharm të veçantë, dhe se mbizotëron dhe nuk mund të mbizotërohet, prandaj aspak nuk dyshoj se ajo është magji (sihr); Prandaj Allahu zbriti: “... dhe qoftë mallkuar, si kurdisi!” (el-Mudethir, 19)[4]

Për këtë arsye Allahu i Lartësuar i sfidoi xhindet dhe njerëzit që së bashku të sjellin një libër të tillë të sqaruar; prandaj Gjykuesi më  i drejtë tha: “Thuaj: “Sikur të tuboheshin të gjithë njerëzit dhe xhindet për të hartuar një Kuran të tillë, ata nuk do të mund të hartonin një të ngjashëm me të, madje, edhe sikur ta ndihmonin njëri - tjetrin.” (Isra, 88) Prandaj, mjerë dhe mjerë për këto dy krijesa nëse kundërshtojnë këtë Kur’an, se vërtetë ai është Fjalë e Bujarit, Dhuruesit të Madh.

“Nëse ata thonë: “Ai e ka trilluar atë140!” Thuaju (o Muhamed!): “Sillni dhjetë sure të ngjashme (në bukuri dhe elokuencë) të trilluara dhe thirrni në ndihmë kë të mundni, përveç Allahut, nëse thoni të vërtetën!” E, nëse nuk ju përgjigjen, atëherë ta dini se ai (Kurani), ka zbritur me dijen e Allahut dhe se s’ka zot tjetër (të denjë për adhurim) përveç Tij. Andaj, a jeni ju (o mohues) myslimanë?” (Hud, 13-14) “Nëse ata thonë: “Ai (Muhamedi) e ka trilluar atë (Kuranin)”, thuaju: “Atëherë, sillni një sure të ngjashme me të dhe thirrni (në ndihmë) kë të mundni, përveç Allahut, nëse thoni të vërtetën.” Por ata e mohojnë atë që nuk e njohin plotësisht,* ndërkohë që nuk u ka ardhur ende përmbushja e (premtimeve të) tij. Kështu kanë mohuar edhe popujt që ishin para tyre; prandaj shiko si kanë përfunduar keqbërësit!” (Junus, 38-39) “A janë (të barabartë me jobesimtarët) ata që mbështeten në provë të qartë nga Zoti i tyre, që ndiqet nga një dëshmitar prej Tij (Kurani), para të cilit ishte Libri i Musait (dëshmitar) udhërrëfyes dhe mëshirë? Këta besojnë Kuranin. Dhe për cilindo nga grupet (sektet) që e mohojnë atë, zjarri do të jetë vend i premtuar. Andaj, ti kurrsesi mos dysho në atë; se ai, padyshim, është e vërteta prej Zotit tënd, ndonëse shumica e njerëzve nuk besojnë.” (Hud, 17)

Prandaj, çdo njeri që ka dëgjuar për Kur’anin, apo i ka arritur Kur’ani, ndaj tij janë ngritur të gjitha argumentet nga i Gjithëmëshirshmi: “Ky Kuran më është shpallur, në mënyrë që nëpërmjet tij t’ju tërheq vërejtjen juve dhe kujtdo që i përcillet.” (el-En’amë, 19)

E gjithashtu Profeti ka thënë: “Pasha Atë në Dorën e Të Cilit është shpirti i Muhamedit, nuk ndodh që dikush nga ky umet të dëgjojë për mua, jehud qoftë apo i krishterë, pastaj të vdes pa besuar në atë me të cilën jam dërguar, veçse do të jetë prej banorëve të Zjarrit.”[5] Transmeton Muslimi.

Sikur jobesimtarët të bëheshin të drejtë me vetveten e tyre do të bëheshin muslimanë, dhe do t’i nënshtroheshin të vërtetës, porse ata kanë një perde e cila ua ka mbuluar sytë e tyre, dhe një mbulesë mbi zemrat e tyre: “Ky është një Libër, vargjet e të cilit janë shtjelluar qartë, një Kuran në gjuhën arabe, për njerëzit me dije. Ai sjell lajme të mira dhe paralajmërime, por shumica e njerëzve ia kthejnë shpinën dhe largohen pa e dëgjuar. Ata thonë: “Ajo për të cilën ti na thërret, nuk i arrin zemrat tona, sepse ato janë të mbrojtura mirë. Veshët tanë janë të shurdhër e midis nesh e teje ka perde. Prandaj ti vepro si të duash, se edhe ne kështu do të veprojmë”. (Fussilet, 3-5)

Jobesimtarët e kishin kuptuar mirë efektin që Fjala e Të Plotfuqishmit linte mbi shpirtrat e njerëzve të shthurur, e lëre më mbi të devotshmit; prandaj ata ishin zotuar që ta këshillonin vazhdimisht njëri-tjetrin për mosdëgjimin e tij dhe pengimin e njerëzve nga ëmbëlsia e mesazhit të tij, ashtu që ai të mos depërtonte në zemra, apo të linte gjurmë në shpirtra: “Jobesimtarët thonë: “Mos e dëgjoni këtë Kuran! Flisni e qeshni me zë të lartë, që të ndërpreni leximin e tij!” (Fussilet, 26)

Kur’ani Fisnik na njoftoi për gjurmët që la ai te një grup të krishterësh, për të cilët i Lartësuari tha: “Kur dëgjojnë për atë (Kuranin) që i është zbritur të Dërguarit, i sheh se si u rrjedhin lotët nga sytë, për shkak të së vërtetës që kuptuan. Ata thonë: “O Zoti ynë! Ne besojmë, prandaj na llogarit ndër dëshmitarët e Tu!” (Maide, 82-83)

Pra, Kur’ani Fisnik ka shtrirë ndikimin e tij edhe tek jobesimtarët sa herë që ata kanë qenë të vëmendshëm ndaj dëgjimit të tij; për këtë arsye Xhubejr ibn Mut’im (Allahu qoftë i kënaqur me të) thotë (në kohën kur ishte ende idhujtar): “Pata dëgjuar njëherë Profetin të lexonte suren Tur në namazin e akshamit, dhe kur arriti te ky ajet: “A mos vallë, ata janë krijuar nga hiçi apo mos janë ata krijues të vetvetes?! A mos vallë ata kanë krijuar qiejt dhe Tokën?! Nuk është kështu, por ata nuk janë aspak të bindur. A mos zotërojnë thesaret e Zotit tënd?! Apo mos janë ata sunduesit (e gjithçkaje)?!” (Tur, 35-37), zemra ime gati sa nuk fluturoi[6];” ndërsa sipas një transmetimi tjetër ka thënë: “Pata dëgjuar njëherë Profetin të lexonte suren Tur në namazin e akshamit, dhe kjo ishte hera e parë kur në zemrën time depërtoi besimi.”[7]

Imam Hatabi (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: “Shqetësimi që i ka shkaktuar atij dëgjimi i këtij ajeti ka ndodhur si pasojë e pranimit të mirë që ia bëri kuptimit të ajetit dhe njohjes së asaj çfarë mbante në vete si përçues i mesazhit, prandaj e kuptoi atë me butësinë e natyrshmërisë dhe e përpunoi mirë kuptimin që doli nga ai përmes zhdërvjelltësisë së tij për kuptimin e gjërave.[8]

Prandaj, Allahu të mëshiroftë, meditoje këtë skenë përmbledhëse të ndikimit që përjetuan idhujtarët nga Kur’ani Fisnik! Ibn Abbasi (Allahu qoftë i kënaqur me të) ka përcjellë nga i Dërguari i Allahut se ai ka rënë në sexhde duke lexuar suren en-Nexhm, dhe bashkë me të kanë bërë sexhde muslimanët, idhujtarët, xhinët dhe njerëzit.” Transmeton Buhariu.[9]

Dijetari i madh Elusi (Allahu e mëshiroftë) thotë në tefsirin e tij: “Ka mundësi që ata kanë bërë sexhde për shkak të mahnitjes që i goditi dhe frikës që i kaploi kur dëgjuan suren, duke qenë se u lexuan ajetet: “... se Ai i ka shkatërruar fiset e lashta Ad e Themud, duke mos lënë askënd prej tyre, si dhe popullin e Nuhut më parë, sepse qe më i padrejtë dhe rebel; se Ai i asgjësoi edhe qytetet e përmbysura (të popullit të Lutit), të cilat i mbuloi ajo që i mbuloi?!” (Nexhm, 50-54) e deri në fund të ajeteve, prandaj ata druajtën se do t’u zbret edhe atyre një dënim i tillë. [10]

Abdullah ibn Mes’udi (Allahu qoftë i kënaqur me të) ka thënë: “Profeti lexoi suren Nexhm në Meke, bëri sexhde dhe bënë sexhde gjithë kush ishte me të, përveç një plaku i cili mblodhi një grusht rërë apo dhe’ nga toka, e vuri në ballin e tij dhe tha: “Kjo më mjafton mua;” dhe e pashë pastaj të vrarë si jobesimtar.”[11]

Kjo sexhde e cila u bë nga idhujtarët (mushrikët) në realitet ndodhi si rezultat i ngadhënjimit të Kur’anit të Madhërishëm, dhe mahnitjes së tyre nga mrekullia e kthjelltësisë së tij.

Kadiu (gjykatësi) i mirënjohur Ijad (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Sipas ibn Mes’udit, shkaku i sexhdes së tyre ishte se kjo ishte e para sure në të cilën kishte zbritur ligjërimi i sexhdes së leximit të Kur’anit.”[12]

Një gjë e tillë u ka ndodhur edhe të tjerëve, siç është rasti i Utbetu ibn Rabi’asë kur dëgjoi nga Profeti suren Fussilet; e gjithashtu në librin e haditheve “Mustedrak,” nga Xhabir ibn Abdullah (Allahu qoftë i kënaqur me të) ka thënë: “Një ditë prej ditësh, Kurejshitët u bënë bashkë, dhe iu erdhi atyre Utbetu ibn Rabi’a ibn Abdishems, dhe tha: “O Muhamed! A je ti më i mirë apo Abdullahu[13]? Pejgamberi i Allahut heshti pastaj i tha: “A mbarove?” Tha: “Po.” Profeti i tha: “Bismilahir-Rrahmanir-Rrahim! Ha-mimë. Kjo është Shpallje prej të Gjithëmëshirshmit ...” deri sa arriti te ajeti: “Nëse ata shmangen, ti thuaju: “Ju paralajmëroj me rrufenë që goditi fiset Ad dhe Themud”.” (Fussilet, 13) Pastaj Utbeja tha: “Mjaft! Mjaft! A s’ke diç tjetër pos kësaj?!” Tha: “Jo.” Kështu që Utbeja u kthye tek Kurejshitët, dhe i thanë: “Çka po na tregon?” Tha: “Nuk besoj që kam lënë ndonjë gjë të cilën ju ia keni thënë atij veçse ia thashë edhe unë.” Ata i thanë: “Pra, a tu përgjigj?” Tha: “Po. Por, pasha atë që e ka ngritur Qaben e Bekuar, asgjë tjetër nga ajo çfarë më ka thënë s’kam kuptuar përveç tërheqjes së vërejtjes që ua bëri juve nga rrufeja që i goditi fisin Ad dhe Themud.” Thanë: “Mjerë për ty! Të flet një burrë në gjuhën arabe ndërsa ti nuk e di se çfarë të ka thënë!?” Tha: “Jo pasha Allahun, s’kuptova asgjë tjetër nga ajo që ma tha, përveç përmendjes së rrufesë.”[14]

Ndërsa në hadithin e Um Selemesë (Allahu qoftë i kënaqur me të) gjatë tregimit të shpërnguljes së tyre për në Habeshe dhe takimit me Nexhashiun, ka thënë se ai (Nexhashiu) i ka thënë Xhafer ibn Ebi Talibit (Allahu qoftë i kënaqur me të): “A ke me vete diç nga ajo çfarë ka sjellë ai[15] nga Allahu?” Pastaj tha se Xhaferi ia ktheu atij: “Po.” Nexhashiu i tha: “Ma lexo atë!” Dhe ai filloi t’ia lexonte atij fillimin e sures Merjem. Pastaj Um Seleme tha: “Pasha Allahun, aq shumë qau Nexhaiu saqë mjekra e tij iu lag nga lotët, e pas tij, kur e dëgjuan atë që ua lexoi, qanë edhe peshkopët e tij aq sa iu lagën[16] Librat e Shenjtë të tyre. Pastaj Nexhashiu tha: “Pasha Allahun, kjo dhe ajo me të cilën ka ardhur Musai dalin nga pishtari[17] i njëjtë.[18]

Kjo ishte arsyeja pse njerëzit më të shquar të Kurejshëve u trembën kur panë ndikimin e Kur’anit në shpirtra; ashtu siç është transmetuar edhe në “Sahihun e Buhariut”[19] nga nëna e besimtarëve Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të) se ka thënë: “Kur muslimanët u sprovuan, Ebu Bekri u nis për tu shpërngulur në Habeshe, dhe kur arriti në Berkul-Gimadë[20] atë e takoi ibn Dagine[21] i cili ishte zotëriu i Karrasë[22], dhe i tha: “Ku ia ke mësyrë o Ebu Bekër?” Ebu Bekri tha: “Më ndoqën populli im, prandaj dua që të udhëtojë nëpër tokë ashtu që të kem mundësi ta adhurojë Zotin tim. Ibn Dagine i tha: “Një njeri si ti nuk ikën e as nuk ndiqet, sepse ti u jep të privuarve, i mban lidhjet farefisnore, ia lehtëson barrën të dobëtit, e mirëpret mysafirin, dhe ndihmon në gjërat që udhëzojnë kah e vërteta, prandaj duke qenë se unë jam fqinji yt, kthehu dhe adhuroje Zotin tënd në vendin tënd; kështu Ibn Dagine u nis, dhe bashkë me Ebu Bekrin u kthyen për të bërë një xhiro përqark jobesimtarëve Kurejshit, dhe u tha atyre: “Një i tillë si Ebu Bekri, as nuk ikën vetë e as nuk ndiqet. A do ta ndiqni një burrë që u jep të privuarve, i mban lidhjet farefisnore, ia lehtëson barrën të dobëtit, e mirëpret mysafirin, dhe ndihmon në gjërat që udhëzojnë kah e vërteta?!” Dhe kështu Kurejshët e zbatuan dorëzaninë e Ibn Daginesë duke e siguruar Ebu Bekrin, ndërsa Ibn Daginesë i thanë: “Urdhëroje Ebu Bekrin që ta adhurojë Zotin e tij në vendbanimin e tij, dhe le të falet e të lexojë çfarë të dojë pastaj, e mos të na shqetësojë neve me këtë, dhe mos ta shpallë haptas këtë gjë, sepse ne po kemi frikë se do të na i vë në sprovë bijtë dhe gratë tona.” Ibn Dagine ia përcolli Ebu Bekrit këtë porosi, kështu që Ebu Bekri filloi ta adhurojë Zotin e tij në shtëpinë e tij duke mos dalë haptas me namazin e tij, e as me leximin e tij, përveç brenda shtëpisë së tij. Por pas një kohe Ebu Bekri vendosi ta ndërtojë një xhami në oborrin e shtëpisë së tij, dhe kjo u mor vesh shpejt; ai falej në të dhe lexonte Kur’an, ndërsa gratë dhe bijtë e idhujtarëve filluan të krijonin tollovi rreth tij, habiteshin dhe mbesnin duke e shikuar atë, shtoja kësaj edhe faktin se Ebu Bekri ishte një njeri që qante shumë, se përballonte dot ti mbante lotët kur lexonte Kur’an; dhe kjo i shqetësoi shumë shtresën e lartë të idhujtarëve Kurejshit, kështu që e thirrën prapë ibn Daginenë. Kur ai erdhi i thanë: “Ne i ofruam Ebu Bekrit fqinjësi ashtu që ai ta adhurojë Zotin e tij brenda shtëpisë së tij, porse ai e anashkaloi këtë dhe ndërtoi xhami brenda oborrit të shtëpisë së tij, shpalli haptas namazin dhe leximin e Kur’anit, ndërsa ne kemi frikë se bijtë dhe gratë tona do të vihen në sprovë nga kjo, prandaj shko te ai dhe thuaji se nëse do ta adhurojë Zotin e tij në shtëpinë e tij le të vazhdojë, por nëse ai s’pranon tjetër veçse të vazhdojë ta shpallë haptas këtë atëherë thuaji atij ta kthejë mbrapsht garancinë që ia ke dhënë, sepse ne as nuk tregohemi të druajtur ndaj teje e as nuk mbështesim Ebu Bekrin të shpallë haptas këtë ...” hadithi.[23]

 

(vazhdon ...)

Përktheu nga gjuha arabe, Hekuran Helshani.



[1] Fjala xhihad nënkupton përpjekje të madhe, e gjithashtu edhe luftë reale në terren

[2] Pjesë e marrë nga hadithi të cilin e transmeton Tirmidhiu rreth vlerave të Kur’anit, numër 2906, nga Alij ibn Ebi Talib (Allahu qoftë i kënaqur me të); dhe Tirmidhiu thotë për të: “Ky është një hadith të cilin nuk e njohim ndryshe përveçse përmes kësaj rruge, dhe zinxhiri i tij i transmetimit është i panjohur.” E edhe Albani (Allahu e mëshiroftë) e ka bërë të dobët, porse mbetet i saktë kuptimi që ai përçon.

[3] Në librin e tij “Nihajetu fi garibi el-hadith,” (fq. 789) thotë: “Idhujtarët e Mekës e thërrisnin Muhamedin FDFA sipas prejardhjes së Ebi Kebshesë, i cili ishte një burrë prej fisit Huzae që pareshtur i kishte kundërshtuar idhujtarët në adhurimin e putave, dhe adhurimin e Siriusit e Kryqit; prandaj kur Profeti FDFA i kundërshtoi ata në adhurimin e idhujve ata ia atribuuan atij prejardhjen e Ebi Kebshesë.” Gjitashtu, flitej se ai kishte qenë gjyshi i Profetit FDFA prej anës së nënës, prandaj dëshiruan që ta bëjnë të ngjashëm me të.

[4]Tefsiri (komentimi i Kur’anit) nga ibn Xherir Taberiu.” (23/ 429-430)

[5] Hadithi i Ebu Hurejras (Allahu qoftë i kënaqur me të), të cilin e ka përcjellur Muslimi në kapitullin e besimit, me titull: “Obligueshmëria e besimit ndaj mesazhit me të cilin ka ardhur Pejgamberi ynë Muhamedi për të gjithë njerëzit;” numër 153.

[6] E ka përmendur Buhariu në Tefsir, në kapitullin e sures Tur, me numër 4854.

[7] E ka përmendur Buhariu në “Betejat,” kapitulli përkatës, me numër 4023.

[8] “Esma ue Sifat” e  Bejhakiut, 2/270; dhe shiko “Fet’hul-Bari” 8/768.

[9] E ka përmendur Buhariu në “Sexhdja e Kur’anit,” kapitulli “sexhdja e muslimanëve dhe idhujtarëve.” Numër 1071.

[10] “Ruh el-Me’ani,” 9/645

[11] E ka përmendur Buhariu në “Sexhdja e Kur’anit,” kapitulli “Çfarë është transmetuar nga sexhdeja e Kur’anit dhe sunetet e saj,” me numër 1076; dhe Muslimi në “Xhamitë dhe vendet e faljes,” kapitulli “Sexhdeja e leximit (të Kur’anit),” me numër 567.

[12] “Ikmal el-Mu’lim bifevaid el-muslim,” 2/525.

[13] Dmth. babai i Profetit . Ndërsa në një version tjetër nga Ibn Ebi Shejbeh në “Musanef,” 13/208, me numër 37557, si dhe nga Ebu Ja’la në “Musnedin” e tij 1818: “Tha: “O Muhamed! A je ti më i mirë apo Abdullahu? Pejgamberi i Allahut heshti pastaj tha: “A je ti më i mirë apo Abdulmuttalibi?” dhe Profeti prapë heshti. Ndërsa te libri “Delail en-nubu’eh,” të Bejhakiut, 2/203: “Utbeja ia tha: “O Muhamed! A je ti më i mirë apo Um Hashim? A je ti më i mirë apo Abdulmuttalibi? A je ti më i mirë apo Abdullahu?” Por ai nuk iu përgjigj.

[14] “el-Mustedrak,” 2/304-305, numër 3061, ndërsa Dhehebiu në librin e tij “et-Talhisë” tha për të: “Sahih.”

[15] Pra, i dërguari i Allahut

[16] “En-Nihajetu fi garib el-hadith,” fq. 269.

[17] Fuqia e cila nuk shteret asnjëherë, gjithashtu është thënë: pjesa metalike në të cilën varet kandili për ndriçim. Duke pasur për qëllim të thotë se Kur’ani dhe Inxhili (origjinal i padevijuar nga dora e njeriut) janë që të dyja Fjalë e Allahut të Lartësuar, dhe se ato dyja dalin nga burimi i njëjtë. Marrë prej “En-Nihajetu fi garib el-hadith,” fq. 872; si dhe “Lisanu el-arab,” 7/163.

[18] Ka transmetuar Ahmedi, 3/266-67, nr. 1740.

[19] Libri më i saktë i thënieve të Profetit , e që në shqip do të thotë: “I Sakti nga Buhariu.”

[20] I cili është emër i një vendi në Jemen; por është thënë edhe se është një vend që ndodhet pesë netë udhëtimi larg Mekës, në pjesën e prapme të saj. “En-Nihajetu fi garibi el-hadith,” fq. 74.  

[21] Degina ose Dugunna, për të cilën është thënë se ishte ose nëna e tij, ose nëna e babait të tij, ose kafsha e tij e punës; ndërsa për emrin e ibn (të birin) e Daginasë ka mospajtim se a është Harith ibn Jezid, apo Malik sipas një versioni tjetër. Përmbledhur nga “Fet’h el-Bari,” e Hafëz ibn Haxherit, 7/290.

[22] Fis që vjen nga Benu el-Hunë ibn Huzejme, ndërsa është quajtur me këtë emër “Karrah” (kontinent) për shkak të bashkimit mes tyre dhe rrethimit që kishin, ndërsa shquheshin gjithashtu për të aftësi të dalluara në gjuajtje. “En-Nihajetu fi garibi el-Hadith,” fq. 777.  

[23] E ka transmetuar Buhariu në “Kefaleh,” kapitulli: “Fqinjësia me Ebu Bekrin në kohën e Profetit dhe kontrata e tij,” me numër 2297. 


Tezkije.com - Nuk lejohet shpërndarja ose/dhe ripublikimi i materialeve pa cekur burimin.
Shko tek kryefaqja