Youtube/Tezkije
Hyrje rreth madhështisë së Kur’anit Fisnik dhe ndikimit që ai ka (II)
Abdurrahman ibn Abdulaziz ed-Dihami
 01.01.2016

(… vazhdim)
Po pra, ky është Kur’ani, o umeti  Islam, ... kur robi i drejtohet atij me zemrën e tij dhe përqendrohet tek ai me dëgjimin e tij, atëherë: “Vërtet, këtu ka këshillë për këdo që ka zemër, dëgjon me vëmendje dhe dëshmon.” (Kaf, 37) 
Për këtë arsye Profeti ﷺ i thërriste njerëzit tek Allahu i Lartësuar përmes Kur’anit Fisnik; Allahu i Lartësuar e urdhëroi atë të thoshte: “Jam urdhëruar që t’i nënshtrohem Atij dhe të këndoj Kuranin. Kushdo që merr rrugën e drejtë, e bën për dobi të vet. Ndërsa atyre që devijojnë, ti thuaju: “Unë jam vetëm paralajmërues”.” (Neml, 91-92) E gjithashtu e urdhëroi të thoshte: “Ky Kuran më është shpallur, në mënyrë që nëpërmjet tij t’ju tërheq vërejtjen juve dhe kujtdo që i përcillet.” (el-En’amë, 19) 
Hafëz Ibn Rexhebi (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: “Pejgamberi ﷺ i thërriste njerëzit përmes Kur’anit derisa ata futeshin në Islam, në rrugën e drejtë; për këtë arsye atij iu përgjigjën besimtarët më të zgjedhur, siç ishin kokat kryesore të muhaxhirëve dhe ensarëve; dhe për këtë Maliku (Allahu e mëshiroftë) tha: “Medina u çlirua përmes Kur’anit;” që do të thotë se banorët e saj u futën në Islam si rezultat i dëgjimit të Kur’anit. Shtoja kësaj faktin se Profeti ﷺ e dërgoi Mus’ab ibn Umerin në Medine para se të udhëtonte ai vetë për atje, i cili i thirri banorët e Medinës në Islam duke u lexuar atyre Kur’an, dhe shumë prej tyre u futën në Islam.” 
Kjo ishte arsye edhe pse vëllezërit tanë besimtarë nga xhindet morën rrugën e thirrjes për tek Allahu i Lartësuar kur panë se Kur’ani u mishërua me të brendshmen e zemrave të tyre të mira, ashtu siç na njoftoi Allahu i Lartësuar për ta: “Kur Ne dërguam tek ti një grup xhindesh për të dëgjuar Kuranin, ata, kur erdhën, i thanë njëri-tjetrit: “Heshtni!” Dhe kur përfundoi (leximi), ata u kthyen te populli i tyre si këshillues. Ata thanë: “O populli ynë! Ne dëgjuam një Libër të shpallur pas Musait, i cili vërteton shpalljet para tij, udhëzon nga e vërteta dhe tregon rrugën e drejtë. O populli ynë, përgjigjjuni thirrësit të Allahut dhe besojini Atij! Ai do t’jua falë gjynahet tuaja dhe do t’ju shpëtojë prej dënimit të dhembshëm. Ndërsa ata që nuk i përgjigjen thirrësit të Allahut, nuk do të mund t’i ikin Atij në Tokë; për ata s’ka mbrojtës tjetër, përveç Tij. Ata janë në humbje të madhe.” (Ahkafë, 29-32)
Ndërsa në dy librat e saktë të hadithit  tregohet nga Usame ibn Zejd (Allahu qoftë i kënaqur me të) se: “Profeti ﷺ hipi mbi një gomar i cili sipër kishte një samar të veshur me kadife i cili ishte i lidhur me një rrip, ndërsa prapa tij ishte Usame; ai po vizitonte Sa’d ibn Ubade tek Benu Harith ibn Hazraxh, e gjithë kjo para betejës së Bedrit; derisa arritën te një tubim në të cilën ishin përzier muslimanë, idhujtarë (adhurues të putave) dhe jehudë, e në mesin e tyre ishte Abdullah ibn Ubej, e gjithashtu në tubim ishte edhe Abdullah ibn Ravaha. Kur ndejën e tyre e mbuloi pluhuri i ngritur nga thundrat e kafshëve, Abdullah ibn Ubej e mbuloi hundën e tij me pelerinën e sipërme dhe tha: “Mos na çoni pluhur!” Profeti ﷺ i përshëndeti ata me selam pastaj u ndal dhe zbriti, dhe filloi ti thërriste ata për tek Allahu, u lexoi atyre Kur’an, pastaj Abdullah ibn Ubej tha: “O ti njeri! S’ka gjë më të bukur se kjo që na thua, po që se do të ishte e vërtetë, prandaj mos na shqetëso në tubimet tona, kthehu te kafsha jote, e nëse dikush prej nesh të afrohet atëherë tregoj atij. Atëherë Abdullah ibn Ravaha tha: “Eja dhe na mbulo tubimet tona se vërtetë neve na pëlqen kjo!” Pastaj muslimanët, idhujtarët dhe jehudët u acaruan aq shumë saqë gati sa nuk u kacafytën me njëri tjetrin,  ndërsa Pejgamberi ﷺ vazhdonte ti qetësonte ata, pastaj i hipi kafshës së tij të udhëtimit, shkoi te Sa’d ibn Ubade dhe i tha: “O Sa’d! A nuk e dëgjove se çfarë tha Ebu Hubabi (kishte për qëllim Abdullah ibn Ubej-in); tha kështu e kështu...” Ai ia ktheu: “Falja o dërguar i Allahut dhe mëshiroje! Se pasha Allahun, kur ty Allahu të dhuroi atë çfarë të ka dhënë, banorët e këtij vendi  veçse kishin rënë në ujdi që atë ta kurorëzonin dhe ta lidhnin me gajtan,  prandaj kur Allahu ua ktheu këtë me të Vërtetën të cilën ty ta dhuroi, ai u bë ziliqar ndaj teje për këtë, dhe kjo është shkaku që e ka bërë atë të sillet ashtu siç e ke parë; kështu Profeti ﷺ ia fali atij.” 
Dijetari i madh Abdurrahman es-Sa’dij (Allahu e mëshiroftë) ka folur rreth metodave që janë përmendur në Kur’anin Fisnik për thirrjen e jobesimtarëve në Islam, çfarëdo kombi apo feje qofshin ata, duke thënë: “I thërret ata në fenë Islame dhe që ti besojnë Muhamedit ﷺ rreth asaj që na ka njoftuar për sheriatin dhe fenë e tij, dhe rreth asaj që ka përmendur në lidhje me provat e dërgesës së Muhamedit ﷺ, ashtu që të udhëzohet përmes tij kushdo që ka për qëllim të Vërtetën dhe drejtësinë, si dhe të jetë argument kundër çdo urryesi.
Dhe kjo është rruga më e mirë për ti thirrur në Islam të gjithë kundërshtarët, sepse përparësitë e fesë Islame dhe përparësitë e të Dërguarit të Allahut ﷺ bashkë me provat dhe argumentet që ka sjellë janë të mjaftueshme për këtë thirrje, e mos të flasim për prishjen e dyshimeve të tyre dhe asaj me çfarë ata argumentojnë, sepse kur qartësohet e Vërteta kuptohet se çdo gjë që i vjen përqark asaj mbetet e kotë dhe e pavlerë. 
Gjithashtu i thërret ata ngjashëm me atë me të cilën i thërret edhe besimtarët duke përmendur mirësitë dhe nimetet e tij, dhe se Ai i Cili është i pavarur në krijim, menaxhim dhe furnizim me begati të dukshme e të padukshme, është Ai të cilin obligohemi ta adhurojmë dhe ti bindemi urdhrit të Tij e ti largohemi ndalesës së Tij. 
E gjithashtu i thërret ata edhe duke ua shpjeguar gjërat e devijuara që ndodhen në fetë e tyre të kota dhe gjërat e shëmtuara që ato përmbajnë, duke bërë krahasim mes atyre dhe fesë Islame, ashtu që të qartësohet ajo që duhet të bëhet e qartë dhe ajo që duhet të konsiderohet zgjidhje e vetme. 
I thërret në atë që është më e mira, e nëse gjendja arrin deri aty sa që ata të shprehin inat dhe mendjemadhësi të qartë, atëherë fillon ti kërcënojë me dënimet e ashpra, dhe t’ua bëjë të qartë se rruga në të cilën ata janë dhe ky kundërshtim ndaj fesë që ata po e bëjnë, nuk arsyetohet me injorancë apo humbje, apo me arsyetime se kanë hasur në dilema të cilat s’po mund ti tejkalojnë; jo, por kjo që ata po e bëjnë është refuzim, mendjemadhësi dhe inat. Pastaj ua bën të qartë gjithashtu shkaqet të cilat i kanë penguar që ta pasojnë udhëzimin, dhe se ato s’janë tjetër veçse krekosje dhe qejfe personale, dhe se kur ata preferuan të kotën ndaj së vërtetës zemrat e tyre u mbyllën dhe u vulosën, dhe rruga e udhëzimit iu bllokua si pasojë e refuzimit të tyre dhe pasimit të shejtanit, dhe ikjes prej kujdesit të të Gjithëmëshirmit, prandaj Ai i bëri ata të marrin për kujdestarë ata që ata vetë zgjodhën. Këto kuptime të thukëta dhe të sqaruara mirë ndodhen që të gjitha në Kur’an në pjesë të ndryshme të tij, prandaj parafytyro dhe medito rreth kuptimeve të Kur’anit do ti gjesh ato të sqaruara bukur dhe të qarta. Allahu e di më së miri.” (Mbaroi fjala e tij) 
E si të mos ftohen njerëzit për tek Allahu i Lartësuar përmes Kur’anit kur ai është libri për të cilin Vetë Zbritësi i tij (qoftë i pa të meta) tha: “Sikur këtë Kuran t’ia shpallnim ndonjë mali, do ta shihje atë të përulur dhe të copëtuar nga frika e Allahut. Ne u japim njerëzve shembuj të tillë, ashtu që ata të meditojnë.” Hashr, 21. 
Vërtetë edhe mali me gjithë ashpërsinë dhe hijen e rëndë që e ka, sikur ta kuptonte këtë Kur’an dhe të kishte mundësi ta meditonte atë çfarë ndodhet brenda tij, do të ndjente frikë dhe përulje. 
Ndërsa dijetari i shquar Shami el-Kasimi (Allahu e mëshiroftë) thotë në librin e tij “mirësitë e te’uilit ”: “(Me këto ajete) Është për qëllim qortimi i njeriut për fortësinë e zemrës së tij dhe mangësinë e përuljes që ai ndjen gjatë leximit të Kur’anit dhe gjatë goditjeve dhe qortimeve që vijnë nga ai; e pastaj Allahu i Lartësuar e sqaroi këtë duke na përkujtuar se si ka mundësi që njeriu ta braktisë përuljen ndaj Madhërisë së Allahut dhe Emrave të Tij kurse realiteti është se: “Ai është Allahu, përveç të Cilit nuk ka Zot tjetër (të denjë për adhurim), Njohësi i së dukshmes dhe i së padukshmes, Ai është i Gjithëmëshirshmi, Mëshirëploti! Ai është Allahu, përveç të Cilit nuk ka Zot tjetër (të denjë për adhurim). Ai është Sunduesi, i Shenjti (i pastër nga çdo e metë), Paqëdhënësi, Dhënësi i sigurisë, Mbikëqyrësi mbi gjithçka, i Plotfuqishmi, Imponuesi, Madhështori. Qoftë i lartësuar Allahu mbi gjithçka që ia shoqërojnë Atij (në adhurim)! Ai është Allahu, Krijuesi, Zanafillësi, Ai që çdo gjëje i jep trajtë. Atij i përkasin emrat më të bukur; Atë e përlëvdon gjithçka që ndodhet në qiej dhe në Tokë, Ai është i Plotfuqishmi dhe i Urti.” Hashr, 22-24. 
E gjithashtu i Lartësuari ka thënë: “(Idhujtarët e Mekës thonë:) Sikur të kishte një Kuran me të cilin të lëviznin malet ose të copëtohej toka, ose të flisnin të vdekurit (që të besojmë Muhamedin)?” Ra’d, 31. Imam Ibn Kethiri (Allahu e mëshiroftë) thotë rreth kuptimit të këtij ajeti fisnik: “Sikur të kishte në mesin e librave të mëparshëm libër prej të cilit do të lëviznin malet nga vendet e tyre, apo prej tij të copëtohej dhe të çahej toka, apo tu flitej përmes tij të vdekurve në varret e tyre, do të ishte ky Kur’an ai që do të cilësohej me një aftësi të tillë, e jo të tjerë pos tij.” 
Ashtu siç përulen njerëzit dhe gurët ndaj Fjalës së Allahut të Lartësuar, ashtu janë përulur edhe drunjtë. Në Sahihun e Buharit është transmetuar nga Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të) se ka thënë: “Xhamia (e Profetit ﷺ) ishte e ndërtuar me trungje hurmash, prandaj kur Profeti ﷺ mbante fjalim qëndronte mbi njërën prej këtyre trarëve. Kur atij iu ndërtua minberi  dhe ai qëndronte sipër tij, dëgjuam një zë nga ai trung sikur të ishte zë devesh në periudhën e fundit kur janë me barrë, derisa i Dërguari ﷺ iu afrua dhe vuri dorën sipër tij, dhe u qetësua.” 
Ndërsa sipas një rruge tjetër të transmetimit: “Hurma klithi sikur të ishte foshnje, pastaj iu afrua asaj i Dërguari ﷺ, e afroi afër vetes, ndërsa ajo po gjëmonte sikurse foshnja e cila pret që ta qetësojnë, dhe tha: “Po qante për shkak të dhikrit  që dëgjonte aty pranë saj.” 
 
(vazhdon ...) 
Përktheu nga gjuha arabe, Hekuran Helshani. 
 


Tezkije.com - Nuk lejohet shpërndarja ose/dhe ripublikimi i materialeve pa cekur burimin.
Shko tek kryefaqja