Youtube/Tezkije
Nënçmimi që pason nga braktisja e Kur’anit Fisnik dhe shëmtia e kësaj
Shejh Abdurrahman ed-Dihamij
 21.01.2017

Nëse ajo që e përmendëm ishte realiteti që vie si pasojë e dhënies pas Kur’anit me meditim dhe perceptim, atëherë pa dyshim se largimi dhe shmangia nga meditimi i tij është një gjë e shëmtuar dhe e neveritshme. Imam Kurtubiu (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: “Munafikët u nënçmuan për shkak të shmangies nga meditimi i Kur’anit, dhe shmangies së të menduarit rreth tij dhe kuptimeve të tij.”[1]

Allahu i Lartësuar gjithashtu i ka nënçmuar ata të cilët nuk arrijnë dot ta kuptojnë domethënien e përgjithshme që del nga ai, apo e kanë kuptuar me një kuptim të zbehtë; Siç ka thënë: “Ç’është kështu me këtë popull, që nuk kupton asgjë?” (Nisa, 78).

I Lartmadhërishmi gjithashtu na ka njoftuar për gjendjen e një grupi prej mynafikëve, kokëtrashësinë e tyre dhe kuptimin e zbehtë të tyre, saqë ata edhe pse qëndronin pranë të dërguarit të Allahut dhe e dëgjonin fjalën e tij, nuk e kuptonin atë, e kur pastaj dilnin nga qëndrimi me të, u thoshin njerëzve të dijes nga sahabët: “Çfarë tha ai më parë?” Ashtu siç na njoftoi i Lartësuari rreth tyre: “Midis tyre ka që bëjnë sikur të dëgjojnë ty, por, posa largohen prej teje, i pyesin ata të cilëve u është dhënë dituria: “Ç’tha ai më parë?!” Këta janë ata, zemrat e të cilëve ua ka vulosur Allahu dhe të cilët lëshohen pas epsheve të veta.” (Muhamed, 16)

Kolosi i dijes Islame, Muhamed ibn Abdulvehabi (Allahu e mëshiroftë) thotë për këto ajete: “Kaptina: Frika që kihet ndaj atyre që nuk e kuptojnë Kur’anin se mos janë nga mynafikët.”[2] Pra ata gjatë kohës kur e dëgjonin Kur’anin, nuk përqendroheshin tek Profeti , e as i kishin zemrat prezente, përkundrazi ata qëllimisht angazhoheshin me tjera gjëra, ashtu siç e kishin zakon të bënin vëllezërit e tyre pabesimtarë: “Jobesimtarët thonë: “Mos e dëgjoni këtë Kuran! Flisni e qeshni me zë të lartë, që të ndërpreni leximin e tij!” (Fusilet, 26). Pra, këta nuk e dëgjonin Kur’anin me dëgjim dobiprurës, por e dëgjonin atë vetëm me veshët e tyre, aq sa do të mjaftojë për ta si argument kundër tyre; e sa u përket zemrave të tyre, Kur’ani nuk i arrin dot ato; Prandaj, Allahu na ruajttë, Allahu ua vulosi zemrat e tyre, si shpërblim përkatës. Lavdiploti tha: “Kur ti (Muhamed) lexon Kuranin, Ne vëmë një perde të fshehtë mes teje dhe atyre që nuk besojnë në jetën e ardhshme.” (Isra, 45). Hafëz Ibn Kethiri (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Perde; ashtu që mos ta kuptojnë Kur’anin.”[3]

E gjithashtu Imam Ibnul-Kajjim (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: “Domethënia e kësaj: Kemi bërë midis tyre dhe Kur’anit, kur ti e lexon atë, një pengesë që qëndron midis tyre dhe kuptimit të tij dhe besimit në të; e këtë e sqaron Fjala e Tij: “Ne kemi vënë mbulesa në zemrat e tyre, që të mos e kuptojnë atë, dhe ua kemi shurdhuar veshët.” (Isra, 46) Pra, këto të trija janë ato trija që janë përmendur në Fjalën e të Lartësuarit: “Ata thonë: “Ajo për të cilën ti na thërret, nuk i arrin zemrat tona, sepse ato janë të mbrojtura mirë. Veshët tanë janë të shurdhër e midis nesh e teje ka perde.” (Fussilet, 5) Pra, i Lartësuari na njoftoi se kjo që i ka goditur ata, pra perdja pengon pamjen e së vërtetës, mbulesa ndalon nga kuptimi, ndërsa shurdhimi pengon nga dëgjimi i tij.”[4]

Allahu gjithashtu ka thënë: “Do t’i largoj prej shenjave të Mia ata që sillen me arrogancë në Tokë, pa kurrfarë të drejte.” (A’rafë, 146) Sufjan ibn Ujejne[5] (Allahu e mëshiroftë) ka thënë për këtë ajet: “Do t’ua tërheq atyre kuptimin e Kur’anit dhe do t’i shmang prej ajeteve të Mia.”[6]

Kolosi i dijes Shinkiti (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: “I Lartmadhëruari e ka nënçmuar atë që ia kthen shpinën këtij Kur’ani të madhërishëm në shumë ajete, siç është Fjala e Tij: “Kush është më i padrejtë se ai që, kur ia kujtojnë shpalljet e Zotit të vet, largohet nga ato ...!?” (Kehf, 57) Dhe Fjala e Tij: “Kush është më i padrejtë se ai që përkujtohet me shpalljet e Zotit të vet, pastaj largohet nga ato ...!?” (Sexhde, 22).

Është më se e njohur se çdonjëri i cili nuk angazhohet me meditimin e ajeteve të Kur’anit të madhërishëm, pra shfletimit dhe të kuptuarit e tij, si dhe kapjes së domethënieve të tij dhe veprimit sipas tyre, ai llogaritet si braktisës i tij, njeri që nuk e mediton atë, prandaj e meriton shpërfilljen dhe qortimin e përmendur në këto ajete, gjithmonë duke pasur parasysh nëse është prej atyre që Allahu i ka dhënë kuptim me të cilin i mundësohet meditimi. Pastaj, edhe Profeti është ankuar te Zoti i tij për braktisjen që populli i tij ia bënë këtij Kur’ani, siç na njoftoi i Lartësuari: “Dhe i Dërguari do të thotë: “O Zoti im! Populli im e shpërfilli Kuranin.” (Furkan, 30)

Këto ajete që u përmendën tregojnë se meditimi, kuptimi, mësimi dhe veprimi sipas Kur’anit është diçka e patjetërsueshme për çdo mysliman. I dërguari i Allahut veçse e ka bërë të qartë se ata që merren me të janë njerëzit më të mirë, siç është përcjellë prej tij në Sahih, nga hadithi i Uthman ibn Afanit (Allahu qoftë i kënaqur me të), se ka thënë: “Më i miri prej jush është ai i cili e ka mësuar Kur’anin, pastaj ua ka mësuar atë të tjerëve.”[7] Dhe ka thënë i Lartësuari: “Përkundrazi, “Bëhuni robër të ditur të Zotit (Rabbennijunë)[8] sepse ua keni mësuar Librin të tjerëve dhe e mësoni edhe vetë!” (Ali imranë, 79)

Prandaj, braktisja e vështrimit analitik, kuptimit dhe punës me Librin e Allahut nga shumë prej njerëzve, e gjithashtu edhe braktisja e sunetit autentik sqarues të tij, është prej gjërave më të urryera dhe më të shëmtuara, edhe nëse ata që veprojnë kështu mendojnë se janë në rrugë të drejtë.”[9]

Kolosi i dijes Islame Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: “Nevoja e umetit për kuptimin e Kur’anit është urgjente, Kur’an ky i cili është litari i përforcuar i Allahut, përkujtimi plot urtësi dhe rruga e drejtë; është ai përmes së cilit s’ka mundësi të devijojnë mendjet, gjuhët s’kanë mundësi të pështillen, nuk vjetrohet nga përsëritja e shpeshtë, ndërsa mrekullitë e tij nuk mbarojnë asnjëherë; prej tij nuk ngopen dot dijetarët, kush flet me të ia ka qëlluar të vërtetës e kush punon me të shpërblehet, kush gjykon me të sjellë drejtësi, e kush thërret në të udhëzohet në rrugën e drejtë; ndërsa ai që e lë atë me arrogancë Allahu do ta thyejë atë, e kush kërkon pos tij udhëzim tjetër Allahu do ta humbasë atë.” [10]

Allahu i Lartësuar ka tërhequr vërejtjen se në çfarë çon vazhdimësia e braktisjes së meditimit të tij, qoftë në aspektin e ngurtësimit të zemrës, apo mungesës së përuljes së kërkuar, prandaj ka thënë: “A nuk ka ardhur koha për besimtarët e vërtetë, që zemrat e tyre të përulen para këshillave të Allahut dhe para së Vërtetës që Ai ka shpallur e të mos bëhen si ata, që iu është dhënë Libri më parë?! Me kalimin e një kohe të gjatë, zemrat e tyre u ngurtësuan dhe shumë syresh janë të pabindur.” (Hadidë, 16)

Allahu gjithashtu ka përmendur në Kur’anin Fisnik se humbja e njerëzve të devijuar kthimin e ka tek lënia e meditimit të Kur’anit, dhe shmangia prej tij, prandaj ka thënë: “Juve ju janë lexuar vargjet e Mia, por ju tërhiqeshit mbrapa, me kryelartësi! Ju flisnit kotësira për të (Kuranin), si dikush që rrëfen natën përralla. Vallë, a nuk kanë medituar ata mbi Fjalën (Kuranin) apo atyre u ka ardhur ajo që nuk u kishte ardhur të parëve të tyre?” (Mu’minunë, 66-68)

Për këtë arsye braktisja e meditimit të Kur’anit është një prej formave të heqjes dorë prej tij; Allahu i Lartësuar tha: “Dhe i Dërguari do të thotë: “O Zoti im! Populli im e shpërfilli Kuranin.” (Furkan, 30) Hafëz Ibn Kethiri (Allahu e mëshiroftë) thotë rreth këtij ajeti: “Lënia e meditimit të tij dhe qasjes ndaj kuptimeve të tij është një prej formave të braktisjes së tij; gjithashtu lënia e punës sipas tij, zbatimit të urdhrave të tij, apo largimit prej qortimeve të tij, është prej formave të braktisjes; ndërsa kthimi i vëmendjes kah gjërat tjera pos tij, siç është poezia, fjalët e njerëzve, këngët, gjërat e kota, bisedat, apo metoda të huazuara nga të tjerë, janë gjithashtu prej formave të braktisjes së tij;[11] Prandaj, e lusim Allahun, Bujarin, të Mëshirshmin, të Plotfuqishmin ndaj çdo gjëje, që të na çlirojë nga çdo veti e cila e hidhëron Atë, të na fusë në punë vetëm në ato gjëra që e kënaqin Atë, në mësimin dhe kuptimin e Librit të Tij, në praktikumin e mësimeve që dalin prej tij natën dhe ditën, ashtu siç Ai është i kënaqur dhe dëshiron prej nesh, vërtetë Ai është Bujar, Dhurues i Madh.”[12]

Allahu e ka sjellë për shembull edhe gjendjen e jehudëve në raport me Tevratin, duke aluduar neveri prej kësaj gjendjeje të tyre, duke thënë: “Shembulli i atyre, që iu besua Teurati, por pastaj nuk e zbatuan atë, i shëmbëllen gomarit, që vetëm sa i mbart librat. Sa i keq është shembulli i atyre që mohojnë shpalljet e Allahut! Allahu nuk i udhëzon (në rrugën e drejtë) keqbërësit.” (Xhum’a, 5).

Ebu Bekr et-Turtushiu[13] (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Këtu futet në përgjithësi edhe çdonjëri që di përmendësh Kur’anin nga mileti (populli) ynë, por pastaj nuk e kupton atë, dhe nuk punon sipas asaj që ndodhet në të.”[14]

Prandaj le të ndalemi gjatë në Fjalën e Allahut të Lartësuar: “Disa prej atyre janë analfabetë, nuk e njohin Librin, përveç disa trillimeve dhe flasin vetëm me hamendje.” (Bekare, 78). Kjo është një përçmim për ithtarët e Librit por dhe tërheqje e vërejtjes për ata që vijnë pas tyre.

Imam Kurtubiu (Allahu e mëshiroftë) thotë në tefsirin e tij: “Trillimet – arab. Emaanijju,” është shumësi i “Umnijjeh,” që nënkupton “leximin;” dhe prej këtij lloji është edhe Fjala e Allahut: “që djalli të mos i ndërhynte në leximin (Umnijjeh) e tij;” (Haxh, 52) që nënkupton se kur ai lexonte, djalli hidhte diç në leximin e tij.

Prandaj, Ka’b ibn Malik (Allahu qoftë i kënaqur me të) ka thënë:

“E lexoi[15] Librin e Allahut në të parën e natës së tij

e në të fundit, takoi vdekjen që i ishte caktuar atij.”[16]

Prandaj, sa ka sot të atillë që e lexojnë Kur’anin por as nuk e kuptojnë e as e marrin vesh, por pajtohen me leximin e thjeshtë të tij me gjuhë; Allahu është Ndihmësi!

La ilahe il-Allah,[17] sa shumë janë privuar nga udhëzimi dhe dituria ata që ia kthyen shpinën Kur’anit!

Allahu i Lartësuar i ka përçmuar ata që shmangen nga Kur’ani Fisnik në më shumë se një ajet të Librit të Tij; duke thënë: “Atëherë, përse shmangen ata nga këshillimi, sikur të ishin gomerë të egër; e të frikësuar që ikin prej luanit?!” (el-Mudethir, 49-51). E gjithashtu Lavdiploti ka thënë: “Mjerë gjynahqari gënjeshtar! Ai i dëgjon shpalljet e Allahut që i lexohen e përsëri ngulmon në mendjemadhësi, sikur nuk i ka dëgjuar ato; jepi lajmin për dënim të dhembshëm!” (el-Xhathije, 7-8) Pastaj ka thënë: “Atëherë, në çfarë fjalësh të tjera do të besojnë ata, nëse mohojnë Allahun dhe shenjat e Tij?! (el-Xhathije, 6)

I Lartmadhërishmi na ka njoftuar se kushdo që largohet nga ky Kur’an patjetër se atij do t’i mbështillen punët, dhe gjendja e tij do ta shkatërrojë atë; Ka thënë: “Mirëpo, ata e mohojnë të Vërtetën kur u vjen, kështu që ata janë në gjendje të turbulluar.” (Kafë, 5)

Largimi nga Kur’ani ngërthen në vete pasim të hamendjes (epshit) dhe shmangie nga udhëzimi. I Lartësuari tha: “E nëse ata nuk të përgjigjen ty, dije se ata janë skllevër të dëshirave të veta. E kush është në humbje më të madhe, se ata që udhëhiqen nga dëshirat e veta, pa udhëzim prej Allahut? Sigurisht, Allahu nuk i udhëzon njerëzit keqbërës.” (Kasas, 50)

Shmangia nga Fjala e Zotit të Madhërishëm është njashtu epiqendra e fatkeqësisë; Allahu i Lartësuar ka thënë: “Kushdo që i kthen shpinën Këshillës Sime, do të ketë jetë të mjeruar dhe Ne, në Ditën e Kiametit, do ta ringjallim të verbër. Ai do të thotë: “O Zoti im, përse më ringjalle të verbër, kur unë kisha shikuar më parë?” (Allahu) do t’i thotë: “Kështu të erdhën shenjat Tona dhe ti i harrove ato e po kështu sot do të jesh i harruar.” (Ta-Ha, 124-126) Kushdo që shmanget tutje nga Kur’ani, patjetër se edhe ai do t’i flasë këto fjalë Ditën e Kijametit. Pra, kur ai u largua prej përkujtimi, u shua tek ai vizioni për të vërtetën, prandaj Allahu ia verboi shikimin e tij Ditën e Kijametit, duke qenë se shpërblimi vjen sipas llojit të veprës. I Lartësuari tha: “Ai, që Allahu e udhëzon në rrugën e drejtë, është i udhëzuari; ndërsa për atë që Ai e çon në humbje, me siguri që nuk do të gjesh mbrojtës tjetër, përveç Atij. Ne do t’i tubojmë ata në Ditën e Kiametit, me fytyrat përtokë, të verbër, shurdhë e memecë.” (Isra, 97)

Pra, në largimin nga Kur’ani ka vetëm prishje dhe shkatërrim; Allahu i Lartësuar tha: “Nëse ju (o hipokritë) i ktheni shpinën besimit, atëherë do të bënit ngatërresa në Tokë dhe do t’i shkatërronit lidhjet farefisnore. Këta janë ata, të cilët Allahu i ka mallkuar, i ka bërë të shurdhër dhe ua ka verbuar shikimin. Vallë, a nuk përsiatin ata për Kuranin apo mbi zemra janë vënë kyçet e tyre (përkatëse)?!” (Muhamed, 22-24)

Imam ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: “Zemra (në këtë rast) bëhet sikur të jetë një derë e kyçur fort, e cila është mbërthyer me dry, kështu që është e pamundur hapja e saj dhe arritja tek gjërat që ndodhen pas saj nëse nuk i hiqet dryri; Prandaj, për aq kohë sa nuk hiqet vula dhe kyçi nga zemra, aty nuk do të futet imani dhe Kur’ani.”[18]

E sa i përket kthimit të “kyçit” në këtë rast tek përemri i tij, këtu kemi një vërejtje të hollë që e ka sjellë imam ibnul-Kajjimi (Allahu e mëshiroftë), i cili ka thënë: “Në Fjalën e Tij: “kyçet e tyre,” lidhja përmes përemrit shpreh përforcim, sepse po të Thoshte vetëm “kyçe,” mendja do të shkonte tek gjërat që janë të njohura për ne me këtë emër, por kur i ktheu “kyçet” tek zemrat u kuptua se është për qëllim diçka, pozita e së cilës në raport me zemrën është sikurse pozita e kyçit (dryrit) në raport me derën; Pra, sikur Allahu deshi të na tregoi se këto kyçe janë të posaçme për zemrat dhe nuk janë sikurse të tjerët. Allahu e di më së miri!”[19]

Kolosi i dijes Tahir ibn Ashuri (Allahu e mëshiroftë) në shpjegimin e tij të këtij ajeti ka thënë: “Lidhja e emrit “kyçe” me përemrin që tregon për zemrat (kyçet “e tyre”) është një thurje e hatashme, që tregon për dedikimin e posaçëm të këtyre kyçeve vetëm për këto zemra, pra për pandashmërinë e tyre me to; duke u bërë e qartë kështu se ato janë zemra të ngurta.”[20]

Pastaj, medito se si është thënë “... apo mbi zemra,” në trajtën e pashquar, e nuk është thënë “mbi zemrat e tyre.” Imam el-Kurtubiu në tefsirin e tij thotë: “... sepse sikur (Allahu a.xh.) të kishte thënë “mbi zemrat e tyre,” atëherë nuk do të futeshin në këtë grup zemrat e të tjerëve pos këtyre që u përmendën. Ndërsa kuptimi i kësaj është: “... apo mbi zemrat e këtyre, dhe mbi zemrat e të gjithë atyre që i bartin këto cilësi, janë vendosur kyçet e tyre.”[21]

Nëse Allahu i Madhërishëm i ka nënçmuar hipokritët dhe jobesimtarët për shkak se nuk e medituan Kur’anin, si është puna atëherë me atë mysliman që e ka lexuar atë por nuk e ka medituar?!

Ajo që duhet të vihet në pah është se, askush nuk ka mundësi të përfitojë prej këtij Kur’ani, e as të arrijë deri te urtësia të cilën Allahu Lavdiplotë ka dashur ta sjellë për njerëzimin, përveç nëse e mediton atë, e kështu të bindet se ai është Fjalë e Allahut të Lartësuar, dhe e lexon atë ashtu siç i takon këtij libri madhështor; Vetëm atëherë ai do të ketë mundësi të përfitojë prej Kur’anit, duke bërë që tek ai të shfaqen gjurmët e tij dhe dritat e tij të ndriçojnë zemrën e tij: “Ata që u kemi dhënë Librin dhe e lexojnë ashtu siç është shpallur, ata besojnë vërtet në të.” (Bekare, 121).

Profeti ynë qëndronte në piedestalin e meditimit të Fjalës së Allahut të Lartësuar. Është përcjellë nga Abdullah ibn Amr ibn el-Asi (Allahu qoftë i kënaqur me të) se i Dërguari lexoi Fjalën e Allahut të Lartësuar në suren Ibrahim: “O Zoti im, ata kanë shmangur shumë njerëz (nga rruga e drejtë). Ai që më pason mua, është i fesë sime;” (Ibrahim, 36) dhe fjalën e Isait (alejhis-selam): “Nëse Ti i dënon ata - robërit e Tu janë, e nëse i fal ata, me të vërtetë, vetëm Ti je i Plotfuqishmi dhe i Urti.” (Maide, 118); pastaj ngriti duart dhe tha: “O Allahu im! Umeti im! Umeti im!” dhe qau. Allahu i Lartësuar tha pastaj: “O Xhibril! Shko te Muhamedi - E Zoti yt është më i Dijshmi – dhe pyete atë: “Çfarë të bëri të qash?” Xhibrili (alejhis-selam) shkoi tek ai dhe e pyeti, dhe Profeti e njoftoi atë për atë çfarë tha, edhe pse ai e dinte më mirë. Allahu tha: “O Xhibril! Shko te Muhamedi, dhe thuaj: “Ne do të të kënaqim ty me umetin tënd, e nuk do të të harrojmë.” Transmeton Muslimi.[22]

Nga Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të) përcillet se ka thënë: “Një natë prej netëve, i Dërguari i Allahut më tha: “Oj Ajshe! Më lerë sonte që të bëj ibadet (adhurim) për Zotin tim!” I thashë: “Pasha Allahun, unë kam dëshirë të të kem pranë, por gjithashtu më kënaqë ajo që të kënaqë ty.” Pastaj u ngrit dhe mori abdest, dhe u ngrit për namaz.” Pastaj (Aishja – radijallahu anha) tha: “dhe nuk ndaloi së qari derisa iu lag prehri i tij;” Tha: “Pastaj qau dhe nuk ndaloi së qari derisa iu lag mjekra e tij;” dhe tha: “Pastaj qau, dhe nuk ndaloi së qari derisa u lag toka, dhe erdhi Bilai që ta ftonte për namaz.” Kur ai e pa të qante kështu i tha: “O i Dërguari i Allahut! Përse qan ndërsa Allahu t’i ka falur ty atë që ka shkuar dhe ato që do vijë?!” Ai ia ktheu: “A mos të jem rob falënderues pra?! Sonte më ka zbritur një ajet, mjerë për atë që e lexon atë dhe nuk mediton rreth tij: “Vërtetë në krijimin e qiellit dhe tokës ...” (Ali Imranë, 190; i tërë ajeti.) E ka transmetuar ibn Hibani,[23] dhe e bëri të saktë Albani.

 

Prandaj, o vëlla i nderuar! Ndoshta këto ajete janë prej atyre që më së shpeshti i kemi dëgjuar nga imamët tanë nëpër namazet tona! Por, ku mbeti të menduarit dhe meditimi rreth tyre?!

Në “Sahihun e Muslimit,” Mutarrifi përcjellë nga babai i tij se ka thënë: “Iu afrova Profetit derisa ishte duke e lexuar ajetin: “Ju mashtroi juve shtimi (i pasurisë).” (Tekathur, 1) Pastaj tha: “Thotë biri i Ademit: “Pasuria ime, pasuria ime!” Po çfarë të ka mbetur nga pasuria jote, o biri i Ademit, përveç asaj që e ke ngrënë dhe e ke harxhuar, e ke veshur dhe e ke shterur, apo e ke dhënë si lëmoshë dhe e ke deponuar?!”[24]

Prej udhëzimit të sahabëve të ndershëm (Allahu qoftë i kënaqur me ta) ka qenë edhe thirrja në meditimin e Kur’anit, urtësive dhe normave të tij, tregimeve dhe lajmeve të tij, këshillave dhe shembujve të tij, legjislacioneve dhe mrekullive të tij. Ja ku e kemi Umerin – të drejtin (Allahu qoftë i kënaqur me të), i cili i pyeste sahabët për shembullin të cilin Allahu i Lartësuar e kishte sjellë në Kur’an, e të cilin s’do të kishte mundësi ta qëllonte kush përveç atij që Allahu ia kishte ndriçuar largpamësinë e tij, dhe i cili e lexonte Kur’anin duke e medituar atë ashtu siç i përket; gjendje kjo që i përfshinte të gjithë shokët e Profetit . Kështu, në “Sahihun” e imam Buhariut (Allahu e mëshiroftë) është përcjellë se Umeri (Allahu qoftë i kënaqur me të) u kishte thënë një ditë prej ditëve shokëve të Profetit : “Çka mendoni, për çfarë ka zbritur ky ajet: “A dëshiron ndonjëri prej jush të ketë një kopsht ...?!” Thanë: “Allahu e di më së miri!” Umeri u hidhërua dhe tha: “Thuani: E dimë apo nuk e dimë!” Pastaj ibn Abasi tha: “Kam diçka në veten time rreth kësaj, o prijës i besimtarëve.” Umeri tha: “O biri i vëllait tim, thuaje e mos e nënçmo veten tënde!” Ibn Abasi tha: “Është sjellë si shembull për një punë.” Umeri tha: “Cilën punë?” Ibn Abasi tha: “Për një punë.” Umeri tha: “Për një burrë të pasur i cili punon me bindje ndaj Allahut të Plotfuqishëm, e pastaj Allahu ia dërgon një shejtan, e ai fillon të punojë punë të këqija derisa veprat e tij e ngulfasin.”[25]

Për këtë arsye kur ndonjëri nga selefi kalonte nëpër ndonjë shembull të cilin nuk arrinte ta kuptonte, qante, duke thënë: “S’qenkam prej dijetarëve;” sepse Allahu i Lartësuar ka thënë në Kur’an: “Këta shembuj Ne ua paraqesim njerëzve, por ata nuk i kupton kush, përveç dijetarëve.” (Ankebutë, 43)[26]

Kolosi i dijes, ibn Kasim (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: “Shembujt e Kur’anit janë prej diturive më të mëdha të tij, ndërsa imam Shafi’u e ka llogaritur se muxhtehidi[27] e ka obligim ta njohë mirë këtë lloj dije; të cilën Allahu e ka sjellë si përkujtim dhe si këshillë, e që ngërthen në vete parafytyrimin e kuptimeve sikur të ishin ato persona konkret.”[28]

 

Nga Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të) përcillet se ka thënë: “Umeri r.a. më fuste mua të prezantoj me të vjetrit e Bedrit, me ç’rast dikush prej tyre tha: “Pse po e fut me ne këtë djalosh, duke qenë se edhe ne kemi djem si ky?” Ai i tha: “Ky është prej atyre që i njihni.” Pastaj, një ditë prej ditësh i thirri ata dhe më thirri edhe mua me ta; dhe nuk mendoi se i kishte thirrur për tjetër veçse për të më prezantuar mua para tyre. Tha: “Çfarë thoni për (ajetin): “Kur të vijë ndihma e Allahut dhe çlirimi; dhe t’i shohësh njerëzit duke hyrë në fenë e Allahut grupe-grupe,...” (en-Nasr, 1-2); derisa e mbaroi suren. Pastaj dikush prej tyre tha: “Jemi urdhëruar që ta lavdërojmë Allahun dhe t’i kërkojmë falje kur ndihmohemi apo përkrahemi me fitore (nga Allahu xh.sh.);” Pastaj dikush tjetër prej tyre tha: “Nuk e dimë;” ndërsa të tjerë heshtën. Pastaj më tha mua: “O ibn Abas! A thua edhe ti kështu?” Thash: “Jo.” Tha: “Çfarë thua pra?” Thash: “Ky është exheli (mbarimi i jetës) së të Dërguarit të Allahut për të cilin e njoftoi Allahu: “Kur të vijë ndihma e Allahut dhe çlirimi;” (en-Nasr, 1) dmth. çlirimi i Mekës; pra, kjo është shenja e afrimit të exhelit për ty, prandaj: “Madhëroje me falënderim Zotin tënd dhe kërko falje nga Ai; se Ai është vërtet Pranues i madh i pendimeve.” (en-Nasr, 3) Umeri tha: “As unë nuk di më shumë se kjo që di ti.”[29] Përcjellë Buhariu.

Ndërsa Profeti i thërriste shokët e tij të ndershëm (Allahu qoftë i kënaqur me ta) që ta meditonin Kur’anin. Përcillet prej Ubej Ibn Ka’bit (Allahu qoftë i kënaqur me të) se ka thënë: “Profeti ka thënë: “O Ebu Mundhir! A e di se cili ajet prej librit të Allahut është më i madhi?” Tha: “Thashë: “Allahu dhe i dërguari i Tij e dinë më mirë.” Tha: “O Ebu Mundhir! A e di se cili ajet prej librit të Allahut është më i madhi?” Tha: “Thashë: “Allahu! Nuk ka zot tjetër (që meriton adhurimin) përveç Tij, të Gjallit, të Përjetshmit, Mbajtësit të gjithçkaje!” (el-bekare, 255). Pastaj më goditi në gjoksin tim dhe më tha: “Pasha Allahun, të lumtë për këtë dituri o Ebu Mundhir!” Përcjellë Muslimi.[30]

Prandaj, i lumtur në kuptimin e plotë të fjalës është ai që Allahu e ka përkrahur që t’i qaset Kur’anit, meditimit të tij dhe punës me të, duke qenë se shkencat e Kur’anit janë shkencat më të mira, e sa i përket fisnikërisë së atyre që merren me të, kjo gjë është më se e qartë: “Vallë, ai që di se ajo që të është shpallur ty (Muhamed) nga Zoti yt është e vërteta, a është njësoj me atë që është i verbër (ndaj këtij fakti)? Vetëm njerëzit që kuptojnë ia vënë veshin kësaj.” (Ra’d, 19). “Përkundrazi! Ai (Kurani) është shpallje e qartë në zemrat e atyre, të cilëve u është dhënë dija. Shpalljet Tona i mohojnë vetëm keqbërësit.” (Ankebutë, 49).

Ai është këshilluesi më madhështor, frenuesi më i madh. Allahu s’ka zbritur ndonjëherë këshillues si shembulli i këtij Kur’ani: “Këto janë shpalljet e Allahut, të cilat Ne t’i tregojmë ty me tërë të vërtetën. Atëherë, në çfarë fjalësh të tjera do të besojnë ata, nëse mohojnë Allahun dhe shenjat e Tij?!” (el-Xhathije, 6).

 

(... vijon)

Përktheu nga Gjuha Arabe, Hekuran Helshani.

 



[1] Tefsiri i Kurtubiut “el-Xhamiu li-ahkami el-Kur’an,” 6/476.

[2] “Vlerat e Kur’anit,” nga Dijetari Muhamed ibn Abdulvehab, fq. 12.

[3] Tefsiri i Ibn Kethirit, 3/247.

[4] “Shifa el-‘Alilë,” 2/629-630.

[5] Sufjan ibn Ujejne: “Sufjan ibn Ujejne ibn Ebi Imranë Mejmunë Ebu Muhamed el-Hilali, nga Kufja, e pastaj nga Mekka, është i besueshëm, hafëz, dijetar, imam, argument në vetvete; ka lindur në Kufe në muajin Sha’ban, në vitin njëqind e shtatë, ndërsa ka vdekur në Raxheb në vitin njëqind e nëntëdhjetë e tetë, në moshën nëntëdhjetë e një vjeçare. Ai (Allahu e mëshiroftë) ishte prej atyre që kishin hifz (mbamendje) të thellë, të devotshëm e fetar të dalluar; edhe pse ndoshta ndonjëherë ka kapërcyer ndonjë transmetues por gjithmonë duke përcjellë prej njerëzve të besueshëm.” Shih: “Sijer el-A’lamë en-Nubela,” 8/454-474; “eth-Thikatë,” 6/403-404; si dhe “Takribu et-Tedh’hibë,” fq. 395. 

[6] “Tefsiri i ibn Ebi Hatimit,” 5/1567.

[7] E ka përcjellë Buhariu në kaptinën e vlerave të Kur’anit, nënkaptina “më i miri prej jush është ai i cili e ka mësuar Kur’anin pastaj ua ka mësuar atë të tjerëve,” nr. 5027.

[8] Imam Buhariu thotë në Sahihun e tij: “Ibn Abbasi, për këtë pjesë të ajetit “Bëhuni rabbenijjine,” ka thënë: “të urtë, dijetarë,” prandaj thuhet për dikë “rabbenijj” nëse ai ua mëson njerëzve dijen gradualisht duke filluar me gjërat e lehta para atyre të rëndave;” në kaptinën e diturisë, nënkaptina “Dituria para fjalës dhe veprës.”

[9] “Adva el-bejan,” 7/457-458.

[10] “Mexhmuë el-fetava,” 13/330.

[11] Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) në librin e tij “el-Fevaid,” fq. 118, thotë: “Braktisja e Kur’anit është disa llojesh: ... (pastaj prej tyre përmend) ... e katërta: Braktisja e meditimit të tij, qasjes ndaj kuptimeve të tij, hulumtimit të qëllimit të Folësit me të.”

[12][12] “Tefsiri i Ibn Kethirit,” 6/108-109.

[13] Ebu Bekr et-Turtushi quhej: “imami shembullor Muhamed ibn Uelid ibn Halef el-Andalusi; quhej et-Turtushi sipas vendit Turtush që ndodhej në lindje të Andalusit. Ka shkrime, prej tyre janë: “Siraxh el-mulukë,” “havadith uel-bida,” e të tjera. Ka lindur në vitin 451 h., ndërsa ka vdekur në vitin 520 h.” “Sijeru el-A’lamë en-Nubela,” (19/490-496.)

[14] “El-Havadith uel-Bida,” fq. 101.

[15] Ky varg nuk është sjellë për tjetër veçse për të treguar se fjala “e lexoi” e ka burimin në të njëjtën fjalë e cila është përdorur në ajetin paraprak me kuptim “lexoje,” e që në arabisht është trajtë e asaj që u përmend me herët “umnijjeh.”

[16] “Tefsiri i Kurtubiut,” (2/217-218) Shkurtimisht.

[17] Fjalë në këtë rast habitore, që shpreh shehadetin: “S’ka zot tjetër që meriton adhurim përveç Allahut.”

[18] “Shifau el-Alilë,” 2/638.

[19] “el-Masdar es-Sabik,” 2/637-638.

[20] “Et-Tahriru uet-tenuirë,” vëll.10, 26/114.

[21] Tefsiri i Kurtubiut, 19/267.

[22] E ka përcjellë Muslimi në Kaptinën e Imanit, nënkaptina “Lutja e Muhamedit për umetin e tij dhe qarja e tij me dhembshuri për ta.” Nr. 202.

[23] E ka përcjellë ibn Hibani (2/386-387), nr. 260; Shih gjithashtu: “es-Silsiletu es-Sahiha,” (1/147), nr. 68.

[24] E përcjellë Muslimi në kaptinën “Asketizmi dhe zbutësit e zemrës,” nr. 2958.

[25] Sqarim nga përkthyesi: Lexoje ajetin të tërin në Kur’an ashtu që ta kuptosh kontekstin me të cilin ka zbritur ajeti; është fjala për një person i cili pasi që Allahu i ka dhënë një kopsht të bereqetshëm në dynja, ia ka kapluar zjarri ...
* Hadithi i Umer ibn Hatabit (Allahu qoftë i kënaqur me të); e ka transmetuar Buhariu në “Tefsir,” kaptina “Fjala e të Lartësuarit: “A dëshiron ndonjëri prej jush të ketë një kopsht ...” e deri te “... mendoni.” Nr. 4538.

[26] “Miftah dar es-seadah,” 1/138.

[27] Muxhtehid (dhe jo muxhahid) – është person i cili ka arritur gradën më të lartë në nxjerrjen e dispozitave dhe normave fetare direkt nga Kur’ani dhe suneti, pa pasur nevojë të konsultohet me dikë tjetër prej dijetarëve.

[28] “Hashijetu Mukadimeti et-Tefsir,” Ibn Kasim, fq. 97.

[29] Përcjellë Buhariu në “el-Megazi;” nr. 4294.

[30] E përcjellë Muslimi në kaptinën “Namazi i udhëtarëve;” Nënkaptina “Vlera e sures Kehf dhe ajetit el-Kursij,” nr. 810. 


Tezkije.com - Nuk lejohet shpërndarja ose/dhe ripublikimi i materialeve pa cekur burimin.
Shko tek kryefaqja