Sa i përket qëndrimit në raport me kuptimet e Kur’anit, imam ibnul-Kajjim (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: “Meditimi i një të folme nënkupton shikimin në fillimin e saj dhe në fundin e saj, e pastaj përsëritjen e këtij vëzhgimi herë pas here; Kjo është arsyeja pse kallëpi i kësaj fjale gramatikisht (në gjuhën arabe) është ndërtuar sipas bazës katër-shkronjëshe, duke filluar me shkronjë “t” dhe me përforcim tek shkronja e tretë (“sheddeh”).[1] (Me këtë është për qëllim se kjo folje, si shumë të tjera të këtij kallëpi, nënkupton përsëritjen e veprimit të foljes herë pas here, e jo vetëm një herë të vetme.) Gjithashtu edhe folja “istibsarë” (kërkim-njohje) ka buruar prej të njëjtës formë “tebes-sur,” që nënkupton qartësimin e një çështjeje, zbulimin e saj dhe sjelljen e saj përpara pamjes/njohjes tonë. Gjithashtu secila prej foljeve “tedhek-kur” (përkujtim) dhe “tefek-kur” (reflektim, studim), kuptimet e tyre sjellin dobi të veçantë për secilën; Në këtë mënyrë folja “tedhek-kur” nënkupton përsëritjen, dhe të përkujtuarit e zemrës, e gjithë asaj që e ka njohur apo kuptuar më parë, ashtu që ajo të rrënjoset dhe të përforcohet në të, e të mos fshihet më, duke ikur kështu çdo gjurmë e saj nga zemra. E sa i përket “tefek-kur,” ajo nënkupton shtimin e njohurive dhe thirrjen (tërheqjen) e asaj që i mungonte zemrës, duke bërë që ky “tefek-kur” (reflektim) ta sjellë këtë njohuri (deri tek zemra), ndërsa “tedhek-uri” (përkujtimi) ta ruajë atë aty. Për këtë arsye Hasan el-Basriu (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: “Njerëzit e dijes vazhdimisht i kthehen reflektimit me përkujtim, dhe përkujtimit me reflektim, dhe iu flasin zemrave ashtu që ato të flasin pastaj me urtësi.” Prandaj, reflektimi dhe përkujtimi janë farat e diturisë, ujitja e saj është shkëmbimi, ndërsa shartimi[2] i saj është përsëritja; Siç ka thënë dikush prej selefit: “Takimi me burrat e dijes, është sikurse shartimi për mendjet.” Këtu mbaron fjala e tij (Allahu e mëshiroftë).[3]
Kjo që e ka thënë imam ibnul-Kajjim (Allahu e mëshiroftë) është në përputhshmëri me atë që e kanë thënë edhe dijetarët e gjuhës. Imam ibn Mendhuri (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: “ – shemb.: “E ka medituar një çështje” – nënkupton se: Ka shikuar në pasojat e saj, e ka parë sipas fundit të saj. Shemb. Ka parë në të pasmen e saj atë që nuk e ka parë dot në ballin e saj. Ose: E ka njohur çështjen nga e prapmja; pra, sipas përfundimit të saj.”[4]
Ndërsa kolosi (i gjuhës arabe) el-Fejumi (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: “Deb-bertu[5] el-emra” – e bëra punën me mend dhe me kujdes; ndërsa “tedeb-bertu el-emra” (e meditova çështjen) – shikova në pasojat e saj, që do të thotë në rezultatin dhe përfundimin e saj.”[6]
O njerëzit e Kur’anit!
Vërtetë rruga e vetme për t’u ndikuar nga Kur’ani Fisnik është meditimi i kuptimeve të tij, kuptimi i qëllimeve të tij, pasja parasysh madhështinë e atij që flet me të; pra, zemra ndikohet prej tij në mënyra të ndryshme, varësisht prej llojit të ajetit, ashtu që për secilin kuptim shfaqet edhe një gjendje përkatëse, qoftë mërzi, frikë, shpresë apo diçka tjetër.
“P.sh. Në rast të kërcënimit apo kushtëzimit të faljes (nga ana e Allahut), (lexuesi) pothuajse harxhohet nga frika prej Tij, gati sa s’vdes; Ndërsa kur flitet për gjerësinë dhe premtimin e faljes ndjen sikurse fluturon nga gëzimi; Gjersa kur përmenden Cilësitë e Tij ulë kokën me frikë-respekt ndaj Lartmadhërisë së Tij, duke provuar ta përjetojë praninë e Madhështisë së Tij. E sa i përket përshkrimit të Xhenetit, e brendshmja e tij rigjallërohet prej mallit për të; e kur përmendet Zjarri rrëqethet i tëri nga frika prej tij.”[7]
Hasan el-Basriu (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Vallahi,[8] s’ka ndonjë rob që është zgjuar sot duke lexuar Kur’an dhe duke besuar në të, veçse e ka kapluar atë mërzia, i është pakësuar gëzimi, i është shtuar të qarët e i është pakësuar të qeshurit, i është shtuar angazhimi dhe puna, dhe i është pakësuar rehatia dhe dembelia.”[9]
Ndërsa imam Sujutiu (Allahu e mëshiroftë), duke folur për mënyrën e raportit tonë me kuptimet e Kur’anit, ka thënë (se robi duhet): “Ta aktivizojë zemrën e tij me meditimin e asaj të cilën e shqipton (me gjuhë), duke mësuar kuptimin e çdo ajeti, duke medituar urdhrat dhe ndalesat, dhe duke i pranuar me bindje të gjitha këto. E nëse është prej atyre të cilët kanë lënë mangu diçka prej këtyre në të shkuarën kërkon ndjesë dhe falje; e kur kalon nëpër një ajet të mëshirës ai përgëzohet dhe lutet, apo kur kalon nëpër një ajet të dënimit ka frikë dhe kërkon mbrojtje, apo kalon nëpër një ajet të përjashtimit kërkon përjashtim nga ajo gjë dhe e zmadhon; e kur kalon pranë një lutje lutet dhe kërkon.”[10]
Imam Zerkeshiu (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: “Duhet që ta angazhojë zemrën e tij në të menduarit rreth kuptimit të asaj që e shqipton me gjuhën e tij, dhe kështu ta dijë kuptimin e çdo ajeti, dhe të mos e kalojë një ajet pa e ditur kuptimin e ajetit paraprak. Në këtë mënyrë, kur të kalojë nëpër një ajet të mëshirës të ndalojë pranë tij dhe të gëzohet me atë që i ka premtuar Allahu i Lartësuar dhe të përgëzohet, pastaj të kërkojë Xhennetin e Allahut me mëshirën e Tij; Ndërsa kur lexon një ajet të dënimit ndalon aty dhe mediton rreth kuptimit të tij, ashtu që nëse janë përmendur jobesimtarët ai rikujton besimin e tij duke thënë: “kam besuar vetëm Allahun, të Vetmin;” Pastaj t’i kuptojë vendet ku duhet frikësuar, duke e lutur kështu Allahun që ta ruajë nga Zjarri; E nëse pastaj kalon nëpër një ajet në të cilin thirren për vëmendje ata që kanë besuar, siç është (ajeti): “O ju që keni besuar!”, ai ndalon aty; ndërsa disa prej të parëve thoshin: “T’u përgjigja ty o Zoti im dhe t’u binda!” dhe pastaj vazhdon të meditojë rreth asaj prej së cilës është ndaluar dhe asaj për të cilën është urdhëruar, dhe është i bindur në pranimin e saj; Nëse është prej urdhëresave të shkuara në të cilat ka qenë i mangët kërkon ndjesë për veprën e tij në atë kohë, dhe kërkon falje nga Zoti i tij për mangësinë. Shembull i kësaj është Fjala e Allahut a.xh.: “O ju që keni besuar! Ruajini vetët tuaja dhe familjet tuaja nga Zjarri!” (et-Tahrimë, 6) Prandaj, çdonjërit i takon që të shikojë familjen e tij se si i kanë punët me namazet e tyre, agjërimin e tyre, plotësimin e kushteve rreth pastërtisë trupore, të përmuajshmet e grave dhe lehonitë e tyre; pra secilit i takon që t’i kërkojë këto prej familjes së tij dhe t’i mbikëqyrë ata kur kanë pyetje rreth këtyre gjërave, ashtu që ata që janë të njohur me këto gjëra do të jetë kjo një përkujtim shtesë dhe përforcim për diturinë që kanë në zemra, ndërsa ata që nuk janë në dijeni kjo do të jetë mësim për ta. Pastaj, në mënyrë të ngjashme mbikëqyrë edhe fëmijët e tij të vegjël, duke i mësuar ata (rreth dispozitave) kur të arrijnë moshën shtatëvjeçare apo tetëvjeçare, dhe duke i rrahur (me masë) nëse kanë arritur moshën dhjetëvjeçare dhe nuk i kryejnë urdhëresat. Kështu ai person që ka lënë mangu diçka prej të kaluarës së tij beson se do t’i pranohet dhe do të përkujdeset për gjithë atë çfarë e pret në të ardhmen; e nëse është prej atyre që me vetëdije ka kryer ato vepra (mangësi), ai kur kalon nëpër këto ajete logjikon dhe mundohet t’i kuptojë mirë ato. E kësaj natyre është edhe Fjala e Allahut të Lartësuar: “O ju që keni besuar! Pendohuni te Allahu me një pendim të kulluar!” (et-Tahrimë, 8). Pra, kur ai e lexon këtë ajet i kujtohen veprat e tij në vetvete, mëkatet që i ka bërë në raport me të tjerët (haqet e tyre), përgojimet, etj ... dhe kështu ai ua kthen mbrapsht atyre të drejtat e tyre, kërkon falje për çdo gjynah që e ka bërë me veprat e tij, e bën nijet që mos të kthehet më në to, dhe kërkon falje (kërkon hallallin) nga secili person prezent të cilit i ka bërë padrejtësi, e sa u përket atyre që nuk janë prezent u dërgon një shkresë, dhe ua kthen atë çfarë e ka uzurpuar prej tyre nëse u ka marrë atyre diçka; dhe të gjitha këto i përkujton duke qenë i bindur në to gjatë kohës kur është duke lexuar Kur’an, ashtu që Allahu i Lartësuar ta merr prej tij pranimin e plotë se ka dëgjuar dhe i është bindur. Kur një njeri t’i veprojë këto, vetëm atëherë ai ka realizuar leximin e rrjedhshëm të Kur’anit me saktësi të plotë.”[11]
Me këtë lloj meditimi, syri do të lotojë, zemra do të frikësohet dhe lëkura do të rrëqethet: “Allahu ka shpallur Fjalën më të bukur (Kuranin) në formën e një libri, pjesët e të cilit i ngjasojnë njëra-tjetrës dhe përsëriten. Prej tij u rrëqethet lëkura atyre që i frikësohen Zotit të tyre e, mandej qetësohen lëkura dhe zemrat e tyre, kur përmendet Allahu. Ky Libër është udhëzim i Allahut. Nëpërmjet tij Allahu udhëzon kë të dojë. Ndërsa atë që Allahu e shpie në humbje, s’mund ta udhëzojë kush.” (Zumer, 23.)
Katade (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Ky është përshkrimi i të dashurve (evliave) të Allahut; Allahu i cilësoi si të atillë që u rrëqethen lëkurat, u lotojnë sytë, dhe zemrat e tyre qetësohen me përkujtimin (dhikrin) e Allahut; e nuk i ka cilësuar se atyre ju ikën mendja apo u bie të fikët, sepse këto të fundit janë cilësi të njerëzve që shpikin në fe (njerëzve të bidatit), dhe kjo vjen prej shejtanit.”[12]
Në vijim, o lexues i bekuar, para teje ke një shembull për t’u ndalur një çast me realitetin e meditimit, atë të cilin Profeti ﷺ e praktikonte dhe stolisej me të: Nga Hudhejfe (Allahu qoftë i kënaqur me të) përcillet se ka thënë: “U fala një natë me të Dërguarin ﷺ , me ç’rast ai e filloi namazin me suren el-Bekare. Thashë (me vete): “Sigurisht do të përkulet (në ruku) pas njëqind ajeteve,” por ai vazhdoi; Pastaj thash se do të falet me të gjatë gjithë namazit[13], por ai vazhdoi; Pastaj thashë se do bie në ruku pasi ta mbarojë atë, por ai prapë vazhdoi; Pastaj e hapi suren en-Nisa, e lexoi atë dhe filloi me suren Ali Imranë, dhe vazhdoi me leximin e saj me meditim – kur kalonte pranë një ajeti i cili përmbante tesbih[14] ai e lavdëronte Allahun me “subhanallah”, kur kalonte pranë vendndodhjes së ndonjë kërkese prej Allahut, ai e kërkonte atë, dhe kur kalonte pranë vendeve kur kërkohej mbrojtja prej Allahut (“eudhubilah”) nga diçka, ai e bënte atë.” Hadithin e transmeton Muslimi.[15]
Sa herë që njeriu ta shtojë studimin e Kur’anit dhe meditimin e tij, do t’i shtohet dituria, puna, vizioni dhe përkujtimi, gjë që është vetë qëllimi i Kur’anit. Allahu i Lartësuar thotë: “(Ky Kur’an është një) Libër i bekuar të cilin ta kemi zbritur, për të medituar rreth ajeteve (vargjeve) të tij dhe për t’u këshilluar me të mendarët.” (Sad, 29)
Imami i ehlu sunetit Ahmed ibn Hanbeli (Allahu e mëshiroftë) pasi që u ballafaqua me tortura të mëdha, u burgos dhe u rrah, ai ua fali të gjithë atyre që i bënë padrejtësi, pas një meditimi të cilin e nxori nga një ajet prej Librit të Allahut. Kështu, biri i tij Salihu tregon për të se si: “Pasi që u lirua për në shtëpi, u dërgua drejt një qelie nëntokësore, dhe aty ia sollën një burrë i cili ishte i dijshëm për plagët dhe trajtimin e tyre. Pasi që shikoi në plagët e tij tha: “Kam parë njerëz që janë goditur me nga njëqind kamxhikë, por nuk kam parë rrahje (plagë) sikurse këto;” atë e kishin plagosur nga para e nga prapa. Pastaj ai mori një vegël dhe e futi në disa prej këtyre plagëve, i shikoi ato dhe tha: “S’qenka shpuar?” Pastaj vazhdoi t’i qasej për ta shëruar. Në fytyrë ishte goditur më shumë se një herë. Ai qëndroi i shtrirë një copë herë, derisa i tha: “Më duhet ta presë (këpusë) një gjë këtu;” dhe mori një copë metali përmes së cilës ia lidhte mishin, pastaj ia priste me një thikë të tijën, ndërsa ai gjatë gjithë kohës bënte durim ndaj kësaj duke ngritur zërin me lavdërim ndaj Allahut – elhamdulilah. Ai e mbaroi punën e tij, ndërsa imami kishte përjetuar dhimbje nga disa prej këtyre plagëve kohë të gjatë pas kësaj, ndërsa gjurmët e plagëve vazhduan të dukeshin qartë në shpinën e tij derisa vdiq.
Një ditë hyra tek ai dhe i thashë: “Mora vesh se të paska pas ardhur një njeri dhe të paska pas thënë: “Ma bëj hallall (më fal) që nuk të kam ndihmuar!?” Ndërsa ti i kishe pas thënë: “Askujt nuk ja bëj hallall?!” Babai im buzëqeshi dhe heshti; porse unë e kisha dëgjuar babain tim më parë duke thënë: “Ia kam falur atij të vdekurit për rrahjen që ma ka bërë.”
Pastaj tha: “Kam kaluar pranë këtij ajeti: “Por, atë që fal dhe pajton, e pret shpërblimi i Allahut.” (Shura, 40); e shikova komentimin e këtij ajeti, dhe ja që ishte ajo që na e ka përcjellë Hashim ibnul-Kasimi, që na ka treguar Mubarek ibn Fudale, i cili ka thënë: “Më ka treguar ai që e ka dëgjuar Hasanin[16] duke thënë: “Kur të ndodhë Dita e Kijametit, të gjithë popujt gjunjëzohen para Allahut, Zotit të botëve; pastaj bëhet një thirrje që asnjëri të mos ngrihet përveç atyre shpërblimi i të cilëve është tek Allahu, dhe kështu asnjëri nuk ngrihet përveç atyre që ua kanë falur njerëzve në këtë dynja;” (Babai) tha: “Kështu që, unë ia kam falur të vdekurit,” pastaj tha: “E çfarë ka më mirë për një njeri sesa Allahu të mos e dënojë askënd për shkak të tijin.”[17]
Prandaj, sa herë që njeriu e mediton Kur’anin ashtu siç e meriton ai, kjo i sjellë atij mundësinë e aplikimit të ajeteve Kur’anore në ndodhitë bashkëkohore dhe në ngjarjet që vazhdimisht ripërtërihen; dhe kjo është çështja të cilën do ta trajtojmë në kapitullin në vijim.
[1] Për ata që kanë një bazë në gjuhën arabe, qoftë edhe vetëm në lexim:
Fjala meditim në gjuhën arabe quhet “تدبّر ”- “te-deb-bur”, që vjen pra ngjashëm me foljet tjera në ndërtim: التفعل، التجرع، التفهم، التبين..
[2] Shih: “Fjalori i gjuhës së sotme shqipe,” Kaptina e shkronjës “Sh,” – “Shartoj.”
[3] “Miftah daris-se’adah,” 1/525-526.
[4] “Lisanul-arab,” 4/277.
[5] Pra, kallëpi i foljes “meditoj” (de-be-ra) ka edhe kuptimin e foljes “rregulloj, e vë në balancë, ...”
[6] “Misbah el-munirë,” fq. 72.
[7] “Ihja ulum ed-dinë,” 2/287.
[8] Pasha Allahun.
[9] Burimi paraprak, 1/286-287.
[10] “el-itkanë fi ulumë el-Kur’an,” 2/678.
[11] “el-Burhan fi ulumë el-Kuran,” 1/635-637.
[12] Tefsiri i Ibn Kethirit, 7/95.
[13] Pra, ta lexojë një pjesë në rekatin e parë dhe pjesën tjetër në rekatin e dytë.
[14] Lavdërim i Allahut me zhveshjen e Tij nga çdo e metë, gjegjësisht thënja “subhanallah.”
[15] Transmeton Muslimi në kaptinën e namazit të udhëtarit dhe shkurtimit të tij, nënkaptina “pëlqyeshmëria e zgjatjes së leximit të Kur’anit gjatë namazit të natës.” nr. 772.
[16] Kur përmendet emri Hasani, ose el-Hasani, në transmetimet e hadithit, është fjala për Hasan el-Basriun e mirënjohur.
[17] “Sijeru A’lam en-Nubela,” 11/256-257.