Youtube/Tezkije
Injoranca në prioritete
Dr. Abdurrezak el-Kindij
 05.10.2020

Me Emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit!

 

Ata ishin rreth njëzet persona. Erdhën prej një shteti evropian për ta kryer umren. Pasi u vendosën në njërin prej hoteleve, shkuan dhe mbaruan umren, për të qëndruar më pas në Mekë edhe disa ditë të tjera. Ndërkohë, u njoftova me njërin prej tyre dhe më lajmëroi se, në fakt, ata kishin ardhur edhe për t’u takuar me disa nga hoxhallarët e vendit apo njerëzit me përvojë.

Meqë kisha ca kohë të lirë, i pyeta për shkakun e kësaj vizite. Mu përgjigjën se janë të angazhuar me një projekt: ndërtimin e një xhamie dhe një qendre Islame në qytetin e tyre; gjegjësisht, punimet kishin filluar, ndërsa shuma që u nevojitej për të mbaruar punë ishte diku njëqindmijë dollarë. Aty, unë iu drejtova shoqëruesit tim me pyetjen se, sa persona ishin me të në këtë udhëtim umreje, e ai m’u përgjigj se ata ishin rreth njëzet veta. Duke këmbëngulur në pyetjet e mia thashë: Sa ka kushtuar umreja e çdonjërit prej jush? Me njëfarë habie në fytyrë nga këto pyetjet e mia, m’u përgjigj: Tremijë dollarë (për secilin). E pyeta se a ishte kjo hera e parë që po e vizitonin Shtëpinë e Allahut por, me habi të shtuar, më thanë se: Jo, falënderimi i përket Allahut që secili prej nesh ka mbaruar qysh më parë haxhin dhe umren.

Nga ana ime, në mënyrë vëllazërore po mundohesha të vërtetoja nga shoqëruesi im se sa ishte shkalla e domosdoshmërisë së kësaj qendre në vendin e tyre? Ai vazhdoi të m’i përmendte shkaqet për ndërtimin e kësaj xhamie dhe qendre Islame, duke theksuar se ato arrijnë gradën e obligimit kolektiv (farz kifaje) për ndërtimin e saj. Në atë rast e pyeta: Çfarë është më e dashur tek Allahu: të afrohesh kah Ai me vepra obligative (farze) apo me vepra vullnetare?

-          Me farze, natyrisht, - u përgjigj.

-          E, nëse një farz bie në konflikt me një vepër vullnetare, cilën do ta zgjidheshe? – pyeta.

-          Farzin, - tha ai.

-          Atëherë përse keni marrë udhë për ta kryer një vepër vullnetare ndërsa e keni braktisur farzin?!

-          Në realitet ne..., hëmm,... – filloi të mendohej.

Padyshim se nuk ia lejova të vazhdoj më tutje. I shpjegova se umreja në Ramazan s’ka pikë dyshimi se ka vlerë të posaçme, ngase është vërtetuar se Pejgamberi ka thënë: “Umreja në Ramazan është e barasvlershme me haxhin,” – e sipas një motërzimi tjetër të hadithit –: “... është e barasvlershme me një haxh me mua (citon Ibn Hibani), por, megjithatë, disa nga dijetarët kanë thënë se ky shpërblim ka qenë i veçantë vetëm për personin të cilit i është drejtuar Pejgamberi me këto fjalë, mendim ky të cilin e mbron edhe Seid ibn Xhubejri, ngase Umu Makili (protagonisti i këtij hadithi) në fund të këtij hadithi ka thënë: “Nuk e di se a ka qenë kjo vetëm për mua,” pastaj shtonte: “haxhi është haxh, e umreja është umre.”

Bashkëbiseduesi ma ktheu: Por, argumenti qëndron në  përgjithësimin e mesazhit që del nga teksti.

Thashë: Gjithsesi, por (a e sheh) se këtu vetë përgjithësimi nuk është pikë pajtimi mes dijetarëve, për shkak të asaj që posa përmendëm, gjë që aludon në të qenët e këtij argumenti i posaçëm (e jo përgjithësues). Por, edhe nëse mbështesim mendimin se ky argument është i përgjithshëm, prapëseprapë umreja në Ramazan mbetet vepër vullnetare, dhe nuk lejohet që për shkak të saj të anashkalohet (humbet) një vepër e obliguar, ngase sa herë që farzi të bie në konflikt me sunetin (veprën vullnetare), përparësi i jepet farzit, e për këtë nuk ka ndonjë mospajtim mes dijetarëve, dhe këtë gjë e dëshmon vetë udhëzimi profetik në shumë vende. Kësaj ia shtojmë faktin se Pejgamberi asnjëherë nuk ka bërë umre në Ramazan. E, për këtë, disa dijetarë kanë thënë se Pejgamberi në Ramazan ka qenë i angazhuar me diçka më të rëndësishme se umreja. Kësisoj kanë vepruar edhe sahabët pas tij , katër halifet e drejtë dhe tjerë sahabët të shquar, asnjërin prej tyre nuk i ka shpërqendruar umreja prej Ramazanit. Madje, nga jetëshkrimet e tyre kuptohet se umreja, ose ajo që është më e mirë se umreja – haxhi –, nëse binte ndesh me një farz kifaje (obligimi sheriatik që përmbushet kur një pjesë e komunitetit e çojnë në vend urdhrin e kërkuar), ata i jepnin përparësi këtij farzi ndaj umres (haxhit). Ja ku e kemi atje Ibn Abasin (Allahu qoftë i kënaqur me të), i cili thotë: Të kujdesem për një familje muslimane të vobektë për një muaj rresht, është më e dashur për mua se të bëj një haxh pas haxhit (farz).

Në vijim, bashkëbiseduesi im mu drejtua kështu: Në rregull, për të gjitha këto jam dakord, por çfarë është obligimi që ne kemi humbur konkretisht? Thashë: Në fakt, ju keni paguar diku rreth gjashtëdhjetëmijë dollarë, shumë kjo që përbën më shumë se gjysmën e vlerës së projektit të cilin ju e vlerësoni se është prej obligimeve më të rëndësishme që bie mbi supet e atyre që duan të mbrojnë identitetin e muslimanëve dhe të ruajnë pasardhësit e tyre nga devijimi. Ju, të gjitha këto para i keni shpenzuar për një vepër vullnetare, duke humbur në anën tjetër obligimin që bie mbi ju.

Më tha: E saktë, e saktë,... por, nuk është se vetëm ne jemi duke vepruar kësisoj, një pjesë e madhe e atyre që vijnë për të kryer umre në Ramazan, qoftë vendas apo nga jashtë vendit, japin shuma të mëdha parash ndërkohë që pas vetes kanë lënë shpenzime të cilat arrijnë shkallën e obligueshmërisë. Sa ka të uritur, sa ka luftëtarë përballë armiqve, të cilët presin ndihmë, sa ka të izoluar, sa ka jetimë e që s’kanë askënd nga familja, sa vende kanë nevojë për xhamia e shkolla, sa e sa e sa..., pse po na fajëson vetëm ne?!

Thashë: Jo, nuk po ju fajësoj vetëm ju, por është përhapur shumë në shoqëria dukuria e dhënies përparësi veprave vullnetare ndaj atyre të obliguara, mungesa e kuptimit të renditjes së prioriteteve, ndaj, faji bie mbi të gjithë ne së bashku.

Shoqëruesi im më tha: Allahu të shpërbleftë! Të premtoj se tash e tutje, do të fokusohem që sa herë të bëjë vepra që të afrojnë tek Allahu, t’u jap përparësi obligimeve para veprave vullnetare!

 

Dr. Abdurrezak el-Kindij (Allahu e ruajttë!)

Shqipëroi: Hekuran Helshani


Tezkije.com - Nuk lejohet shpërndarja ose/dhe ripublikimi i materialeve pa cekur burimin.
Shko tek kryefaqja