Youtube/Tezkije
Lexo dhe zhvillohu!
Dr. Ali ibn Imrani
 01.02.2022

Pika që trajtojnë leximin dhe llojet e tij, librat dhe vështirësitë e hasura në ta, bibliotekat dhe gjërat që u përkasin çështjeve të kësaj natyre

Çdokush që ka qasje në veprimtaritë shkencore e kulturore, vëren se tematika e leximit është shndërruar momentalisht në një nga tematikat më të përfolura e të trajtuara në rrafsh të gjerë, duke përfshirë libra me tematikë të fushës së leximit, studime rreth zhvillimit të shkencës e kulturës, simpoziume, takime e kongrese, ngjarje social-kulturore, konkurse institucionale a individuale, artikuj e debate apo sferën mediatike dhe atë shoqërore.

Ky vrull i madh i shkaktuar nga kjo çështje, na sjell panoramën e një rilindjeje të gëzueshme të fushës së shkencës dhe kulturës si dhe të kthimit në lavdinë e dikurshme, kur umeti islam (shoqëria muslimane) ishte në avantazh, sa i përket studimit, në krahasim me shoqëritë e tjera, qoftë kulturalisht, moralisht apo në nivel emancipimi ose civilizimi.

Ky interes i të rinjve dhe dashamirësve të dijes e të zhvillimit personal, i vënë re këto kohë, ka shkaktuar te njerëzit e fushës së shkencës, kulturës dhe reformimit një mori pyetjesh dhe paqartësish sa i përket tematikës së leximit, duke përmendur këtu pyetje rreth metodës dhe rrugës që duhet ndjekur për leximin; rreth llojeve dhe veçorive përkatëse të librave të ndryshëm; rreth asaj se cilët libra parapëlqehen dhe botimet që qarkullojnë për to; për autorët, llojet dhe kategoritë e tyre apo pyetje që lidhen me strategjinë që duhet të përdorim për të pasur një lexim përfitues e të dobishëm ose për përvojat e ekspertëve të fushës për të marrë prej tyre këshilla dhe orientime. Pra, dua të them se drejtohen shumë pyetje dhe këtë gjë e di fort mirë ai që ka kontakt me publikun apo lëçit pyetje të tilla në rrjetet e ndryshme të komunikimit.

Para pothuajse njëzet vitesh, pata shkruar një libër të cilin e titullova “Motivuesi për lexim dhe studim” (siç thonë disa dijetarë, veprat janë rrizk) dhe pashë befasisht që libri në fjalë pati goxha përhapje dhe pranim. U botua më tepër se dhjetë herë në Mbretërinë e Arabisë Saudite dhe disa herë jashtë kufijve të saj. Atëherë, pikasa fort frytin e këtij libri nga të gjitha nivelet e audiencës; disa flisnin për ndikimin e këtij libri tek ata, disa shprehnin vlerësimet e tyre, disa e komentuan apo e përmblodhën këtë libër, sikundër pati edhe kritika dhe sugjerime.

Para dhe pas botimit të këtij libri, kam dhënë leksione, kam mbajtur ligjërata e diskutime për librin në disa raste dhe vende të shumta, për disa nxënës dhe të interesuar për këtë temë. Gjithashtu kam shkruar në rrjetet sociale një numër shkrimesh rreth librit, si dhe çfarë përmban kjo temë, duke iu përgjigjur sikundër edhe pyetjeve të ndryshme.

Deri atëherë, më patën kërkuar shpesh që të shkruaj në një pjesë të librit tim të lartpërmendur, diçka në lidhje me orientimin e lexuesve për sa i përket metodikës së të lexuarit, llojeve dhe ndarjeve të leximit, sikurse edhe për gjërat që drejtojnë dhe lehtësojnë rrugën e kërkuesve të dijes dhe njerëzve të kulturës, që janë të interesuar për leximin dhe studimin. Por jam shtrënguar ta refuzoj këtë kërkesë gjithmonë, duke u justifikuar me idenë e kohës së kufizuar dhe faktit se të tjerë para meje kanë shkruar për këtë temë. Por, për të thënë të vërtetën, edhe idetë nuk vijnë në çdo çast, siç thotë poeti:

“Dëshiron të shkruash, por shkrimi të përngjan me një vajzë komplekse,

Natyra e së cilës habitshëm lëkundet, si natyra e zjarrit dhe e erës.”[1]

Gjithsesi, mblodha forcat për të shkruar. Bëra bashkë disa fletë dhe shënova idetë që më erdhën bashkë me gjërat që kisha shkruar dikur duke i rishikuar, duke i pasuruar e duke i shpjeguar në raste nevoje. Në këtë mënyrë, i rendita dhe i bashkova në formën e disa shtesave, ku secila i shërben një objektivi të caktuar.

Në këto pika shtesë kam shënuar përvoja të miat dhe të të tjerëve, të cilat japin dritë në këtë rrugë të gjerë, si dhe kam nxjerrë përfundime orientuese që çelin horizontet e dijes dhe njohjes.

Nuk stepem të them se shumë prej këtyre shënimeve të regjistruara nuk janë të mirërenditura në mënyrë të tillë që të kenë patjetër lidhje me njëri-tjetrin, prandaj dhe mund të vërehet përsëritja e disa ideve dhe mendimeve. Në këtë përpilim, kam dashur të hedh dritë mbi rrugë, pa u zgjatur në tekst dhe pa përmendur detaje.

Jam shumë mirënjohës nga ana tjetër, pasi e gjithë kjo punë e ka burimin te pyetjet e drejtuara nga vëllezërit dhe motrat që kanë marrë këto përgjigje, prandaj unë i konsideroj ata si bashkautorë të këtyre pikave, pasi shumë prej këtyre pikave të regjistruara janë nxitje të dijes së brendshme të tyre, të kulturës që ata konservojnë dhe të ajkave të përvojave të tyre.

Si përfundim, nuk e them dot me bindje se ajo që kam shkruar është zgjidhje e të gjitha pyetjeve që qarkullojnë në mendjen e lexuesve të rinj, por e them me bindje se kam sqaruar diçka që i shërben çdo studenti apo lëçitësi librash, nëse ndjekin rrugën e sqaruar.

Në momentin që kam mbledhur këto shtesa, e pashë të udhës t’i shënoj njërën pas tjetrës, në mënyrë të renditur me titujt përkatës, tituj të cilët nuk i kam kompozuar personalisht, por kanë ardhur ashtu në mënyrë spontane dukë zënë vendin e tyre në libër.

Titujt e pikave shtesë janë si më poshtë:

1.      Tri pyetje (Përse të lexoj? Çfarë të lexoj? Si të lexoj?)

2.      Nënndarje dhe lloje

3.      Të perceptosh frytet e leximit

4.      Metodat efikase që përdorin specialistët e fushës

5.      Sugjerime nga një këshillues me përvojë

6.      Libri më ka mësuar

7.      Mendime dhe vështirësi

8.      Shënimi i përfitimeve dhe arti i kësaj pune

9.      Për të pasur perspektivë krijuese duhet t’i japësh punës kohën e vet

10.  Dëshmi të ndritura

11.  Në brendësi të bibliotekës

12.  Vepra të dalluara

13.  Tri programe të sugjeruara

14.  Panairi i librit, planifikimi dhe mënyra si të përfitojmë 


[1] Vargje nga Gazi el Kusajbi


Përktheu nga arabishtja: Gent H. Nela

(Vazhdon...)


Tezkije.com - Nuk lejohet shpërndarja ose/dhe ripublikimi i materialeve pa cekur burimin.
Shko tek kryefaqja