Youtube/Tezkije
Islami - realiteti, ligjet, doktrinat dhe sistemet e tij
Dr. Muhamed el Hamed
 02.02.2022

Parathënie

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit!

Falënderimi i takon Allahut, paqja dhe shpëtimi qofshin për të Dërguarin e Allahut, profetin tonë Muhamed, për familjen e për të gjithë shokët e tij!

Islami është vula e të gjitha feve. Ai është feja më universale nga të gjitha fetë. Allahu i Lartësuar e ka përsosur duke realizuar begatinë e Tij ndaj robërve, kur pëlqeu që ajo të jetë feja e tyre.

Diskutimi për Islamin është diskutim që ka degëzime të shumta, diskutim ky që fillon, por nuk mbaron. Kjo, se Islami ka dispozita e shtjellim për çdo gjë: “Ne nuk kemi lënë në këtë Libër ndonjë gjë pa sqaruar.” (El Enam, 38) Islami nuk ka lënë asnjë çështje pa shpjeguar nga çështjet e besimit, ritualeve, ligjeve, moraleve, por e ka trajtuar atë përgjithësisht e detajisht, qofshin çështje që ndërlidhen me umetin në përgjithësi, qofshin me njeriun në veçanti.

Profeti i Islamit, Muhamedi, u largua nga kjo botë vetëm pasi ua sqaroi umetit gjithë udhëzimet për të cilat kanë nevojë në çështjet e fesë së tyre. Në këtë mënyrë ai e përçoi mesazhin e Zotit të vet dhe ua ngriti argumentin njerëzve që do të vinin pas tij.

Allahu më mundësoi shkrimin e librit me titull “Islami - realiteti, ligjet, doktrinat dhe sistemet e tij”. Ky libër fitoi çmimin e parë në konkursin ndërkombëtar të cilin e organizoi Komiteti Botëror për Prezantimin e Fesë Islame, degë e Ligës së Botës Islame. Kjo ka qenë një garë e nivelit ndërkombëtar, mbajtur në vitin 1432 h, ku morën pjesë universitete, shoqata e personalitete. Ky libër fitoi çmimin e parë shkruar nga një autor i vetëm, e në atë rast u organizua një ceremoni në qytetin e Xhides nën mbikëqyrjen e udhëheqësit të rajonit të Mekës së nderuar. Ky libër, falënderuar qoftë Allahu, është botuar disa herë. Është përkthyer në gjuhën frënge, spanjolle, angleze, ruse dhe, me emrin e Zotit, do të përkthehet edhe në gjuhë të tjera të gjalla të botës. Dhe, meqenëse ky libër është voluminoz, ka 833 faqe, leximi i të cilit qe i vështirë për lexuesit, e pashë të arsyeshme t’i bëhej një përmbledhje, që të jetë më i lehtë për t’u botuar e për t’u lexuar. Së këndejmi, doli ky libër në versionin e shkurtuar.

Libri trajton çështje të shumta, të cilat janë tejet të nevojshme për masën e përgjithshme të muslimanëve dhe për ata të cilët shprehin dëshirën për t’u njohur me realitetin e fesë islame.

Në shkrimin e librit është marrë në konsideratë që gjuha e tij të jetë e thjeshtë, e qartë, që i përshtatet mentalitetit të muslimanit e jomuslimanit, duke qenë larg gjuhës së dekurajimit a provokimit.

Për t’i ikur zgjatjes, nga libri janë hequr fusnotat dhe theksimi i referencave. Prandaj, kush dëshiron të zgjerohet më në detaje e në referenca, le t’i kthehet librit bazë.

Allahu është ndihmëtari, Atij i mbështetem. Paqja dhe shpëtimi qofshin për profetin tonë Muhamed, për familjen e shokët e tij!

 

Dr. Muhamed ibn Ibrahim el Hamed, Zulfi, 3.1.1438 h.

Universiteti i Kasimit, Fakulteti i Sheriatit dhe Studimeve Islame,

Departamenti i Besimit dhe Ideologjive Bashkëkohore;


Tezkije.com - Nuk lejohet shpërndarja ose/dhe ripublikimi i materialeve pa cekur burimin.
Shko tek kryefaqja