Dr. Ahmed el Kadi
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!
Çdo falënderim i takon Allahut. Atë e falënderojmë dhe prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë. Allahut i kërkojmë mbrojtje kundrejt të këqijave të vetvetes dhe veprave tona të liga! Atë që Allahu e udhëzon, s’ka kush e humb; kurse atë që Ai e lë në humbje, s’ka kush e udhëzon. Dëshmoj se nuk meriton adhurimin askush përveç Allahut, të Vetmit që nuk ka ortak, të Lartësuarit, i Cili thotë: “Është Ai që analfabetëve u solli një të Dërguar nga gjiri i tyre, për t’u lexuar atyre shpalljet e Tij, për t’i pastruar e për t’u mësuar Librin dhe Urtësinë, ndonëse ata më parë ishin vërtet në humbje të plotë.” (El Xhumua, 2) Gjithashtu, dëshmoj se Muhamedi është robi dhe i Dërguari i Tij, me dërgimin e të cilit Allahu ka begatuar robërit e Vet. Allahu i Lartësuar thotë: “Allahu u ka dhënë besimtarëve dhuratë të madhe, kur u solli një të Dërguar nga gjiri i tyre, i cili ua lexon shpalljet e Tij, i pastron nga gjynahet dhe u mëson Librin (Kuranin) e Urtësinë (diturinë e thellë fetare), edhe pse më parë, me të vërtetë, ata ishin në rrugë krejt të gabuar.” (Alu Imran, 164)
Allahu i Lartësuar e ka dërguar Profetin e Tij, Muhamedin sal-lallahu alejhi ue selem, me udhëzimin dhe fenë e vërtetë, në mënyrë që njerëzit t’i nxjerrë nga errësirat në dritë; nga humbja e qartë në udhëzimin e plotë, me anë të të cilit zgjerohet kraharori dhe qetësohet zemra. Udhëzimi është dija e dobishme, ndërsa feja e vërtetë është vepra e mirë. Mbi këto dy shtylla madhështore ngrihet jeta e këndshme.
Allahu i Lartësuar në Librin e Tij fisnik ka përfshirë çdo gjë që robërit kanë nevojë rreth besimit, adhurimeve, marrëdhënieve ndërvepruese dhe moralit të tyre.
Tradita e pastër profetike (Suneti) ka ardhur si sqaruese e asaj që është përmendur në formë të përmbledhur (në Kuran); komentuese e asaj që është e panjohur dhe shpjeguese e hollësishme e asaj që është theksuar përmbledhtas, ashtu siç ka thënë i Dërguari, sal-lallahu alejhi ue selem: “Vërtet mua më është dhënë Libri (Kurani) dhe diçka e ngjashme me të (Suneti).”[1]
Besimi islam është shtyllë mbajtëse dhe bazë e kësaj feje, sekreti i fuqisë dhe ngadhënjimit ndaj çdo feje. Kjo, se përmban karakteristika të veçanta që s’i ka kush, si:
E para: teuhidi (njëshmëria e Allahut), që nënkupton veçimin e Allahut të Lartësuar në adhurim dhe veçimin e të Dërguarit, sal-lallahu alejhi ue selem, në pasim.
E dyta: teukifi, që nënkupton se besimi islam ka burim hyjnor, që nuk duhet të tejkalohet Kurani e Hadithi, si dhe nuk mbështetet në ndonjë mendim apo analogji.
E treta: është në përputhje me natyrshmërinë e pastër, në të cilën Allahu i ka krijuar njerëzit para se t’i devijonte shejtani.
E katërta: është në përputhje me mendjen e shëndoshë, që është e paprekur nga dyshimet dhe epshet.
E pesta: gjithëpërfshirja. Nuk ka lënë pa sqaruar asnjë aspekt rreth universit, jetës dhe njeriut.
E gjashta: pajtueshmëria. Argumentet fetare e vërtetojnë njëra-tjetrën dhe nuk ka kurrfarë kontradikte e mospajtimi në tematikat e tyre.
E shtata: mesataria, që është peshore ekuilibruese mes neglizhencës dhe teprimit në mendime të ndryshme.
Këto karakteristika i sjellin këto fryte:
1. Realizimin e të qenit rob i Allahut (el ubudije) dhe çlirimin nga të qenët rob i krijesave.
2. Realizimin e pasimit të të Dërguarit të Zotit të botëve dhe largimin nga bidatet e bidatçinjtë.
3. Rehatinë shpirtërore dhe qetësinë e zemrës duke u lidhur me Krijuesin, Sistemuesin e çdo gjëje, të Urtin.
4. Stabilitetin mendor, ekuilibrin logjik dhe shpëtimin nga kontradiktat dhe besëtytnitë.
5. Përgjigjen e nevojave shpirtërore e trupore dhe plotësimin mes besimit e moralit.
Dijetarët e fesë vazhdojnë t’i kushtojnë rëndësi besimit duke derdhur mund për mësimin dhe sqarimin e tij, të cilët shkruajnë tekste të shkurtra dhe shpjegime të gjata përkitazi me të. Herë duke e sqaruar besimin e selefëve (pararendësve tanë të mirë) në mënyrë të përmbledhur, herë duke sqaruar ndonjë çështje konkrete; si dhe u kundërpërgjigjen pasuesve të epshit dhe bidateve devijuese.
Kam parë (të udhës) përafrimin e çështjeve të besimit dhe renditjen e tyre sipas renditjes që i Dërguari, sal-lallahu alejhi ue selem, ka bërë për gjashtë bazat e besimit, të theksuara në hadithin e njohur të Xhibrilit. Tërë kjo duke u mbështetur vetëm në dy tekstet e shpalljeve: Kuranin fisnik dhe Sunetin e pastër profetik, si dhe poshtë çdo baze do të përmenden tematikat që përfshin baza në fjalë dhe do të jepen sqarime kush ka devijuar në tematikën përkatëse, duke iu kundërpërgjigjur pa u stërzgjatur.
Kështu e kam prezantuar besimin: mesatar ndërmjet të qenit i gjatë dhe i përmbledhur, duke pasur si veçori qartësinë dhe thjeshtësinë, në mënyrë që muslimanët e thjeshtë të kenë mundësi të përfitojnë prej tij. Gjithashtu, të arrihet qëllimi i njohjes së besimit të pararendësve në mënyrë të përmbledhur, me shprehje të lehta dhe renditje tematike. Kështu, e kam titulluar “Besimi i thjeshtësuar, bazuar në Kuranin fisnik dhe Sunetin e pastër profetik”.
E lus Allahun që këtë vepër ta bëjë të çiltër për Fytyrën e Tij dhe të dobishme për robërit e Tij! Lavdërimi dhe shpëtimi qofshin për të Dërguarin tonë, Muhamedin, familjen dhe gjithë shokët e tij!
Dr. Ahmed ibn Abdurrahman el Kadi
Ebu Davudi (4604), përcjellë nga Mikdam ibn Madi Keribi, Allahu qoftë i kënaqur me të!