Youtube/Tezkije
Përse të lexoj? Çfarë të lexoj? Si të lexoj?
Dr. Ali ibn Imrani
 07.02.2022

Pika e parë: Tri pyetje

(Pyetja e mirëfilltë është gjysma e diturisë)

Tri pyetjet janë: Përse të lexoj? Çfarë të lexoj? Si të lexoj?

Këto tri pyetje ua ripërsërisin pafund personat e interesuar për lexim atyre që ata i shohin si specialistë të fushës së leximit dhe shkrimit dhe akoma vazhdojnë të ngrihen shpesh këto pyetje nga studentët.

Realisht, këto pyetje duhet të jenë në qendër të vëmendjes, meritojnë përgjigje me patjetër, por vërej se përsëritja e tepruar e këtyre pyetjeve në çdo rast si dhe kur dëgjon përgjigjet e ndryshme apo të njëjta që i përshtaten pyetësit apo ambicieve të tij, sikur është kthyer kjo pikë në vetë problemin e pazgjidhshëm, në vend që të kishte zgjidhje për të. Pra, në vend që pyetja të marrë përgjigje, asaj i shtohet paqartësia.

Nuk po them që të marrësh vetëm përgjigjen e parë që gjen për pyetjen tënde, por e kritikoj këmënguljen e gjatë për të marrë përgjigje gjithmonë po për të njëjtat pyetje: pse?, çfarë? dhe si?, pavarësisht se për këto janë dhënë përgjigje të mjaftueshme dhe të qarta.

Më vonë kam shfletuar disa libra që trajtojnë përgjigjet e pyetjeve të tipit “pse të lexoj?”, “si të lexoj?” dhe “çfarë të lexoj?” dhe përgjigjen time e kam të përmbledhur e të ndryshme nga ajo që shkruhet në ata libra.

Unë mendoj se, sa i përket pyetjes “përse të lexoj?”, nuk i ka mbetur më kuptim. A ka akoma sot, pas përhapjes së diturisë dhe uljes së analfabetizmit, njerëz që nuk dinë përse lexojnë?!

Për mua, kjo pyetje është hedhur poshtë, nuk e pranoj prej askujt dhe të më falin ata që po lexojnë këto fjalë, sepse unë nuk pranoj të shfaq kot mirësjellje aty ku nuk duhet dhe nuk do kërkoj prej askujt që të lexojë apo të dojë leximin e as nuk do t’i kërkoj që të lexojë qoftë edhe pesë apo dhjetë minuta.

Madje mund të them se nëse do të më pyesnin para njëzet vitesh për pyetjen “përse të lexoj?”, ndoshta do t’i përgjigjesha drejtpërdrejt duke e motivuar për të lexuar dhe do t’i sqaroja benefitet e leximit... por sot nuk do ta pranoja dot këtë pyetje.

A mjaftojnë këto fjalë, kjo bindje e ky besim për vlerën e leximit për të sqaruar përse lexojmë? Shpresoj se përgjigja do të jetë “po” dhe mendoj se unë u përgjigja mjaftueshëm në mënyrë jo të drejtpërdrejt dhe provokuese, për të provokuar atë ndërgjegjen që duhet të kemi kulturë leximi, kështu që, e lashë këtë pyetje pa interes dhe t’u drejtova me qëndrim të fortë për të qenë një lexues dhe jo vetëm kaq, por nje lexues optimal. Shpresoj se qëllimi im ka vajtur te mendja e lexuesit kur ai të kërkojë me sy hapur për përgjigjen e pyetjes “përse të lexoj?”.

Tani le të trajtojmë pyetjen e dytë: Çfarë të lexoj?

Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje, na duhet të bëjmë një pyetje tjetër: “kush jeni ju?”. Pa u bërë kjo pyetje shpesh thuhen gjëra të pabaza dhe flitet me përgjithësim, gjë që pyetësi nuk e do e as nuk fiton gjë dhe kështu ngel pa përgjigje.

Përgjigjja për pyetjen “kush jeni ju?”, gjithashtu duhet të paraprihet nga një pyetje tjetër: “çfare kërkoni ju?” dhe kjo është një pyetje mjaft e rëndësishme. Çfarë dëshiron të jesh? Kush janë prirjet tuaja? Çfarë ambiciesh keni? Sa kohe keni lënë për lexim?

Pra, pyetësi duhet patjetër të dijë kush është dhe çfarë kërkon, në mënyrë që të dijë çfarë të lexojë. Për këtë arsye, nuk mund të përgjigjem duke i përfshirë të gjithë, sepse nuk janë të gjithë me të njëjtin formim kulturor e shkencor dhe mundësitë e leximit, kohës dhe kushteve ndryshojnë, sikundër edhe idetë. Një përgjigje gjithëpërfshirëse është e padrejtë në këtë rast dhe vlen vetëm përkohësisht.

Por ne i themi fillestarit që do të lexojë, të fillojë me libra që ai preferon, por me volum të vogël, libra të zhanrit letrar ose historik etj., derisa të familjarizohet dhe të kultivojë pasionin për librin.

Gjithashtu duhet theksuar se duhet caktuar një kohë për leximin, që supozohet të vijë me një ritëm progresiv derisa ta duash leximin, ta bësh pjesë tënden dhe më pas mund të qëndrosh me librin sa kohë të duash.

Po ashtu, propozojmë se duhet të caktosh kohën më të çmueshme për librat bazikë në dije, për ato libra që ke për t’i studiuar, për t’i kuptuar e për t’u thelluar në to, ndërsa kohën e lirë e cakton për librat që i ke me qejf.

Sikurse theksojme se ata që duan të thellohen dhe të arrijnë majat në dijen e fesë, duhet patjetër të kenë akses në librat e imamëve të shquar të fesë, që merren me verifikimin e argumenteve, qofshin të hershëm apo të kohëve më të afërta.

Të gjithëve, nga ana tjetër, u sugjerojmë leximin e librave të letërsisë, të letrarëve dhe autorëve të mëdhenj, që të pasurojnë dhe të kujdesen për gjuhën, duke lexuar retorikën e fortë të tyre, artikulimin e këndshëm, bukurinë e rrëfimit, parathëniet e mrekullueshme, përzgjedhjen e shprehive dhe stilin e formulimit. Përfitoni prej tyre dhe bëni përpara.

Sikurse u themi gjithkujt se nuk ka një sugjerim homogjen për të gjithë. Programet e propozuara të kësaj natyre, nuk vlejnë njësoj për të gjithë, sepse nuk janë shkruar për secilin, por secili ka mundësi të marrë prej tyre aq sa përshtatet me kohën, mundësitë, ambiciet dhe nivelin e tij.

Gjithçka përmendëm më sipër, vlen si përgjigje edhe për pyetjen e tretë: “Si të lexoj?”

Kjo pyetje lidhet me metodat, programet, procedurat, por ajo që i intereson një pjese të madhe të njerëzve sot dhe që duan ta arrijnë patjetër, është leximi me ritëm të shpejtë dhe arti për ta fituar atë, me qëllim që t’i shkojnë sa më shpejt librit deri në fund. Prandaj shohim sot sa shumë flitet për “lexim të shpejtë”, madje mbahen edhe kurse trajnimi për të. Por, ja të drejtojmë një pyetje: “Sa fjalë mund të lexosh në një minutë?” Shumë prej këtyre kurseve trajnuese, janë produkt i kulturës së huaj që ndryshon nga kultura jonë, produkt të cilin dëshirojnë ta aplikojnë për librat e trashëgimisë dhe shkencës sonë.

Shumë lloje librash të tipit tregime dhe romane apo libra për zhvillim dhe menaxhim, kanë hyrë në kulturën tonë dhe kërkojnë teknika të reja për lexim. Këtu nuk ka asnjë problem pasi nuk janë kopje pa sens, por nxënësi duket sikur është në një arenë garimi ku dëshiron të arrijë finishin sa më shpejt, me idenë se kush arrin i pari fiton garën. Në fakt çështja e leximit nuk duhet parë kështu.

Nuk e mohoj faktin se shumë persona ankohen nga leximi i ngadaltë dhe se qëndrojnë goxha kohë vetëm me një faqe libri. Zgjidhja për problemin e tyre është e mundur me anë të trajtimeve dhe metodave të larmishme, por e rëndësishme është të mos mbillet në mendjen e lexuesit ideja se leximi me ritëm të shpejtë është qëllim në vetvete.

Pikërisht këtu vlen të përmendim se librat nuk trajtohen të gjithë njëlloj dhe për këtë arsye nuk mund të lexohen me të njëjtën metodë. Prandaj, nuk duhet t’i hedhim të gjithë librat në një kosh dhe të aplikojmë teorinë e leximit të shpejtë për krejt ata. E sa gabime janë bërë kur punët nuk janë vendosur në vendin e tyre!

Gjithsesi, në pjesën e dytë do të gjeni zgjerim më të detajuar mbi llojet e leximit dhe aty do të gjeni edhe përgjigjen për pyetjen “si të lexoj?”, prandaj nuk po ripërsëris atë që e kam shkruar më poshtë.

Ajo që unë e shoh të rëndësishme për atë që e do leximin dhe dëshiron të përfitojë është që të fillojë me dashuri, të dijë çfarë kërkon nga leximi dhe të ecë sipas një programi që ai e vendos vetë. Në këtë mënyrë le të vazhdojë dhe të mos nxitojë në arritjen e fryteve, pasi askush nuk e sheh veten teksa është ngjitur në shkallën e dhjetë (edhe pse shkallët e dijes nuk kanë fund), por ata që të shohin do të lajmërojnë fshehurazi apo haptazi se ti je ngjitur lart. Atëherë kërrusu e tregohu modest dhe dije se ti sapo ke filluar të ngjitesh. Kësisoj nuk duhet të tregosh aspak mburrje dhe nuk duhet ta shikosh veten me vetëvlerësim, që mos të të rrëmbejë vetëpëlqimi e të biesh nga lartësia ku je ngritur. Kjo është pjesa që doja të vija në dukje më tepër për t’i dhënë përgjigje pyetjes “si të lexojmë?” dhe këtu po e përfundojmë, kështu që fillo me begati të Allahut, pasi mësove përgjigjet e pyetjeve “përse, çfarë dhe si të lexoj?”.

Përktheu nga arabishtja: Gent H. Nela
 
(Vazhdon...)


Tezkije.com - Nuk lejohet shpërndarja ose/dhe ripublikimi i materialeve pa cekur burimin.
Shko tek kryefaqja