E para: Kuptimi i termit Islam në aspektin leksikor: Termi Islam në aspektin gjuhësor vjen në disa kuptime, por, pothuajse, të gjitha sillen rreth kuptimeve vijuese: nënshtrim, dorëzim, bindje, sinqeritet, shfaqje nënshtrimi dhe pranim.
E dyta: Kuptimet e termit Islam, përmendur në Kuranin famëlartë: Termi Islam në Kuranin famëlartë vjen në disa kuptime, të cilat, pothuajse, janë të njëjta me ato të kuptimit gjuhësor. Mund të veçojmë:
Kur termi Islam vjen në kuptimin e dorëzimit: Allahu i Lartësuar thotë: “Kur Zoti i tij i tha: “Dorëzohu!” - ai iu përgjigj: “Iu dorëzova Zotit të gjithësisë!” (El Bekare, 131)
Gjithashtu, Allahu thotë: “Kush i dorëzohet Allahut me tërë qenien e tij…” (Lukman, 22)
Ndërkaq, në një ajet tjetër Allahu thotë: “Nëse ata të kundërshtojnë ty (o Muhamed), thuaju: “Unë i dorëzohem vetëm Allahut, e po ashtu edhe ata që më pasojnë mua.” (Al Imran, 20)
Kur termi Islam vjen në kuptimin e nënshtrimit: Allahu i Madhëruar thotë: “Ndërkohë që Atij i nënshtrohen të gjithë ata që gjenden në qiej dhe në Tokë, me hir a me pahir.” (Al Imran, 83)
Kur termi Islam vjen në kuptimin e njësimit të Allahut në adhurim. Këtë e ka thënë Ibn Xheuziu, i cili këtë e argumenton me fjalën e Allahut: “Sipas tij gjykojnë profetët, të cilët njësojnë Allahun.” (El Maide, 44)
Kur termi Islam vjen në kuptim e dorëzimit. Këtë po ashtu e ka pohuar Ibn Xheuziu, i cili e ka argumentuar me fjalën e Allahut: “Ndërkohë që Atij i dorëzohen të gjithë ata që gjenden në qiej dhe në Tokë, me hir a me pahir?!” (Al Imran, 83)
Rreth kësaj janë përmendur edhe thënie të tjera, të cilat nuk po i cekim, në mënyrë që të mos zgjatemi.
E treta: Kuptimi i Islamit si term i përgjithshëm: Islam d.m.th. dorëzim e nënshtrim i robit ndaj Allahut, duke iu përmbajtur e duke zbatuar ligjin që sjell ndonjë nga profetët e Allahut.
Ose mund të përkufizohet kësisoj: Islami është nënshtrim i robit ndaj Zotit, formalisht e përmbajtësisht, duke kryer urdhrat e Allahut e duke u larguar nga ndalesat e Tij, në përputhje me atë që ka shpallur Allahu i Lartësuar në gjuhën e të dërguarve të Tij.
E katërta: Kuptimi fetar i termit Islam: Nënshtrim dhe dorëzim ndaj Allahut duke zbatuar ligjin që solli profeti Muhamed.
Kjo është feja me të cilën Allahu i ka përmbyllur të gjitha fetë, përveç së cilës nuk pranon asnjë fe tjetër nga asnjë person, kushdo qoftë ai. Allahu thotë në Kuran: “Feja e vërtetë tek Allahu është vetëm Islami.” (Al Imran, 19)
Allahu thotë në një ajet tjetër: “Kush kërkon tjetër fe përveç Islamit, nuk do t’i pranohet.” (Al Imran, 85)
Ndërkaq, profeti Muhamed ﷺ ka thënë: “Betohem në Atë, i Cili ka shpirtin tim në dorë, se çdokush që dëgjon për mua, qoftë hebre, qoftë i krishterë, e më pas vdes pa besuar në mua, vetëm se ka për të qenë banor i Zjarrit.”