Youtube/Tezkije
Tema e dytë: Islami, fe e natyrshmërisë
Dr. Muhamed el Hamed
 17.02.2022

Kuptimi leksikor i termit natyrshmëri: Natyrshmëri d.m.th. krijim, fillesë dhe shpikje.
 
Ndërkaq, në aspektin terminologjik, natyrshmëria vjen si sinonim i Islamit. Pra, natyrshmëria është Islami dhe Islami është natyrshmëria, që njëherazi është mendimi më i saktë, të cilin e mbështet dijetari i Islamit, Ibn Tejmija, dhe nxënësi i tij Ibn Kajim el Xheuzi (Allahu i mëshiroftë!).
 
Pra, natyrshmëria është shtytës i fortë drejt besimit. Po ashtu, argumentet fetare theksojnë se, për nga natyra, njeriu është i prirë për të pranuar ekzistencën e Krijuesit dhe për ta adhuruar vetëm Atë.
 
Ibn Kajimi (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Është transmetuar nga Ikrime, Muxhahidi, Hasani, Ibrahimi, Dahaku dhe Katadja se në lidhje me fjalën e Allahut: “Drejtohu me përkushtim në fenë e pastër monoteiste, natyrën fillestare, në të cilën Allahu i ka krijuar njerëzit. S’ka ndryshim të krijimit të Allahut”, (Er Rum, 30) kanë thënë se fjala e Allahut “natyrën fillestare”, ka për qëllim fenë islame. Ndërkaq: “S’ka ndryshim të krijimit të Allahut”, ka për qëllim fenë e Allahut.”
 
Çdo krijesë është krijuar për ta njohur e për ta besuar Krijuesin e vet, i Cili është Zoti dhe Krijuesi që ka krijuar çdo gjë, pa shembull të mëparshëm. Nga kjo natyrshmëri devijon vetëm ai që zemrën e tij e ekspozon ndaj dyshimeve që mund të bëhen shkaktarë për ta devijuar. Profeti ka thënë: “Çdo fëmijë lind në natyrshmërinë e pastër, mirëpo prindërit janë ata të cilët e kthejnë në hebre, ose në të krishterë ose në adhurues të zjarrit.”
 
Ndërkaq, Ijad ibn Himari (Allahu qoftë i kënaqur me të!) përcjell se Profeti ka thënë: Në një hadith kudsij Allahu ka thënë: “Të gjithë robërit e Mi i kam krijuar me besim të drejtë, porse atyre u vajtën shejtanët e i devijuan nga feja e tyre.”
 
Për nga natyra, njeriu është brumosur ashtu që në raste vështirësish të strehohet dhe të kërkojë ndihmë te Zoti i vet. Prandaj, sapo njeriu të bjerë në hall - qoftë dhe ateist - e sapo t’i kanoset ndonjë rrezik, iluzionet dhe hamendjet fluturojnë e zhduken, për t’ua lënë vendin natyrshmërisë në të cilën është krijuar fillimisht; e cila e shtyn të thërrasë me zë të lartë, nga brendësia e shpirtit dhe me gjithë zemër: O Zot! - duke kërkuar prej Tij t’ia largojë trishtimin dhe brengën, duke u strehuar vetëm tek Ai, tek askush tjetër përveç Tij.
 
Të vërtetën ka thënë Allahu kur thotë: “Kur hipin në anije, ata i luten Allahut me devotshmëri të sinqertë, por, kur Ai i sjell në tokë shëndoshë e mirë, menjëherë ata i veshin Atij ortakë (në adhurim).” (El Ankebut, 65)
 
Në asnjë rrethanë natyrshmëri nuk do të thotë se njeriu lindka duke pasur njohuri për dispozitat e fesë islame, sepse Allahu i Madhëruar thotë: “Allahu ju ka nxjerrë nga barku i nënave tuaja e ju nuk dinit asgjë.” (En Nahl, 78)
 
Por, në anën tjetër, kjo nuk nënkupton se ai lind naiv e nuk bën dot dallimin mes idhujtarisë e monoteizmit, sepse Profeti në një transmetim ka thënë: “... vetëm se ai lind në këtë fe (Islamin).”
 
Së këndejmi, kjo nënkupton se njeriu lind dhe e do natyrshmërinë e tij, në qenien e tij pranon monoteizmin dhe se Zoti meriton adhurimin, e, nëse nuk do të ndikohej nga faktorë të tjerë, ai do të qëndronte në këtë natyrshmëri, sikurse trupi i cili dëshiron ato ushqime dhe lëngje që i vijnë për shtat, prandaj dhe foshnja e do qumështin, sepse ai i përshtatet dhe e ushqen.
 
Për këtë Profeti ka thënë: “... mirëpo prindërit janë ata të cilët e kthejnë në hebre, ose në të krishterë ose në adhurues të zjarrit.” Ai nuk ka thënë “... e kthejnë në musliman”, sepse Islami është feja e origjinës së tij dhe përqafimi i ndonjë feje tjetër është dalje nga kjo natyrë origjinale, si shkak i faktorëve të jashtëm.
 
Pra, çdo foshnjë mbi fytyrë të tokës lind në natyrshmërinë e saj, që është feja islame. Pra, secila foshnjë lind duke pohuar dhe pranuar Krijuesin e vet, e do Atë dhe vetëm Atij i lutet.
 
Nëse qëndron në këtë natyrshmëri, ai konsiderohet musliman që në origjinë, rrjedhimisht nuk ka nevojë të ripërtërijë Islamin kur të bëhet i rritur.
 
Por, në qoftë se fëmija rritet në gjirin e prindërve jomuslimanë dhe gjatë kësaj kohe pranon fenë e tyre të gabuar, ose pranon çfarëdo religjioni tjetër përveç Islamit, atëherë atij i bëhet detyrë ta braktisë atë fe dhe të distancohet prej saj e të hyjë në fenë islame, duke deklaruar dëshminë La ilahe il-lallah, Muhamed Resulullah (dëshmoj se nuk ka hyjni tjetër të vërtetë përveç Allahut dhe dëshmoj se Muhamedi është i Dërguari i Tij). Më pas të fillojë të mësojë ato gjëra të cilat e ndihmojnë të kryejë obligimet, siç janë namazi e rituale të tjera.
 
Muhamed Tahir Ashuri (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Kuptimi se i ka krijuar në natyrshmërinë e tyre të pastër do të thotë se, Allahu i ka krijuar njerëzit të atillë që do të përshtateshin me ligjet e kësaj feje, si dhe i ka bërë parimet e saj në përputhje me krijimin e tyre, rrjedhimisht ato nuk janë larg tyre, nuk i refuzojnë e as i mohojnë ato. Shembull për këtë kemi besimin në njëshmërinë e Allahut, sepse besimi se Zoti është Një, i Vetëm, është në harmoni të plotë me logjikën dhe me të menduarit e arsyeshëm. Madje, edhe nëse njeriu lihet të meditojë i lirë, pa u ndikuar nga ndonjë besim i pavlefshëm, ai do të përudhej për të besuar njëshmërinë e Zotit vetëm me natyrshmërinë e tij.”
 
Ai vazhdon e thotë: “Të qenët e fesë islame natyrshmëri e njeriut dhe dispozitat e degëzimet e saj në përputhje e në harmoni me natyrshmërinë është specifikë vetëm e fesë islame.
 
Ndërkaq, bazat e saj janë të atilla ku e shoqërojnë dhe fetë e tjera hyjnore, gjë të cilën e përfitojmë nga fjala e Allahut: “Kjo është e vetmja fe e vërtetë.” (Jusuf, 40)
 
Feja islame është fe e pavdekshme, e përshtatshme për të gjitha kohët dhe e vlefshme për të gjithë popujt. Një gjë e tillë mund të ndodhë e të realizohet vetëm atëherë kur dispozitat dhe bazat e saj ndërtohen në përputhje me natyrshmërinë njerëzore. Kjo, që të jetë e vlefshme për të gjithë njerëzit dhe kohët. Të qenët e saj në përputhshmëri me natyrshmërinë d.m.th. se Islami është i lehtë, i thjeshtë, sepse lehtësia dhe thjeshtësia janë synimi i kësaj natyrshmërie.”
 
Po ashtu, kur ky dijetar sqaron faktin se Islami është fe e natyrshmërisë, thotë: “Cilësimi i Islamit si fe e natyrshmërisë në të cilën Allahu ka krijuar njerëzit d.m.th. se besimi te njeriu vjen në harmoni me natyrshmërinë, ndërsa dispozitat e fesë dhe degëzimet e saj ose janë vetë pjesë e kësaj natyrshmërie, ose janë në dobi të njeriut dhe në përputhje të plotë me natyrën e tij.
 
Po ashtu, rregullat e marrëdhëniet ndërnjerëzore, që ka Islami, kthehen në atë të cilën e dëshmon natyra e shëndoshë njerëzore, sepse vetë kërkimi i dobive është pjesë e kësaj natyrshmërie.”
 
Tërë kjo na sqaron se feja islame është natyrshmëria në të cilën Allahu i ka krijuar njerëzit dhe se ata janë formuar të atillë që të pranojnë Krijuesin dhe që adhurimet t’ia dedikojnë Atij. Pikërisht ky është besimi, ndërsa natyra e shëndoshë njerëzore është motivuesi i tij, gjë të cilën argumentet e shpalosin qartazi.
 
Në anën tjetër, argumentet na tregojnë edhe faktin se kjo natyrë e shëndoshë që pranon se Krijuesi është Zoti dhe i Adhuruari i vetëm me meritë mund të luhatet, të devijojë ose të ndryshojë nga ndikimi që ushtrojnë faktorët e jashtëm. Faktorët që shkaktojnë devijimin e saj nga orientimi i drejtë mund të grupohen në tri kategori:
 
1.       Shejtanët (djajtë): Ky është faktori i parë dhe më kryesori, i cili ndikon në këtë çështje, siç e tregon këtë hadithi i Ijad ibn Himarit, përmendur më sipër. Kjo është një kategori e përgjithshme ku bëjnë pjesë shejtanët xhinë dhe shejtanët njerëz, të cilët përpiqen t’i devijojnë njerëzit nga natyrshmëria e tyre dhe t’i kthejnë shpinën Zotit të tyre;
 
2.      Prindërit: Siç ceket në hadithin e lartpërmendur: “... mirëpo prindërit janë ata të cilët e kthejnë në hebre, ose në të krishterë, ose në adhurues të zjarrit.” Ky është ndër faktorët me ndikimin më të fortë, për shkak të besimit që ka fëmija te prindërit dhe për shkak të ndikimit të madh që kanë prindërit tek ai.
 
Mund të ndodhë që edhe shoqëria ose mediat të ushtrojnë të njëjtin ndikim sikurse prindërit, herë-herë edhe më të fortë sesa ata në devijimin e natyrshmërisë;
 
3.      Shkujdesja: Është faktori më i madh që ndikon në devijimin nga natyra e shëndoshë. Dhënia pas kënaqësive të kësaj jete e të pasionuarit me bukuritë e saj mund të bëjnë që njeriu ta harrojë Zotin e vet dhe të devijojë nga natyrshmëria në të cilën e ka krijuar Allahu.
 
Allahu në Kuranin famëlartë ka përmendur: “Kur Zoti yt nxori nga kurrizi i bijve të Ademit pasardhësit e tij dhe i bëri të dëshmojnë kundër vetes së tyre, u tha: “A nuk jam Unë Zoti juaj?” Ata u përgjigjën: “Po, dëshmojmë se Ti je.” Kështu bëri Ai, në mënyrë që ju (o njerëz) të mos thoni në Ditën e Kiametit: “Këtë nuk e kishim ditur.” Ose që të mos thoni: “Me të vërtetë, etërit tanë ishin idhujtarë para nesh, kështu që edhe ne jemi pasardhësit e tyre. A mos vallë do të na shkatërrosh për veprat e atyre që ndoqën mashtrimin?” (El Araf, 172-173)
 
Ky ajet tregon se shkujdesja është një ndër shkaqet më të mëdha për devijimin nga natyrshmëria.
 
Ndoshta dikush mund të pyesë: Cila është dobia e natyrshmërisë, për sa kohë që ajo mund të ndryshojë për shkak të këtyre faktorëve devijues, e prej të cilëve ai është pothuajse i pandashëm?
 
Allahu, me urtësinë e Vet, deshi që kjo natyrshmëri të jetë e tillë në mënyrë që kësisoj të mund të realizohej qëllimi i sprovimit të njeriut me të mira dhe të këqija, për rrjedhojë, më pas të shpërblehet për atë që ka punuar. Kjo, se, në qoftë se natyrshmëria do të ishte e fortë dhe solide, që nuk ndikohet nga gjëra të tjera, atëherë nuk do të kishte mosbesim e as devijim te bijtë e Ademit. Pra, ata nuk do ta pranonin në asnjë formë mosbesimin e devijimin, rrjedhimisht nuk do të realizohej sprovimi, ndërkohë që Allahu e ka bërë të tillë për një urtësi të madhe.
 
Megjithatë, natyrshmëria ka dobi të shumta, si:
 
E para: Kjo natyrshmëri në qenien e njeriut ka rrënjosur besimin në Allahun dhe adhurimin e Tij. Nëse njeriu nuk do të udhëzohej drejt Allahut, atëherë ai do të adhuronte diç tjetër, çfarëdo qoftë, në mënyrë që të plotësojë dëshirën e tij për të besuar. Kjo i ngjan një personi të cilin e ka kapluar uria: nëse nuk gjen ushqim të mirë e të pastër, i cili është i përshtatshëm për t’u ushqyer me të, atëherë do të hajë çfarëdo gjë që has për ta shuar urinë, edhe nëse ai ushqim është i pistë.
 
Tërë kjo shpjegon fenomenin e pranisë së shumë feve në mesin e njerëzve dhe në shumicën e rasteve feja dhe i adhuruari i tyre është i kotë.
 
E dyta: Kjo natyrshmëri e ka bërë njerëzimin të pranojë adhurimin dhe të jetë në harmoni të plotë me kërkesat e saj dhe, pa dyshim, këto janë aspekte të rëndësishme për njeriun, sepse çdo gjë që s’përkon me natyrën njerëzore, do të vësh re se uni njerëzor u shmanget dhe nuk u bindet kërkesave të saj.
 
E treta: Natyrshmëria e ndihmon njeriun për të arritur tek e vërteta, sepse, kur njeriu e njeh fenë e vërtetë dhe fenë e rremë, në këtë rast natyrshmëria është ajo që bën dallimin midis këtyre të dyjave duke bërë që të anojë nga e vërteta. Madje, një gjë e tillë zë vend në brendinë e tij dhe zemra gjen prehje në të. Më pas njeriu mund ta shprehë këtë e t’i përmbahet, ose nuk i përgjigjet si pasojë e frikës a epshit, ose si shkak i imitimit a mosdaljes nga tradita e shoqërisë në të cilën gjendet. Allahu, për Faraonin dhe popullin e tij, thotë: “Kështu, ata i mohuan ato padrejtësisht dhe me mendjemadhësi, edhe pse shpirti i tyre i besonte për të vërteta.” (En Neml, 14)
 
E katërta: Natyrshmëria e pajis atë i cili është përudhur nga e vërteta me një siguri rreth së vërtetës që ai ndjek, edhe pse nuk posedon argumente teorike që ta fitojë këtë vendosmëri. Kjo na shpjegon faktin përse (në përgjithësi) muslimanët nuk e braktisin fenë e tyre dhe kjo për faktin e vetëm se është në përputhje me natyrshmërinë e tyre dhe i jep siguri se është në të vërtetën. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për ata të cilët janë konvertuar në Islam dhe kanë braktisur fetë e tyre të kota. Ata kapen pas fesë islame njësoj siç kapet pas litarit të shpëtimit ai që është duke u fundosur në det. Kjo, sepse ai tashmë është i sigurt se kjo është feja e vërtetë dhe se ajo është në harmoni të plotë me natyrshmërinë.


Tezkije.com - Nuk lejohet shpërndarja ose/dhe ripublikimi i materialeve pa cekur burimin.
Shko tek kryefaqja