Youtube/Tezkije
Nënndarje dhe lloje të leximit
Dr. Ali ibn Imrani
 21.02.2022

(Çdo lexim ka hapësirën dhe karakteristikën e tij. Njihe veten që të dish çfarë të lexosh!)

Këtu kam përmbledhur disa lloje të leximit dhe gjendjen e tyre duke u mbështetur në përvojat dhe leximet e mia vetjake, si dhe në fjalët e dijetarëve dhe ekspertëve. I kam shoqëruar me një përshkrim të shkurtër, me fjalë të thjeshta, duke u përpjekur të shkruaj me një gjuhë mesatare, jo për elitat por as edhe për njerëzit e thjeshtë, kësisoj i jam drejtuar të riut që ka interes të përfitojë.

Leximi edukativ

Lexo atë libër që zhvillon dijet e tua dhe të çel portat e njohurive edhe nëse nuk e pëlqen. Librat edukativë nuk janë përherë argëtues, por nëse ti e dashuron dijen do ta pëlqesh edhe këtë lloj leximi, siç thuhet në një gjysvargu poetik: “Të lëkundem plot hare është bërë e dashur për mua, teksa zgjidh një problematikë të dijes.”

Leximi interpretues

Do të thotë të lexosh një libër të një dijetari në një apo disa takime pranë tij. Zakonisht ky libër ose është dorëshkrim i vetë dijetarit, ose është një kopje që mund ta keni huazuar, sikundër edhe mund të thuhet përmendësh në të tilla takime.

Leximi korrigjues

Këtu kemi për qëllim të lexosh një libër apo një tekst nga mësimet bazë që mësohen përmendësh, duke e lexuar atë para dikujt që e njeh mirë dhe ai të korrigjon gabimet në të shprehur. Këtë lloj leximi shumë veta e neglizhojnë dhe e marrin parasysh vetëm një pakicë e vogël.

Lexim hulumtimi dhe mësimi

Ky lloj leximi zhvillohet duke u ulur bashkë me autorin e librit apo me dikë që mund ta zëvendësojë atë, për të hyrë thellë në tekst e për të hulumtuar e zbuluar gjëra të paqarta, si dhe për të diskutuar probleme që duhen zgjidhur.

Leximi i lirë

Lexo çfarë të duash dhe mundohu të fitosh dyfish; duke përfituar dhe duke u argëtuar njëkohësisht. Ndërsa termi i përdorur nga profesori Abdullah el Hedlek (kaosi kreativ në lexim) nuk mund të përgjithësohet. Ky term mund të përfshijë një grup personash që nuk u bën dobi ndjekja e programeve dhe disa kufizimeve, pasi ky grup pëlqen të nisen pa asnjë kufizim. Këtyre, nëse do të ma dëgjonin fjalën, do t’u thosha që së pari të forcojnë dijet bazike që më pas të “fluturojnë” me krahët e tyre si të duan, duke qenë të qëndrueshëm kësisoj përballë stuhive të ideve të dobëta dhe duke mos i mposhtur asnjë forcë sulmuese.

Leximi kronologjik

Për shembull, mund të marrësh shtatë libra dhe t’i rendisësh sipas rendit kronologjik të vdekjeve të autorëve. Këta libra lexoji në radhë nga autori më i hershëm tek ai më i vonshmi. Gjatë leximit, shëno përshtypjet e tua dhe bëj krahasime dhe ke për të parë rezultate shumë të vyera.

Leximi i thellë

Arrihet duke njohur së pari kohën kur ka jetuar autori i librit, duke lexuar biografinë e tij të detajuar. Më pas duhet të arrish njohjen e stilit të tij të veçantë në libër, të hysh thellë në tekst, të analizosh dhe të diskutosh tezat e tij, si dhe të bësh krahasime me autorët e tjerë, duke e finalizuar me përmbledhjen e ideve të gjithë librit. Nëse ky lexim kryhet kështu, atëherë ke hyrë vërtet pothuajse apo plotësisht në brendësi të atij libri.

Leximi perceptues

Këtu futet leximi me meditim dhe mendim. Ky lloj leximi prodhon pikëpyetje dhe problematika shkencore, që marrin përgjigje duke arsyetuar tezat që hapin porta të diturisë.

Leximi përzgjedhës

Këtu supozohet të zgjedhësh një kapitull apo studim të caktuar nga libri për t’iu dhënë vetëm asaj pjese konkretisht. Pra, nuk është e thënë të lexojmë patjetër një libër tërësisht nga fillimi deri në fund.

Leximi kritik (vetëm për njerëzit kompetentë)

Leximi kritik bëhet duke vendosur presat mbi çdo fjalë të autorit, duke parë me kujdes burimet ku është mbështetur, duke verifikuar citatet, duke analizuar argumentet, duke studiuar analizat e autorit dhe duke bërë krahasimin pas së gjithash. Këtë lexim domosdoshmërisht duhet ta bësh me drejtësi dhe paanshmëri.

Leximi produktiv (frytdhënës)

Asnjëherë mos lexo një libër pa pasur një plan studimi apo shkrimi rreth tij. Lexo dhe gjatë leximit përpiqu të mbash shënime për gjërat që të bëjnë përshtypje, sepse këto shënime do të jenë të çmueshme për kohët që do të kalojnë.

Një shembull për këtë sugjerim është libri i dijetarit të shquar Bekër ebu Zejd i titulluar “Mu’xhem el Menahij el-Lefdhije” i cili është një mrekulli e vërtetë. Këtë libër, do të ishte imagjinatë të mendoje se autori e ka shkruar pa pasur shënime të tijat, pasi ka burime dhe të dhëna shumë të pasura, të cilat është shumë e vështirë të arrihen.

Leximi tendencioz (leximi i sëmurë)

Do të thotë të lexosh duke mos vështruar asgjë të bukur në libër dhe nga ana tjetër, shikon çdo gabim në detaje, qoftë edhe i parëndësishëm. Fillon e shikon gjithçka me një lloj preteksti, me pandershmëri dhe me paragjykim, duke mos pasur asnjë mendim pozitiv për të. Në këtë mënyrë, ke mbledhur të gjitha vetitë e ulëta dhe ke arritur kulmin. Lus Allahun të na ruajë nga ky lloj leximi dhe nga personat e tillë.

Leximi nënkresë

Të vendosësh një libër poshtë jastëkut, jo shumë të madh, i cili është i lehtë për t’u lexuar, të cilin do ta lexosh gjithmonë pak minuta para gjumit. Kështu do të lexosh shumë libra dhe do të përfitosh më tepër sesa të merresh me libra të ngarkuar prej të cilëve nuk përfiton aspak. Nëse ky lloj leximi krijon debate në shtëpi, atëherë më mirë lëre dhe fli gjumë, sepse nuk ia vlen të lexosh e të të kthehet në shqetësim. Këtë përjashtim e bëj për dy miq, që sado që janë bashkë, kanë kulturë, natyrë dhe edukatë të ndryshme nga njëri-tjetri.

Leximi i përsëritur

Pra, të hedhësh gjithmonë vështrimin mbi një libër të caktuar. Sa herë e mbaron i rikthehesh përsëri atij libri. Në këtë mënyrë disa dijetarë kanë lexuar një libër mbi shtatëqind herë e disa ndoshta edhe një mijë herë.

Leximi shfletues

Ky lloj leximi mund të quhet ndryshe hapje e përgjithshme e librit, pasi supozohet ta shfletosh të gjithë librin, jo për ta lexuar plotësisht, por thjesht për ta kaluar në dorë e të njohësh përciptasi temat dhe pasqyrën e librit. Me këtë metodë gjithashtu, njeh edhe pozitën e librit. Këtë lloj metode e praktikonte Ibn Haxheri në takimet e tij me njerëzit.

Leximi përciptasi

Këtë mund ta bësh duke i caktuar vetes një orar (për shembull tri orë), të mbyllesh në një dhomë me një libër, qoftë historik, letrar apo enciklopedik dhe të kesh me vete një laps. Patjetër duhet të largosh nga aty çdo mjet komunikimi si telefoni, ose ta mbash fikur dhe të nisësh ta lexosh këtë libër me fragmente, jo fjali më fjali. Lapsin, i cili preferohet të jetë me ngjyra[1], e përdor për të nënvizuar gjërat që do të të pëlqejnë nga libri. Kësisoj mund të mbarosh vëllime të plota qoftë edhe me një ulje të ditës. Pra, ky lexim bëhet mbi fragmente të librit dhe jo fjali pas fjalie.

Lexim filtrimi

Bëhet duke lexuar një libër që e “sit”, pra, e filtron në maksimum duke shënuar dhe regjistruar çdo dobi. Këtë term e ka përdorur dijetari i shquar Bekër ebu Zejdi, Allahu qoftë i kënaqur me të dhe i dhëntë rrahmet!

Leximi i shpejtë

Është një lloj leximi me ritëm të shpejtë që nuk e kupton as ti e as të tjerët se çfarë po lexon. Imam Dhehebiu e qorton këtë lloj leximi në një prej letrave të tij të titulluar “Zegalu el Ilm”. Aktualisht ky lloj leximi ka marë goxha përhapje, sidomos te disa studentë që shfrytëzojnë pushimet e shkurtra për të përfunduar një libër sa më shpejt që të jetë e mundur. Pa diskutim që ky lexim është i pavend.

Këto ishin disa lloje të leximit dhe përshkrimi i lexuesve të këtyre llojeve. Ti mund të zgjedhësh atë që të përshtatet më shumë nga këto lloje leximesh dhe të provosh atë që ke mundësi, e të shohësh nëse realisht ka rezultat apo jo. Përvojën tënde ndaje me vëllezërit dhe njerëzit që kanë besim te ti, në mënyrë që të përfitohet sa më shumë.

Vërejtje:

- Leximi për ndërtimin e bazave të diturisë ka objektiv tjetër që ndryshon nga leximi për njohje të përgjithshme, për argëtim, për relaksim etj., prandaj duhen përcaktuar kriteret dhe kufijtë për secilin rast.

- Lexuesi i zellshëm duhet të ketë objektiv studimin dhe mësimin, jo të bëjë lexim soditësi a shëtitësi, si dhe nuk duhet ta pengojë ideja se e ka kuptuar atë që ka lexuar për t’iu kthyer librit përsëri.

- Rruga më e mirë për të kuptuar atë që lexojmë, është të lexojmë me qëllim edukativ dhe verifikues, duke hequr dorë nga leximi përciptasi vetëm për të dëgjuar zë.

- Sjellja jote me librin nuk duhet të jetë e njëllojtë, sepse çdo libër ka shijen e vet të veçantë. A e ke vënë re këtë gjë?

- Disa libra meritojnë t’i lexojmë fjalë për fjalë, pasi siç thotë imam Sujuti: “Për çdo grimcë të tij mund të gjesh xhevahire.”. Kurse disa libra mjafton t’i lexosh duke i shfletuar shpejt pasi nuk ke nevojë më tepër për to.

- Kur ulesh me disa libra e ndien veten sikur je ulur para një darke të bollshme e me disa të tjerë sikur je para një vakti të shpejtë, prandaj secilit libër jepi vlerën që i takon.

- Ta mbash librin në duar për ta shfletuar, për ta ndjerë çdo shkronjë të tij, ta mbyllësh për të pasur çaste meditative dhe ta rihapësh për ta përsëritur, të jep një lumturi që nuk ta jep asgjë tjetër. Libri i botuar i gëzon të gjitha veçoritë. Ndërsa leximin elekronik përdore vetëm në raste nevoje, si në rastin kur mungon libri i botuar apo kur ka çmim të lartë.



[1] Faktikisht unë nuk e preferoj këtë lloj leximi, sepse përdorimi i ngjyrave e prish librin, vetëm nëse posedon dy kopje, njërën për lexim dhe tjetrën për ripërsëritje.

Përktheu nga arabishtja: Gent H. Nela

 

(Vazhdon...)


Tezkije.com - Nuk lejohet shpërndarja ose/dhe ripublikimi i materialeve pa cekur burimin.
Shko tek kryefaqja