Youtube/Tezkije
Tema e tretë: Allahu i Lartësuar
Dr. Muhamed el Hamed
 23.02.2022

1. Allahu është Zoti dhe Sunduesi i çdo gjëje. Ai është Krijuesi i vetëm, Rregullues i mbarë gjithësisë; është i Gjithëdijshmi për çdo send; Jetëdhënës, Jetëmarrës, Furnizues, Zotërues, i cilësuar me çdo atribut të përsosur, i zhveshur nga çdo mangësi dhe e metë, i Vetmi që meriton adhurimin.
 
Allahu i Lartësuar, duke u treguar robërve rreth vetes së Tij, thotë në Kuran: “Ai është Allahu, përveç të Cilit nuk ka Zot tjetër (të denjë për adhurim), Njohësi i së dukshmes dhe i së padukshmes, Ai është i Gjithëmëshirshmi, Mëshirëploti! Ai është Allahu, përveç të Cilit nuk ka Zot tjetër (të denjë për adhurim). Ai është Sunduesi, i Shenjti (i pastër nga çdo e metë), Paqedhënësi, Dhënësi i sigurisë, Mbikëqyrësi mbi gjithçka, i Plotfuqishmi, Imponuesi, Madhështori. Qoftë i lartësuar Allahu mbi gjithçka që ia shoqërojnë Atij (në adhurim)!” (El Hashr, 22-23)
 
Po ashtu, Ai ka thënë: “Allahu! Nuk ka zot tjetër (që meriton adhurimin) përveç Tij, të Gjallit, të Përjetshmit, Mbajtësit të gjithçkaje! Atë nuk e kaplon as dremitja, as gjumi! Atij i përket gjithçka që gjendet në qiej dhe gjithçka që gjendet në Tokë. Kush mund të ndërhyjë tek Ai për ndokënd pa lejen e Tij? Ai di çdo gjë që ka ndodhur përpara dhe çdo gjë që do të ndodhë pas njerëzve, kurse ata nuk mund të përvetësojnë asgjë nga Dituria e Tij, përveçse aq sa Ai dëshiron. Kursiu i Tij shtrihet mbi qiejt dhe Tokën dhe Ai nuk e ka të rëndë t’i ruajë ato. Ai është i Larti, Madhështori!” (El Bekare, 255)
 
Allahu thotë: “Kjo është kështu, sepse Allahu është e Vërteta (i vetmi që meriton të adhurohet), kurse gjithçka që adhurohet përveç Tij, është e pavërteta. Dhe, pa dyshim, Allahu është më i Lartësuari dhe i Madhërishmi.” (El Haxh, 62)
 
Ndërkaq, në një vend tjetër thotë: “Thuaj: “Ai është Allahu, Një dhe i Vetëm! Allahu është Absoluti, të Cilit i përgjërohet gjithçka. Ai as nuk lind, as nuk është i lindur. Dhe askush nuk është i barabartë (a i krahasueshëm) me Të!” (El Ihlas, 1-4)
 
2. Allahu i Lartësuar posedon emra të shumtë me të cilat e ka emërtuar Vetveten dhe në ajetet e lartcekura janë përmendur disa prej tyre. Kështu, Kurani dhe Suneti janë të mbushur me përmendjen e emrave të Allahut të Lartësuar dhe çdonjëri nga këta emra përmban një cilësi me të cilat cilësohet Ai.
 
Por, emri më me famë, më me vlerë dhe më i madhi është emri Allah dhe kjo për disa arsye:
 
1)  Ai është emri më i madh i Zotit. Një gjë të tillë e ka përmendur një numër i konsiderueshëm dijetarësh, të cilët kanë sqaruar se emri Allah është më i madhi, me të cilin, nëse i lutesh Zotit, do të të përgjigjet, e, nëse i kërkon, do të të japë.
 
2)  Ky emër është baza e gjithë emrave të Zotit të Lartësuar, ndërsa të gjithë emrat e tjerë i referohen Atij dhe cilësohen me të. Allahu thotë në Kuran: “Allahut i përkasin emrat më të bukur, andaj thirreni Atë (luteni) me ta.” (El Araf, 180)
 
Po ashtu, Allahu thotë: “Allahu, nuk ka zot tjetër përveç Tij. Ai ka emrat më të bukur.” (Ta Ha, 8)
 
Gjithashtu, Allahu thotë: “Ai është Allahu, përveç të Cilit nuk ka Zot tjetër (të denjë për adhurim), Njohësi i së dukshmes dhe i së padukshmes, Ai është i Gjithëmëshirshmi, Mëshirëploti! Ai është Allahu, përveç të Cilit nuk ka Zot tjetër (të denjë për adhurim). Ai është Sunduesi, i Shenjti (i pastër nga çdo e metë), Paqedhënësi, Dhënësi i sigurisë, Mbikëqyrësi mbi gjithçka, i Plotfuqishmi, Imponuesi, Madhështori. Qoftë i lartësuar Allahu mbi gjithçka që ia shoqërojnë Atij (në adhurim)!” (El Hashr, 22-23)
 
Prandaj, thuhet se er Rrahman (i Gjithëmëshirshëm), er Rrahim (Mëshirëploti), el Halik (Krijues), er Rrazik (Furnizues), el Aziz (Krenari), el Hakim (i Urti) janë emra të Allahut, dhe nuk thuhet se emri Allah është emri i Rrahmanit, i Rrahimit, ose emri i Azizit, e kështu me radhë.
 
3)  Ky emër i përmban kuptimet e gjithë emrave të tjerë të Allahut. Ai tregon për ta në mënyrë të përgjithshme, ndërsa emrat e Tij të bukur janë sqarues dhe shpjegues të cilësive hyjnore, të cilat janë cilësi që tregojnë madhështi, përsosuri dhe krenari. Pra, ai është emri tek i cili kthehen gjithë emrat e tjerë, kuptimet e të cilëve sillen rreth tij.
 
4) Ai është emri me të cilin janë lidhur shumica e lutjeve të përmendura (në Kuran dhe Sunet), kështu që atë e gjen në dhikër dhe lutjet si: tehlili (la ilahe il-lallah), tekbiri (Allahu ekber), tahmidi (elhamdulilah), tesbihu (subhanallah), haukale (la haula ue la kuvete il-la bilah), hasbele (hasbijallahu ue ni’mel Uekil), istirrxha (ina lilahi ue ina ilejhi rraxhiun), besmele (bismilah) dhe lutje të tjera, të cilat janë të lidhura me këtë emër e janë të pandashme prej tij. Sa herë që muslimani thotë Allahu ekber, elhamdulilah, la ilahe il-lallah dhe lutje të tjera, ai përmend pikërisht këtë emër.
 
5) Allah është nga emrat më të përmendur në Kuran. Ky emër është përmendur në Kuran më shumë se dy mijë e dyqind herë, si dhe është emër me të cilin fillojnë tridhjetë e tri ajete të Kuranit famëlartë.
 
Rrënja e këtij emri është ilah, që d.m.th. i adhuruar. Edhe ky është emër me të cilin emërtohet Allahu, i cili është përmendur në Kuran. Allahu i Madhëruar thotë: “Në vend të Allahut, ata kanë zgjedhur për zot rabinët dhe murgjit e tyre, si dhe Mesinë, të birin e Merjemes, ndërkohë që janë urdhëruar të adhurojnë vetëm një të adhuruar (ilah), përveç të Cilit nuk ka tjetër që meriton të adhurohet. I lartësuar qoftë Ai mbi gjithçka që ia shoqërojnë (në adhurim)!” (Et Teube, 31)
 
Ndërkaq, në një ajet tjetër thotë: “Thuaj: “Mua më është shpallur se i adhuruari juaj është i adhuruari (ilah) i vetëm; pra, a jeni muslimanë?” (El Enbija, 108)
 
Përkufizimi më i bukur që është bërë për kuptimin e emrit Allah është ajo që ka përmendur Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!): “Allahu është Ai i Cili meriton të jetë i adhuruar dhe t’i nënshtrohen të gjitha krijesat.” Këtë e ka përmendur Ibn Xheriri në Tefsirin e tij.
 
Ibn Abasi në këtë përkufizim të emrit Allah ka përmbledhur dy gjëra:
 
E para: cilësinë që është e lidhur me emrin Allah, që është adhurimi, cilësi këtë të cilën e shpreh fjala Allah, mu ashtu siç tregon për dijen, që është cilësi e Tij, emri el Alim (i Gjithëdijshmi), ose për fuqinë, e cila po ashtu është cilësi e Tij, emri el Aziz (i Plotfuqishmi), ose për urtësinë, që është gjithashtu cilësi e Tij, emri el Hakim (i Urti), ose për mëshirën, e cila po ashtu është cilësi e Tij, emri err Rrahim (Mëshirëploti) dhe emrat e Tij të tjerë, të cilët tregojnë cilësitë me të cilat cilësohet qenia e Allahut që i shprehin këta emra.
 
Ja, kësisoj Allah është Ai i Cili meriton të jetë i adhuruar, ndërsa të qenët e Tij i adhurueshëm, gjë e cila është cilësi e Tij, është cilësi madhështore, përmes së cilës Ai meriton të jetë i Adhuruar.
 
Për më tepër, Ai meriton që askush të mos e shoqërojë Atë në këtë cilësi madhështore, në asnjë mënyrë.
 
Cilësitë hyjnore janë të gjitha cilësi të përsosura, cilësi të madhështisë e bukurisë, të gjitha janë cilësi të mëshirës, mirësisë, bujarisë dhe bamirësisë. Pra, këto janë cilësi për të cilat Ai meriton të jetë hyjni i vërtetë dhe të adhurohet.
 
Ai adhurohet sepse i përkasin cilësitë e madhështisë dhe madhërisë (lartësisë). Është Zot se veçohet me el kajumije (mbajtjen e gjithçkaje), err rrububije (zotërimin), sundimin dhe pushtetin. Është hyjnia i vërtetë se veçohet me mëshirë dhe dhënie të dhuntive të dukshme e të padukshme ndaj gjithë krijesave të Tij. Është hyjnia i vërtetë se ka përfshirë çdo gjë me dijen, vendimin, urtësinë, bamirësinë, mëshirën, forcën, krenarinë - fuqinë dhe triumfin e Tij.
 
Është hyjnia i vërtetë se veçohet me vetëmjaftueshmëri të plotë dhe absolute në të gjitha aspektet, ndërkaq, çdokush e çdo gjë tjetër ka nevojë për Të në të gjitha aspektet e në vazhdimësi. Ka nevojë për Të për ekzistencën dhe rregullimin e çështjeve të tij, për ta furnizuar e ndihmuar, si dhe për të gjitha nevojat e tij. Po ashtu, ka nevojë për Të më shumë se për çdo gjë tjetër, për ta adhuruar e për t’iu përulur vetëm Atij. Pra, el uluhije (të qenët e Tij hyjnor, i adhurueshëm) përfshin gjithë emrat e bukur dhe cilësitë e përsosura të Allahut.
 
E dyta: Cilësinë që ndërlidhet me robin, që rrjedh nga ky emër. Ajo është el ubudije (robëria dhe nënshtrimi të jenë vetëm ndaj Allahu) Pra, robërit e Tij e adhurojnë me dashuri dhe frikë. Allahu i Lartësuar thotë: “Ai është i vetmi i Adhuruar (i vërtetë) në qiell dhe i vetmi i Adhuruar me meritë në Tokë.” (Ez Zuhruf, 84) Domethënë, banorët e qiellit dhe Tokës e hyjnizojnë Atë, qoftë me hir, qoftë me pahir. Të gjithë i nënshtrohen madhështisë së Tij, i binden dëshirës dhe vullnetit të Tij dhe i përulen plotfuqishmërisë e përjetshmërisë së Tij. Ndërkaq, robërit e të Gjithëmëshirshmit e adhurojnë Atë me dashuri dhe frikë e i japin Atij çdo gjë që është në mundësinë e tyre sa i përket adhurimit të zemrës, shpirtit, fjalëve dhe veprave, sipas pozitave dhe shkallëve të tyre (në besim). Allahu i Lartësuar ka harmonizuar këto dy koncepte në shumë vende të Kuranit, siç janë fjalët e Tij: “Me të vërtetë, Unë jam Allahu, s’ka ilah (të adhuruar me të drejtë) tjetër përveç Meje, prandaj, vetëm Mua më bëj ibadet (më adhuro) dhe kryej faljen për të më kujtuar Mua!” (Ta Ha, 14)
 
“Ne nuk kemi nisur asnjë të dërguar para teje, që të mos i kemi shpallur se: “S’ka ilah (të adhuruar me të drejtë) përveç Meje, andaj më adhuroni (më bëni ibadet) vetëm Mua!” (El Enbija, 25)
 
“Vetëm Atë adhuroje (bëj ibadet) dhe bëhu i qëndrueshëm në adhurimin ndaj Atij. A njeh ndokënd që është i barabartë me Të?!” (Merjem, 65)
 
Po mjaftohemi me kaq, sepse do të flasim edhe më poshtë për njohjen e Allahut, kur të shtjellojmë shtyllat e Islamit dhe imanit (besimit).


Tezkije.com - Nuk lejohet shpërndarja ose/dhe ripublikimi i materialeve pa cekur burimin.
Shko tek kryefaqja