Dr. Muhamed el Hamed
Fuqia është cilësi që i pohohet Allahut të Lartësuar. Pra, ajo është fuqia e plotë gjithëpërfshirëse, siç do të sqarohet në vijim.
Disa nga emrat e Allahut të Lartësuar janë: i Gjithëfuqishmi, i Fuqishmi dhe i Plotfuqishmi. Të gjithë këta emra janë përmendur në Kuranin famëlartë. Prej tyre më së shumti është përmendur emri i Gjithëfuqishmi (el Kadir), pastaj i Fuqishmi (el Kadir) pastaj i Plotfuqishmi (el Muktedir). Allahu thotë në Kuran: “Allahu është i Gjithëfuqishëm për çdo gjë.” (El Bekare, 284)
Po ashtu, Allahu thotë: “Ai është vërtet i Gjithëdijshëm dhe i Gjithëfuqishëm për çdo gjë.” (El Fatir, 44)
Ai gjithashtu thotë: “Thuaj: “Ai ka fuqi t’ju ndëshkojë prej së larti ose nga poshtë këmbëve tuaja, ose t’ju përçajë në grupe e të vuani nga duart e njëri-tjetrit. Shih si ua shpjegojmë shpalljet, që ata të mund të kuptojnë!” (El Enam, 65)
Ndërkaq, në një ajet tjetër thotë: “Dhe Allahu është i Fuqishëm për çdo gjë!”
Gjithë këta emra janë argument për pohimin e fuqisë si cilësi e Allahut të Lartësuar dhe se Allahu është Fuqiplotë. Me fuqinë e Tij Ai bëri që të ekzistojnë gjallesat, me fuqinë e Tij i drejton ato, me fuqinë e Tij i përsosi dhe i rregulloi. Me fuqinë e Tij Allahu jep dhe merr jetë, i ringjall krijesat për t’i gjykuar, e shpërblen punëmirin me mirësi, kurse punëkeqin e ndëshkon me atë që meriton. Ndërkaq, nëse dëshiron të bëhet diçka, thjesht i thotë “bëhu!”, sakaq ajo bëhet.
Me forcën e Tij i ndryshon zemrat dhe i kthen ashtu si dëshiron; atë që do e udhëzon, atë që do e humb. Ai besimtarin e bën besimtar, jobesimtarin jobesimtar, bujarin bujar dhe të poshtrin të poshtër.
Meqë fuqia e Tij është absolute, asnjë krijesë nuk mund të përfshijë diçka prej dijes së Tij, përveç sa Ai dëshiron t’i zbulojë kujt të dojë nëpërmjet shpalljes.
Me fuqinë e Tij të përkryer krijoi qiejt dhe Tokën për gjashtë ditë e gjashtë net dhe nuk u lodh aspak. Atij nuk i shpëton e nuk mund t’i ikë asnjë krijesë. Përkundrazi, të gjitha janë në grushtin e Tij, kudo qofshin. Fuqia e Tij është e pacenueshme nga lodhja, rraskapitja e pamundësia për të bërë atë që dëshiron.
Nga bazat e mëdha të besimit është dhe besimi në caktimin e Allahut. Allahu i Lartësuar thotë: “Vërtet, Ne çdo gjë e kemi krijuar me (kader) masë të paracaktuar.” (El Kamer, 49)
Allahu thotë: “Urdhri i Allahut është vendim i detyruar të ndodhë.” (El Ahzab, 38)
Po ashtu Allahu thotë: “... i Cili ka krijuar çdo gjë dhe e ka rregulluar si duhet!” (El Furkan, 2)
Ndërkaq, imam Muslimi, në Sahihun e tij, përcjellë nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!), shënon se disa idhujtarë të fisit kurejsh, po debatonin me Profetin ﷺ në lidhje me kaderin, e në atë rast Allahu zbriti ajetet: “Pa dyshim, keqbërësit janë të humbur (në këtë jetë) dhe do të digjen në Zjarr (në jetën tjetër). Ditën e Gjykimit ata do të tërhiqen me fytyrat e tyre në Zjarr (e do t’u thuhet): “Shijoni zjarrin e Xhehenemit!” Vërtet, Ne çdo gjë e kemi krijuar me masë të paracaktuar.” (El Kamer, 47-49)
Kushdo që nuk beson në caktimin e Allahut, njëherazi nuk beson as Allahun e Lartësuar. Imam Ahmedi (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Kaderi është fuqia e Allahut.”
Së këndejmi, mohimi i fuqisë së Allahut të Lartësuar, mohimi i cilësive të Tij, ose i diçkaje prej tyre, pa dyshim që bie në kundërshtim me besimin në Të. Kjo, se baza e besimit në Allahun njëkohësisht është besimi në caktimet e Tij.
Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Kaderi (caktimi) është sistemi i teuhidit. Andaj, kush e njëson Allahun e Madhëruar dhe beson në caktimin e Tij, pa dyshim se ka lidhjen më të fortë, e cila nuk këputet, dhe, kush e njëson Allahun, mirëpo mohon caktimin, ai e ka prishur teuhidin.”
Aufi (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “E kam dëgjuar Hasen el Basriun të thotë: “Kushdo që mohon caktimin e Allahut, ka mohuar fenë islame, sepse Allahu i Lartësuar ka përcaktuar përcaktimet, i ka krijuar krijesat me caktim, ka përcaktuar jetëgjatësinë (e krijesave) me caktim, i ka ndarë furnizimet me caktim, ka shkruar telashet e rehatinë me caktim (kader).”
Besimi në caktimin e Zotit është nga cilësitë më të dalluara të atyre që e njohin Atë. Ibn Xheriri, në komentarin e tij, përcjellë nga Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) në lidhje me ajetin: “Në të vërtetë, nga robërit e Tij, Allahut i frikësohen vetëm dijetarët”, (El Fatir, 28) ka thënë: “Ata janë të cilët thonë: “Dhe Allahu është i Plotfuqishëm për çdo gjë!”
Këtu po mjaftohemi me kaq. Më në detaje rreth kaderit (caktimit) dhe fryteve të tij pozitive do të shtjellojmë kur të flasim rreth shtyllës së gjashtë të besimit, që është “besimi në caktimin e Allahut”.