Youtube/Tezkije
1. Natyrshmëria e pastër njerëzore
Dr. Ahmed el Kadi
 22.03.2022

Ajo është natyrshmëria në të cilën njeriu është krijuar asisoj, pa e mësuar dikush paraprakisht. Allahu i Lartësuar thotë: “Drejtohu me përkushtim në fenë e pastër monoteiste, natyrën fillestare, në të cilën Allahu i ka krijuar njerëzit. S’ka ndryshim të krijimit të Allahut. Kjo është feja e drejtë, por shumica e njerëzve nuk e dinë.” (Er Rum, 30)
 
Ndërkaq, i Dërguari, sal-lallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Çdo foshnjë lind me natyrshmërinë islame, porse më pas prindërit e hebreizojnë, e krishterojnë ose e bëjnë zjarradhurues.” (Shënon Buhariu) Në një motërzim të Muslimit qëndron: “Çdo foshnjë lind duke qenë në fenë islame.” Ndërsa në një transmetim tjetër të tij qëndron: “Nuk ka asnjë foshnjë që nuk lind në këtë natyrshmëri, derisa këtë e pohon gjuha e tij.”[1]
 
Çdo krijesë e mbetur në natyrshmërinë e vet fillestare në vetvete gjen besimin në ekzistencën e Allahut, përveç nëse në këtë natyrë të pastër ka diç që e prish atë. Allahu i Lartësuar në një hadith kudsij[2] thotë: “Të gjithë robërit e Mi i kam krijuar besimpastër (monoteistë), mirëpo atyre u venë shejtanët e i largojnë nga feja e tyre.” (Shënon Muslimi)[3]
 
Ka raste kur natyrën e pastër e mbulon lecka e dyshimeve dhe epsheve, por realiteti i saj shfaqet në kohë fatkeqësish dhe krizash. Allahu i Lartësuar ka thënë: “Kur hipin në anije, ata i luten Allahut me devotshmëri të sinqertë, por, kur Ai i sjell në tokë shëndoshë e mirë, menjëherë ata i veshin Atij ortakë (në adhurim).” (El Ankebut, 65)
 


[1] Buhariu (1358) dhe Muslimi (2658), përcjellë nga Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të!

[2] Hadith kudsij (i shenjtë, hyjnor) quhet hadithi që e transmeton i Dërguari, sal-lallahu alejhi ue selem, nga Allahu i Lartësuar. Shënim i përkthyesit.

[3] Muslimi (2865), përbrenda një hadithi të gjatë, përcjellë nga Ijad ibn Himar el Muxhashiu, Allahu qoftë i kënaqur me të!


Tezkije.com - Nuk lejohet shpërndarja ose/dhe ripublikimi i materialeve pa cekur burimin.
Shko tek kryefaqja