2. Mendja e shëndoshë
Dr. Ahmed el Kadi
Ajo është mendja e pastër nga dyshimet dhe epshet. Ajo në mënyrë të prerë pohon se krijesat doemos kanë Krijues, ngase ato nuk mund të ekzistojnë rastësisht e pa Krijues, si dhe nuk ka mundësi që ato të jenë vetëkrijuar, sepse mosekzistenca nuk prodhon ekzistencë! Pra, medoemos ka një Krijues Ekzistencësjellës, që është Allahu i Lartësuar.
Kur Xhubejr ibn Mutimi, që atëkohë ende ishte idhujtar, kishte shkuar tek i Dërguari, sal-lallahu alejhi ue selem, për lirimin e robërve të Bedrit, Profetin, sal-lallahu alejhi ue selem, e kishte dëgjuar duke lexuar suren Et Tur në namazin e akshamit, derisa kishte arritur tek ajeti: “A mos vallë, ata janë krijuar nga hiçi apo mos ata janë krijues të vetvetes?! A mos vallë, ata kanë krijuar qiejt dhe Tokën?! Nuk është kështu, por ata nuk janë aspak të bindur. A mos zotërojnë thesaret e Zotit tënd?! Apo mos janë ata sunduesit (e gjithçkaje)?!” (Et Tur, 35-37), me ç’rast kishte thënë: “Pothuajse zemra më fluturoi.” (Shënon Buhariu) Ky ishte momenti i parë kur besimi i kishte hyrë në zemër.
Ligjëruesi i arabëve gjatë periudhës së injorancës, Kus ibn Saide el Ijadi, ka argumentuar arsyetimin e çiltër, me ç’rast ka thënë: “Bajga është treguese e devesë e fërkemi tregon se dikush ka kaluar. Po qielli përplot yje e Toka e mbushur me kodra, a nuk e tregojnë Krijuesin dhe të Gjithinformuarin?!"