Çdo libër mund të bëhet i bezdisshëm me përjashtim të Kuranit, Librit Madhështor, pasi ai nuk vjetërohet asnjëherë dhe dijetarët nuk kanë të ngopur nga leximi i tij. Kurani, sa herë që lexohet, të shton vetëm shkëlqim dhe hijeshi. Prandaj lër kohë për Kuranin që ta lexosh, ta meditosh dhe të mendosh për të. Leximi i Kuranit le të jetë i përditshëm. Për ta lexuar si hatme[1], kushtoji dyzet ditë kohë minimumi. Për ta lexuar të gjithin me meditim, kushtoji një vit të plotë. Së fundmi, Kuranin, ta kesh program leximi gjatë gjithë jetës sate.
Ndërsa leximi i koleksioneve të Buhariut dhe Muslimit të jep ndjesinë e të qenit i pranishëm në mexhliset e Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, të cilat ishin mexhlise plot dritë. Mos e humb shansin të bëhesh pjesë e këtyre mexhliseve duke lexuar këto dy libra, qoftë lexim ditor ose javor.
Leximi i librave historikë të zhvillon arsyen. Imam Shafiu thotë: “Kush lexon historinë, do t’i shtohet arsyeja”.
Leximi i librit të imam Dhehebiut “Sijer Alam en-Nubela”[2] të ngjit më tepër në krahasim me librat e tjerë të këtij zhanri. Allahu i dha madhështi dhe hijeshi këtij libri të imam Dhehebiut dhe për këtë arsye pati goxha pranim, prandaj leximi i tij ka shije të veçantë.
Leximi i librave të shejhul islamit Ibn Tejmije të hap horizontet e dijes dhe njohjes në mënyrë të veçantë, në shumicën e disiplinave fetare. Madje edhe fjalët e tij të zakonshme përmbajnë xhevahire të ralla në sajë të dijes së tij të gjerë dhe fisnikërisë së tij. Por mos i hyr këtyre librave pa forcuar bazat e tua të diturisë, sikundër mos u tremb nga këta libra me idenë se janë të vështirë. Merri ato gradualisht duke evituar ato pjesë të vështira që mund t’i lexosh me kalimin e kohës.
Leximi i librave të imam Ibn Kajimit nga ana tjetër, të përmbledh tezat apo idetë e Ibn Tejmijes. Për librat e Ibn Kajimit kam shkruar një faqe në fund të këtij libri.
Leximi i librave të hershëm ka lezetin e vet, siç janë librat e imam Shafiut për të cilin El Xhahidhi, dijetari i retorikës arabe thotë: “Shafiu thur perla!”. Në këtë drejtim propozoj gjithashtu parathënien e imam Muslimit në koleksionin e tij të haditheve të sakta, parathëniet e librave të imam Ibn Kutejbes, si dhe leximin e dijetarëve si El Xhahidhi dhe Ibn el Mukaffa[3].
“Recetë mjekësore”: Leximi i librave të fikhut të imam Sheukanit, thyen ngurtësinë e mendimit fikhor.
Leximi i librit “El Muhala” të Ibn Hazmit, sjell goxha përfitim për interpretuesit e klasit të lartë të fikhut, ndërsa studentin fillestar e çorienton, prandaj secili duhet të dijë cakun e vet që të ketë kujdes.
Leximi i librave të vjetër voluminozë letrarë, si ato të El Xhahidhit dhe Et-Teuhidiut (duke shmangur aspektin doktrinal të tyre), na merr me vete në bukurinë dhe artin e letërsisë, për të zgjuar te ne emocionin letrar, nëse vërtetë ka mbetur diçka brenda nesh.
Nga ana tjetër, leximi i librave të hadithit, na mëson retorikën e gjuhës arabe, lehtësinë dhe bukurinë e saj të bëra bashkë, duke shmangur retorikën e hollë të shumë letrarëve të tjerë. Vërejeni tek lexoni hadithet për ngjarjen e Aishes me akuzuesit e saj, apo për ngjarjen e sahabiut Ka’b ibn Malik kur neglizhoi vajtjen në Betejën e Tebukut, se sa bukur shprehen me gjuhën e tyre. Dijetari Ibn Ethiri ka një libër gjithashtu që ia vlen të lexohet, me titull “Menal Et-Talib”.
Leximi në librat e Ali Tantauit, Zekij Mubarekut dhe El Maziniut, të jep përshtypjen se ke aftësinë e të shprehurit si ata dhe njëkohësisht ndjen paaftësinë praktike për ta realizuar atë përshtypje. Kësaj situate i thuhet “e thjeshta e pamundur”, pra, kur je afër me librat e tyre dhe vëren stilin e thjeshtë të përdorur, ndien sikur ata po të flasin ballë për ballë dhe janë në një bashkëbisedim me ty në një natë të bukur, por krejt papritur kur dëshiron t’u flasësh, ngatërrohesh e nuk e gjen veten të lirshëm.
Për specialistët e fikhut propozohet leximi i biografive të dijetarëve të fikhut, ku më kryesorët janë: libri “Dhejl Tabekat el Hanabile” i Ibn Rexhepit, “Tabekat esh-Shafi’ije” i Subkijut, “Tertib el Medarik” i kadiut Ijad dhe “El Xheuahir el Mudijeh” i Abdulkadir el Kurashijut. Kurse për studiuesit në fushën e tefsirit mund të sugjerojmë biografitë e mëposhtme: “Tabekat el Mufessirin” me autor Muhamed ibn Ali ed-Daudij ose të autorit Adil Nuejhid etj..
Letrarët gjithashtu le të lexojnë biografitë e shkrimtarëve të letërsisë në vepra të tilla si: “El Udeba” i Jakut el Hameviut, “Esh-Shi’ru uesh-Shu’ara” i Ibn Kutejbes, “Uefejat el A’jan” etj.. Të njëjtën metodë duhet të ndjekin edhe gramatikanët për të cilët mund të përmendim dy libra: “Inbah er-Ru’at” i Ebu el Hasen el Kiftit dhe “Bug’jet el Vu’at” i Sujutit.
Lexoji këta libra dhe do të shikosh se çdo studiues i fushës përkatëse do të gjejë në to përfitime të mëdha, të cilat nuk do t’i gjejë kurrkund tjetër, madje mund të gjejë çështje të rralla të panjohura për fushat përkatëse. Mos të përmendim pastaj përfitimet e marra duke njohur më të shquarit e fushave që përmendëm dhe klasifikimin e tyre, jetën e tyre, nxënësit dhe kushtet sociale të kohës kur kanë jetuar, qëndrimet e tyre përballë sfidave të ndryshme, veprat që ata kanë shkruar dhe që sot nuk ekzistojnë etj.. Të gjitha këto lënë ndikim të madh në mendjen e dijetarëve.
[1] Leximi i plotë i gjithë Kuranit. (Shënim i përkthyesit)
[2] Ky libër i imam Dhehebiut është libër biografik i figurave të shquara nga profeti (alejhi selam) deri në periudhën e vetë imam Dhehebiut. (Shënim i përkthyesit)
[3] Dy personalitet e fundit janë të shquar në letërsi. (Shënim i përkthyesit)