Youtube/Tezkije
Tema e gjashtë: Morali në Islam
Dr. Muhamed el Hamed
 31.03.2022

 
Pa dyshim, morali zë vend të lartë në fenë islame. Rrjedhimisht, në vijim do të përmendim disa çështje në lidhje me të.
 
E para: Përkufizimi i fjalës moral: morali është sjellje e virtyt që bëhet natyrshëm.
 
Ibn Mendhuri ka thënë: Morali është përmendur në Kuran: “Pa dyshim, ti je me virtyte madhore.” (El Kalem, 4) Gjithashtu, vjen me kuptimet: fe, virtyt dhe sjellje.
 
Ndërkaq, Xhahidhi ka thënë: “Morali është një gjendje e rrënjosur në shpirt, prej nga rrjedhin natyrshëm veprimet e sjelljet e njeriut. Te disa njerëz morali mund të jetë natyrë dhe instinkt i tyre, kurse te disa të tjerë mund të përvetësohet me ushtrime dhe përpjekje.”
 
E dyta: Përkufizimi i moralit të mirë: Përkufizimi i moralit të mirë në tërësi ka ardhur në disa mënyra, të cilat janë të afërta me njëra-tjetrën e që mund t’i përmbledhim në këtë përkufizim: morali i mirë është të cilësuarit me virtyte e morale fisnike, si: buzëqeshja, butësia, fjalët e mira, bujaria, zemërgjerësia, mosdëmtimi, durimi, shpirtmadhësia, falja, trimëria dhe të tjera si këto, si dhe duke u larguar nga çdo ves që bie ndesh me to.
 
Këto janë kuptimet më të thjeshta me të cilat sqarohet morali i mirë, por në vazhdim do të trajtojmë disa aspekte të tjera, të cilat do ta shfaqin me një pamje edhe më të qartë.
 
E treta: Kuptimi i moralit të mirë: Profeti ka thënë: “Ki drojë Allahun kudo që të jesh, pasoje të keqen me një punë të mirë, që të ta fshijë atë, si dhe sillu me njerëzit me moral të mirë.”
 
Dijetari i Islamit Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Morali i mirë me njerëzit është të mbash lidhjet me atë i cili i ka shkëputur lidhjet me ty, t’i nderosh, të lutesh e të kërkosh falje për të te Zoti, të thuash fjalë të mira për të dhe ta vizitosh. Po ashtu, t’i japësh edhe atij që nuk të jep, qoftë ajo dije a përfitim material, si dhe të falësh atë që të ka bërë padrejtësi duke të cenuar gjakun, pasurinë ose nderin. Disa prej këtyre janë detyrë, disa të tjera janë të pëlqyera.”
 
E katërta: Kuptimi i virtyteve të larta: Allahu i Madhëruar tregon cilësitë e profetit Muhamed në Kuran, ku thotë: “... ti je me virtyte madhore.” (El Kalem, 4)
 
Sa i Madhëruar është Allahu! Sa të shumta janë mirësitë e Tij! Shiko sa e përkryer është dhënia e Tij! Shiko deri në cilën pikë arrin butësia e Tij! Shiko se si i dhuron robit të Vet, e më pas e lavdëron atë për diçka që vetë ia ka dhuruar!”
 
Shejhulislam Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Virtytet madhore, me të cilat Allahu ka cilësuar profetin Muhamed janë feja që përmbledh gjithë ato që ka urdhëruar Allahu. Kështu është shprehur Muxhahidi dhe të tjerët. Kjo, pa dyshim, është jetësimi i Kuranit, siç thotë bashkëshortja e tij, Aishja (Allahu qoftë e kënaqur me të!): “Morali i tij ka qenë Kurani.” Realiteti i kësaj është zbatimi dhe kryerja e çdo vepre që e do Allahu, me zemër të kënaqur dhe shpirt të qetë.”
 
Ndërkaq, imam Ibn Kajimi (Allahu e mëshiroftë!), në komentimin e ajetit të mësipërm, ka thënë: “Ibn Abasi dhe Muxhahidi kanë thënë: “Ti je në një fe madhështore, të cilën e dua, dhe nuk pranoj tjetër veç saj, e që është feja islame.”
 
Ndërkaq, Hasan el Basriu ka thënë: “Ato janë moralet e Kuranit.” Pra, vërtet, o Muhamed, ti je i pajisur me sjelljet të cilat nxit Kurani.”
 
Ndërkaq, dijetari Tahir ibn Ashuri (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Virtytet e larta janë sjellja më e mirë dhe më e lartë që buron nga njeriu dhe virtytet e larta qenë harmonizuar te Profeti . Këto virtyte janë sjellja e mirë me njerëzit në çdo situatë, duke e ditur se virtytet e larta janë në një shkallë më të lartë se thjesht morali i mirë.”
 
Po ashtu, ai vazhdon e thotë: “Dije se virtytet madhore, të cilat janë shkalla më e lartë e moralit të mirë, përfshin të qenët besimtar, njohjen e të vërtetave, të qenët i butë, i drejtë, durimtar ndaj mundimeve, të qenët mirënjohës, i thjeshtë, asket, i dëlirë, falës, bujar, i turpshëm, guximtar, i vëmendshëm, i matur, serioz, i mëshirshëm dhe i sjellshëm në raport me bashkëshorten.”
 
Moralet janë të fshehura në brendësinë e njeriut dhe shfaqen nëpërmjet veprimeve që kryen poseduesi i tyre, si: në fjalë, të qenët fytyrëqeshur, i vendosur, i mençur, mënyra si ecën dhe pushon, në ngrënie e pirje, në sjelljen me familjen e në veprime të tjera si këto, përmes të cilave përcaktohet pozita, fama dhe vlerësimi që i bëjnë njerëzit.
 
Ndërkaq, tek i Dërguari i Allahut të gjitha këto cilësi kanë qenë të pranishme, qoftë në mënyrën se si e udhëhiqte popullin e tij, qoftë në oratorinë dhe fjalët kuptimplota që thoshte.”
 
E pesta: Vlerat e moralit të mirë: Legjislacioni islam i ka qartësuar vlerat madhështore që ka morali i mirë, nëpërmjet të cilave arrihen të mirat e kësaj bote dhe të botës tjetër. Po veçojmë disa prej tyre:
 
1.       Të pajisurit me moral të mirë është zbatim i urdhrit të Allahut të Lartësuar, i Cili thotë: “Trego mëshirë, urdhëro vepra të mira dhe shmangu nga të paditurit!” (El Araf, 199)
 
2.      Të pajisurit me moral të mirë është bindje ndaj urdhrit të Profetit , i cili ka urdhëruar për moral të mirë në një sërë hadithesh, bie fjala, hadithi i Muadhit, të cilin e trajtuam: “Dhe me njerëzit sillu me moral të mirë.”
 
3.      Duke pasur moral të mirë ne realizojmë pasimin e Profetit . Allahu i Madhëruar thotë: “Në të Dërguarin e Allahut ju keni një shembull të mrekullueshëm.” (El Ahzab, 21)
 
4.      Me moralin e mirë arrihen gradat e larta. Profeti ka thënë: “Njeriu me moral të mirë arrin gradën e atij që falet dhe që agjëron shumë.”
 
5.      Morali i mirë është nga veprat më të mëdha me të cilin njeriu hyn në Xhenet. Profeti ka thënë: “Nga veprat më të mëdha të cilat i fusin njerëzit në Xhenet janë: bindja ndaj Allahut dhe morali i mirë.”
 
6.      Ai që është i pajisur me moral të mirë, Ditën e Gjykimit do të ulet pranë Profetit : “Njeriu më i dashur tek unë e që do të ulet më pranë meje Ditën e Gjykimit është ai që ka moralin më të mirë.”
 
7.      Nëpërmjet moralit të mirë arrihet dashuria e Allahut. Usama ibn Shurejku (radijallahu anhu) ka thënë: “Ishim ulur me Profetin dhe po qëndronim thuajse mbi kokat tona ishin ulur zogjtë. Asnjëri prej nesh nuk fliste, e në atë moment erdhën tek ai disa njerëz dhe i thanë: “Cilët janë robërit më të dashur tek Allahu?” Ai tha: “Ata që kanë moralet më të mira.”
 
8.      Morali i mirë është nga veprat më të rënda në peshoren e Ditës së Gjykimit. Ebu Derdai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) përcjell se Profeti ka thënë: “Nuk ka ndonjë vepër që rëndon më shumë në peshoren e Ditës së Gjykimit sesa morali i mirë.”
 
9.      Morali i mirë është shkak për zgjatjen e jetës dhe shtimin e pasardhësve: Profeti ka thënë: “Morali i mirë dhe fqinjësia e mirë janë shkak për shtimin e pasardhësve dhe për zgjatjen e jetës.”
 
10.   Me moralin e mirë përfitohen zemrat, lehtësohen çështjet dhe mbrohesh nga dëmi i njerëzve.
 
11.    Morali i mirë është shkak për t’u përmendur për të mirë dhe për t’u shtuar dituria.
 
12.   Morali i mirë të dhuron qetësi shpirtërore, jetë të këndshme, njëherazi është siguri nga problemet e jetës.


Tezkije.com - Nuk lejohet shpërndarja ose/dhe ripublikimi i materialeve pa cekur burimin.
Shko tek kryefaqja